Establishmenti ose qendra e pushtetit. Pjesa IV

Në këtë pjesë  do të merremi me Shtetet e Bashkuara. A është deep state establishmenti? A janë partitë kryesore establishmenti? Sa neoliberale është Amerika? Këtyre pyetjeve do përpiqemi tu përgjigjemi ne këtë artikull.

Po e nisim me fjalët e Colin Crouch. Crouch, në njërin prej librave të tij mbi përfaqësimin e interesave dhe lobimin, e konsideronte Amerikën si një vend ku niveli i korrupsionit që bëhej me anë të lobimit i  ngjante vetëm vendeve të botës së tretë. Interesat e amerikanëve sipas tij nuk merren dhe aq parasysh përpara interesave të lobuesve. Natyrisht të krahasosh Amerikën me vende të botës së tretë është ekzagjërim por ka njëfarë të vërtete brenda. Ka një arsye se pse nuk po i gjendet një zgjidhje problemit të shëndetësisë dhe sigurimeve shëndetësore në Amerikë.

Ka një arsye pse taksat për të pasurit po ulen gjithmonë e më shumë ndërkohë që nuk është ekonomikisht e volitshme që të ndodhë. Ka një arsye se pse Amerika gjithmonë e më shumë po heq ligjet e ndryshme dhe kufizimet të cilat supozohet të mbajnë sektorin financiar nën kontroll. Ajo arsye është pushteti disproporcional që grupet e interesit kanë në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë. Por kjo nuk i përgjigjet pyetjes se çfarë është establishmenti amerikan.

Mund të themi se ideologjia kryesore në themel të establishmentit amerikan është padyshim neoliberalizmi. Mund të themi se Amerika është ndër vendet kryesore, bashkë me Anglinë, të cilët përqafuan të parët idenë neoliberale. Amerika në një mënyrë dhe më ekstreme se sa Anglia. Të gjitha partitë politike pa përjashtim janë bastione të neoliberalizmit dhe janë tmerrësisht të ndikuara nga lobimi.

Si në „të majtën“  dhe në të djathtën amerikane për shembull, një sistem shtetëror sigurimesh shëndetësore do të thotë komunizëm. E njëjta gjë dhe për universitetet. Do të thotë më pak të drejta dhe liri për individin. Urrejtja për ndërhyrjet nga shteti gjendet anë e mbanë edhe në popullsinë amerikane. Deri diku e lavdërueshme por cdo gjë e çuar në ekstrem nuk është e mirë. Pasi të bën të manipulueshëm. Pra neoliberalizmi qenka ideologjia dominuese në sferën ekonomike. Po në sferën kulturore?

Në sferën kulturore partitë ndahen. Demokratët progresivistë, të ngjashëm me të majtën kulturore europiane dhe republikanët, konservatorë, ndonjëherë protestantë evangjelikë të çmendur, por gjithsesi brenda normave të lejuara. Ndonëse deri diku më anti-emigracion se demokratët, ndryshe nga si paraqiten shpesh nga media të ndryshme, republikanët nuk mund të damkosen si partia e Ku Klux Klan-it.

Demokratët janë pro martesave gay ndërsa republikanët jo. Demokratët janë pro aborteve ndërsa republikanët jo, e kështu me radhë. Po ana gjeopolitike? Kjo është më interesantja nga të tëra për tu analizuar sidomos me pushtetin që Amerika zotëron përbrenda sistemit botëror.

Këtu po bëj tre ndarje. Partia republikane, demokratët dhe ajo që quhet deep state. Me deep state këtu kuptojmë Departamentin e Shtetit, numrin e madh të Think Tanks që influencojnë politikën e jashtme amerikane dhe CIA bashkë me NSA, pra shërbimet informative.

Tradicionalisht partia republikane ka qenë e jo homogjene në qëndrimet e saj, pasi ka patur dy rryma të ndryshme ama shumë të qarta për sa i përket politikës së jashtme. Njeri grup jane izolacionistët dhe grupi tjetër janë intervencionistët. Izolacionistët mendojnë se Amerika duhet të tërhiqet nga çështjet botërore dhe të kujdeset për  zonën e vet të influencës në Amerikë,pra një lloj kontinentalizmi. Intervencionistët janë për më shumë influencë amerikane në botë. Neokonservatorët(neocons), të cilët bëjnë pjesë te intervencionistët janë më shumë pro luftës së sa grupet e tjera.

