Me rënien e regjimit komunist fshatarët Shqiptarë kuptuan njëherë e mirë se kishin qenë thjesht “idiotë të dobishëm” të partisë komuniste. Kolektivizimi kishte dështuar, aleatët e huaj ishin tërhequr, e për herë të parë, sloganet e miqësisë mes popujve ishin zëvëndësuar nga “mbështetja tek forcat tona”. Sistemi nuk mundi t’ia dalë mbanë. Ekonomia kishte ngecur në vend.
Teksa nga njëra anë shteti eksportonte produktet e industrisë, në të njejtën kohë i duhej të importonte pjesë këmbimi dhe mirëmbajtjeje për industrinë tashmë të detyruar nga situata e kohës për t’u mbajtur “me forcat e veta”. Paradoksi ishte i qartë. Teksa industria prodhonte për konsum të brendshëm, ajo duhej mbajtur gjallë nga tregu i jashtëm. Lajthitje të tilla e çuan Shqipërinë në një situatë skizofrenike, ku tregu i zhbalancuar tregonte figura të frikshme deficitare, dhe shpëtimi nuk dukej asgjëkundi në horizontin e pashpresë të utopisë komuniste, përveçse tek privatizimi dhe ndërrimi i drejtimit edhe një herë tjetër!
Erdhi Tranzicioni. Çështja e privatizimit të tokës bujqësore ishte problem më vete. A i duhej kthyer ajo të zotit? Apo në vend duhej instaluar një “revolucion” i ri i cili do kryente përmbysjen, kësaj here katastrofale, nga autarkia në anarki?
Mbase për të vetmen herë zanafillën e këtij problemi duhet ta shikojmë tek psikologjia fisnore e Shqiptarëve, të cilët mbi të gjitha vlerësojnë bajrakun dhe valiun, pastaj shtetin dhe kombin. PPSH-ja e drobitur nga kalvari i dekadave të tëra lufte për ideologji, kërkonte një mënyrë për të mbijetuar. Forca e re e ashtuquajtur “E djathta Shqiptare” kishte karakter të paqartë. Ajo nuk përbëhej nga pinjollët e familjeve të vjetra të persekutuara. As nga pinjollët e familjeve të intelektualëve. Këto dy kategori për Partinë Demokratike ishin thjesht vegla për qëllime elektorale. Ndërkaq nga ana tjetër PPSH-ja e kuptonte mirë se nëse i hapte udhë pa kushte tranzicionit i cili do të shpaguante të gjitha krimet e mëparshme, klasa e saj sunduese, pothuaj me tiparet e një aristokracie moderne do të zhdukej. Kujtimi i saj do të ngelej si një njollë në historinë Shqiptare.
Për t’i mbijetuar kësaj mynxyre që i priste, PPSH-ja kështu e gjendur midis dy zjarresh, u reformua thjesht në emër, dhe përpiloi ligjin famëkeq 7501, reforma e mbrame agrare që e mallkoi këtë vend për të gjitha dekadat në vazhdim, duke i vënë mbi krye shpatën e rëndë të Demokleut, atë të konfliktit horizontal në shoqëri , popull me popull. Ky ligj u miratua në vitin 1991, dhe çuditërisht vazhdoi të miratohej në heshtje dhe në letër nga po ajo parti që kishte pretenduar se mbështeste interesat e të persekutuarve të regjimit. PPSH-ja e reformuar në emër ngriti flamurin e ligjit 7501, Partia Demokratike bëri paradë me këtë flamur që nga ajo kohë e më tutje.
Çfarë parashikonte ligji 7501? Konfirmimin e sloganit “Toka i takon atij që e punon”. E gjithë toka e cila iu ishte vjedhur pronarëve nga sistemi, e iu ishte dhënë në përdorim fshatarëve për t’u kolektivizuar më pas po nga “dhuruesit”, kësaj here iu dhurua me tërë mend nga një klasë sunduese e cila supozohej se duhet të ishte ç’rrënjosur me kohë.
