Problemi i ndërvarësisë së tepërt: Pse ekonomia nuk sjell gjithmonë paqe.

Pas  7 dekadave paqe me konflikte tepër të vogla dhe të kufizuara, plasi lufta e parë botërore. Dhe për mendimin tim është interesante të shqyrtosh momentet para lufte, dhe se si reagonin mediat muajt e parë të luftës. Norman Angell shkruajti librin „Iluzioni i madh“ ne vitin 1909,  ku argumentonte se një luftë ndërmjet fuqive të mëdha ishte e pamundur. Një luftë ndërmjet fuqive të mëdha do ishte, të qëllosh veten në gju, siç thonë gjermanët. Pse? Sepse do ishte ekonomikisht shkatërruese, askush sdo fitonte dhe ishte irracionale.

Me kapitalizmin që po zhvillohej çdo ditë e më shumë, kufinjtë do ishin të kotë pasi kapitalisti nuk njeh kufinj sipas Angell por thjesht përfitime. Dhe nëqoftëse kjo klasë, që këtu po e quajmë ekonomike, do vazhdonte të bënte si kishte bërë deri tani, nuk do kishte arsye për luftë. Iluzioni i madh në këtë rast ishte iluzioni se me luftë do fitohej diçka. Si dhe ne rastin e Fukuyamas libri i Angell mbahet si një libër që parashikoi të kundërtën e asaj që vërtet ndodhi. Lufta e parë botërore u bë.  dhe ishte më shkatërrimtarja së çdo luftë tjetër në Europë. Dhe ndërvarësia? Ndërvarësia iku u fsheh poshtë gurëve.

Bota kishte parë në shekullin e 19 atë që quhet si faza e parë e globalizimit në ekonomi politike. Standardi i arit i shekullit të 19 , rritja e tregtisë dhe një paqe e gjatë në Europe u dhanë njerëzve idenë që kurre ska pasur luftë dhe kurrë sdo ketë më luftë. Madje në fillimet e luftës së parë botërore The Economist shkruante se lufta maksimumi disa muaj do zgjasë se askush nuk do futet deri në fyt në borxh për të vazhduar luftën. Dhe as kjo nuk ndodhi. Në këtë rast ndërvarësia jo vetëm që nuk ndihmoi por madje shkatërroi më shumë seç do ishte shkatërruar nëqoftëse nuk do kishte pasur të tillë në radhë të parë. Embargot, tarifat dhe çdo lloj forme tjetër lufte ekonomike u bënë më të dhimbshme mbi secilin shtet dhe popullatat e atij shteti për shkak se vareshin tmerrësisht shumë nga tregtia e lirë me të tërë. Jo vetëm me aleatët por me të tërë.

Po çfarë është teoria liberale e ndërvarësisë në radhë të parë? Neoliberalizmi institucional është një teori e marrëdhënieve ndërkombëtare që mendon se vertet jetojmë në një sistem anarkik botëror ku nuk ka një “polic“ apo shtet botëror por ndryshe nga realistët thonë që shtetet nuk duan të maksimizojnë fuqinë e tyre apo të sigurojnë mbijetësen në këtë sistem anarkik , por duan të maksimizojnë mirëqenien. Rruga e vetme drejt paqes , sipas liberalëve, është që shtetet të kenë sa më shumë ndërvarësi ndërmjet tyre. Nëse kanë ndërvarësi nuk do duan të sulmojnë njëri-tjetrin pasi vetë mirëqenia e tyre do rrezikohej nëqoftëse do sulmonin njëri tjetrin. Koha pas  luftës së ftohtë e deri në kohët e tanishme ka qenë një kohë e dehjes me këtë teori. Në një artikull të mëparshëm kam shpjeguar se si një politikan i mirë nuk duhet të dehet me nacionalizëm ekstrem. Kjo gjë vlen dhe për dehjen me teori te tjera. çdo lloj dehjeje ka një zgjim dhe zgjimin po e shohim tani.

