Marrëveshja e tregtisë së lirë shqiptaro-turke. Pjesa II

Në këtë pjesë në fakt, nuk ka mbetur shumë për të thënë. Pjesët kryesore të marrëveshjes u diskutuan në pjesën e parë dhe tani mbetet thjesht të shohim se për cilat produkte vlen kjo marrëveshje.

Le të fillojmë me produktet bujqësore dhe me pjesën më problematike të marrëveshjes. Doganat për këto produkte duhen ulur deri ne 100% nga ana shqiptare. Dikush mund të thotë se kjo është deri diku e justifikuar pasi mund të kemi produkte bujqësore, pra fruta perime apo të tjera gjëra të cilat nuk prodhohen në Shqipëri dhe duhen importuar. Kjo në pamje të parë është kritikë e drejtë, të paktën nëqoftëse do ishte e vërtetë. Faktet ama tregojnë një histori tjetër.

Është e vërtetë që disa ushqime të cilat prodhohen më kollaj në Turqi nuk kanë restriktime kuantitative (Harruam të përmendim se pjesa më me rëndësi e kësaj marrëveshjeje është fakti që në Aneksin 1 dhe 2 ka dhe restriktime kuantitative për produkte të ndryshme. Jo restriktime arbitrare të vendosura sipas qejfit nga shteti shqiptar por restriktime të pranuara dhe nga Turqia). Këtu mund të përmendim lloje të ndryshme arrash ekzotike, thjerrëzat etj. Nga ana tjetër shihet se produkte të cilat shumë mirë mund të prodhohen në Shqipëri si kastraveci, limonët, rrushi i thatë, vera etj gjithashtu nuk kanë restriktime kuantitative. Pra nuk mund të flasim për një marrëveshje dhe aq shumë në favorin tonë.

Pjesa tjetër e produkteve, ndonëse me dogana totalisht të hequra, fatmirësisht kanë restriktime kuantitative. Pra nuk mund të flasim për një shkatërrim total të konkurrencës bujqësore shqiptare. Ama problemi prapë ekziston. Natyrisht një marrëveshje e tillë nuk shkatërron direkt bujqësinë por duhet ditur se Shqipëria nuk ka marrëveshje të këtij tipi vetëm me Turqinë por dhe me vende të tjera.

Importimi i 200 tonëve rrush mund të duket pak në pamje të parë por nëse të tilla marrëveshje mblidhen së bashku mund të shkojnë dhe në 2 mijë ton rrush. Apo dhe 10 mijë ton rrush.

Si problematike mund të shohim pak importim e djathit pasi restriktimet kuantitative këtu janë më të pakta. Gjithashtu importi i vezëve. Por në këtë rast nuk janë vezë që konsiderohen për shitje për konsum por vezë për rritje pulash. Gjithsesi mund të dëmtojnë sektorin vendas të pularisë.

Si problematike gjithashtu shihet importi i verës, ujit dhe produkteve të brumit. Si produkte të një industrie të lehtë, të cilën duam të cilën ta shohim të zhvilluar në Shqipëri, importi i këtyre produkteve nuk bën sens.

Dikush mund të thote: në Shqipëri nuk është industria e vezëve, ujit apo verës që po lëngon por është bujqësia. Patatet vendase hidhen rrugëve se si blen kush, domatet vendase hidhen rrugëve se si blen kush e kështu me radhë. Kjo është e vërtetë. Këtu përmendëm thjesht cilat produkte shkaktojnë rrezik për industritë tona duke u nisur nga numri i restriktimeve kuantitative. Por siç thamë dhe më para dhe 200 ton rrush apo kajsi problematike janë pasi nuk importojmë produkte bujqësore vetëm nga Turqia.

Gjithsesi kalojmë tek pjesa e produkteve industriale. Këtu kryesisht dominojnë materialet e ndërtimit, produkte industriale kimike dhe deri diku farmaceutike dhe rrobat. Në këtë pikë nuk mund të themi se ekziston ndonje problem i madh. Të paktën momentalisht. Patjetër, ekzistenca e industrive tona farmaceutike mund të rrezikohet por duhet pasur parasysh se shumë ilaçe na duhet se s‘bën ti importojmë.

Problematike këto importe do të jenë në një fazë tjetër zhvillimore tonën. Nëse një ditë do arrimë të krijojmë industri serioze farmaceutike, tekstile dhe kimike në vend,atëherë do të jetë dita që këto importe do bëhen problematike. Gjithsesi arritja e kësaj do jetë rruge e lodhshme dhe e gjatë.

Me këtë dua të dal në një konkluzion të përgjithshëm mbi këtë marrëveshje tregtare. Mund të themi se është problematike sepse shton importet në sektorë ku nuk na nevojiten importe si bujqësia por dhe sepse mund të jetë problem në të ardhmen nëse përpiqemi të zhvillojmë ndonjë industri të mundshme.

Në pjesën e fundit të këtij artikulli dua të merrem me shtjellimin e një propozimi timin për punën e marrëveshjeve tregtare në përgjithesi. Duhet për mendimin tim një plan për rinegocim ose terminim të marrëveshjeve bazuar në ecurinë e ekonomisë. Gjithmonë nëse  lejohet rinegocimi apo terminimi i tyre. Në rastin e Turqise kjo lejohet.
Kur industria e lehtë të jetë prioritet duhet të ketë më pak import mallrash ushqimorë të përpunuar. Kur industria tekstile të jetë prioritet duhet bërë po e njëjta gjë. Duhet kuptuar se këtu nuk po propozojmë një ndalim importesh alla ISI (Import Substitution Industrialization), pra strategjia klasike amerikano-latine.(ndonëse në Brazil pati pak sukses deri diku).

Ajo që po kërkojmë është diplomaci e fortë që bën sa të mundet, por dhe që është e zhdërvjellët duke ndryshuar taktikë bazuar mbi fazën aktuale ku ndodhet ekonomia.

Një strategji e tipit ISI mund të jetë e mundur dhe në rastin shqiptar por duhet studiuar çështja mirë dhe duhen marrë parasysh gabimet kryesore të bëra nga shtetet e tjera që kanë ndjekur këtë strategji.

Këtu po e mbyllim këtë artikull. Në artikullin e radhës duam të trajtojmë më në detaje marrëveshjen CEFTA të cilën thjesht e përmendëm pak përciptazi në një nga artikujt e kaluar.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019