As edhe ky veprim i cili supozohej se do mbante gjallë elektoralisht PPSH-në e reformuar në emër por jo në përmbajtje, nuk e ndihmoi ekonominë Shqiptare. Përkundrazi, privatizimi që prodhoi anarkinë, zvogëloi dhe rolin e shtetit në ekonomi , zvogëlim i përmasave qesharake, pasi “pronarët” e rinj të tokave të vjetra papritmas e gjetën veten në mëshirë të fatit, pa asnjë mbështetje në suaza infrastrukturore, të nevojshme për mbarëvajtjen e prodhimtarisë së tyre agrare.
Nga ana tjetër Partia Demokratike u mjaftua me përpilimin e një ligji tjetër, i cili themelohej juridikisht në një sistem “kompensimi” të pronës së humbur, dhe jo kthimi të saj.
Të mashtruarit e Tranzicionit u bënë kapicë. Nga njëra anë qëndronin fshatarët, për të cilët tranzicioni s’kishte qenë gjë tjetër veçse një regres mbrapa për tek kohërat e feudeve, ku familjet prodhonin aq sa për të mbajtur frymën gjallë e asgjë më tepër. Nga ana tjetër qëndronin pronarët legjitimë, të cilët e kuptuan se sistemi i ri bashkë me partitë e reja, në fakt i kishte vënë vulën de fakto dhe de jure padrejtësisë komuniste të disa dekadave më përpara. Për ironi të fatit, qeveria e re pretendonte se funksiononte për hir të “stabilitetit kombëtar”.
Pasojat e ligjit famëkeq 7501 ndihen akoma edhe sot. Kuadro të PPSH-së së reformuar në emër, i referohen miratimit të këtij ligji si “histori”, nënkuptohet fakti i kryer dhe pandryshueshmëria e këtij fakti. Gjithashtu përgjithësisht pronarët legjitimë quhen “ish-pronarë”, shenjë kjo që në Shqipëri drejtësia në ligj ka vdekur, dhe është zëvëndësuar nga fakti i kryer, dhe pasja e shkopave të mëdhenj për të kryer edhe më shumë fakte të tjera, të cilat rrallë se mund të pengohen nga ndonjë shqetësim moral për veprën, apo ndonjë konsideratë për të ardhmen.
Simptoma themeltare e Tranzicionit Shqiptar është kjo anarki dhe refuzim për t’a konsideruar moralin pjesë të politikës, vizionin pjesë të së ardhmes Shqiptare, dhe sundimin e ligjit, kundërshtar të vlefshëm të maliqit.
Nëse Shqipëria do të ketë ndonjëherë ndonjë të djathtë anti-establishment, apo kryesisht ndonjë formacion anti-establishment, diskutimi mbi ndreqjen e makabriteteve të ligjit 7501 por edhe privatizimit të pronës urbane duhet të jetë në qendër të vëmendjes. Madje mund të themi me plot siguri, çdo formacion politik që sot nuk ngre çështjen e pronës në Shqipëri dhe keqpërdorimit të saj, jo vetëm që nuk është anti-establishment, por është e aftë vetëm për delegim përgjegjësish diku tjetër, në ndonjë rajon periferik të botës shqiptare. Shkurt e qartë, duhet t’i thërrasim mendjes.
Derisa të vijnë kohëra më të ndritura, mund të vazhdojmë të gënjejmë veten me integrime europiane, emancipim mendor të shoqërisë shqiptare nëpërmjet doktrinës së moskokëçarjes për tjetrin, si dhe përralla të progresit tranzicional, i cili ende i sheh bashkëkombasit tanë në moshë të re por të plakur në mendje dhe aspirata, duke kërcyer nga njëri vend në tjetrin si brez emigrantësh ruralë kryesisht, të cilët i kanë vënë kazmën ndonjë të ardhmeje në shtetin amë.
This blog post has been Digiproved © 2020