Mbas suksesit të madh të Estonisë me dixhitalizimin e vendit, hapjen e startup-eve dixhitale, dhe në përgjithësi përmirësimin e ekonomisë, të gjitha vendet e vogla e shohin Estoninë si një shembull që duhet ndjekur. Po në Shqipëri, në ç‘situatë është skena e startup-eve?
Fjala startup u referohet kompanive të vogla të cilat përpiqen të hedhin një ide inovative në treg. Këto ide mund të jenë të çdo fushe. Që nga kompanitë të cilat duan të prodhojnë një lloj të ri ushqimi qensh deri te startup-et dixhitale. Në botën tonë që sa vjen e bëhet më e dixhitalizuar këto startup-e marrin një rëndësi më të veçantë se të tjerat. Rrallëherë shohim dhe startup-e që quhen „njëbrirësha“.
Këto startup-e janë ato që arrijnë një vlerë më të madhe se 1 miliardë dollarë. Por Shqipëria është larg njëbrirëshave dhe është larg të pasurit një skenë normale startup-esh. Në artikullin e mëposhtëm diskutojmë problemet kryesore se pse startup-et dixhitale në Shqipëri deri tani nuk kanë ecur siç duhet. Ky artikull u frymëzua mbas disa bisedash me programues shqiptarë që jetojnë në Shqipëri ose që kanë emigruar për në BE pasi panë se Shqipëria nuk ofron shumë mundësi në këtë fushë.
Sipas personave me të cilat fola problemi kryesor është financimi. Si fillim bankat nuk marrin rreziqe me kompani të vogla. Kryesisht favorizohen kompani më të mëdha, ose kompani apo biznese të vogla të cilat kanë qenë të suksesshme deri në një pikë dhe kërkojnë më shumë financim. Problemi i dytë është fakti se pjesa më e madhe e personave të pasur dhe biznesmenëve shqiptarë nuk janë të interesuar për investime të tilla. Jo sepse nuk duan të bëjnë para por pjesës më të madhe u duket si investim apo shpenzim i kotë investimi në të tilla kompani.
Në Shqipëri gjithashtu, ndryshe nga vendet e tjera europiane nuk ka Venture Capitalists (persona të cilët si profesion kanë investimin në kompani të reja me potencial). Ka pasur përpjekje nga ana e shtetit për të financuar ndonjë startup tek-tuk por shumat e dhëna kanë qenë qesharake. Konkurset në fushën teknologjike ku njerëzit supozohet të marrin çmime të ndryshme, gjithashtu janë qesharake. Shumat e fituara janë shumë te vogla. Në këtë pikë ne propozojmë:
- Shtyrjen e bankave me anë të politikave monetare drejt kredi-dhënies më të madhe. Siç kanë thënë dhe të tjerë më parë, krijimi i një banke kombëtare me kredi të buta gjithashtu do të mund të ndihmonte shumë sektorët ekonomikë të cilët do i quajmë si më të rëndësishëm. Një prej sektorëve mendojmë të bëjmë dhe startup-et dixhitale.
- Krijimin e „paketave dhuratë“. Brenda mundësive financiare të shtetit dhe pa u zhytur shumë në borxhe, shpresojmë të krijojmë „paketa dhuratë“. Mbas konsultimeve me programues të ndryshëm konstatuam se shuma minimale për të bërë diçka serioze në këtë fushë është diku te tridhjetë mijë Euro. Mund të krijohet pra një fond i cili ia jep këto paketa dhuratë startup-eve të cilat duken premtuese.
- Krijimi i një forumi të përbashkët ndërmjet biznesmenëve dhe programuesve, dizajnerave etj. Në shoqëritë perëndimore këto forume krijohen nga vetë njerëzit dhe jo shteti. Gjithsesi nëqoftëse nuk shkon mali te Muhamedi, do shkojë Muhamedi te mali. Pra do e krijojë shteti. Ky forum supozohet të edukojë biznesmenët mbi mundësitë e reja dixhitale dhe tu „kurojë“ mungesën e vizionit që kanë.
Këto janë propozimet tona përsa i përket financimit. Tani kalojmë te problemi i dytë. Edukimi.
