Tridhjetë vitet e fundit të koklavitjeve mes së majtës dhe së djathtës në Europë përfunduan me një pëshpërime e jo me një shpërthim, siç pritej nga të dyja palët. Paralajmërohej kalimi i cakut në një përplasje finale dhe të egër, e në vend të kësaj, publikut iu servir kufoma e një spektri politik, sa polemizues në qendrimet e veta, aq edhe të paqëndrueshëm në kohërrjedhje. Në ditët e sotme flitet për konflikt mes globalizmit dhe sovranizmit, e teksa probleme të reja, të fabrikuara ose jo, mbushin enën e ligjërimeve të ndryshme mbi aventurat e radhës, dy krahët e spektrit kryqëzohen ndërmjet njëri-tjetrit në mënyra të larmishme. E djathta dhe e majta e vjetër tashmë ekzistojnë vetëm si relike.
Vendin e të vjetrave e ka zënë e reja. Kjo përmbysje në pamje të parë provon se historia nuk ka ngelur në vend, dhe se dogma ideologjike deshi s’deshi, iu përshtat kërkesave të kohës për të siguruar mbijetesën e saj. Zgjedhjet në Britani provuan se e majta e ka humbur kontaktin me realitetin, dhe se e djathta ka nisur të bëhet më shumë “komunitare”, të paktën në aspiratat e saj për pavarësi kombëtare nga unionet e padrejta, por ashtu siç polarizimi dikur arrinte skajet në vizionet e kundërta mbi botën, edhe sot drejtpeshimi nuk është gjendur akoma. Duket sikur Europa pret me ankth mbarimin e stuhisë për tu pozicionuar sërish pas perdeve të hekurta dhe garave hapësinore.
Po të kthehemi mbrapa në kohë, kuptojmë ç’ndodhi me të majtën Britanike. Dikur nën udhëheqjen e të zellshmit Tony Benn, Laburistët kërkonin daljen nga tregu i përbashkët. Benn përfaqësonte grimcat e fundit të së majtës komunitare në Britani, kurse Thatcher që më vonë mundi një kandidat akoma më radikal, fillimin e rrugëtimit nëpër shtigjet e pasigurta të globalizmit. Zonja e hekurt ndryshoi njëherë e përgjithmonë panoramën politike në Britani, e djathta zuri rrënjë në aspiratat integruese në Union, kurse Laburistët, humbën jo vetëm zgjedhjet por edhe veten e tyre. Me mbërritjen e Tony Blair, u deklarua rruga e tretë, lindja e së majtës së re, që në fakt ishte ngjizur në stuhinë e Zonjës Thatcher. E majta e re pra shpallej haptazi pro Bashkimit Europian. Laburistët panë një fije shprese më vonë me ardhjen e Jeremy Corbyn, një njeri i guximshëm por aspak karizmatik, i cili premtonte “rikthimin në traditë”, një rikthim i cili hasi në kundërshtime të thella brenda partisë, pasi të rinjtë ishin akomoduar shumë me kushtet e reja që nuk kërkonin më sakrifica dhe lodhje trush, por vetëm mobilizimin e një elektorati të mjaftueshëm pas “drejtësisë sociale” jo ekonomike, por “politikisht korrekte”.
Corbyn u zotua para udhëheqësve të tij shpirtërorë të gjendur në anën tjetër të botës (Hugo Chavez dhe Fidel Castro), se do të ringjallte socializmin në vendin më kryeneçësisht kapitalist të botës. Zjarre të reja kishin nisur të flakëronin ndërkohë. Partia pësoi përçarje nga kërkesat radikale të Corbyn, kurse vetë atij iu ngjit nofka damkosëse “anti-semit”, një plagë më tepër në karrierën politike plot rreziqe që kishte zgjedhur të ndiqte.
Laburistët e kurdisur nga Thatcher filluan të hanin veten me dhëmbë, teksa sovranizmi mori formë në Britani përmes dyshes ultra-karizmatike Nigel Farage dhe Boris Johnson. Këta të dy i vunë gozhdën mbi arkivol globalizmit me një referendum të suksesshëm i pasandaj u zvarrit në parlament ca si shumë.
Gurët e shahut u radhitën qartazi në fushën angleze. Nga një anë globalistët kërkonin të rrinin brenda unionit, kurse sovranistët kërkonin respektimin e vullnetit të popullit. Corbyn i cili nga ana e tij fillimisht thoshte se do ta çonte deri në fund Brexit, papritmas ndryshoi mendim, duke marrë një pozicion të paqartë, dhe kështu, gjeti vdekjen e shpejtë politike. Bashkë me Corbyn ra dhe partia e tij e cila tashmë, nga të dyja anët qëndronte jashtë kohes e komplet jashtë realitetit. Megjithatë, arsyeja e vërtetë pse Corbyn humbi nuk ishte “rikthimi në traditë”, por pikërisht kjo përbuzje e vullnetit popullor që ai shfaqi duke refuzuar të merrte një qëndrim përfundimtar mbi çështjen Brexit.
Duke kërkuar kthimin në traditë, Corbyn harroi se kthimi dhe tradita nuk shkojnë bashkë. Në traditë nuk kthehesh, tradita ose përmban një vazhdimësi, ose shuhet e fiket pa mundësi rindezjeje. Por mbase Corbyn, si një revolucionar i vjetër u besonte shumë paradokseve logjike. Ashtu siç e majta e vjetër dikur, me zell mileniarist kërkonte ndryshimin radikal të njeriut dhe botës, rikrijim përfundimtar të tij, ashtu edhe Corbyn besoi se mund të luftonte kundër kohës, madje edhe kundër popullit të tij.
Fundja populli për të majtën është proletar e i dashur vetëm kur ndodhet në krahun e saj. Me ndërgjegje false e qëllime të këqija në rastin e kundërt.
Drejtpeshimi nuk është gjendur akoma. Europa mund të vazhdojë të luftojë mes vete pa dëgjuar boritë e kërcënimit rus që i aviten qetë e butë. Këndej në Shqipërinë tonë, nuk flasim dot për evolucione dhe shndërrime pa patur diçka të themeluar fillimisht. Në mungesë të një elementi thellësisht ideologjik, por mbingopje vetëm me konflikte interesi, në Shqipëri, nyja e skajeve të papajtueshme do të zgjidhet me një shpërthim e jo një pëshpërimë.
This blog post has been Digiproved © 2019