Ngjashmërite e efekteve të regjimeve monetare liberale dhe merkantiliste. Shembulli i BME-së dhe i standardit të arit : Pjesa II
 

Idetë neoliberale mbrapa këtyre mekanizmave. Një qasje Keynesiane.

Lind pyetja: Në çfarë mënyre janë këto politika neoliberale? Këtu duhet dhe njëherë të kthehemi tek idetë e Tomann. Tomann fillon duke shpjeguar modelin neoklasik të zhbalancave makroekonomike dhe se si zhbalancat do rregulloheshin vetvetiu sipas këtij modeli. Një rritje e zhbalancave ekonomike, sipas modelit Feldstein-Horioka, është thjesht një shenjë që investitorët po përdorin mundësitë e investimit në vendet periferike. Këto vende do bëhen kompetitive për shkak të investimeve. Nëqoftëse kjo nuk ndodh, sipas modelit, nuk ndodh sepse ka ngurtësi në tregun e punës. Pra tregu i punës duhet liberalizuar. Sipas Tomann ka dy mënyra pët të rritur kompetitivitetin. Mënyra e parë është rritja e zhvillimit teknologjik të vendit dhe mënyra e dytë është ulja e kostove të punës dhe deflacioni. Sipas Tomann, alternativa e dytë do ishte më e mundshmja nëse Gjermania, shteti kryesor në BE zgjedh të ndjekë politika deflative. Me fjalët e Tomann:

“Ky efekt gjithsesi kërkon pasjen e një reçesioni dhe një proçes të përgjithshëm deflativ. Megjithatë ky do të jetë me shumë mundësi përfundimi nëse një shtet i madh si Gjermania zgjedh këtë terapi.“

Për më tepër vetë marrëveshja e Maastricht-it është thuajse një kopje e ideve post-Friedmaniane sipas Tomann. Sipas Tomann, argumenti post-Friedmanian i nivelit te punësimit është i tillë: Sa më i lartë niveli i rrogave aq më i ulët niveli i punësimit. Një marrëveshje rrogash pra, për të mbajtur një nivel „stabël“ ose të ulët rrogash,  presupozohet që gjithmonë ka një efekt të drejtpërdrejtë në nivelin e tyre.

Këto supozime çojnë në konkluzionin që shtetet duhet të ulin rrogat në mënyrë që të rrisin nivelin e punësimit. Me fjalët e Tomann:

„ Implikimi mbi politikat që duhen ndjekur që rrjedh direkt nga këto supozime eshte që ulja e rrogave është e nevojshme për të luftuar papunësinë e lartë që ka qënë barrë e madhe për ekonomitë europiane për tre dekadat e fundit.“

Tomann më pas shpalos teorinë Keynesiane të nivelit të punësimit dhe të nivelit të rrogave reale. Sipas Tomann. Në teorinë Kenyesiane ulja e rrogave duhet parë thjesht si një politikë anti-inflacionare po jo si politikë punësimi. Për të rritur punësimin duhet rritur kërkesa agregate. Dikush mund të pyesë: Dhe nëse është e vërtetë që ulja e rrogave është politikë e gabuar për rritjen e punësimit a nuk është politikë e saktë për uljen e inflacionit? Nga ana tjetër, Gjermania pati ulje inflacioni me anë të kësaj politike dhe gjithashtu rritje punësimi. Si ka mundësi që kjo ndodhi?

Përgjigja është: Duke vjedhur punësimin e vendeve të tjera.

Tomann gjithashtu bie dakord me këtë pohim. Rritja e punësimit në këtë mënyrë është vjedhje punësimi. Tomann e quan këtë strategjia e kthimit të komshiut në lypsar(beggar-thy-neighbour strategy). Ai paraqet tre mundësi se çfarë efekti mund të ketë ulja e rrogave në regjime të ndryshme monetare. Për shembull në një regjim me kurse shkëmbimi të fiksuara mund të ketë një rritje të kompetitivetit dhe të punesimit. Në një union monetar ama, gjërat ndryshojnë. Kompetitiviteti i shtetit që ndjek politika deflacioni do rritet, por në kurriz të shteteve të tjera. Pyetja që lind është: Cili është efekti i përgjithshëm deflativ në tërë shtetet e BME nëqoftëse një vend si Gjermania fillon deflacionin dhe një rreth vicioz deflacioni fillon në tërë shtetet?