Kthehemi në kohët e sotme pas ekskursionit të vogël që bëmë në histori. Pas kaq kohe dehjeje me liberalizëm dhe më ekstrem se ai i shekullit te 19 po vjen zgjimi. Dhe zgjimi nga alkooli shkakton dhimbje koke shumicën e rasteve. Pas kaq shumë kohësh po flitet përsëri për multipolarizëm, për kompeticion ndërmjet fuqive të mëdha, ndoshta dhe për luftë të mundshme Amerikë-Kinë. Luftrat tregtare që mendoheshin se ishin gjëra të së shkuarës po rikthehen dhe njerëzit pyesin veten dhe thonë si është e mundur. Dhe duke u përpjekur të gjejnë një përgjigje thonë Trumpi e ka fajin. xdo gjë është faji i Trumpit dhe nuk do kishte luftë tregtare nëse  Trumpi nuk do ishte ne pushtet. Por a është kaq e thjeshtë?

Në një kurs para një viti mbi ekonominë e Kinës ajo që thashë gjatë një diskutimi ca i cuditi, ca u treguan indiferentë dhe ca më dolën hapur shumë kundër madje me një armiqësi të xuditshme. Thashë se jemi përqëndruar shumë fare te ekonomikja duke harruar totalisht politikën. Me këtë kuptoja që pse diçka hap vende pune apo na jep mundësinë të blejmë një Iphone në çdo tre vite dhe  jo në çdo gjashtë vite, nuk domethënë që sjell paqe botërore apo mirëqenie kur e sheh në mënyrë afatgjatë. Jemi në momentin kur eksportimi i kapitalit perëndimor në Kinë ka krijuar një përbindësh që nuk po dihet si ta mbajmë nën kontroll. Lufta përmbajtjeje, luftë tregtare? Të pamundura. Pse? Sepse ekonomia amerikane , dhe jo vetëm amerikane por dhe ajo botërore, janë aq të ndërlidhura me Kinën sa një depresion kinez do sjellë dhe një depresion botëror në ekonomi. Pra jemi në situatën ku, nëse rrimë duarkryq dhe nuk bëjmë asgjë, pas tridhjetë vitesh do flasim kinezçe te gjithë, por as nuk bëjmë dot gjë sepse po bëmë, qëllojmë veten në gju, siç thotë dhe gjermani.

Ndërvarësia e sotme ka marre , në gjendjen e një globalizimi ekstrem, forma të pamenduara krahasuar me shekullin e 19. Nëse ndërvarësia ishte shkatërruese në Luftën e Parë Botërore tani do jetë totalisht shkatërruese në çdo sens të mundshëm nëse ka ndarje. Dhe me ndarje nënkuptoj çdo lloj riformimi në sensin ekonomik ku nuk ka më laissez faire total në rangun botëror. Nëqoftëse duam ndarje në blloqe ekonomike, do ketë depresion. Nëqoftëse duam luftra tregtare ndaj një shteti si Kina do ketë depresion.

Tani lexuesi mund te pyesë: Pasi u mor vesh e tërë kjo si po reagon establishmenti? Për mendimin tim jo në mënyrën e duhur. Ke një pjesë që akoma ëndërrojnë kohërat e bukura kur mund të përfitonin nga Kina dhe mos ta vrisnin mendjen. Madje një pjesë e establishmentit po e mbron me dhëmbë, kthetra dhe çdo lloj mënyre tjetër marrëdhënien ekonomike me Kinën. Duhet thjesht të shohim Teslan apo kompani të tjera amerikane. Pjesa tjetër, ose establishmenti i ri siç po e quaj këtu, del kundër cdo lloj multilateralizmi dhe do deri diku izolacionizëm amerikan. Këtë e shohim te Bolton dhe administrata Trump deri diku. Nuk kanë frikë nga lufta tregtare apo “ndarja“ por janë nga ana tjetër unilateralistë ekstremë.

