Zjarri në Sarajet e Toptanëve – Rast i rrënimit të mëtejshëm të kulturës.

Rreth mesnatës të 17 Gushtit në Tiranë ndodhi një akt barbar: Sarajeve të Toptanëve iu vu zjarri.

Për fat të mirë godina e cilësuar monument kulture, i shpëtoi efektit shkatërrues të zjarrit por ngjarja më la një trishtim të madh për shkak të kuptimit që besoj duhet t’i japim kësaj ngjarjeje.

T’i marrim gjërat me radhë: Sarajet e Toptanëve është ndërtuar në vitet 1833-1840 dhe është monument kulture i kategorisë së parë që nga viti 1973. Sarajet e marrin emrin e tyre nga njëra prej familjeve më të rëndësishme dhe autoktone të Tiranës. Godina është ndërtuar nga mjeshtrat e lashtë të Dibrës në një stil lindor. Tani, që të kuptohemi mirë: Esat pashë Toptani, tradhëtari famëkeq i Kombit Shqiptar dhe Murat Bej Toptani, nënshkrues i deklaratës së pavarësisë të Shqipërise kanë qenë disa nga figurat që për mirë edhe keq, kanë dalë nga ajo familje duke lënë shenjë në historinë e Kombit tonë.

Marr parasysh akuzat për përfshirje të politikës në këtë akt makabër, ky është shqetësimi që dua të ndaj me lexuesin: çfarë domethënieje ka ky incident në kontekstin social-kulturor Shqiptar? A është një tregues i degradimit të shoqerisë Shqiptare si nga ana kulturore ashtu dhe në atë morale? Apo është një rastësi? Ose mos vallë mollët e kalbura qenkan përqendruar të gjitha në klasën politike të shtetit tonë dhe populli s’ka asnjë përgjegjësi, por është një viktimë e pafajshme e këtij sistemi?

Për t’u përgjigjur duhet ta kontekstualizojmë akoma më shumë pyetjen: duhet të rikujtojme tetë vitet e fundit si fillim, dhe të bëjmë një përpjekje imagjinative për të parashikuar katër vitet e ardhshme. Tani jemi gati.

Ka disa precedente: Teatri Kombëtar tash i mbiquajtur “godinë prej tallashi” nga kryetari i bashkisë të Tiranës Erion Veliaj; Kurora e Gjelbër te Pallati i Brigadave; Vilat Osmane në Tirane; Një numër absurd shtëpish që u përkasin njerëzve të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë. Dhe çka dallohet që me të parën, është se gjithmonë këto trualle që “lirohen” i jepen me ndonjë sipërmarrësi të fuqishem i cili pastron paratë e veta dhe jep pastaj në këmbim kontributin e tij për të mbajtur në pushtet Ramoviçin. Kjo është politika në nivelin e saj më të ulët. Po populli? Ç’lidhje ka populli këtu? Epo populli është ai që toleron këte telenovelë allaturka, ku pikërisht biznesmeni i përgjakur nxirret si hero, i zot i vetës, madje e ushqen. Nga populli vjen ai djali që për një grusht lekësh u shit për të djegur vetë identitetin e tij, a nuk është kjo diçka absurde?

Vazhdojmë më tej: pra, çfarë leximi mund t’u bëjmë ngjarjeve ku populli bashkëpunon me kriminelët për të sabotuar kulturën?

Sipas INSTAT-it kostoja e instrumenteve muzikore, gazeta, shërbime kulturore dhe libra është rritur prej vitit 2019, që domethënë se kultura në Shqipëri i largohet gjithmonë e më shumë mundësive të popullit që marrin afërsisht të njejtën rrogë. Përseri sipas INSTAT-it studentët universitarë, të regjistruar në fushën “Arte dhe Shkenca Humane” në 2015/16 ishin 17095, në vitin 2020/21 ishin 10972. Një ulje në vetëm 5 vite prej 35,82%. Nga 123797 studentë në vitin akademik 2020/21 vetëm 8,8% të studentëve janë regjistruar në fushën e artit dhe të shkencave humane. E njejta situatë vihet re në shkencat e Arsimit.

