Pezullimi i sovranitetit: Çezarizmi. Pjesa II

“Me termin “çezarizëm” nënkuptoj atë lloj qeverie e cila, pavarësisht nga çdo formulim kushtetues që mund të ketë, është në brendësinë e vet, një kthim prapa, drejt mungesës së një forme. Nuk ka rëndësi se Augustus në Romë dhe Huang Ti në Kinë, Amasis në Egjipt dhe Alp Arslan në Bagdad maskuan pozicionin e tyre nën forma antike, shpirti i këtyre formave ishte i vdekur dhe kështu të gjitha institucionet, megjithëse të ruajtura me kujdes, që nga ajo kohë, nuk kishin ndonjë kuptim apo peshë. Rëndësia e vërtetë përqëndrohet në pushtetin e plotë, personal, të ushtruar nga Çezari … ”

– The Decline of The West

Duke u nisur nga ky përshkrim i qartë, është e saktë të thuhet se çezarizmi Spenglerian dallon katërcipërisht nga përdorimet e tjera të termit, që shenjonë epokën e Napoleonit apo  Rajhun e Hitlerit.

Në fakt, duhet bërë një qartësim thelbësor, kur flitet për çezarizmin Spenglerian. Ai e vendoste këtë fenomen në kuadër të një zhvillimi epokal, pra jo duke e konsideruar atë si diçka të veçuar, si një shpërthim sporadik. Jo çdo diktator ushtarak, apo uzurpues pushteti është çezar. Shfaqja e çezarit, në vetvete nënkupton arritjen e pjekurisë së kushteve të domosdoshme për mbërritjen e një forme sovraniteti që nuk përbën përjashtim. Shfaqja e çezarit nënkupton një ndryshim botëror, një degradim deri në atë fazë sa asnjë formë tjetër politike nuk mund të imagjinohet për një entitet kryesor, veprues në arenën botërore.

Mishërimi i sovranitetit çezarian, në rastin e Spengler-it, nuk është një akt publik. Ky lloj sovraniteti fshihet pas institucioneve në dukje funksionale, por në esencë, fasada.

Po të marrim në shqyrtim “Fuhrerprinzip” të Hitlerit, pra, parimi i Fuhrer-it, do të shikojmë se ky parim propagandohej publikisht, dhe ishte i sanksionuar, pa asnjë fasadë. Të gjithëve u thuhej se Fuhreri kishte çdo lloj të drejte të përqëndronte në duart e tij pushtetet e ndara. Sa për kuriozitet, vetë anëtarët e partisë, ndodheshin në vështirësi, sa herë vinte nevoja për të marrë një vendim.

Krahas kësaj, Spengleri-t nuk i pëlqente as fashizmi e as nacional-socializmi. Sipas tij këto dy ideologji nuk përbënin tranzicion për në çezarizëm pasi u mungonte elitizmi i skajshëm që karakterizon këtë fazë historike.

Polemika e Spengler-it, me nazistët, u përkeqësua pas botimit të librit “The Hour of Decision”. Në këtë libër Spengler, edhe njëherë i bënte thirrje Gjermanisë të tregohej e kujdesshme ndaj së ardhmes, duke mos hedhur hapa të mëdhenj pa u menduar.

Mosbesimit të shfaqur nga Spengler për Hitlerin dhe fashizmin, kuadrot sunduese iu përgjigjën me ndalimin e shitjes dhe të shpërndarjes së librit.

Sipas tij:

“Sepse fashizmi  është gjithashtu vetëm një tranzicion. Ai e kishte origjinën e tij tek  turmat e qytetit dhe filloi si një parti masive, që mbështetej tek zhurma, trazirat dhe oratoria. Tendencat e socializmit nuk janë të panjohura për të. Por për sa kohë që një diktaturë kujdeset për  “shërbim social”, pohon se është atje për hir të “punonjësit”, dhe se përmban tipare “popullore”, ajo është vetëm një formë e përkohshme. Çezarizmi i së ardhmes lufton vetëm për pushtet, për Imperium, dhe është kundër çdo partie.”

“Federalistët do të kishin dashur ta ndanin vendin e tyre të zvogëluar tashmë, përsëri në një grumbull shtetesh të llojit të vjetër, duke u dhënë fuqive të huaja mundësinë për ti manipuluar si marionet. Kurse  nacional-socialistët besojnë se mund të injorojnë botën dhe të ndërtojnë kështjella në ajër pa pasur ndonjë reagim nga jashtë kufinjve.”

