Sipas Tellis, marrëdhënia Amerikë-Kinë është një marrëdhënie shumë komplekse. Kina sipas tij nuk mund të ndalet me strategji klasike te përmbajtjes. Kjo ndodh sepse ndërvarësia ndërmjet Amerikës dhe Kinës është shumë e madhe. Gjatë kohës së bashkimit sovjetik kur u zbatua kryesisht strategjia e përmbajtjes nuk kishte thuajse fare lidhje ekonomike ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës. Shkëputja e marrëdhënieve tregtare Kinë-Amerikë do ishte katastrofike.
Ai thotë se, gjendja e marrëdhënieve Kinë-Amerikë për momentin është e tillë: Amerika dhe vendet e tjera qe bëjnë tregti me Kinën humbasin relativisht por fitojnë në anën absolute. Humbje e pushtetit relativ në arenën ndërkombëtare por rritje e mirëqënies absolute të shteteve përkatëse“ SHBA përfiton nga lidhjet e saj me Kinën në terma absolutë, por humbet në terma relativë.“(Tellis:2013). Strategjia e përmbajtjes nuk mund të funksionojë për arsyet e sipërpërmendura. Në këtë rast rekomandimi i Tellis për një strategji ndaj Kinës është ai i nje balancimi pa përmbajtje. Ideja që Tellis na jep në këtë rast është, çuditërisht, thuajse identike me politikën e jashtme amerikane përkundrejt Kinës në kohën e dy administratave Bush-Obama. Balancim pa përmbajtje, angazhim, balancim ushtarak i brendshëm etj. Pas administratës Obama, po vërejmë, administratën Trump e cila po ndjek nje politikë të jashtme që sipas përkufizimit të Tellis është katastrofike. Pse është administrata Trump e fiksuar mbas fitimeve relative dhe nuk i interesojnë fitimet absolute? Si ka mundësi që kjo politikë e jashtme të shfaqej në radhë të parë? Ne pjesën e parë të kësaj eseje do paraqes politikat e jashtme ndaj Kinës të administratave Bush-Obama dhe do i përgjigjem pyetjes nëse këto politika të jashtme ndaj Kinës përmbanin elemente të strategjisë së përmbajtjes apo jo.
Në këtë artikull bazohem mbi idenë e pasigurisë së shtuar në sistem të Mearsheimer dhe idenë e autizmit të shteteve të mëdha (Luttwak). Relevanca e kësaj eseje nuk është thjesht akademike por dhe praktike. Me politikën e jashtme të re më agresive ndaj Kinës të administratës Trump po ka gjithmonë e më shumë përpjekje për të kuptuar se nga lindi kjo lloj politike. Kjo ese është gjithashtu një perpjekje e tillë për të kuptuar.
Arsyeja pse administratat Bush-Obama i konsideroj si një e vetme përsa i përket politikës së jashtme ndaj Kinës është fakti se qasja ime në këtë artikull është qasje shtet-centrike. Në këtë ese tranzicioni i politikave të jashtme nuk shihet si një veçanti e administratave të ndryshme por si një moment lëvizjeje brenda logjikës shtetërore në arenën ndërkombëtare.
Si fillim, po filloj me politikën e jashtme të Obamas. Pjesa kryesore e kësaj politike të jashtme është strategjia e tij e Boshti-drejt-Azisë. Ka dy rryma kryesore që e vleresojnë këtë strategji në mënyra të ndryshme. Rryma e parë e mendimeve është ajo e kritikëve që e kritikojnë Obaman se nuk bëri mjaftueshëm dhe se kishte më shumë fjalë se vepra. Rryma e dytë është ajo e kritikëve që thonë se Obama u tregua më agresiv seç duhej me Kinën. Sipas Silove asnjëra prej këtyre rrymave nuk na ndihmon dot të kuptojmë realisht politikën e jashtme të Obamas sepse është bërë më shumë se sa mendojnë kritikët e grupit te parë dhe sepse politika e Obamas nuk kishte elemente të strategjisë se përmbajtjes siç mendon grupi i dytë. Silove thotë: „Asnjëra nga perspektivat nuk përshkruan me saktësi strategjinë e SHBA-së drejt Azisë Paqësore, sepse të dyja errësojnë tri pika kyçe: boshti drejt Azisë ishte tashmë në proçes para se të deklarohej; substanca e boshtit, e matur dhe e klasifikuar rigorozisht, ishte shumë më substanciale se sa donin të pranonin kritikët; dhe rritja e Kinës u pranua si një premisë e strategjisë së SHBA, e cila nuk synonte ta përmbante.“(Silove:2016). Sipas Silove Boshti-drejt Azisë i Obamas duhet parë si një strategji rrënjët e së cilës i gjejmë që te administrata Bush. Pikat kryesore të kësaj politike të jashtme janë : Zhbindja, Balancimi i brendshëm, Balancimi i jashtëm dhe Angazhimi i zgjeruar.
