Dimensionet e shumta të fondamentalizmit islamik në Shqipëri. Pjesa III

Mbase deklarata më domethënëse e Said Kutb është ajo ku ai paralajmëron se fjalët e të krishterëve dhe çifutëve nuk duhen dëgjuar në asnjë rast, pasi çdo diskutim i tyre mbi historinë e islamit apo shoqëritë islame domosdoshmërisht përbën goditje nën brez. Logjika e luftës këtu është e qartë. Konflikti i konceptuar nga Kutb është absolut, mundësia për dialog nuk del asgjëkundi. Madje dhe vetë ideja e dialogut për Kutb përbën dorëzim. Kjo armiqësi e skajshme që Kutb propozon mes njerëzve të njërit libër e të librit tjetër, sugjeron se të krishterët dhe çifutët jo vetëm që nuk janë njerëzit e zotit në sytë e tij, por nuk janë as njerëz, përderisa mendimi i tyre për besimtarët e një feje tjetër supozohet se nis vetëm nga pikëvështrimi tribal dhe përfundon po aty. [1]

Që në krye të herës Kutb sqaron se kjo luftë e madhe do të mundësohet nga formimi i një grupi pararojë prej besimtarësh fanatikë, të cilët dalëngadalë e me hapa të hedhur me kujdes do të infiltrohen në shoqëritë e xhahilëve e do t’i gërryejnë nga brenda. I gjithë ky plan i menduar porsi ndonjë funksionar leninist në bodrumet e Moskës, përfundon tek një udhëkryq i cili shpaloset në sajë të paqartësive që brendashkruhen tek skema e përgjithshme e vizionit Kutbian.

Si do të rivendoset sovraniteti i Zotit (hakkimiyah) në botën e ndarë dysh ndërmjet xhahilësh e besimtarësh? Përmes armëve apo intelektualëve? Parimisht të dyja këto mundësi janë të pranishme e në varësi të situatës. Kutb nga një anë shprehet i gatshëm për krijimin e një pararoje besimtarësh fanatikë e të stërvitur, të prirur ndaj dyfytyrësisë, një faqe për mikun, e një tjetër për armikun. [2]

Nga ana tjetër Kutb thotë se përdorimi i forcës është i mundur sapo pararoja ka zënë vend mirë në shoqëri e është bërë shumicë. Pra dhuna nuk përjashtohet asnjëherë si mundësi. Mungesa e saj parashikohet vetëm si njëri nga mjetet, që më tepër ofrohet si metodë e frymëzuar nga pragmatizmi i qepur fort pas ideologjisë së Kutb.

Këtu do ta mbyllim çështjen e Kutb, të paktën në dimensionin teorik, e po vazhdojmë me shenjat që ai la përgjatë rrugës.

“Mund të jesh anëtar i parlamentit dhe musliman i mirë”, i tha ai Sabha-s një ditë, duke ofruar një nuancë që në pamje të parë binte në kontradiktë me tezën qëndrore të ligësisë së qeverisjes jo-teokratike. “Nëse dikush vjen në pushtet sepse kërkon t’i shërbejë popullit, ai njeri është musliman i mirë. Por nëse ai beson në demokraci, nëse beson në rregullat e bëra nga njeriu, ai është qafir”[3]

Kështu e përshkruan gazetari Joby Warrick qëndrimin e Abu Muhammad al-Maqdisi në librin e tij. Për ata që nuk e dinë, Al-Maqdisi ka qenë shok burgu me themeluesin e ISIS, Abu Musab al-Zarqaëi. Al-Maqdisi njihet si një mbështetës i hapur i Kutb, por edhe si një dijetar xhihadist i përkryer, i cili ende ndiqet gjerësisht nga xhihadistët nëpër botë. Por ne nuk do të merremi këtu me biografinë e Al-Maqdisi, na intereson vetëm etiketimi që i bëhet atij nga Qendra e Luftës Kundër Terrorizmit në Amerikë si “Ideologu kyç bashkëkohor i universit intelektual të xhihadit”. Al-Maqdisi ishte mësuesi i Al-Zarqawi, por as ky nuk mundi ta zbuste instiktin vrastar të Al-Zarqawi që kapërcente çdo përmasë. Në fund, Al-Maqdisi përfundoi tek letrat e tij, pasi nuk dukej si i aftë për luftë, kurse Al-Zarqawi përfundoi në karrigen e grupit që pas vdekjes së tij do quhej ISIS.

Qartësisht, fondamentalisti i kohëve tona është i pajisur me një arsenal të madh ideologësh dhe demagogësh. Por, si mund të angazhohet ai në luftën e madhe kundër xhahilëve? Mundësitë e xhihadit janë të pafundme, madje nevojiten terma të rinj. Xhihadi sot është njëherazi edhe global por edhe lokal. Ky xhihad pra, glokal për nga natyra, e mundëson xhihadistin të lidhë kokën me pëlhurë e të veshë kravatë në të njejtën kohë. Xhihad në shtëpi e në rrugë, xhihad nëpër botë, xhihad nëpërmjet armësh, xhihad librash, por edhe xhihad me xhixha, nëpërmjet financimit që jo pak herë kryhet përmes fondacioneve islamike.

