Blloku – Koment

Nisa ta shkruaj këtë koment të shkurtër mbi librin “Blloku” jo për të nxjerrë ndonjë ndonjë gur të çmuar nga libri i Isuf Kalos, ose për të gërmuar detaje të fshehta të ndonjë prapaskene. Libri vetë gëlon nga përshkrime të prapaskenave së jetës mondane dhe paksa të “fshehtë” që bëhej në Bllok.

Sekretet e vërteta të Bllokut nuk ishin llogaritë e fshehta mes anëtarëve të nomenklaturës. Sekreti i madh ishte në fakt mënyra e jetesës në bllok. Është e qartë se libri në fjalë nuk është trajtesë historike, dhe nuk kërkon ti përmbahet rendit kronologjik të ngjarjeve, kjo me sqarim dhe të vetë autorit i cili në parathënie kujdeset të qartësojë se po ndërton thjesht një mozaik ndjesish të përjetuara që sipas tij do të shërbejnë për të ndërtuar skeletin e plotë të jetesës në qytetin e ndaluar, nga një kockë e vetme.

E kuptoj se “lavdërimet” për autorin nuk i shkojnë kohës dhe atmosferës së sotme. Fundja, një ish i përndjekur politik ose një pasardhës i tij nuk do kishte dëshirë të lexonte sesi aksh doktor shpëtonte nga vdekja rradhazi diktatorin gjakatar. Ca të tjerë mund të thonë “Ç’deshi që foli, ti mbante sekretet deri në varr pasi asgjë ndëshkuese nuk i shtoi gjithë asaj rrëmuje”. Në rastin e së dytës nuk bie dakort vetëm për një arsye. Libri “Blloku” në fakt përmban disa copëza të rëndësishme që mund të na tregojnë sesi një shtet i tërë totalitar funksiononte mbi parimin e heshtjes dhe pranimit të situatës. Vetë autori e pranon, ndonëse nuk mund të them me siguri se me krenari apo me nostalgji. Isuf Kalo mundohet ti përmbahet pozicionit amoral në këtë libër, duke bërë edhe disa “ndreqje” përshtypjesh të ngulitura thellë në popull.

Argumentit se nuk na duhet të merremi akoma me vogëlsirat e sunduesve të rënë, i përgjigjem se në çdo kohë ekzistojnë ca arketipa që na bëjnë të kuptojmë mirë se si shkoi situata nga “atje” e deri “këtu”. Janë personalitetet e pushtetarëve që zakonisht vendosin mbi të ardhmen e rrjedhës së pushtetit. Teza kryesore e librit është se kuçedra e vërtetë e sistemit ishte Ramiz Alia dhe jo bashkëshortja e Hoxhës, Nexhmija. Këtë gjë ai kërkon ta vërtetojë duke i bërë një zbërthim nga fillimi e deri në fund karakterit të Ramiz Alisë. Megjithatë teksa kthen vëmëndjen tek analizimi i figurës së tij, ai gjithashtu bën një “ndarjë përgjegjësish” mes anëtarëve të Byrosë.

Kishte nga ata të pushkës si Mehmet Shehu që etjen e tij për gjak e projektonte në sezone gjahu të gjata në kohë paqeje, kishte dhe nga ata të penës, si Ramiz Alia që prodhonte me zell propagandë për të krijuar një realitet të paqenë. Pra sipas Isuf Kalos Ramiz Alia ishte arketipi i mbijetuesit të përsosur. Mbijetues në nomenklaturë, teksa të tjerë mbijetonin nga pozicioni i tyre i kundërt, si “proletarë”. Shoku Alia i ri, përshkruhet si një njeri i padëmshëm, brumë për tu bërë ndjekës besnik, por gjithashtu edhe gjarpër që priste momentin e duhur për të nxjerrë kokën e për të siguruar pozicione të favorshme.