Qëllimi i politikës së jashtme të Bush dhe Obama ishte të zhbindnin Kinen(e cila ishte e bindur që duhet të ndiqte politikë fitimi hegjemonie ne Detin e Kinës Jugore dhe në Azi në përgjithësi). Kjo duhej të ndodhte me anë të balancimit të jashtëm dhe balancimit të brendshëm. Balancim i jashtëm duke rritur prezencën ushtarake në Azi dhe balancim i brendshëm duke rritur fuqitë ushtarake amerikane në përgjithësi. Nga ana tjetër kishim dhe angazhim të zgjeruar. Ne kohën e Obamas mori formën e Dialogut Strategjik-Ekonomik Amerikano-Kinez . Ky mekanizëm diplomatik u përdor në menyre shumë intensive. Kjo strategji pra kishte të dyja anët e monedhës. Anën e shkopit dhe anën e karrotës. Shkopi(në këtë rast aftësitë ushtarake) për të frikësuar , dhe karrota(në këtë rast dialogu dhe angazhimi i zgjeruar) për të tërhequr Kinën dhe per ta bindur në mënyrë më pak agresive.
E tërë ideja e politikës së jashtme në kohën e Obamas filloi gjatë administratës Bush me DSR Review. DSR Review bashkë me QDR e mëvonshme përbënë bazat e kësaj politike të jashtme. Ideja kryesore ishte që rreziku më i madh që Kina përbënte ishte konkurrimi i hegjemonisë amerikane në Azi dhe rritja e aftësive ushtarake kineze. Zhbindja, që përmendëm më sipër duhet të funksiononte në këtë mënyrë: Me anë të rritjes së aftësive ushtarake amerikane në Azi Kina do kujohej që nuk duhej të konkurronte më hegjemonin amerikan. Silove këtu citon sekretarin e shtetit Zoellick: “Zoellick i kërkoi Kinës, duke cituar një këshilltar të politikës kineze, “të kapërcejë mënyrat tradicionale për tu bërë fuqi e madhe”, e cila ishte një referencë për rrugën drejt hegjemonisë. Në vend të kësaj, Kina u inkurajua të bëhej një “palë e interesuar e përgjegjshme” dhe “të forcojë sistemin ndërkombëtar që ka mundësuar suksesin e saj.” “(Silove:2016) . E njëjta politikë e jashtme u vazhdua dhe gjatë kohës së Obamas.
Ku qëndron ndryshimi ndërmjet politikës Bush dhe Obama? Ndryshimet janë: Sa të hapura ishin si politika(ndaj publikut) , intensiteti dhe MTL(marrëveshjet e tregtisë së lirë). Strategjia Bush kishte formën e një strategjie deri diku të fshehtë. Shumë pak informacione u publikuan në këtë kohë mbi DSR dhe QDR dhe vetëm tani mund të lexojmë me detaje se çfarë këto politika përmbanin. Fjalët e përdorura në kohën e Bush janë gjithashtu më të buta se ato në kohën e Obamas: Riorientim në vend te Boshtit-drejt-Azisë e kështu me radhë. Intensiteti ishte më i madh në kohën e Obamas se në kohën e Bushit. Dhe si përfundim ana ekonomike: Në këtë rast MTL-të që u planifikuan në kohën e Obamas por që nuk kishin fare rëndësi në kohën e Bush. Përveç këtyre ndryshimeve të vogla ishte thelbi dhe qëllimi i këtyre dy politikave të jashtme i njëjtë. Tani që pamë që thelbi dhe qëllimi i këtyre dy politikave ishte i njëjtë duhet ti përgjigjemi pyetjes nëse këto dy politika të jashtme përmbanin elemente të strategjisë së përmbajtjes apo jo. Tani e tutje në këtë ese këtyre dy politikave do u referohemi si politika e jashtme Bush-Obama ose Obama-Bush.