Arti dhe arsimi nuk shesin gjë, nuk janë tërheqëse për interesat ekonomike të prodhimit, prandaj është prodhuar një aglomerat i ulët zgjedhjesh zyrtare dhe jo-zyrtare që kanë krijuar sistemin arsimor të sotshëm: Mësuesi mban kurse me pagesë për të përforcuar gjasme aftësitë e nxënesit ose për ta ndihmuar atë. Nëse kërkon arsim duhet të paguash në shkollat private, nëse kërkon të kalosh pa u lodhur ti ose fëmija yt, duhet të paguani, nëse kërkon nota të mira në shkollë të lartë duhet të paguash provimet (mundësisht në shkollat amerikane); degët e mira janë ato që të mundësojnë karrierën e inxhinierit, mjekut, biznesmenit (ne fakt fusha “Biznes, Administrim dhe Ligj” është fusha më e frekuentuar nga studentët shqipëtar me 25,18% gjithsej). Kush ka më shumë fat i futet karrierës politike apo juridikut, duke gëzuar një karrierë të mosndëshkimit, ku një sy qorr ose një mashtrim në ditë mundëson sigurimin e mirëqenies familjare brez pas brezi.

Pra, për ç’gjëkafshë i duhet Shqiptarit mesatar arsimi dhe kultura kur jeta e tij është e mbërthyer nga ryshfeti dhe matrapazllëku, ku ambicia e tij është bërja e jetës së atij politikani ose prokurori që nga ana tjetër, e mallkon dhe urren për shkak të padrejtësive që bën?

Në INSTAT gjejmë të dhëna të tjera për kulturën: gjejmë përshembull numrin e vizitorëve të muzeumeve, të parqeve arkeologjike ose monumenteve që në vitet 2018/2019 shënojnë njëfarë rritjeje por kjo sigurisht vjen nga turizmi. Nuk ekzistojnë shifra për vizitorët e teatrove apo kinemave, librat e marra nepër biblioteka ose librari që sigurisht do ishin më domethënëse. Të gjitha këto të dhëna janë tregues shqetësues për gjendjen e kulturës dhe të arsimit në vend.

Romantizimi i figurave kriminale është një problem i thellë, flas për atë ide jo reale që u krijua që nga rënia e regjimit komunist, për mundesinë e pasurimit të shpejtë që një kapitalizëm i keq-përthithur ka sjellë në Shqipëri, një ide e përhapur gjërësisht se kot lodhen njerëzit me shkollën se nuk ka ç’të duhet në qoftë se nuk ke para, dhe me bindjen e patundshme se politika nuk mund ndryshojë gjë. Të gjitha këto fenomene shpjegojnë përfshirjen e njerëzve të thjeshtë në projektet e horrave që me vetëdije po rrënojnë Kombin e lashtë Shqiptar.

Sami Frasheri thoshte “Shqipëtar është çdo njëri i pjellë prej shqipëtarësh, po shqipëtar i vërtetë ësht’ ay që e ka mëndjen’ e zemrënë shqipëtar”. Pra kjo është e vetmja rrugë për të vënë rregull në situatën socio-kulturore të vendit.Duhet të tregohemi Shqiptarë të vërtetë. Kjo natyrisht nënkupton që ndryshimi i cili nuk mund të vijë nga pushtetarët e Tiranës, duhet domosdoshmërisht të vijë nga poshtë, nga ti, “shqipëtar i vërtetë”. Ringritja e kuturës Shqiptare do mundësohet vetëm nga perkushtimi ndaj kësaj kulture. Duhet të kujdesemi për të, duhet te prodhojmë produkte cilësore dhe të rizbulojmë rrënjët tona. duhet te lexojmë e të jemi kureshtarë.

Efekti i fluturës thotë se përplasja e krahëve të një fluture mund të prodhojë uragan në anën tjetër të botës. Një veprim i yti pra mund të krijojë një ndikim shumë të madh për të ardhmen e Kombit Shqiptar. Ti lexues, e ke në dorë të ardhmen e këtij vendi: do shitesh, do bëhesh servil dhe mediokër apo do bëhesh pjesë e ndryshimit?

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021