Nuk besoj tek e drejta. Jeta, që është mishërim i forcave të shkrifëta, të panjohura dhe të panjohshme, e mohon artificën njerëzore të së drejtës. E Drejta, u lind sapo jeta na u hoq me përdhuni. Në zanafillë, njerëzimi s’pat të drejta. Thjesht jetonte dhe aq. Në vend të kësaj, sot kemi mijëra të drejta; mund të thuhet me saktësi se çdo gjë që kemi humbur, e quajmë “të drejtë”.
Di që jetoj, dhe që dëshiroj të jetoj.
Tepër vështirë për ta vënë këtë dëshirë në veprim. Jam i rrethuar nga ajo farë njerëzorë që kërkon të njejtën gjë. Pohimi im i veçuar nga të tjerët, është një krim tejet i rëndë.
Ligjet dhe morali, në konkurrencë me njëra tjetrën, më frikësojnë dhe më bindin.
Rabini bjond (Krishti ose vlerat e krishtera) ka ngadhënjyer.
Dikush lutet, dikush përgjerohet, dikus mallkon, por askush nuk guxon. Burracakëria, e përkëdhelur nga krishtërimi, krijon moralin, duke përligjur vulgaritetin, dhe duke pjellë dorëheqjen nga bota.
Mirëpo kjo dëshirë për të jetuar, ky vullnet, vetëm sa dëshiron të zhvillohet lirisht. I Krishteri vështron me kujdes rrotull se mos po përgjohet nga ndokush, dhe duke u dridhur, mëkaton. Dëshirë: mëkat; dashuri: mëkat. Kjo është përmbysja.
“O kurvë, femra e gjithkujt, s’ke turp në këtë botë. Je e sinqertë dhe e çiltër. Ia ofron veten atyre që paguajnë, s’jep e as nuk merr kurrfarë iluzioni”
“Nga ana tjetër, shoqëria modeste dhe e pastër në dukje, por tmerrësisht e infektuar me një gangrenë që shtrihet në të gjithë trupin e saj, më bën për të vjellë, më tmerron dhe ma shpif, më vret”
* * *
I kam zili egërsirat. Zëlartë do t’u lutem “Shpëtoni veten, se po mbërrin qytetërimi!”
Sigurisht: qytetërimi ynë i dashur, për të cilin ndihemi kaq shumë krenarë. E kemi braktisur jetën e lirë dhe të qetë të pyjeve, për këtë skllavëri të tmerrshme morale dhe materiale. Si përfundim, jemi manjakë, nevrastenikë, vetëvrasës.
Pse duhet ta çaj kokën për këtë qytetërim, i cili njerëzimit i dha krahë për të bombarduar qytetet, pse duhet ta çaj kokën për çdo yll të qiellit, apo çdo lumë?
Është e vërtetë që në të kaluarën s’pati kode ligjore, drejtësia vihej në vend me doke.
Kohëra barbare! Në vend të kësaj, sot njerëzit vriten në karrigen elektrike, veç nëse filantropizmi i Beccaria-s (aristokrat i shekullit të tetëmbëdhjetë, vepra e të cilit “Mbi Krimet dhe Ndëshkimet” ((1764)) frymëzoi reformimin e sistemit penal në Itali) mjaftohet duke i torturuar në burg gjersa japin frymën e fundit.
Jua kam lënë dijen dhe kodet ligjore; Jua lë nëndetëset dhe bombat, nuk më duhen. Sërish, ju qeshni me lirinë time të bukur, me injorancën time, me gjallërinë time. Qielli i djeshëm ishte i bukur për sytë e mi; sepse vështrohej nga sy të paditur.
Sot kasaforta yjore është një vello prej plumbi, të cilën më kot përpiqemi ta kapërcejmë; s’është më e panjohur, por e pabesë.
Gjithë këta filozofë, këta shkencëtarë, çfarë po bëjnë?
Çfarë krimesh të tjera po planifikojnë kundër njerëzimit? Progresi shkoftë në djall! Nuk dua t’ia di! Dua të jetoj dhe t’i gëzohem jetës.
“O majmun i xhunglës Borneo, Darvini të ka ofenduar!”
* * *
Ndërkohë, e gjithë qenia ime më ulëret nga brenda “Dua të jetoj!”
I shqyej gjembat e dorëheqjes së krishterë nga balli im, dhe dehem në parfumin e trëndafilave.
Ndihem mirë. Jetesa më kënaq.
Sirenat uturijnë, turma e hareshme shkon për në kasaphanë.
Por edhe ti o rebel, teksa hipën mbi Kalë, edhe ti je i kalbur!
Sa zili e kam Bonnot-in madhështor!
“Il me faut vivre ma vie!”
* * *
Është e kotë, jam i kalbur. Shoqëria më ka zhdukur. Urrej. E urrej me tërbim njerëzimin brutal që më ka vrarë, më ka shndërruar në gëzof njerëzor.
Dëshiroj të shndërrohem në ujk, e t’i zhys dhëmbët e mi në barkun e shoqërisë, në një orgji shkatërrimtare.
This blog post has been Digiproved © 2022