Për strategjinë e përmbajtjes këtu do përdor përkufizimin e Siloves. Silove për të shpjeguar strategjinë e përmbajtjes në këtë rast citon Mearsheimer: “slowing the growth of an adversary’s power.“(Silove:2016). Në shqip, ngadalësimi i rritjes së fuqisë së një kundërshtari. Silove përmend dhe autorë të tjerë të cilët , duke lënë mënjanë detajet e vogla, e perkufizojnë strategjinë e përmbajtjes në po këtë mënyrë. Strategjia e përmbajtjes duhet të përpiqet të ngadalësojë rritjen e fuqisë ushtarake dhe ekonomike të shtetit kundërshtar, dhe ç’është më e rendesishmja dhe të përpiqet të ngadalesojë fitimet relative të këtij vendi. Këtu lind pyetja: Cilat janë mjetet që përdoren në një strategji përmbajtjeje? Sipas Silove këto mjete janë: Krijimi i aleancave multilaterale që rrethojnë kundërshtarin, krijimi i një situate ushtarake ku asnjëra pale nuk avancon dot më tej dhe luftë ekonomike. Përveç kësaj është dhe luftimi i influencës së shtetit kundërshtar në arenën boterore. Silove thote : “ Mjetet e një strategjie të kontrollit janë, sipas Artit, përforcimi i një ngërçi ushtarak dhe mohimi ekonomik. Përforcimi i një ngërçi zakonisht ndiqet nga krijimi i një aleance shumëpalëshe që gjeografikisht rrethon shtetin e synuar, edhe pse për kundërshtarët më pak të fuqishëm një ngërç mund të zbatohet përmes përdorimit të operacioneve të kufizuara ushtarake siç është zona e ndalimit të fluturimeve në rastin e Irakut. Mohimi ekonomik i referohet përdorimit të “masave që ndërhyjnë në tregtinë e shtetit të synuar [. . .] [të cilat mund të] shkojnë nga embargo të përqendruar në mallrat e përzgjedhura strategjike në shkallë të gjerë të luftës ekonomike. Koncepti gjithashtu lidhet me pakësimin e ndikimit global të shtetit të synuar. “ (Silove:2016) .
Pasi pamë se çfarë mjetesh përdor strategjia e përmbajtjes, na duhet të themi se nëqoftëse përdorim përkufizimin e Siloves përsa i përket kësaj strategjie , politika e jashtme Bush-Obama nuk përmbante elemente të strategjisë së përmbajtjes.
Një pyetje shumë e rëndësishme që del këtu është nëse SHBA-të vërtet e rrethuan Kinën ushtarakisht në sensin e strategjisë së përmbajtjes. Në pamje të parë duket sikur vërtet e bënë këtë gjë. SHBA-të jo vetëm që rritën shumë fuqitë e tyre ushtarake(balancim i brendshëm) dhe dërguan më shumë fuqi ushtarake në Azinë Lindore, por bënë dhe aleanca ushtarake me vende të ndryshme të Azisë Lindore. Por, nëqoftëse këqyrim më me kujdes kuptojmë se qëllimi i kësaj strategjie nuk ishte izolim për të bllokuar rrugë ekonomike apo krijuar barriera të tjera. As për të fituar territore më në afërsi të Kinës në mënyrë që SHBA-të të kishin favor gjeostrategjik. Qëllimi ishte Zhbindja(Dissuasion). Përveç zhbindjes një qëllim tjetër ishte dhe angazhimi i zgjeruar. Siç na tregon dhe Silove, ideja ishte që Kina do ishte më e gatshme për dialog nëqoftëse do shihte numrin e madh të forcave ushtarake amerikane në Azi. Silove thotë: “Ekzistenca e një elementi të fortë angazhimi në riorientim siguron dëshmi të dukshme dhe bindëse se riorientimi nuk ishte një strategji e kontrollit. Ky përfundim përforcohet kur kuptohet marrëdhënia midis angazhimit dhe elementeve balancuese të riorientimit. “(Silove:2016)
Pasi iu përgjigjëm kësaj pyetjeje duhet ti përgjigjemi pyetjes nëse Kina u luftua ekonomikisht apo jo. Sipas Silove përgjigja e kësaj pyetjeje është përseri jo. Orientimi drejt Azisë në kohën e administratës Bush kishte një element ekonomik të papërfillshëm. Në kohën e Obamas pati vërtet shumë MTL që u nënshkruan me vendet e Azisë Lindore(si pjesë e Boshtit-drejt-Azisë) por këto MTL nuk ishin pjesë e një plani për të “rrethuar“ Kinën ekonomikisht apo për të bërë luftë ekonomike me të. Këto MTL funksiononin sipas asaj qe Silove e quan logjika e liberalizimit kompetitiv. Po citoj Silove: “ Në masën që strategjia e MTL kishte një ndikim ndaj Kinës, ajo vepronte sipas asaj që Zoellick e quante “logjika e liberalizimit konkurrues.“ (Silove:2016) .
