Ngjashmërite e efekteve të regjimeve monetare liberale dhe merkantiliste. Shembulli i BME-së dhe i standardit të arit : Pjesa IV

Ne pjesën e fundit të këtij artikulli do futemi më thellë në Kapitullin mbi Merkantilizmin të Teorisë së Përgjithshme. Pyetja kryesore e këtij paragrafi është: Çfarë karakteristikash ka merkantilizmi sipas Keynes dhe si këto karakteristika mund të krahasohen me idetë liberale monetare dhe regjimet liberale monetare.

Këtu nuk do të përqëndrohemi në gjëra si ndihma shtetërore për industri apo kompani të ndryshme apo ndërhyrjet e tjera shtetërore, që shpeshherë quhen në mënyrë të gabuar merkantilizëm por fokusi jonë do jetë në çështjet monetare. Sipas Keynes e vetmja arsye pse merkantilistet ishin të fiksuar me balancën tregtare ishte sepse nuk mund të ndryshonin dot sipas dëshires normën e interesit.

Vendet në kohën e merkantilizmit vuanin nga norma interesi shumë të larta që mund të uleshin thjesht me anë të hyrjes së metalit të çmuar(arit) në vend. Me fjalët e Keynes:

„Kështu, një preokupim nga ana e autoriteteve me balancën tregtare i shërbente të dyja qëllimeve dhe për më tepër ishte e vemtja mënyrë për ti arritur ato. Në një kohë kur autoritetet nuk kishin kontroll direkt mbi normat e interesit vendase apo mekanizmat e tjerë që rrisin investimin në vend, masat për rritjen e favorshme të balancave tregtare ishin e vetmja mënyrë e mundshme për rritjen e investimit të huaj; dhe në të njejtën kohë, efekti i një balancë tregtare të favorshme mbi hyrjen e metaleve të çmuara në vend ishte e vetmja mënyre indirekte e tyre për të reduktuar normën e interesit në vend dhe për të rritur dëshirën për të investuar.“

Hyrja e arit në vend kishte gjithsesi një limit. Limiti arrihej kur rritja e inflacionit dhe rritja e madhe e njësisë së pagave(wage unit) i bënin eksportet jo kompetitive. Me fjalët e Keynes:

„Nëqoftëse norma e interesit e vendit bie aq poshtë sa volumi i investimeve stimulohet në mënyrë të mjaftueshme për rritjen e punësimeve në një nivel i cili kalon pikën kritike të rritjes së njësisë së pagesës, rritja e nivelit të kostove do fillojë të reagojë në mënyrë të pafavorshmë mbi balancën tregtare, në një mënyrë të tillë që dëshira për të ndikuar këtë të fundit në mënyrë të favorshmë do kthehet në një mundje të vetvetes.“.

Logjikisht vendet nuk do e kalonin një cak të caktuar inflacioni ose dhe do përpiqeshin të ndiqnin politika deflative nëse ky cak kalohej.

Çfare lloj sistemi monetar lejoi qe këto gjëra të ndodhin? Me fjalët e Keynes:

„… dhe me një sistem monetar i cili në mënyrë të ngurtë lidh sasinë e parasë me stokun e metaleve të çmuara, është shumë e rëndësishme nëse mirëqënia duhet të vazhdojë që autoritetet ti kushtojnë shumë vëmendje gjendjes së balancës tregtare.“

Standardi i arit të cilin Keynesi kritikon dhe sistemi i vjetër monetar merkantilist ishin thuajse e njëjta gjë. Ari sillte konvertibilitet universal gjë që çonte në më pak liri për ndërhyrje në ekonominë e brendshme.

Për ta përmbledhur: Merkantilistët ishin të bindur që një balancë pozitive tregtare do u sillte mirëqenie vendeve të tyre. Keynes mendonte se kishin të drejtë që nuk e injoronin çështjen e balancës tregtare ndonëse nuk e zgjidhën problemin totalisht. Ky lloj mendimi erdhi për shkak të pamundësisë së ndikimit të normes së interesit vendase pa pasur balancë pozitive tregtare. Standardi i arit (gjithashtu prezent në kohën e merkantilistëve) dhe konvertibiliteti universal ishin gjithashtu një problem i madh për sovranitetin monetar të shteteve në këtë kohë. Gjithashtu shohim një trend deflativ ose të paktën një përpjekje për mos ta kaluar një nivel të caktuar inflacioni.

Konkluzioni

Pasi tregova karakteristikat kryesore te BME-së, të standardit të arit të epokës liberale dhe të standardit të arit të epokës merkantiliste do bëj një krahasim të efekteve të secilit regjim monetar. Më poshtë kam paraqitur një listë me indikatorë. Ngjashmëria midis indikatorëve mund të tregojë një ngjashmëri midis regjimeve monetare. Me “Standardi i Arit 1” më poshtë kuptojmë standardin e arit të shekullit të 19 dhe me “Standardi i Arit 2” kuptojmë standardin e arit të epokës merkantiliste.