Që personat të jenë inovativë, niveli i edukimit duhet të jetë i lartë. Për momentin përshembull rrallëherë ndodh që aplikacionet shqiptare të krijuara nga këto startup-e të jenë inovative. Kryesisht ose janë kopje të këqija të aplikacioneve apo modeleve të bizneseve të huaja, ose ndodh që programuesit shqiptarë thjesht punojnë për kompani të huaja që bëjnë outsourcing projektesh në Shqipëri. Programuesit me të cilët fola më lanë të kuptoj se kjo nuk ndodh sepse shqiptarët janë idiotë por sepse niveli i edukimit lë shumë për të dëshiruar. Profesorë të cilët, ndonëse nuk janë në kontakt me teknologjitë e reja, prapë zënë rrënjë në universitete. Profesorë të përjetshëm që nuk hiqen kurre, mungesë dëshire për të dhënë mësim, korrupsion për dhënie notash etj. Në të tilla kushte duhet të çuditemi që ka një skenë startup-esh në Shqiperi ne radhë të parë. Përveç zëvendësimit të pedagogëve me persona të aftë njëri nga programuesit me të cilët fola më sugjeroi këto ide:
- Krijim programuesish kualitativë. Nuk duhen nxjerrë 300 programues pa cilësi. Më mirë 50 me cilësi se sa 300 por pa cilësi. Nëse është e mundur të nxirren 300 me cilësi aq më mirë. Përndryshe jo.
- Mundësi më e madhe specializimi në master. Nuk duhet të ketë thjesht mastera të përgjithshëm në IT. Duhet të ketë mastera për personat që duan të specializohen në database për persona të cilëve u intereson IOT(internet of things). Dhe nëqoftëse masterat janë të përgjithshëm, dhe brenda masterave të përgjithshëm duhet të lejohet më shumë mundësi specializimi.
Ne si Brerore sugjerojmë dhe diçka të tretë. Në perëndim janë shumë të përhapura kompanitë spin-off. Me këtë fjalë nënkuptohen kompani të cilat nisin në universitet me idetë e tyre dhe më vonë hidhen në treg. Përveç kësaj sugjerojmë të njëjtin financim të tipit „paketa dhuratë“ dhe gjatë universitetit. Dhe jo vetëm kaq. Duhet të kete qendër startup-esh në çdo universitet të shkencave natyrore. Këto qendra duhet të ndihmojnë studentët që kanë ide me këshillim, të krijojnë komunikim mes studentëve që kane ide të ngjashme dhe mund të ndihmojnë njeri tjetrin në krijimin e startup-eve, etj.
Gjithashtu sugjerojmë tërheqjen e profesorëve të informatikës dhe shkencave të natyrës me eksperiencë jashtë shtetit dhe me shumë ekspertize me anë të rritjes së rrogave për këta persona. Gjithashtu mund të thuhet se përveç krijimit të programuesve më inovativë, krijojmë dhe më shumë mundësi për firma të huaja që të vijnë të investojnë në Shqipëri. Një programues me të cilin fola më tha se firmave të huaja u pëlqejne punonjësit shqiptarë në krahasim me indianët. U pëlqen mënyra e të punuarit, vendi etj. Nëse do kishim programues më të mirë të tillë investitorë gjithashtu do shtoheshin. Natyrisht outsourcing dhe investimet e tilla të huaja nuk duhen parë si zgjidhja e çdo gjëje por gjithsesi ndihmojnë.
Kalojmë te problemi i tretë. Taksat.
Nuk ka rëndësi se cila qeveri vjen apo ikën. Taksat ndaj të tilla kompanive rrinë zakonisht shumë të larta. Kjo çon pastaj në të tilla gjëra si zhvendosje e Headquarters nga Tirana në Shkup apo mosmarrje parasysh fare e Tiranës si vend për të krijuar një kompani apo për hapjen e një dege kompanie të huaj në Tiranë. Ulje taksash pra për sektorët që i shohim si sektorë strategjikë.
