Yçkla e vjetër

Nëse ke ndjekur lajmet gjatë… epo, gjatë këtyre muajve të fundit me siguri të ka qëlluar të dëgjosh njerëz duke bërtitur vazhdimisht “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ky slogan në fillim u përdor nga studentët gjatë protestës së Dhjetorit, qëllimi i të cilës ishte ndërgjegjësimi i autoriteteve mbi gjëndjen e mjerueshme të konvikteve shkollore, si dhe e problemeve të tjera të ndryshme që ka arsimi i lartë në Shqipëri që zakonisht nuk hasen në vendet e tjera në Europë. Madje, protesta krijoi një trazirë kaq të madhe saqë edhe televizionet e huaja Europiane po bënin reportazh duke intervistuar studentët e fakulteteve.

Ndodhi që, ndërkohë që protesta po vijonte, elemente të Partisë Demokratike u munduan të futeshin brenda dhe të merrnin kontrollin e protestës, pak a shumë si virusi që futet në qelizë dhe e kanibalizon atë për tu shumuar. Ndërkohë që ata po argëtoheshin tejmase duke e quajtur atë “Dhjetori i Dytë”, dhe po fillonin të përfytyronin veten si revolucionarë që do hidhnin poshtë sistemin e keq diktatorial të majtë me ndihmën e studentëve si kapital njerëzor, studentët e acaruar tej mase me politikanët tonë ngordhalaqë i larguan ata. Në shumë raste ata duhej të largoheshin me dhunë pasi nuk pranonin ndonjë mënyrë tjetër. 

Si për ironi të fatit, dy muaj mbas protestave studentore dhe marrëveshjeve të arritura, ky slogan është përvetësuar nga e njëjta Parti Demokratike që më para nuk u lejua as ti afrohej protestës. Tani në vend të studentëve duke bërtitur “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, urbanin po ma bllokojnë të rritur dhe të moshuar duke bërtitur po të njëjtën gjë. 

Por kjo ka pak të bëjë me temën që dua të diskutoj, Faust e ka kryer një analizë të këtij slogani para shumë kohe, kjo shërbente vetëm si një parathënie, sa për kontekst.

Ka një ndryshim thelbësor midis ne Shqiptarëve dhe pjesës tjetër të Europës. Nuk është gjenetika, pasi ajo kërkon një shkrim të vetin të shtjelluar mirë. Nuk është as feja, dhe në këtë rast as që mund të fajësohet feja për këtë ndryshim thelbësor, këtë problem e kishim shumë kohë më para se Islami të vinte në tokat tona. Pjesa më e madhe e shteteve përbërëse të Europës janë, në mënyrë territoriale, shumë herë më të mëdha se ne. Kjo është e vërtetë për shtetet me të cilët ne zakonisht nënkuptojmë Europën, pra Gjermania, Franca, Spanja, Italia dhe Anglia; por edhe shtete të tjera që ne nuk u japim shumë vëmendje si Polonia, Ukraina, Romania, Portugalia dhe Austria. 

Gjitha këto shtete kanë një gjë të përbashkët, historia e tyre është e mbushur plot me gjak. Pa përmendur luftën e parë ose të dytë botërore, Lufta Austro-Pruse, luftërat Napoleonike, Lufta 30 Vjeçare, Luftërat Habsburge të Pasardhjes, Lufta e dy trëndafilave brenda luftës 100 Vjeçare, Vala e Artë e Mongoleve dhe të tjera me rradhë i bëjnë luftërat Jugosllave të viteve 90 të duken si lojëra fëmijësh për nga humbjet njerëzore. Të jesh Europian do të thotë të kesh gatishmëri për të qenë rojtar i kësaj kulture kontinentale si dhe të jesh gati për sakrifica të mëdha. Kjo reflekton një zakon shumë të keq të kombit tonë, që ne në një situatë “fight-or-flight”, pra të ndeshemi ose të largohemi, kemi zgjedhur gati gjithmonë të largohemi. “Por jo!” me siguri do të kërceje njëri “Po Skënderbeu?” Skënderbeu pasqyron gjysmën tjetër të këtij realiteti, që luftërat tona janë luftuar nga elitat. 95% e njerëzve janë ndjekës, vetëm 5% janë drejtues.