BME:

Humbje e sovranitetit monetar- Po

Hedhje e barrës së zhbalancave makroekonomike në shtetet më të dobëta dhe ndaj punës- Po

Pamundësia e zhvlerësimit. Gjithashtu pamundësi për të luftuar defiçitet pa zhvlerësim të brendshëm- Po

Vjedhje e punësimit me anë të politikave beggar-thy-neighbour- Po

Trend deflacionar- Po

Vendet e varura nga balanca e pagesave (dhe më specifikisht balanca tregtare) për punësim- Po, sepse nuk u lejohet zhvillimi vendeve me treg të brendshëm.

Rritje e konkurrencës mes shteteve- Po

Nevojat e ekonomisë vendase të drejtuara ndaj çështjeve të jashtme për të zjgjidhur zhbalancat ekonomike- Po. Drejtimi i ekonomisë drejt çështjeve të jashtme është drejtim me forcë. BQE dhe humbja e sovraniteteve monetare nacionale shkaktojnë rritjen e zhbalancave. Diktimi i politikave ekonomike ndaj shteteve më të dobëta në mënyrë që të zgjidhet problem i zhbalancave ekonomike është rezultat direkt i adoptimit të një sistemi të caktuar monetar. Ndryshe nga standardi i arit ku shtetet ndiqnin një normë të caktuar interesi për “mos të mbetur mbrapa”, problemi me BQE-në është dhe më i madh pasi nuk ka fare banka qëndrore dhe çdo gjë vendoset nga BQE.

Standardi i arit 1:

Humbje e sovranitetit monetar- Po

Hedhje e barrës së zhbalancave makroekonomike në shtetet më të dobëta dhe ndaj punës- Po

Pamundësia e zhvlerësimit. Gjithashtu pamundësi për të luftuar defiçitet pa zhvlerësim të brendshëm- Po dhe kjo për shkak se vlera e monedhës nuk lejohej të ndryshonte me kohën.

Vjedhje e punësimit me anë të politikave beggar-thy-neighbour- Po

Trend deflacionar- Po

Vendet e varura nga balanca e pagesave (dhe më specifikisht balanca tregtare) për punësim- Po

Rritje e konkurrencës mes shteteve- Po

Nevojat e ekonomisë vendase të drejtuara ndaj çështjeve të jashtme për të zgjidhur zhbalancat ekonomike- Po. Shtetet se s’bën duhet të drejtoheshin ndaj çështjeve të jashtme nëse nuk donin të vuanin defiçite të medha.

Standardi i arit 2:

Humbje e sovranitetit monetar- Po

Hedhje e barrës së zhbalancave makroekonomike në shtetet më të dobëta dhe ndaj punës- Nuk kemi informacion për hedhjen e barrës ndaj punës dhe punëtorëve por barra hidhej në mënyrë të ndërgjegjshmë ndaj shteteve më të dobëta.

Pamundësia e zhvlerësimit. Gjithashtu pamundësi për të luftuar defiçitet pa zhvlerësim të brendshëm- Po dhe kjo për shkak se vlera e monedhës nuk lejohej të ndryshonte me kohën.

Vjedhje e punësimit me anë të politikave beggar-thy-neighbour- Po

Trend deflacionar- Trendi deflacionar ekzistonte që në fillim në këtë sistem. Përpjekjet ishin për më shumë hyrje të metaleve të çmuara. Trend deflacionar mund të themi kishte thjesht për shkak të mos lejimit të rritjes së inflacionit mbi një pikë të caktuar.

Vendet e varura nga balanca e pagesave (dhe më specifikisht balanca tregtare) për punësim- Po

Rritje e konkurrencës mes shteteve- Po

Nevojat e ekonomisë vendase të drejtuara ndaj çështjeve të jashtme për të zgjidhur zhbalancat ekonomike- Po.

Pasi pamë krahasimin mundemi të themi deri diku me siguri se ka një nivel të lartë korrelacioni ndërmjet efektit të EMU dhe efekteve që kanë pasur 2 standardet e arit.

Korrelacioni nuk është i barasvlefshëm me shkakësinë. Fundja po studiojmë epoka të ndryshme. Thënë kjo, arsyet për efektet e mësipërme kanë qënë gjithashtu shumë të ngjashmë, siç kemi parë në pjesët e mëparshme të këtij artikulli. Një studim i mëtejshëm nevojitet për të thënë me siguri se ka ngjashmëri për shkak të korrelacionit të indikatorëve. Por pyetja që lind është: Çfarë do të thotë një ngjashmëri e tillë për konkluzionin tonë?

Siç e pamë, ka shumë ngjashmëri mes BME-së dhe dy standardeve të arit. Dhe krahasimi i indikatorëve na tregoi se ka shumë ngjashmëri. Nëse, Pas studimeve të mëtejshme ky korrelacion provohet të jetë shkakësor, kjo do të tregonte ngjashmëri mes efektit që idetë merkantiliste dhe ultra-liberale kanë për sa i përket çështjeve monetare. Mekanizmi mbrapa kësaj ngjashmërie nuk është dhe aq i rëndësishëm.

Liberalët mund të jenë, siç thoshte Keynes, naïvë, ose mbrojtja e të tilla strukturave mund të ndodhë dhe qëllimisht. Çfarë mendoj se është e rëndësishme dhe gjithashtu kontributi që jep ky artikull është fakti që ka ngjashmëri të mëdha mes tyre që duhet të na bëjnë të mëndojmë dy herë përpara se të themi nëse nje regjim monetar është liberal apo merkantilist.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019