Problemi i katërt është problemi i mungesës së vizionit. Shqiptarëve u mungon vizioni dixhital. Duhet përpjekur të zhvillohet sa më shumë si vizion në shkolla (kryesisht gjimnaze por jo vetëm. Sa më herët aq më mirë) por duhet të ketë dhe fushata televizive të cilat i tregojnë mundësitë e reja dixhitale popullsisë. Këtu shpresa është te brezi i ri pasi brezi i vjetër rrallëherë angazhohet me të tilla teknologji. Mungesa e vizionit sjell përshembull moshapjen e startup-eve të reja që mund të kenë potencial. Një programues më tregoi rastin e vet. Në këtë rast, pa hyrë shumë në detaje, modeli i biznesit dështoi pasi personat në fjalë ishin të kënaqur me aq klientë sa kishin dhe përdorimi i një aplikacioni u dukej gjë e çuditshme.
Problemi i pestë është problemi i sektorit publik. Tek ne, prokurimet publike dhe tenderat kryesisht fitohen nga Infosoft-i. Kjo kompani ka krijuar tip monopoli me anë të shërbimeve që i ofron shtetit shqiptar. Dhe është bërë monopol jo për shkak të cilësisë së shërbimeve që ofron, por për shkak të lidhjeve politike. Kjo është problematike. Kemi bërë çdo gjë në varësi të politikës. Të paktën mos të bëjmë dhe teknologjinë. Këtu duhet shtuar gjithashtu se një tip investimi i madh në infrastrukturën dixhitale publike do ishte shumë investim me mend.
Nëse mund të përmendim fushat me potencial të lartë për startup-e dixhitale mund të përmendim fintech-un. Është e vërtetë që një pjesë e mirë e tregut është zënë nga kompani si PayPal, Wirecard etj. Por prapë ka mundësi për rritje. Problemi këtu, i cili është dhe një problem më i përgjithshëm, është mungesa e ndërlidhjeve me vende të tjera europiane. Sistemet financiare shqiptare duhet të jenë të zhvilluara, duhet të ketë më shumë kontakt me vendet e tjera europiane dhe mundësisht dhe me vendet ballkanike(përveç Serbisë dhe Greqisë). Nderlidhjet sjellin më shumë zhvillim. Natyrisht këtu nuk duhet të cënojmë qëllimet gjeopolitike për më shumë rritje ekonomike. Pra me kujdes por dhe me vrull.
Problemi i fundit dhe më seriozi dhe dëshpëruesi nga të tërë është Brain Drain. Me Brain Drain nënkuptohet ikja e trurit. Asnjë i ri shqiptar nuk e sheh të ardhmen e tij në Shqipëri. Dhe këtu përfshihen dhe programuesit. Në një intervistë që bëmë me një programues i cili jetonte në Hollandë lindi pyetja: Si duhet të jetë skena e startup-eve shqiptare që të ishe i gatshëm të ktheheshe në Shqipëri? Përgjigja ishte: Duhet të jetë e qëndrueshme. Duhet të paktën të ketë disa kompani me vlere diku te 5 milione Euro. Kjo sjell siguri sepse nuk ke frikë se ku do punësohesh nëqoftëse humbet punën te kompania e vogël ku je.
Shpresojmë që ky nivel zhvillimi të arrihet ndonjë ditë në Shqipëri në mënyrë që një pjesë e trurit të kthehet. Gjithashtu emigrantët duhet të „joshen“ për tu rikthyer në vend me ulje taksash dhe lehtësira të tjera.
Tani, mbasi thamë tërë këto që thamë lind pyetja: Pse e shohim si kaq të rëndësishëm këtë sektor? Ka shumë arsye.
Fillimisht bota në të cilën jetojmë po bëhet çdo ditë e më shumë dixhitale. Dhe arsyeja më e rëndësishme është fakti se këto lloj startup-esh janë relativisht të lehta për tu hapur dhe nuk kërkojnë shumë dije. Mjafton kurioziteti dhe gjenialiteti i krijuesve.
Ndryshe nga industritë që kërkojnë eksperiencë të mëparshme apo dije teknike të mëdha, ndryshe nga bujqësia që kërkon goxha kohë derisa të zhvillohet tamam, ky sektor i ekonomisë kërkon më pak burime për të krijuar output financiar të njejtë. Output i cili, mbasi ky sektor të jetë zhvilluar tamam, do taksohet pak më shumë se në fazën e parë dhe do shkojë për financimin e zhvillimit të sektorëve të tjerë.
Këto pra ishin problemet kryesore që hasin startup-et në Shqipëri dhe disa nga zgjidhjet që menduam të japim.
This blog post has been Digiproved © 2019