Re të zeza në Europë

Mbas një periudhe të gjatë bumi ekonomik pa ndërprerje ekonomia gjermane duket se ka probleme. Në 3 mujorshin e dytë të këtij viti ekonomia gjermane u tkurr me 0.1%. Një numër jo shumë i madh, e vërtetë. Por kjo nuk ndalon frikën e një recesioni më të madh që mund të vijë më vonë. Ama problemi më i madh nuk është recesioni gjerman në vetvete por reagimi ndaj recesionit që do vijë.

Fillimisht duhet kuptuar që Gjermania është shumë e varur nga globalizimi si vend eksportues. Lufta tregtare sino-amerikane, pasiguritë nga Brexit dhe proteksionizmi i shtuar ekonomik po e dëmtojnë Gjermaninë. Lind pyetja: çfarë masash monetare mund te merren nëse Gjermania pëson recesion dhe „infekton“ me këtë recesion dhe vendet e tjera të BE-së, të cilat nuk janë në gjendje të mirë ekonomike për vete? Përgjigja: norma negative interesi dhe QE(Quantitative Easing, Lehtësim Kuantitativ).

Problemi me Bankën Qëndrore Europiane(BQE) është fakti se dhe mbas mbarimit te krizës së 2008 dhe krizës së Eurozonës normat e interesit nuk u ngriten kurrë. QE pushoi vetëm para pak kohe dhe nuk dihet nëse do jetë aq efektive sa ishte më përpara. Momentalisht normat e interesit janë 0% dhe nuk kanë ndërmend të ngrihen. Në një kohë recesioni ama, normat duhen ulur dhe më tej. E vetmja gjë që i mbetet BQE-së të bëjë është të fusë norma interesi negative. Kjo do të thotë që qytetarët do paguajnë çmimin e nje politike të paaftë ekonomike nga elitat europiane duke humbur rreth 5% në vit të paravë në llogaritë e tyre.(Pasi 5% pritet të jetë ulja e normave në rast recesioni.)

Përveç kësaj Christine Lagarde (ish shefja e FMN-së) pritet të jetë dhe më radikale se sa Draghi për sa i përket politikave monetare. Lagarde e kupton se në rast se normat e interesit do bëhen negative pjesa më e madhe e njerëzve do përpiqen të tërheqin paratë nga bankat, gjë që në shumicën e rasteve shkakton një „Bank Run“(këtë e kemi shpjeguar në një ndër artikujt tonë të parë në këtë faqe). Për këtë arsye Lagarde propozon zhdukjen e parasë cash me sa është e mundur dhe një taksë për paratë cash që secili person do tërheqë nga banka. Pra vjedhje e hapur e qytetarëve. Pyetja është: si arritëm deri në këtë pikë?

Mbas 2008 dhe krizës së Eurozonës, ndryshe nga Amerika, rikuperimi ekonomik i vendeve europiane ishte i pabarabarte. Gjermania u rikuperua, ndërsa vendeve jugore u duheshin se s‘bën norma të ulëta interesi për mos të pasur kolaps dhe(larg qoftë!) kolaps të Euros. Merkeli dhe Draghi kanë dëshiruar të mbrojnë Euron me çdo çmim. Dhe dhe tani duan të njëjtën gjë. Në një artikull të Focus Finanzen, thuhet se akoma kemi kohë të bëjmë një Shut Down të kontrolluar të Euros. Kolapsi i Euros do vijë se s‘bën. E mira është ta kontrollojmë vetë proçesin dhe të dëmtohemi më pak.

Tani, përveç vjedhjes së parave të qytetarëve të vendeve të Eurozonës, çfarë mund të ndodhë tjetër? Përgjigja është: Nuk i dihet. Jemi në territor të panjohur.

Është e mundur që recesioni të mbahet nën kontroll me norma negative interesi, nëse popullsia nuk shperthen në protesta të mëdha kundër këtyre politikave. Gjermania fatmirësisht, nuk ka shumë borxhe, dhe paketa të mëdha fiskale do mund ta mbanin gjendjen nën kontroll. Gjithsesi ka dy probleme.

