Veçmas faktit se në Tiranë edhe njëherë u materializua dashuria për aleatët tanë të dashur me një pllakatë të re, ajo çka bie më tepër në sy është mungesa e transparencës nga ana e qeverisë. Fshehtësia ngre pikëpyetje. Fshehtësia në këtë rast është simptomë e një të fshehte tjetër, më të tmerrshme. Është simptomë e një lufte okulte. Le ta sqarojmë pak se ç’është lufta okulte.
Nuk kemi të bëjmë këtu me konflikt të zhvendosur nga plani material në atë shpirtëror, me ndonjë ngucje të forcave të përtejme ose me djaj që ndërhyjnë në punët e vdekatarëve.
Lufta okulte është mëse e vërtetë, dhe e prekshme, por jozyrtare. Është ajo instancë e një konflikti të heshtur, mes lobuesve, agjenturave private apo nxitësve të opinionit publik për të marrë një qëndrim apo një tjetër – në lidhje me çështje ndërkombëtare. Subversioni merr përmasa të ndryshme. Është materializim i ambicieve të një shteti, monolit i pandashëm i cili kërkon të përmbysë ndjeshmëritë e një shteti tjetër. Lufta okulte nga ana e saj është konflikt i eksportuar.
Nuk ka vend për të dyshuar, në Turqi prej vitesh zhvillohet një luftë e fortë mes mbështetësve të klerikut Fetullah Gylen dhe politikanit Rexhep Tayip Erdogan. Kjo luftë është shumëpërmasore. Së pari, secila anë përdor mjetet e saj sipas rrethanës. Erdogan njihet për imponimin e vullnetit të tij nëpërmjet eksportimit të botëkuptimit erdoganist me anë të agjencive vendore. Njëra prej këtyre agjencive është edhe Diyaneti, Direktorati i punëve fetare në Turqi. Lind një pyetje e thjeshtë: ç’punë ka Diyaneti në çështjet e vendeve të tjera?
Te fabrikojë pikëpamje. Diyaneti është një lloj komuniteti mysliman i Turqisë, por që në të njejtën kohë nuk përfaqëson një të tretën e myslimanëve turq pasi i përket shkollës së jurisprudencës sunite hanefi. Diyaneti gjithashtu ka pësuar ndryshime të mëdha përgjatë viteve. Nga një organizatë modeste, tashmë ai është shndërruar pothuaj në një korporatë, eksportuese të “islamit turk” në vendet e tjera. Të japim një shembull të thjeshtë. Xhamia e Namazgjasë po ndërtohet nga një fondacion i lidhur ngushtë me Diyanetin.
Bashkë me ngrehinën vijnë dhe hoxhallarë e edukuar nga Diyaneti, predikues të fjalës së shenjtë e profane në të njejtën kohë. Gjithashtu Erdogani parapëlqen shpërndarjen e “shpirtit turk”. Nostalgjia për dinastinë osmane, është thjesht një dukje fantazmike, një përmbysje e thelbit osman para-modern për të thurur një narrativë të rolit të Erdoganit si shpëtimtar i Turqisë moderne – e cila vazhdon të mbetet Ataturkiste, dhe shekullare. Të paktën sipas kushtetutës.
Nga ana e tij kleriku Gylen kujdeset fort për të edukuar brezat e rinj me “markën” e tij të islamit dhe të botëkuptimit të ri turk. Një botëkuptim i syrgjynosur nga toka mëmë. Propaganda gyleniste mund të konsiderohet si një “qeveri turke në ekzil”, e cila nuk u materializua kurrë. Ndërkohë që Erdogani kapet fort pas Diyanetit, fondacioneve dhe shtrëngimit të mediave deri në nënshtrim, Gyleni vazhdon praktikën e “shkollave përgatitore”. Disa nga këto shkolla i dimë. Turgut Ozal, Beder etj, janë gjurmët e klerikut turk në Shqipëri.
Secila palë kujdeset fort për imazhin e tjetrës. Narrativa zyrtare Erdoganiste e cilëson Gylenin terrorist, e kështu me radhë. Është nje luftë dukjesh, një spektakël damkosjesh, kalemçinjsh, agjentësh dhe lobuesish. Pikërisht të gjitha simptomat e një lufte okulte. Pse do duhej të eksportohej kjo luftë në atdheun tonë modest? Shqipëria në të vërtetë në parim nuk duhet të ketë asnjë lidhje me konfliktin e këta të dyve. Paramendoni sikur Shqipëria të ishte terren përplasjesh mes Macron-it dhe Le Pen-it, apo mes Gruevskit dhe Zaev-it. Tingëllon qesharake edhe po të marrësh parasysh se Franca është një shtet i madh me ambicie përtej territorit të vet kurse Republika e Maqedonisë Veriore nuk ka asnjë lloj rëndësie.