Trojet Shqiptare i kanë dhënë xhihadit global plot luftëtarë. Raporti më i fundit është ai i vitit 2017, sipas të cilit nga shteti i Shqipërisë janë vetëofruar 90 luftëtarë, nga shteti i Kosovës 317 luftëtarë, kurse nga FYROM 140 luftëtarë. [4]

Gjithsej 547 persona nga trojet shqiptare i janë vetëofruar ISIS si luftëtarë të kauzës xhihadiste. Shifra që në raport me popullsinë janë të ulta, por në raport me vendet e Bashkimit Europian nuk janë edhe aq. Nga 317 luftëtarët e Kosovës, 117 janë kthyer, e duke marrë parasysh ligështinë e shtetit të Kosovës, mendja mund të na shkojë vetëm tek prania e tyre e heshtur në Kosovë, si bomba me sahat që mezi presin të shpërthejnë me urdhra nga jashtë.

Por edhe këto shifra nuk e përfaqësojnë mirë realitetin e shqiptarëve që vetëofrohen për xhihad. Raporti ka numëruar vetëm luftëtarët që i janë bashkuar ISIS.

Ky që shihni më sipër është Xhemati Alban, njëri prej grupeve xhihadiste që i janë bashkangjitur Hayat Tahrir Al-Sham, një degë e Al-kaedës në Siri. Xhemati Alban konsiderohet si grup me rrezikshmëri të lartë nga fondacioni i luftës globale kundër terrorizmit. E megjithatë, Xhemati Alban nuk është pjesë e ISIS, por pjesë e njërit prej formacioneve fondamentaliste që i bëjnë opozitë Asadit në Siri. Sipas informacionit që vjen nga fondacioni, udhëheqësi i Xhematit Alban është xhihadisti Abdul Jashari nga Shkupi. Ai gjithashtu konsiderohet si një këshilltar i afërt i udhëheqësit të Tahrir al-Sham.

Sidoqoftë, budallallëqet nuk mbarojnë këtu. Teksa gjendemi ndërmjet pragmatistëve dinakë si Armand Ali që guxon të thotë në videot e tij se shteti shqiptar po shkel të drejtat e njeriut duke burgosur muslimanët, e nga ana tjetër fondamentalistë si Abdurrahim Balla që pagëzohet nga ndjekësit qorrë me titullin “Shejh”, në Shqipëri ekziston edhe një pakicë vehabistësh, kurse në Kosovë një kontigjent ca më i madh.

Kombi Shqiptar duhet të kuptojë se fondamentalistët në thelb, s’kanë kurrfarë respekti për “të drejtat e njeriut”, këto të drejta ekzistojnë përbrenda vizionit të tyre vetëm si një pengesë e përkohshme, ose si një mjet për të luajtur rolin e viktimës para kamerave. Fondamentalistët, si ata me kravatë, apo me çallmë na paraqesin logjikën e tyre të luftës, kurse përgjigjia jonë duhet të jetë po aq e beftë. Fundja me njerëz që pretendojnë se merren me punët e Zotit dhe nga ana tjetër ëndërrojnë të presin koka nuk mund të negociosh. Kutb me thirrjet e tij për luftë harroi se edhe pala tjetër është po aq e aftë madje dhe më shumë për të luftuar barërat e këqinj që duan të na shpërbëjnë çdo gjë Shqiptare në emër të një “Zoti” që në mendjen e tyre ekziston vetëm si gjykatës i pamëshirshëm dhe ndëshkues i vetë krijimit të tij.

Si mund të pikaset fondamentalisti? Ai qëndron mes nesh. Fondamentalisti është ai hoxha anës rrugës që zaptoi një xhami me dhunë, është demagogu në internet për të cilin politika duhet medoemos të bëjë ndarjen mik/armik ndërmjet xhahilëve dhe besimtarëve “të vërtetë”, është llafologu i portaleve që mendon ditë e natë si të ndërsejë muslimaët kundër të krishterëve, të shpikë konflikte aty ku nuk ekzistojnë, të kujtojë kohët e arta kur hanim pilaf e hallvë në shërbim të osmanëve, si përsiatja më e përkryer e një nostalgjie që kërkon shembjen e rendit shekullar në Shqipëri dhe instalimin e një teokracie.

Prandaj, si përfundim për këtë pjesë, do thoshim se biem dakort me arsyetimin e Kutb, por me një ndryshim thelbësor. Është e kotë të përpiqesh të arsyetosh me fondamentalistët. Fondamentalistët thjesht duhen shkulur me rrënjë. Përgjegjësia për këtë shkulje i takon shtetit, por më së pari vetë komunitetit musliman i cili supozohet se lartëson vlerat e harmonisë kombëtare ndërmjet feve.

  1. “Do të ishim dritëshkurtër nëse do besonim se të krishterët dhe çifutët na duan të mirën kur diskutojnë historinë apo besimin islam, apo kur bëjnë propozime për shoqërinë, politikën, apo mirëqenien e myslimanëve. Njerëzit që mendojnë kështu pas asaj që vetë Allahu i Madhërishëm tha, janë me të vërtetë budallenj. “ – Shenja në Rrugë, faqe 126
  2. “Prania e një pararoje është e nevojshme, për të ecur me vendosmëri në udhën tonë, për të përshkuar oqeanin e gjërë të xhahilëve, që ka mbytur gjithë botën. Përgjatë kësaj udhe, pararoja duhet t’i injoroje xhahilët, e në të njejtën kohë të mbajë lidhje me ta.” – Shenja në Rrugë, faqe 27-28
  3. “Black Flags: The Rise of ISIS”. Faqe 53
  4. “BEYOND THE CALIPHATE:Foreign Fighters and the Threat of Returnees”. Faqe 12, 13, 14.
Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020