Fillimisht duhet të kemi parasysh se kriza që po vjen do jetë me  e madhe seç e presim. Yield Curve(Kurba e fitimeve), e cila zakonisht përdoret si parametër për të parashikuar mbërritjen e recesioneve, nuk është kthyer mbrapsht vetëm në Gjermani por dhe në shumë vende të tjera europiane. Në Amerikë po ashtu.

Duke pasur parasysh këtë, mund të themi se recesioni që po vjen nuk do jetë recesion i lehtë por do jetë i krahasueshëm me atë të 2008s ose më keq. Të paktën ky është parshikimi im. Të ardhmen se di askush.

Nga ana tjetër duhet kuptuar se vendet e tjera europiane do pësojnë kolaps nëqoftëse ka krizë. Italia është në prag kolapsi nga borxhet që ka pa pasur krizë. Në rast krize pra, Gjermania nuk do duhet të futet në borxh vetëm për vete por dhe për vendet e tjera europiane. Gjithmonë nëqoftëse duan të shpëtojnë Euron me çdo kusht.

Në rastin se Euro nuk bie dhe i shpëton dhe kësaj krize atëherë mund të themi me siguri se sa vjen e do merren masa dhe më të dëshpëruara për ta shpëtuar deri ne kolaps total. Nëqoftëse Euro nuk i mbijeton krizës që do vijë, do ketë pasiguri të mëtejshme deri në stablizimin e kurseve të këmbimit. Më pas Gjermania do ketë probleme të mëdha pasi Marka gjermane do fuqizohet, ndërsa vendet jugore të BE-së do marrin frymë lirisht.

Gjithsesi mund të ketë dhe ndonjë version apokaliptik të recesionit ku Gjermania përfundon si në kohën e Republikës së Weimar-it, ndonëse nuk besoj se ka shumë gjasa të ndodhë.

Tani pasi shpjeguam tërë këto fakte lind pyetja: Si preket Shqipëria nga këto probleme?

Fillimisht duhet të kuptojmë, ashtu siç e kemi thënë dhe herë të tjera, që nuk jemi aq të izoluar sa mendojmë në këtë botë të globalizuar. Fillimisht duhet të kujtojmë krizën e 2008. Nëqoftëse shikojmë GDP-n shqiptare(dhe jo vetëm atë shqiptare po të tëra vendeve të Ballkanit) mbas 2008-ës, shohim se ka pasur luhatje ku GDP ulet dhe rritet por mbas luhatjeve (luhatje të vogla) GDP-ja nuk ndryshon. Ka vetëm stanjacion. As rritje dhe as ulje . Kjo është problematike.

Mund të themi se niveli ekonomik shqiptar ka mbetur i njejtë me atë të 2008-ës. Kjo për një vend në zhvillim, i cili supozohet të ketë rritje me nivel 7% ose më shumë në vit nëse kërkon një ekonomi të shëndetshme, është problematike. Një krizë tjetër në Europë dhe në botë do e përkeqësontë situatën e tanishme. Kjo do të thotë më pak investime në Shqipëri, më pak tregti, më pak vende pune etj.

Problem tjetër është  i monedhës së huaj. Siç e kemi përmendur më parë, Shqipëria ka rezerva të mëdha monedhe të huaj në bankat e veta. Problemi këtu është i dyfishtë. Fillimisht bankat e huaja do përpiqen të nxjerrin monedhën e huaj që ndodhet në vend jashtë vendit. Sidomos në kohë krize vendet e BE-së do jenë të etura për para, sado pak qofshin këto para.

Duke mos patur besim te shteti shqiptar dhe ligjet e tij mund të themi se kjo nuk është çudi të ndodhë. Problemi i dytë është problemi i rezervave valutore të Bankës Qëndrore. Nëse Euro bie cila monedhe europiane do shërbejë si valutë rezervë? A jemi të sigurtë që është e duhura etj. Shqipërisë pra, më shumë se kurrë, i duhet një plan në rastin e një recesioni të tillë.

E vetmja gjë për të cilën na mbetet të shpresojmë është që recesioni mos të marrë përmasa apokaliptike si depresioni i madh në Amerikë apo hiperinflacioni gjerman i Republikës së Weimar-it. Kjo do të silltë paqëndrueshmëri të mëdha në Europë dhe si vend i vogël që jemi, dhe si vend pa drejtues që ndjekin interesin kombëtar, paqëndrueshmëri të tilla janë gjëja e fundit që na duhet.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019