Sipas kësaj logjike Amerika nënshkroi MTL me vendet e Azisë Lindore për ti bërë presion Kinës që të liberalizonte dhe ajo ekonominë e saj. Duke krijuar një zonë të madhe aktiviteti ekonomik supozohej të krijohej një incentivë për Kinën që ti bashkohej dhe ajo kësaj zone ekonomike, ama vetëm pasi të kishte liberalizuar ekonominë e vet. Ka persona që e kundërshtojnë idenë e mësipërme dhe thonë se Amerika nuk e pranoi Kinën në negociatat për TPP-në. Silove thotë që arsyeja e vetme pse Amerika nuk e pranoi Kinën në negociatat e TPP-së ishte sepse kishte informacion mbi planet kineze që donin ta bënin këtë marrëveshje tregtare më të vogël seç ishte dhe të hiqnin sa më shumë nene mbi liberalizimin ekonomik. SHBA gjithashtu u tregua e gatshme ta pranonte Kinën pas mbarimit të negociatave. Silove thote :“Përfundimi që TPP përbënte një zhvendosje drejt një strategjie të mohimit ekonomik do të ishte i çuditshëm, befasues ose anormal, duke pasur parasysh konsistencën me të cilën Shtetet e Bashkuara ishin përpjekur për ta integruar Kinën në ekonominë globale. Angazhimi ekonomik kishte qenë një tipar konstant i politikës amerikane ndaj Kinës që nga mesi i viteve 1980, kur Kina dhe Shtetet e Bashkuara bënë atë që Harry Harding e quan një “partneritet ekonomik” të karakterizuar nga “bashkëpunimi amerikan në modernizimin dhe reformimin e Kinës. Ky element i strategjisë amerikane u mbajt dhe u zgjerua në të gjitha administratat e George W. Bush dhe Obama. Në të vërtetë, angazhimi ekonomik ishte qëllimi kryesor i Dialogut Ekonomik Strategjik dhe më vonë i S&ED. Nëse, megjithatë, angazhimi dhe balancimi kuptohen si mjete plotësuese drejt një qëllimi të vetëm – në vend që të përdoren strategji të ndryshme të mobilizuara njëkohësisht për tu mbrojtur nga pasiguria – atëherë TPP-ja i nuk është as befasuese e as anormale. Logjika e përdorimit të liberalizimit konkurrues si një mjet për avancimin e angazhimit ekonomik me Kinën, përputhet ngushtë me logjikën e përdorimit të balancimit të brendshëm për të avancuar angazhimin diplomatik të përshkruar më lart nga Christensen. Sipas Kordinatorit të Lartë për Çështjet e Kinës David Loevinger, Kina nuk u përjashtua nga negociatat e TPP-s sepse Shtetet e Bashkuara dëshironin të krijonin një bllok ekskluziv tregtie, por sepse zyrtarët e SHBA e dinin se Kina do të punonte për të zbutur dispozitat e liberalizimit të marrëveshjes. Për më tepër, zyrtarët e SHBA nuk dëshironin ta përjashtonin Kinën nga kjo marrëveshje e miratuar një herë, edhe pse shumica e zyrtarëve besonin se nuk kishte gjasa që Kina të binte dakord për një liberalizim kaq të gjerë dhe të thellë. Efekti i synuar i TPP-së, përsa i përket Kinës, ishte rritja e margjinës për standardet e liberalizimit dhe në këtë mënyrë krijohej presion më i madh ndaj Kinës, për të reformuar më tej sistemin e saj ekonomik“ (Silove:2016) .
I tërë plani me MTL ishte thjesht vazhdim(ndonëse pak më shumë agresiv) i planit të shumë administratave amerikane duke filluar që nga Niksoni për ta integruar Kinën në ekonominë botërore. Vendet e Azisë , ndonëse nenshkruan MTL me Amerikën , nuk u ndaluan aspak që të vazhdonin tregtinë normalisht me Kinën në çdo aspekt të mundshëm. Me faktet e mësipërme mund të themi pra me shumë siguri që nuk ka pasur luftë ekonomike apo “rrethim“ ekonomik të Kinës gjatë këtyre dy administratave. Tani për tiu pergjigjur pyetjes së fundit: A ka pasur përpjekje për të luftuar influencën kineze në botë? Sipas Silove nuk ka asnjë lloj prove që Amerika është përpjekur sadopak gjatë këtyre administratave për të luftuar Kinën. Pra politika e jashtme Bush-Obama ndaj Kinës nuk ka pasur asnjë element të strategjisë së permbajtjes.