Përgjigjia na vjen përsëri nga rregullat e gjeopolitikës. Nuk po eksportohet një konflikt i thjeshtë mes partish dhe simpatizantësh, po eksportohen dy botëkuptime të kundërta ndaj njëra-tjetrës. Tokë pjellore e mbjelljes së filizave për të tilla konflikte nuk është veç trekëndëshi kulturalisht delikat Kosovë-Shqipëri-Bosnje, ku sipas direktivave të Ahmet Davutoglu do të zbatohej doktrina e kujtesës së kohëve të “lavdishme” osmane, por edhe vende që në pamje të parë nuk kanë fare lidhje me këto punë, Rumania, Austria, Gjermania dhe Suedia.
Nga ana e saj, Serbia luan me të gjitha anët si një shtet mirëfilli i fortë dhe i papërkulshëm. Nga njëra anë Serbia blen drone nga Izraeli, kryeministri i saj hedh valle me Erdoganin dhe ha drekë me Putinin. Austria u tregua e zgjuar, përzuri Diyanetin sa ishte në kohë, kurse pas grushtit të shtetit në Turqi, disa analistë Rumunë vunë alarmin për jehonën që pati ky grusht, në punët e brendshme të Rumanisë.
Lind një pyetje tjetër. Kjo përkujtimore, a bëhet për tu solidarizuar me shtetin turk apo me shtetin e Erdoganit? Apo për të mbrojtur demokracinë?
Përgjigjia e pyetjes së parë është e thjeshtë. Shteti Turk sot për sot është shteti i Erdoganit. Po e krahasuam situatën me Amerikën, nuk mund të themi dot se Shteti Amerikan është shteti i Trump-it. Shteti Amerikan është shteti i Amerikës, pavarësisht presidentëve që vijnë e ikin. Qeveria jonë duhet të kuptojë se asgjë nuk zgjat përgjithmonë, të mbajë gojën e dorën, sepse mund të vijë një ditë që figura e Erdoganit të hidhet poshtë e të përkujtohet si një njollë e errët në historinë e Turqisë.
Mos vallë kur të vijë ajo ditë do ta shkulim këtë përkujtimore duke ngulur një tjetër?
Ky lloj servilizmi ka pasoja të rënda gjeopolitike. Sepse çdo ngjarje deri më tani ka ndodhur në kuadër të ndërhyrjeve në Korridorin e dytë Europian. Europa sot e ka ndarë vetveten nga të tjerët nëpërmjet një muri modern të Hadrianit, një mur vertikal që nis nga shtetet Balltike dhe përfundon në Greqi. Përgjatë këtij muri qëndrojnë dy korridore tensionesh dhe konfliktesh të cilët përbëjnë Tokën e Askujt në përplasjen mes Europës dhe Rusisë.
Nga njëra anë është rajoni i “Europës-në-midis-të”, kurse nga ana tjetër është korridori i kaukazit që përfundon në Turqi. Rusia provon të penetrojë në Europë nga të dyja anët. Tashmë ndodhet në një përplasje të stërzgjatur me Ukrainën, kurse në Kaukaz imponon pushtetin e saj dhunshëm, dhe Turqisë i ofron raketa, të cilat Turqia, ose shtet i Erdoganit i pranon pa bërë bujë.
I parë për së prapthi, sipas një logjike gjeostrategjike, Ballkani fillon me Greqinë, historikisht e mbështetur nga Perëndimi, dhe përfundon me shtetet kryeneçe që akoma nuk janë paqtuar.
Ballkani është interesant pikërisht sepse përbën pikën e takimit ndërmjet dy korridoreve të ndërhyrjes nga lindja. Në Ballkan përplasen interesa të mëdha, pasi Ballkani është edhe “Europë-në-midis-të”, në sajë të trashëgimisë komuniste, ashtu dhe ish’fushë loje e interesave të Turqisë së Vjetër.
Kështu, Ballkani përmbush kushtet e të qenit një si lloj tenxhereje ku vlojnë lloj lloj rrymash ideologjike dhe fetare. Krahas kësaj është edhe një pikë tepër delikate e Europës.
Siç po shohim deri më tani, Erdogani ka ngulur flamurin e fitores nëpërmjet kësaj përkujtimoreje.
Në skenare të tjera kemi dashur ta vëmë theksin tek “e keqja më e vogël”, por në kuadër të kësaj lufte okulte të eksportuar, nuk ka të keqe më të vogël. Ka vetëm një të mirë ideale e cila shpreson se një ditë, energjitë e kombit shqiptar nuk do të kanalizohen për të mirën e Gylenit apo Erdoganit.
Derisa ajo ditë të vijë, le të shohim me sytë tanë, sesi një qeveri e nënshtruar, përcjell me besnikëri direktivat e një qeverie të një shteti tjetër.
This blog post has been Digiproved © 2019