Sipas kuptimit vulgar të fjalës politikë, Ramiz Alia ishte më politikani nga të gjithë. Sistemit komunist i nevojitej më shumë një masë “intelektulalash” sesa pushkaxhinjsh të pafrenueshëm që një ditë do mund të kërcenonin pushtetin e numrit një. Kush më mirë sesa Gëbelsi shqiptar?

Pra Ramiz Alia ishte një njeri me vizion, donte të shkonte diku, por më së pari kërkonte ti mbijetonte dallgëve. Për tia arritur kësaj gjëje duheshin kombinuar tre lloje talentesh të cilat anëtarët e tjerë të bllokut nuk i kishin mprehur mirë. Duhej mprehur talenti ideologjik, ai aristokratik dhe ai familjar. Them aristokratik sepse Blloku për nga struktura dhe emërtimi i ngjante një lloj strehe elitare moderne, komuniste. Klasa sunduese në komunizëm ishte shtrembërimi më i përbindshëm i konceptit të aristokracisë. Por edhe pse në ide ndryshonte nga fisnikëria e vjetër, modus operandi ishte i njejtë, pra disa koncepte të pushtetit duheshin ruajtur. Autori na thotë se hierarkia e bllokmenëve kuptohej thjesht nga pozicioni i vilave dhe madhësia e tyre. Këta njerëz jetonin pra të gjithë pas gardhit me gjemba ku ndesheshin me radhë talentet e ndryshme. Ku vetëm ata me një kombinim të saktë talentesh mbijetonin, të tjerët gjenin vdekjen ose burgoseshin.

Kishte rebelucë, në radhët e bllokut. Fëmijët e bllokmenëve të mërzitur nga rehatia ose zhyteshin në një modernizëm të lejuar për nga vetë statusi i tyre si elitë, ose ngrinin krye pak e nga pak me gjeste të parëndësishme prej adoleshentësh. Qyteti brenda qytetit në një mënyrë të mirëfilltë u “mësoi” masave realitetin e tyre, jo atë propagandistik. Në një kapitull të librit shpjegohet mënyra se si rrodhi në popull kultura e nepotizmit nga lart. Nderet dhe miqtë, sapo nisën të zbatoheshin brenda nomenklaturës, u përçuan edhe në “proletariat”. Populli pra mësoi shumë nga partia, ndonëse asgjë nga propaganda zyrtare. Shteti pashmangshmërisht sundohej nga ideologjia. Në fakt shumë njerëz kanë patur një dilemë jo pak të rëndësishme. Enver Hoxha donte pushtetin apo ideologjinë? Në këtë rast janë të ndërlidhura. Nuk ka utopi të së ardhmes pa patur filozofë-mbretër, “mendje të mëdha” që të rigdhendin popullatën nga hiçi.

Mprehja e talenteve kryhej në kuadër të ideologjisë. Martesat merrnin karakter politik, lidheshin e zgjidheshin sipas situatës, gjithashtu i gjithë ndërveprimi në Bllok ishte luftë e butë për pushtet. Ndërmjet familjeve. Pushtet i përlyer në korrupsion, delir ideologjik dhe aleanca fisnore. Filozofët-mbretër të komunizmit nuk i bënë llogaritë mirë. Ata nuk ishin Zota, por as djaj. Nëse udhëheqja e lartë do ishin thjesht djaj që ecnin, punët do ishin shumë të thjeshta. Djallëzinë e tyre, kujtesa jonë do duhej ta kyçte në sënduk e ta hidhte në det. Pastaj e gjitha do të reduktohej në punë zyre, mbledhje dhe klasifikim i bëmave të kohës.

Përfytyrimeve tona dhe aftësisë për reflektim i japim një shkelm të fortë duke e cilësuar nomenklaturën si demonë që ecnin mbi tokë ose të sëmurë psikikë. Jo vetëm sepse është e pamundur të mendohet se pesë njerëz të ligj mbajtën gjallë pushtetin diktatorial për pesëdhjetë vjet duke shtrënguar me hekura pjesën tjetër të popullsisë, por edhe pse e keqja njerëzore, pra njeriu-djall, është më i frikshëm sesa djalli-njeri. E keqja që ndodhet në shpirtrin njerëzor, ku udhëheqësi qesh e luan me nipin një ditë, dhe në ditën tjetër përpilon listat e të destinuarve për ekzekutim, ngjall më shumë lemeri sesa Enveri që konspiron me djaj në bodrumin e shtëpisë.

