Konventa Basel dhe Shqipëria: Paraja Fiat, sistemi fraksional i bankave.

Titulli lexuesit mund ti duket i çuditshëm në fillim por secila prej këtyre çështjeve ka të bëjë dhe me Shqipërinë. Fillimisht do të shpjegojmë se çfarë është Paraja Fiat ose paraja jo e mbështetur në mallra, apo metale të çmuara si ari. Sot  paraja fiat eshte para jo vetëm e pambështetur nga metale të çmuara apo mallra, por është para që nuk ekziston as në formë cash. Me anë të bankimit fraksional, sistemit bankar që funksionon në shumicën e vendeve të botës, bankat janë të detyruara të mbajnë vetëm një përqindje të vogeël parash, si rezervë në formë cash. Sipas marrëveshjes Basel III kjo përqindje varion nga 3% deri në 6% për forma të ndryshme kapitali. Në kohë normale bankës, nuk i mungojnë paratë dhe i paguan klientet e vet por në  raste problematike , përshembull kur fillon një terheqje masive e parave apo kur banka ka veshtirësi të tjera, pagesa e klienteve qe kane depozita bëhet problematike.

Makthi i vendeve perëndimore është tërheqja masive sistemike, me të cilën kuptojmë një tërheqje masive nga të gjithë bankat në sistemin financiar. Dhe kjo lloj frike bën sens në kontekstin perëndimor, ku jepen shumë kredi. Njerëzit i kanë akoma në mendje pamjet e depresionit të madh ku pati tërheqje masive sistemike . Dhe jo vetëm gjatë depresionit të madh. Në këtë rast lind pyetja: A duhet dhe Shqipëria të ketë të njejtën frikë si Europa dhe Amerika? Pergjigja është një jo shumë e qartë. Fillimisht Shqipëria ka goxha shumë depozita bankare nga qytetarët e vet. Problemi kryesor i sistemit bankar shqiptar mund të themi se është fakti që nuk jepen mjaftueshëm kredi dhe jo që jepen më shumë kredi seç duhet. Atëherë pse vazhdojmë të dëgjojmë nëpër lajme për kreditë e këqija? Pse, kur mund të dëgjojmë për risqe të tjera që mund të ketë sistemi bankar shqiptar, gogoli ka qenë dhe janë kreditë e këqija? Është propagandë natyrisht. Dhe me një popullsi me edukim ekonomik joekzistent ose me një edukim ekonomik të keq, gënjeshtra besohet.

E vërteta e hidhur është që në Shqipëri nuk po jepen mjaftueshëm kredi dhe nuk po ketë investime sa duhet. Sistemi bankar po del jashtë loje në një mjedis ku ekonomia sa vjen e më shumë bazohet tek betoni, kullat dhe paratë e drogës që derdhen te  këto kulla dhe te ky betonizim. Kreditimi shqiptar dhe investimet shqiptare kanë mbetur në stanjacion gjatë viteve , gjë që është problem. Çfarë këshillohet? Më shumë kreditim.

Skeptikët mund të thonë: Po shumë mirë që sistemi bankar është i sigurt. Akoma dhe më mirë që nuk ka kreditim. Vërtet nuk kemi rritje por as nuk rrezikojmë.

Përgjigja ime: Tërheqjet masive sistemike janë tmerrësisht të rralla në histori. Por edhe në raste të tilla shteti mund të ndërhyjë dhe të shpëtojë tërë sistemin bankar nëqoftëse kemi një shtet të rregullt. Kostoja në raste të tilla për shtetin mendohet se shkon diku te 10-13% e GDP. 10-13%  e GDP  është një shumë e konsiderueshme por asgjë para boom-it ekonomik që mund të lëshojë kreditimi i rritur në ekonomi. Dhe kjo gjithmonë duke marrë parasysh rastin më të keq të një tërheqjeje masive  sistemike, gjë që ka pak shanse të ndodhë.

Pasi shpjeguam gjithë këtë, lind pyetja: Cili është rreziku kryesor për këtë sistem bankar që kemi sot për sot? Kreditimi i tepërt nuk qenka. Hiperfinancializimi dhe tregtitë e tepërta me derivative apo instrumente të tjera financiare gjithashtu nuk janë problem sepse nuk jemi Gjermania apo Amerika me sisteme aq të zhvilluara financiare. Përgjigja e kësaj pyetjeje është fakti që shumica e bankave në Shqipëri nuk janë banka shqiptare. Raiffeisen,Intessa San Paolo, Banka Greke dhe dhjetra banka të tjera nuk janë vendase. Në shumicën e rasteve janë filiale të hapura në Shqipëri të një banke që ndodhet diku tjetër. Dhe çfarë ndodh nëqoftëse këto janë të huaja mund të pyetet. Ndodh që vendet europiane, të cilat nuk kanë aq likuiditet në para cash sa Shqipëria mund të duan të hanë ndonjë copë nga ëmbëlsira e bankave shqiptare ku kreditimi është i ulet.

Kjo natyrisht nuk prek dhe aq shumë depozitat në monedhën lek por prek kryesisht si problem depozitat në monedha të huaja. Si vend qe mbahet nga remitancat dhe emigrantët,  kemi , përveç depozitave në lek dhe shumë para në sistemin bankar në monedha të huaja. Këto depozita në monedha te huaja , që mund të ndihmojnë shumë shtetin shqiptar për një zhvillim ekonomik të mirë, sidomos gjatë importit të teknologjive që i kemi të pamundura ti prodhojmë vetë, mund të shkojnë sipër. Dhe me sipër nënkuptohet veriu. Dhe me veri nënkuptohet veriu i Europës. Ose të paktën vendet që janë më në veri se ne.

Kjo lloj përpjekjeje për të kafshuar copa ëmbëlsire mund të marrë forma të ndryshme. Një mënyrë mund të jetë ulja e normave të interesit në depozitat e monedhave të huaja. Njerëzit do duan pastaj të kenë depozita në lek dhe eurot në këtë rast përfitohen nga banka. Në ndonjë rast totalisht të paturpshëm ky fenomen  mund të marrë edhe formën e bankes që të thotë se nuk ka më euro të të japë dhe të jep lek në vend të eurove apo dollarëve. Në Shqipëri ku nuk funksionon ligji dhe ku shteti bëhet palë me më të fortin ose me të pasurin, prapë nuk është çudi që kjo të ndodhë, dhe bankat të shpëtojnë pa u lagur.

Zgjidhja:

Më shumë banka shqiptare, më shumë kreditim, hapje bankash zhvillimore dhe gjithashtu përpjekje për ti bërë qytetarët të kenë besim në bankat vendase të tanishme ose ato që do të hapen në të ardhmen.

Më shumë fokusim i analistëve ekonomikë shqiptarë ndaj rreziqeve reale që ka sistemi bankar dhe ndalim të propagandës se kreditë e këqija do rrëzojnë bankat shqiptare.

Mbetet për tu thënë se, ndryshe nga pjesë të tjera të ekonomisë , shoqërisë apo shtetit shqiptar, këtu të paktën themelin e kemi të fortë. Mjafton një përpjekje serioze për të ndërtuar një sistem bankar që çon në rritje ekonomike të kënaqshme.