A. Teoritë e proveniencës së Perëndimit.
Politika e jashtme, si realitet, është pjesë e politikës në përgjithësi, ndërkaq, si shkencë, është degë e shkencave politike. Teorikë të ndryshëm definimit të saj i qasen në mënyra të ndryshme. Në Jugosllavi definimi i saj mbështetej më tepër mbi botëkuptimin për dykahshmërinë e proceseve politike: “Proceset politike janë dykahëshe, – shkruan N. Pashiq, – ato shprehen në njërën anë përmes formave të ndryshme të veprimit të vetëdijshëm dhe të ndikimit të shoqërisë në…shtetin dhe në politikën e shtetit, dhe, nga ana tjetër, përmes ndikimit retroaktiv të shtetit në shoqëri dhe në të gjitha raportet shoqërore.” (shih N. Pashiq, vep. Cit. f. 29, 30). Botëkuptimi i tillë reflektohet në definimin e politikës së jashtme si art ose mjeshtëri apo kompleks metodash për realizimin e interesave të shtetit. Vladimir Ibler, p.sh., politikën e jashtme e definon si politikë “e cila tenton të gjejë e të zbulojë rrugën që duhet ndjekur në mënyrë që në kushtet konkrete të bashkësisë ekzistuese ndërkombëtare, shtetit të vet t’i sigurohet një pozitë sa më afatgjatë dhe sa më e mirë, si dhe përparësi të tjera llojesh të ndryshme” (shih Vladimir Ibler Medunarodni Odnosi, Hrestomatija Politicke Znanosti, Zagreb, 1971, f. 17).
Kujdesi që të theksohet realizimi i interesave të shtetit e jo të kombit është veti e përbashkët për shumicën e definicioneve që mbështeten mbi botëkuptimin dualist të proceseve politike. Jugosllavia, si shtet multinacional, ngrihej mbi principin e proklamuar të barazisë së kombeve, andaj nuk mund të bëhet fjalë për realizimin e intersave të kombit, meqë automatikisht do të shtrohej pyetja se për interesat e cilit komb ishte fjala.
Theksimi i realizimit të interesave të shtetit e jo të kombit, siç do të shihet pak më vonë, ishte gjithashtu veti e teorive që buronin nga vendet e ish-socializmit real. Këtu gjithashtu ndikonte përbërja multinacionale e shtetit (sidomos e BRSS), por edhe orientimi ideologjik, sipas të cilit shteti ishte në funksion të klasës e jo të kombit. Përderisa në Jugosllavi vetëqeverisja socialiste logjikisht e barazonte klasën me kombin, andaj shteti duhet të funksiononte mbi raportin dialektik të këtyre dy komponentëve, në vendet e real-socializmit shteti ideologjikisht duhej të funksiononte si instrument i klasës.
Politika e jashtme e shtetit të tillë nuk mund të ishte tjetër përveçse instrument (art, kompleks metodash) praktik në funksion të ideologjisë dominante shoqërore-komuniste. Për këtë shkak, politika e jashtme e kuptuar në këtë kontekst (d.m.th të klasës) në esencë ishte ekspansioniste, prandaj ajo në Perëndim konsiderohej si e rrezikshme për interesat e tyre, sidomos për shkak të faktit se shteti sovjetik, si një fuqi e madhe, realisht mund të rrezikonte pozitën e vendeve perëndimore.
Mendimi politik i botës perëndimore siç e tregon Roj Mëkridis (Roy C. Macridis), por edhe shumë të tjerë, me kohë i kristalizoi dy qasje ndaj politikës së jashtme: a. qasjen personaliste, ndonjëherë të emërtuar si qasje ideologjike, e cila politikën e jashtme e konsideronte thjesht shprehje ose refleksion të politikës së brendshme, “thjesht, shprehje të bindjeve dominante politike, sociale dhe religjioze”. Kjo ishte një qasje tradicionale e botës së Perëndimit, e cila raportet e shtetit me botën i shihte në suaza psikologjike, “i konsideronte motivet ose ideologjitë e udhëheqësve ose të qeverive si përcaktues qenësore, nëse jo edhe të vetëm, të politikës”.
Nga kjo gjë nuk është e vështirë të konstatohet, së bashku me Roj Mëkridisin, se politika e jashtme “konsiderohej funksion i sistemit politik në veprim ose i preferencave apo i bindjeve të liderëve politikë që e zbatonin programin e tij” (të sistemit politik). Është interesant se një botëkuptim i tillë tradicional mbi politikën e jashtme, për të cilin tani lirisht mund të thuhet rudimentar, nëse jo edhe primitiv, ishte mjaft i përhapur në disa qarqe me rëndësi politike në Jugosllavi, por edhe në Kosovë. Ndoshta për shkak se kjo u përgjigjej ambicieve lideriste në të gjitha nivelet apo mentalitetit të thjeshtëzuar bajraktarist, i cili ndër ne ende sundon në mënyrë të papenguar.
Kjo, natyrisht i dha krah kritikës serbe të na akuzojë për voluntarizëm në raportet me Shqipërinë, veçse kritika e tillë nuk ishte e sinqertë meqë mbështetej pikërisht mbi pazhvillueshmërinë e mendimit politik ndër ne, e madje edhe me një lloj fetishizmi të këtij lëmi të veprimtarisë politike. Mirëpo mendimi politik serb gjithsesi nuk i ka këto justifikime. Ai shpjegohet me ambiciet dhe me synimet që kombit të vet (serb) t’i sigurohet një pozitë e privilegjuar dhe jo e barabartë me të tjerët, ose ndoshta edhe për ta eliminuar sindromin e të vetmuarit.
