Elegji për at’ t’shkretën histori që u përdhos në kët’ Shqipri

I. Pjesëtimi i një toke-qytet shpalos idenë pas gjallimit dhe zhvillimit të tij. Në qytetet e mëdha Europiane inkurajohet shtresëzimi i epokave, rendi, harmonia dhe simetria e këtij vendbanimi nga periferia e deri në qendër. Qyteti është shtëpia e banorëve të tij, banorë të cilet supozohet se hapësirën përtej pragut duhet ta trajtojnë në mënyrë të njëllojtë me atë brenda pragut.

II. Qyteti ka një Traditë. Nëpërmjet ngrehinave ai na komunikon se në të shkuarën aksh njerëz shkelën mbi të, bënë punë të mira e të këqija ose të tjera. Ngrehinat e qytetit, në kujtesën tonë shërbejnë si monumente prej të cilave arrihet të përfytyrohet një e shkuar që na vjen sërish në të tashmen dhe përbën frymëzim për të ardhmen.

III. Njeriu ka histori dhe kujdeset për traditën, urren fshirjen e kujtesës, sjell dhe risjell në mendjen e tij imazhet e fëmijërise gati në mënyrë ritualistike. Kafsha nuk ka histori, ajo thjesht është, thjesht çapelon, mjaftohet me një cikël ngrënieje-çiftëzimi-pjelljeje-jashtëqitjeje. Vendi i kafshës mjafton të përmbajë kushtet e domosdoshme për këtë cikël që prodhon vetëm jetën më bazike dhe asgjë më tepër. Kafsha ndodhet në një gjendje të përhershme dehjeje, kurse njeriu jo.

IV. Format, vijat, ngjyrat, tensioni mes kolonës dhe themelit, ashpërsia e fasadës apo butësia e saj shpalosin frymën e qytetit. Një qytet harmonik popullohet nga njerëz harmoniozë, shtëpia e të cilëve është i gjithë qyteti dhe jo vetëm hapësira e vogël në formë kubi brenda pallatit apo lagjia. Një qytet jo-harmonik përfaqëson simptoma të një sëmundjeje.

V. Sëmundja e një qyteti jo-harmonik në epokën e tranzicionalizmit është zaptimi pa kriter. Në epokën e Tranzicionit, prona sakaq publike, është edhe Toka e Askujt. Në këtë tokë të Askujt hidhen e spërdridhen ujqër dhe hiena, secili për të zënë vendin e vet në mbërritje të rendit të ri. Në epokën e Tranzicionit edhe njeriu është publik, material njerëzor për t’u gdhendur sipas dëshirave të rendit të ri, ose në rastin normal, njeri i cili merr në dorë fatin e tij, pohon se zotëron aftësitë e duhura njerëzore për të pasur fat tijin, dhe jo kafaz, i cili shpeshherë nuk është as mjet disiplinimi për domestikim të kafshës, por është kafaz që i’a japim vetes me dëshirë. Pakashumë lepuri ka njeriun në bark.

VI. Në këtë kuadër, Teatri Kombëtar nuk është as fillimi dhe as fundi. Para tij, u shkulën godina të tjera, që edhe ato përmbanin në vete pakëz nga historia e qytetit, rrjedhimisht historia e popullit, pa dyshim historia e kombit. Përmendim këtu Kinema 17 Nëntorin, Muzeun e Shkencave të Natyres, apo edhe Kinostudion, Stadiumin e të tjera.

VII. Mungesa në rritje e ndërgjegjes qytetare, jo vetëm që ngushton mundësitë për të reflektuar për ngul-shkuljen e godinave dhe shesheve që zëvëndësohen çdo pesë vjet, por lejon edhe shkrumbimin e godinave 100 vjeçare, e mbase në të ardhmen do të lejojë edhe shkallmimin e kalave të vjetra për t’I zëvëndësuar me të reja. Do të lejohet nga ne.

VIII. Shqiptarët akoma nuk e kanë kuptuar se djathto-majtizmi shqiptar është vetëm një iluzion pas të cilit fshihen vetëm e vetëm interesa zaptuese, përvetësuese. Pas këtij iluzioni fshihen klanet, nga njëri krah, fshihet vazhdimësia biodinastike e sundimit të mëparshëm monist, nga krahu tjetër fshihet krijimi I një dinastie të re e cila po ashtu kërkon të njejtën përmbysje-fasadë të qytetit. Nipin e bëri komunist gjyshi, kurse djalin e bëri demokrat babai. Dardha bie nën dardhë.

IX. Përsa qyteti të ngelet i mbërthyer sa në njërën anë e në tjetrën në një luftë fasadash, maskash, fantazmash, Teatri i sotëm do vazhdojë të riprodhojë teatrin e nesërm.

X. Por, kauza e Teatrit është politike. S’ka si të jetë ndryshe. Përbën një gjest të kulluar politik, diçka shumë e rrallë për kohët e sotme. Shqiptarëve nga ana tjetër, u ngelet të zgjedhin nëse kjo kauzë politike do të kanalizohet nëpër rrjedha njëpartiake, shumëpartiake, apo apartiake.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020