Nëse ne shkojmë mbrapa me mijëra vite deri në kohën e Ilirëve, edhe aty mund ta shohim të shfaqur këtë të vërtetë. Ndërkohë që Ilirët krenoheshin për aftësitë e tyre detare, ata u mposhtën nga një Romë ende në djep. Gjatë dyndjeve Sllave në ballkan, heronjtë tanë mitik luftuan deri në vdekje, ndërkohë që pjesa më e madhe u shpërngul gjithmonë e më poshtë derisa e humbën Dalmacinë dhe Judbinën. 

Edhe kur erdhën Turqit, princat Arbërorë mblodhën gati 10.000 ushtarë, ndërkohë që pjesa më e madhe u shpërngul në male dhe në jug të Italisë për të shpëtuar lëkurën. E dimë që Arbëria kishte rreth 400.000 banorë, dhe të paktën gjysma ishin meshkuj, nuk ka asnjë kuptim përse lufta duhej drejtuar vetëm nga një elitë prej 10.000. Po të mos kishte munguar kapitali njerëzor, kush e di sa vite më shumë do të mund ta kishim luftuar Perandorinë Osmane? Kush e di nëse do të ishim pushtuar në radhë të parë? Tek-tuk morëm edhe moralin e skllavit gjatë diktaturës Komuniste, ku krenoheshim nga fakti që duart na ishin prerë.

Mos mendo se ky zakon ka mbaruar në mesjetë, ai është i gjallë edhe sot e kësaj dite. Që nga rënia e komunizmit dhe deri sot, gati 1 milion shqiptarë e kanë braktisur këtë vend. Politikanët i vënë faj ekonomisë, korrupsionit, apo ndonjë faktori tjetër të jashtëm, ata nuk arrijnë dot të kuptojnë që problemi është i brendshëm, ka të bëje më kulturën. Një ndër të mirat e paktat, e mirë kjo aksidentale, që regjimi i Enver Hoxhes i bëri popullit shqiptar ishte largimi me zor nga ky zakon duke e mbyllur kufirin, duke e detyruar popullin të mësoheshin me vështirësitë e jetës. Kjo u dallua qartë në kontrast me Shqiptarët e Kosovës, që gjatë luftës ikën gati gjithë, duke lënë në mënyrë tipike vetëm një elitë për të luftuar për to. Ajo elitë sot drejton shtetin, përkundrazi, ata që u kthyen duar bosh injorohen krejtësisht. 

Ne krenohemi me rrjetet e diasporës që kemi krijuar nga SHBA-ja deri në Australi dhe Zelandë të Re. Ne krenohemi me faktin që njerëzit tanë po punojnë dhe kontribuojnë në shtete të huaja për përmirësimin e kombeve të huaja që na shohin si krah i lirë pune për të kryer punët që ata vetë i shohin si të ulëta. Nuk është aspak e çuditshme pse emigrantët shqiptarë, në mënyrë profetike, po i kthen krimit dhe drogës si i riu Tony Montana.

Filtri i madh i jetës gjendet në Shqipëri, ai veçon njerëzit e fortë nga ata të dobëtit siç furnalta veçon arin nga metalet më të ulta . Është radha jonë, detyra jonë, jo vetëm të krijojmë një Elitë të re, por përmes vullnetit, dëshirës dhe guximit të kthejmë gjithë kombin Shqiptar në Kryenjerëz, në Elitën e njerëzimit. Jeta është vuajtje dhe të vuash do të thotë të jetosh, nëse i largohemi vuajtjes atehere humbasim gjithçka për të cilën ia vlen të vdesësh.

 Ne, si gjithë Europa, duhet të heqim dorë nga zakonet që na dëmtojnë, që i ndjekim vetëm për hir të momentit, dhe përmes mundimit të gdhendim të ardhmen tonë në arenen që quhet Europë.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019