Këto sqarime janë të nevojshme për tua bërë të qartë disave që akoma e fusin Spengler-in në thes me nazistët. Spengleri qartësisht ishte nacionalist, gjithashtu elitist. Por pas luftës së dytë botërore, ka pasur disa tendenca mediokre për ta rishikuar librin Decline of The Ëest me sy të keq, dhe për të krijuar iluzionin sikur Spengleri kishte ndonjë marrëdhënie pozitive me nazistët. Theodor Adorno, i Shkollës së Frankfurtit e cilësoi çezarizmin si parashikim të fashizmit. Historiani gjerman Hans Ëeigert gjithashtu. Dalëngadalë, Spengleri u la në harresë, kurse studimet e tij mbi historinë u injoruan së tepërmi. Mbase ka ardhur koha që këto thesare ti nxjerrim e njëherë nga varri i tyre i parakohshëm.

Vetë Spengleri nuk shfaqte ndonjë tendencë pozitive kundrejt çezarizmit. Për të, termi thjesht nënkuptonte përparimin e historisë në një fazë tjetër.

Konsideratat përfundimtare mbi vizionin Spenglerian të çezarizmit vijojnë si më poshtë:

  1. Çezarizmi nuk arrin të sigurojë as vazhdimësinë e pushtetit të vet, e jo më të ndërtojë diçka konkrete e të arsyeshme. Duke qenë i tillë, ai simbolizon vetëm një fazë historike që kontribuon drejt rënies e jo ndërtimit. Pushteti absolut i këtij “Imperiumi” kështu, përforcon vetveten drejt një faze shkatërrimtare, për të gjithë entitetin politik ku ushtrohet. çezarët e së ardhmes do të jenë njerëz të etur për gjak, luftrat e të cilëve do të përmbysin botën.
  2. Imperium-e të tilla nuk i kemi përjetuar akoma, dhe nuk mund të themi me siguri nëse vizioni Spengler-it do të përmbushet, por nëse shkojmë deri në atë fazë, nuk do të ketë më shpresë për ndreqje të sistemit, por vetëm pasivitet e apatizëm, në pritje të katastrofës përfundimtare.

Ngelet të diskutojmë modalitetet e tjera çezariane.

Nëse sipas skemës moderne, çezari përbën imituesin e sovranizmave paardhës, ateherë çdo përpjekje e së ardhmes për të stimuluar të kaluarën, do të ndjekë një udhë të paracaktuar. Atë të imitimit me bazë perandorake, që në dukje do të përqafojë të gjithë simbolizmat e shkuar të një periudhe shpirti i së cilës ka vdekur, duke u zhvilluar kështu si një spektakël politik. Musolini do ishte shembulli më perfekt i kësaj praktike. Duke u mburrur se Italia do të nxirrte tetë milion bajoneta për të luftuar kundër armiqve, Musolini i hapte varrin Italisë, dita-ditës. Mesa duket, vetë diktatori ishte i pandërgjegjshëm se e shkuara nuk mund të kthehej më, prandaj spektaklet e fuqisë dhe madhështisë Italiane patën pasoja të vërteta e të rënda për regjimin.

Shkrimtari francez fashist Maurice Bardeche, shprehet se Musolini e humbi shkëlqimin e tij prej një socialisti paqedashës e mobilizues të popullit, sapo ndërmorri hapa galopantë drejt kthimit të lavdisë Romake çka ishte një sprovë e pamundur për tu tejkaluar.

Sipas idesë së de Riencourt, çezarizmi do të zhvillohet gradualisht, në tokën e premtuar, Amerikën. Pax Americana dalëngadalë do të vijojë të nxjerrë presidentë të cilët do ta hedhin tutje kushtetutën në çdo vendim tyrin. Nuk mendoj se ka plotësisht të drejtë, por gjithashtu së fundmi kemi parë një tendencë graduale presidenciale, për të injoruar kushtetutën. Rasti Bill Clinton dhe Obama kanë qenë me të fundit, por jo me pasoja të mëdha e të pandreqshme.

Nga ana tjetër, çezarizmi mund ti bashkangjitet atyre rrëfenjave që ëndërrojë rikthimin tek një “Epokë e Artë”, e drejtuar nga një mbret-prift, me pushtet të pakufizuar. Sigurisht që edhe kjo bashkëlidhje e auctoritas me potestas, është e pamundur në kohët tona.

Gjithsesi në këtë skenar, çezari do të mirëmbante fasadën duke uzurpuar sovranitetin, teksa çezari Spenglerian, jo vetëm e uzurpon, por edhe e shkatërron atë, duke e kthyer nga kuptimi thelbësor i “asaj që siguron vazhdimësinë dhe mirëfunksionimin e sistemit”, në atë të cilën “siguron vazhdimësinë e pushtetit të vetë çezarit”.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019