Nëse ka diçka që historia amerikane gjithmonë na e ka treguar ka qenë fakti që Amerika nuk mund të jetë izolacioniste edhe nëqoftëse do. Ka qenë “iluzioni i madh“ amerikan që mund të tërhiqen nëqoftëse duan nga çështjet botërore kur bëhet keq puna, dhe të rrinë te cepi i tyre dhe të ngrohen. Por gjithmonë janë tërhequr me zor në këto çështje dhe nëqoftëse nuk kanë dashur. Izolacionizmi pra dhe unilateralizmi nuk janë realiste si ide. Fundja Kinën nuk mund ta izolosh me një strategji përmbajtjeje dhe as nuk mund ta mposhtësh ushtarakisht pa aleatë. Multilateralizmi duhet. Por i duhet treguar dhe botës që tani nuk është koha e multilateralizmit ekstrem, siç e pëlqen dhe praktikon Europa , por është koha për të marrë një anë. Kinë ose SHBA. Pikë.

Pyetja del: Si do arrihet kjo ndarje në këtë sistem , kur, nëqoftëse ndahemi ka dhimbje të mëdha, tamam si qentë pas  seksit që mund të ndahen thjesht me dhimbje përnjëherësh. Pergjigja: Qentë pas  seksit , ashtu si dhe Amerika me Kinën mund të ndahen nëse tregohen të durueshëm. Për të shkuar pra përtej parabolave banale, ndarja ekonomike dhe krijimi i blloqeve, cilatdo qofshin këto blloqe, duhet të jetë i ngadaltë. Sot fillohet me një ndarje financiare të paktë, nesër me më shumë ndarje financiare. Sot, siç lexuam dhe në media këto ditë, Foxconn vendos të ndërtojë fabrikë në Amerikë dhe Amerika nxjerr raportin mbi sigurinë e zinxhirëve të furnizimit , nesër ndodh ndarje totale e sistemeve ekonomike.

Pse them që duhet kjo? Duhet sepse nëqoftëse nuk ndodh dhe nesër ka konflikt duhet që Amerika ti lutet Kinës që ti eksportojë tranzistorët që Amerika të ndërtojë sistemet e raketave që të luftojë Kinën, gjë që është absurde. Duhet sepse nëqoftëse konflikti ndodh në një sistem kaq të ndërlidhur dhimbjet do jenë shumë më të mëdha se sa nëse ndodh shkëputja graduale.

A po predikoj une luftë? Jo nuk po predikoj luftë. Liberalët mund të argumentojnë se unë dua luftë sepse jam kundër ndërvarësisë. Nuk jam kundër ndërvarësisë por politikja duhet të jetë mbi ekonomiken në çështje të politikës ndërkombëtare. Ndërvarësi po, por ndërmjet aleatëve që ndajnë dhe qëllimet e politikës së sigurisë së përbashkët. Thjesht për faktin se ndonjëherë, ashtu si dhe Lufta e Parë Botërore, luftrat ndodhin irracionalisht. Duke parë që ky sistem botëror po bie, dhe gjërat kurrë skanë qenë totalisht të qeta kur ka pasur ndryshim epokash, them që shtetet të paktën nuk duhet të jenë aq të ndërlidhura me njëra tjetrën.

Dhe tani si shqiptar më në fund dalim të mësimet për Shqipërinë të kësaj që thamë më sipër. Shqipëria për mendimin tim nuk është shtet. Ka formën e shtetit por nëqoftëse e sheh mirë nuk është shtet. Pse? Sepse ka një klasë politike aq të korruptuar sa nuk ekziston më ideja e interesit kombëtar. Situatat e autarkisë nuk shihen më as si skenare në mendjet shqiptare dhe në një situatë konflikti, ndërkohë që të tjerët lundrojnë në stuhi të fortë por të paktën me vela dhe me marinarë të përgatitur. Shqipëria do jetë si një bidon që e merr era dhe e çon ku të dojë. Po vijnë kohë të turbullta dhe nuk jemi të përgatitur as për kohë të qeta. Me kaq po e mbyll artikullin.