Gjithashtu të bën të mendosh mbi kontekste dhe situata. Pavarësisht llojeve të sistemeve ka njerëz të këqinj kudo. Vetë e keqja është në natyrën e njeriut. Kjo e keqe manifestohet si e keqja e interesave të ngushta, e keqja e emancipimit radikal, e keqja si degradim, etj. Frika,  interesat ekonomike dhe përfitimet personale të personave dhe klikave të veçanta ishin ato që e mbajtën diktaturën në pushtet. Këto vese kanë meritë universale edhe në mbajtjen e sistemeve të tjera. Përshembull, korrupsioni i madh, hipokrizia dhe mashtrimi, ndikojnë mbi popullin edhe sot, me të keqen e tyre të madhe. Mungesa e humanizmit dhe e solidaritetit ushtrojnë një dhunë shpirtërore mbi njerëzit po aq të fortë sa dhuna trupore e diktaturës. Liritë dhe të drejtat e njeriut të dhunuara ekstremisht në diktaturë sot parimisht të pranuara në mënyrë të përgjithshme, por të parealizuara në praktikë.

Sigurisht që asokohe nuk kishte fjalë të lirë, por fjala e lirë sot e çliruar nga pesha e censurës, ka nisur të humbë edhe peshën e vet thelbësore. Pra fol, se do të të dëgjojnë, do të të lavdërojnë, por gjë nuk ndryshon dot. Nuk është krijuar një kulturë ku fjala e intelektualit bëhet precedent për ndryshim.

Ishte dashur që me ndërrimin e sistemit, ti kishim hedhur petkat e vjetra në zjarr, e të pohonim vetveten, të pohonim kulturën e re, krejtësisht të kundërtën e periudhës komuniste, në praktikë e në doktrinë bashkë. Ç’bëmë?

Në kapitullin “Eskursioni i ndaluar” autori tregon një të vërtetë të dhimbshme. Nga ato të vërtetat që nuk do njeri ti dëgjojë. Sipas tij, blloku nuk u shkatërrua ai vetëm u zhvendos nga qendra në periferi. Në vend të rojeve të armatosura tashmë qëndrojnë sistemet e alarmit dhe truprojat private. Në vend të mprehjes së talenteve, lufta politike nuk udhëhiqet më nga ideologjia, por nga mbizotërimi i përgjithshëm i interesave vetjake të veshura me shkëlqim. Pra “bëmë” një zhvendosje të madhe fasadash, metodash dhe fytyrash.

“Dy regjimet që u ndërruan me përmbysje të njëri-tjetrit në Shqipëri provuan se Zoti kishte të drejtë. Barazia mes njerëzve premtohet me zjarr, por e mposhtur nga lakmia jo përfundon në një slogan të thatë populist. Ndërkaq Blloku i ri i sigurt dhe krenar nuk mbrohet me ushtarë. Banorët mbrohen nga fantazmat dhe ankthet me sisteme elektronike alarmi dhe me mure të larta, shumë të larta. Të dukshëm dhe të padukshëm. Për habi edhe këta vazhdojnë të harrojnë dhe të shpërfillin fatalisht, njësoj si banorët e dikurshëm të Bllokut, ata ruajalistë të Versajës dhe ata komunistë të Kremlinit, që shembja mund t’iu vijë një ditë jo nga armiqtë e jashtëm, aq më pak nga ata imagjinarë. Mund t’iu vijë nga brenda. Nga ata vetë. Nga asfiksia prej vetizolimit, pa kontakte me popullin, me jetën, dhe me hallet e tij. Dhe nga ndërgjegjia e tyre e fjetur apo e trullosur prej parasë”

 

 

 

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019