Demokratët nga ana tjetër nuk kanë qëndrime shumë të qarta për sa i përket politikës së jashtme por nuk mund të themi se tradicionalisht janë anti-intervencionistë. Lyndon Johnson i Luftës së Vietnamit ishte demokrat për shembull. Por nuk mund të themi se janë si neokonservatorët.

Deep State nga ana tjetër është ndryshe. Ishte Deep State që udhëhoqi luftën e ftohtë dhe sot është Deep State që kërkon medoemos mos të acarohen marrëdhëniet me Kinën. Fuqia e Deep State është shumë e madhe, për mos të thënë e barabartë me atë të presidentit. Mjafton thjesht të shohim se si Trump kohët e fundit nuk po tregohet më aq agresiv sa në fillim ndaj Kinës për të kuptuar presionin që një president ka nga Deep State.

Për të kuptuar se ku këto parti qëndrojnë për sa i përket çështjeve gjeopolitike duhet të kuptojmë se cilat janë çështjet kryesore gjeopolitike për sa i përket Amerikës. Për momentin janë 3: Rusia, Kina dhe BE-ja.

Demokratët në fillim të presidencës Trump e kundërshtonin atë   përsa i përket çështjes së Kinës. Tashmë një numër i madh demokratësh po po ndryshojnë mendim. Republikanët me Trumpin vendosën të jenë agresivë ndaj Kinës. Veçse Deep State mbetet në mënyrë të pandryshueshme proKinës. Ndoshta janë interesat e biznesve të mëdha që dëmtohen, apo ndoshta ka dhe arsye të tjera. Fakti është që Trumpi-t i është dashur të bëjë një luftë të fortë për të arritur atë që ka dashur.

Me vendosjen e Bolton si këshilltar i sigurisë u mendua se ndjenjat anti kineze do bëheshin aq të forta sa ndoshta do kishte dhe luftë. Por Deep State nuk lëkundet. Ambasadorët mund të hiqen dhe mos të zëvendësohen por ndryshimi i tërë Departamentit të Shtetit ështe diçka thuajse e pamundur. Ndonëse shumica e politikanëve po bëhen anti establishment Deep State vazhdon të ketë pushtet.

Përsa i përket Rusisë demokratët janë agresivë, republikanët janë agresive dhe Deep State është agresiv. Me ardhjen e Trump pamë një ngrohje të shkurtër me Rusinë, e cila nuk zgjati shumë, jo aq sa vetë Rusët kishin shpresuar.

Për sa i përket BE-së demokratët kanë afrimitet, republikanët për momentin me Trump-in nuk tregohen dhe aq miqësorë pasi cënohen interesat ekonomike të SHBA-ve(por nuk janë as totalisht armiqësorë. Nuk janë ndërmarrë sanksione të tipit kinez psh). Për sa i përket Deep State, keta mbajnë të njejtin qëndrim si demokratët.

Establishmenti mund të themi se ka qenë njëherë e një kohë i pranishëm. Nuk është më, ndoshta përveç rastit të Deep State. E vetmja parti që mund të vazhdojë të jetë pro establishment do jenë demokratët nëse kandidati do jetë Joe Biden. Nga ana tjetër figura si Andreë Yang apo Bernie Sanders janë shumë anti establishment për sa i përket anës ekonomike. Sanders është gjithashtu kundër Kinës. Republikanët po tregohen proteksionistë për sa i përket anës politike dhe shumë më konservatorë për sa i përket anës kulturore.

Përfundimi që mund të nxjerrim është se në Amerikë ka pasur një establishment i cili në disa aspekte(shteti social, neoliberalizmi) akoma vazhdon. Por po dalin gjithmonë e më shumë figura të cilat po kundërshtojnë të paktën njërin aspekt: qoftë atë ekonomik, kulturor apo gjeopolitik. Trump-i psh është rebel gjeopolitik(deri diku) dhe rebel kulturor por vazhdon të jetë neoliberal.

Dhe sa kohë Deep State do vazhdojë të ndalojë përpjekjet për ndryshim që vijnë nga të tëra anët e spektrit politik kjo nuk dihet. As forma përfundimtare e ideve të cilat do dominojnë mbas kësaj faze nuk dihet. Por diçka është e sigurt. Joe Biden dhe pseudo-centrizmi neoliberal nuk janë e ardhmja e Amerikës.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019