Ulja e rrogave reale si rreth vicioz deflacioni

Sipas Tomann, problemi kryesor me deflacionin në kontekstin e BME është fakti që çon në më shumë deflacion duke krijuar një rreth vicioz deflacioni. Duke përdorur statistika të agreguara nga Banka Qendrore Europiane(BQE) se si përqindja e agreguar e inflacionit në tërë shtetet e EMU ka rënë në mënyrë të konsiderueshme gjatë viteve duke arritur vetëm 0,5% në 2014. Tomann e krahason uljen e rrogave me „Cepin e urisë“(Starvation Corner) të Keynes.

Sipas Keynes një nga skenaret që mund të ndodhte me ekonominë angleze mbas luftës së dytë botërore ishte „Cepi i urisë“. Në ekonomine botërore do kishte më shume izolacionalizëm dhe barra për ri-balancim ekonomik do u binte në kurriz vendeve të varfra. Për tu kthyer te BME. Vendet periferike zakonisht detyrohen që të kenë deflacion me anë te argumentit TINA-There is no alternative(Nuk ka alternative tjetër) përvec deflacionit.(Ndonëse ka: Për shembull përgjegjësi e përbashkët mbi zhbalancat ekonomike.). Dhe nëse ka alternative tjetër, kemi parë BE-në në përgjithësi dhe Gjermaninë në veçanti të cilat nuk e duan këtë alternativë ndonëse ekziston.

Mbasi pamë qasjen Keynesiane lind pyetja nëse ka qasje të tjera të cilat shpjegojnë zhbalancat makroekonomike të vendeve të BME?

Qasjet që e shohin BME-në si projekt merkantilist.

Ka disa qasje që e shohin BME-në si projekt merkantilist. Ndërmjet tyre mund të përmendim Cesaratto-n i cili i sheh politikat e BME-së kryesisht si zgjatim i dorës gjermane dhe si politika nga të cilat kryesisht përfiton Gjermania. Ndërmjet autorëve të tjerë që përqëndrohen kryesisht në zhbalancat ekonomike dhe sistemin monetar në vetvete dhe jo se kush përfiton apo jo, mund të përmendim Flassbeck dhe Kaczmarczyk.

Argumentet e Flassbeck janë çuditërisht shumë të ngjashme me ato të autorëve të cilët e shohin BME-në si projekt neoliberal. Vegla kryesore merkantiliste që përdor Gjermania sipas Flassbeck është Euro-ja. Euro-ja e lidhur me idene e kompeticionit. Deflacioni në Gjermani do të thotë që të gjitha vendet e tjera duhet të ndjekin politika deflative. Me fjalët e Flassbeck:

 „… nje përpjekje kolektive e të gjitha vendeve për të përmirësuer njëkohësisht pozicionin e tyre kompetitiv, pra ekuivalenti i një gare zhvlerësimi brënda një unioni monetar.“

Humbja e sovranitetit monetar e hedh tërë barrën mbi shtetet e vogla të cilat duhet të kenë deflacion në mënyrë që ti bëjnë ballë kokurrencës. Flassback gjithashtu kritikon zhbalancat gjigande ekonomike të cilat janë shkatërrimtare sipas tij. Sufiçite dhe defiçite të tilla të balancës së pagesave janë të pamundura të ekzistojnë për një kohë të gjatë. Është interesante gjithasthu që Flassbeck e sheh BME-në njëkohësisht si projekt neoliberal dhe merkantilist. Me fjalët e Flassbeck:

 „Kjo kërkon një largim radikal si nga neomerkantilizmi gjerman dhe nga neoliberalizmi. Këto të dyja kanë të përbashkët presionin e vazhdueshëm ndaj rrogave.“

Kaczmarczyk, nga ana tjetër e sheh BME-në thjesht si projekt merkantilist. Sipas tij ka zhbalanca makroekonomike ndër-europiane që janë krijuar kryesisht nga politikat e rrogave dhe të deflacionit të Gjermanise deflacioni i së cilës u rrit më shumë sec duhej, dhe nga surpluset gjermane të krijuara nga ky deflacion. Heqja e monedhave kombëtare e bëri rezistimin ndaj këtyre politikave totalisht të pamundur.

Shohim pra, argumente shumë të ngjashme nga të dyja anët: Nga ana e atyre që e shohin BME-në si projekt neoliberal dhe nga ana e atyre që e shohin si projekt merkantilist. A ka ndonjë të vërtetë te ideja e Fassbeck se BME është dhe projekt neoliberal dhe merkantilist?

Për të kuptuar ngjashmëritë midis këtyre regjimeve monetare na duhet të kthehemi më shumë se një  shekull mbrapa te Keynes dhe standardi i arit. Në pjesën tjetër do shpjegojmë pse Keynes ishte kundër standardit të arit dhe ngjashmërite e BME me standardin e arit.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019