Njeriu është gjallesë e bërë prej mishi dhe kockash, të cilat funksionojnë me ndihmën e qarkullimit të gjakut dhe sistemit nervor, që nga ana e tyre, së bashku me organet e brendshme, duhet të përmblidhen tek një zemër në kraharor dhe një tru në kokë. Fakti që njeriu është një organizëm kompleks sjell si pasojë përgjegjësi të madhe në ruajtjen e gjithë sistemeve të cilat në totalitetin e funksionimit të vetë përbëjne këtë “gjallesë pa pupla që ecën me dy këmbë”. Kjo do të thotë që njeriu është i dëmtueshëm, dhe si i tillë ka nevojë për përkujdesje.
Kështu pra, ndodh që njeriu shembet, prihet, digjet, sëmuret dhe shkon në institucione të posaçme që mundësojnë rikthimin sa më të afërt tek gjendja e mëparshme. Kësaj rradhe ishte një i afërmi im ai që pati nevojë për këtë lloj përkujdesjeje, dhe ja që përfunduam tek Spitali Rajonal i Vlorës.
Pas kontrollit urgjent nëpërmjet grafive, mjeku i turnit urdhëroi infermierin ta shtrinin pacientin në dhomë, i shoqëruar me sorumet e ndryshme. Dhoma që supozohej të ishte e mërzitshme dhe e parehatshme për ne të tjerët (dy veta), për çudi, u kthye në një ambjent të këndshëm duke qenë se aty u njohëm me njerëzit e pacientit shtrirë tek krevati përballë nesh. Vlora është e vogël, dhe sigurisht që dalja të njohur është tashmë më shumë një premisë në nisjen e çdo bisede sesa një rezultat.
Bisedat e rastit me kalimin e kohës dhe zbrazjen e serumit morën nuanca më personale dhe bashkëbiseduesi e shoqëruesi i pacientit tjetër na tregoi për mbesën e vet, e cila sapo kishte përfunduar studimet për infermieri në Universitetin e Vlorës kishte mundur të emigronte në Gjermani. Sigurinë e kishte me vete përsaqë institucioni pritës gjerman i kishte lidhur kontratë të rregullt pune, në të cilën ndër të tjera përcaktohej një pagesë mujore prej 2700 euro, si edhe shtëpi e paguar në mënyrë sociale nga institucionet lokale. I kënaqur në arritjet dhe gjendjen e mbesës, bashkëbiseduesi ynë filloi të kritikonte gjendjen e spitalit dhe peripecitë e veta për t’i mbushur mendjen xhepit të zbrazur të mjekut që vizita nuk bëhej duke u afruar deri tek dera e dhomës së pacientit.
Nga ana ime u përpoqa t’i shprehja një shqetësim që më rrihte në kokë prej ditësh, i nxitur edhe nga lajmet televizive. Fenomeni i emigracionit (ose “ikjes” në zhargon, ose “ikjes natën” akoma më thellë në zhargon) po merr trajta të frikshme dhe të rrezikshme. Kjo përshtypje bëhet menjëherë e qartë nëse mbahet në mend vala e parë e këtij eksodi të çakërdisur.
Para disa vitesh pothuajse të gjithë ata që shitën bagëtinë, toka, shtëpitë (me letra e pa letra), u nisën, shpesh të mashtruar, drejt Gjermanisë, sepse ishte krijuar bindja se këta i prisnin ata. Para një apo dy vitesh theksohet rëndshëm largimi i të sapodiplomuarve për mjekësi dhe infermieri. Tashmë dëgjojmë përditë që gazetarët profesionistë, me karrierë jo të paktë, largohen dhe kërkojnë të largohen. Të mos i gjykojmë njerëzit në çështjet e tyre partikulare, por le të kuptojmë që fenomeni i “ikjes” sa vjen e specializohet.
Bashkëbiseduesi ynë shkurt fare, ma ktheu se mirë bëjnë dhe se skanë ç’të bëjnë tjetër. “Këtu ka marrë fund gjithçka.”- tha. Pas kësaj ia bëra me shenjë njeriut tim (të shëndetshëm) të dilnim për një cigare jashtë. Nuk kishte më kuptim biseda me një njeri që në 90’ ka qenë 25 – 28 vjeç dhe nëse i bie dikujt përgjegjësia dhe vula e brezit të dështuar, janë këta njerëz, të cilët sot me sinqeritetin më të madh vlerësojnë mjekësinë gjermane duke i dhënë gjak e skuqje asaj vule të madhe dështimi që shenjon këtë shoqëri akoma sot.
This blog post has been Digiproved © 2019