Mirëpo qasje të tilla në politikë rezultojnë në konsekuenca të padëshiruara. Mëkridis do të thoshte se i bëjnë padrejtësi elementëve kontinuitivë të politikës së jashtme. Me fjalë të tjera, ato, d.m.th. qasjet ideologjike ndaj politikës së jashtme, nuk mund t’i shpjegojnë kontradiktat objektive të pranishme në praktikën politike. Ato, p.sh., nuk mund të shpjegojnë faktin se përse partitë opozitare, kur vijnë në pushtet, në shumicën e rasteve (pothuaj rëndom), ndjekin të njejtën politikë të jashtme si dhe garniturat e mëparshme politike?
Përse nuk mund të dalin jashtë suazave të përcaktuara politike të definuara si interesa themelore të shtetit? Për këtë shkak, por edhe për shkaqe të tjera, b. qasja e dytë, analitike, e zhvilluar gjatë tre shekujve të fundit (XVIII, XIX e XX) pretendon plotësimin e së parës.
Sipas botëkuptimit analitik, politika mbështetet mbi një shumë të caktuar determinantësh, “duke përfshirë traditën historike të shtetit, lokacionin gjeografik, interesat dhe qëllimet nacionale dhe nevojën për siguri”. Determinantët e theksuar në të vërtetë janë elementë që përcaktojnë kontinuitetin e politikës së jashtme. Andaj çdo burrë shteti që kërkon t’i formulojë qëllimet e politikës së jashtme dhe t’i realizojë ato në praktikë, doemos duhet t’i marrë parasysh “disa kufizime të palëvizshme” që nënkuptojnë determinantët në fjalë. Pavarësisht nga bindjet filozofike, politike apo religjioze të individëve, “ekzistojnë interesa të gjera strategjike të lidhura intimisht me pozitën gjeografike të kombit dhe me rolin ndërkombëtar që duhet ruajtur”.
Këto interesa me kohë kristalizohen si pjesë e mendimit kolektiv “të mendjes nacionale”, e cila pastaj edhe vetë shndërrohet në determinantë të veçantë të politikës së jashtme. Interesat e shtetit në këtë mënyrë paraqesin “suazën brenda së cilës doemos duhet të zhvillohet konteksti i brendshëm politik rreth politikave të jashtme”. Disa nga faktorët determinantë ndikojnë në ndryshimin e perceptimit të interesave ose të qëllimeve të politikës së jashtme. Faktori teknologjik, p.sh., “mund të kërkojë rivlerësim të vazhdueshëm të sigurimit nacionalë” (shih për këtë Roy C. Macridis: Foreign Policy in Ëorld Politics, fifth edition, Engelood Cliffs, Neë Jersey, 1976, f. 3-5).
Ndryshimi i situatës politike në Europë gjithashtu kërkon rivlerësimin e interesave dhe të qëllimeve strategjike të shteteve, të mëdha e të vogla, por edhe të kombeve brenda tyre, në kontinentin e Europës. Ky është edhe njëri nga qëllimet e këtyre artikujve.
Shteti si subjekt ndërkombëtar.
Politika e jashtme si kompleks metodash për realizimin e interesave të shtetit, është shprehje e shtetësisë së shtetit apo e sovranitetit të kombit. Me norma juridike të së drejtës së brendshme, dhe me norma të veçanta të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, përcaktohen organet të cilat i kanë në kompetencë disa sfera më të rëndësishme të politikës së jashtme. Në të vërtetë, me normat e së Drejtës Ndërkombëtare Publike, precizohen organet titullare të komunikimit ndërkombëtar (shefi i shtetit, ministrai apo ministri i punëve të jashtme, organet e përfaqësimit diplomati), dhe shteti si i tillë njihet si subjekt i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Politike.
Aty-këtu, njësitë federale të shtetit federal e gëzonin të drejtën e përfaqësimit në OKB, si p.sh. Bjellorusia dhe Ukraina e BRSS, por ato nuk mund të merreshin me aktivitete ndërkombëtare të cilat nuk do të ishin në harmoni me kushtetutën e federatës sovjetike. Njësitë federale në Jugosllavi, sipas kushtetutës së vitit 1974, nuk ishin subjekte të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, por të tilla nuk ishin as Kebeku në Kanada, Skocia apo Uellsi në Britani, Baskia në Spanjë e Francë, Flandia në Belgjikë apo Bretanja në Francë. Njësitë federale në Jugosllavi mund të merreshin me “realizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, “të vendosnin, të mbanin e të zhvillonin” raporte, por vetëm me “organet dhe organizatat e shteteve të tjera” dhe brenda suazave të politikës së jashtme unike të vendit. Pozitë të ngjashme, me një volum më të vogël, kishte edhe Kosova. Ndryshimet në Europë natyrisht edhe në këtë plan kërkojnë rivlerësime të cilat megjithatë ende nuk mund të jenë kategorike, ndonëse dëshirat janë të qarta.
E Drejta Ndërkombëtare Publike rregullon, përmes normave juridike, raportet midis shteteve, ndërkaq vetë këto raporte paraqesin aktivitetin e shtetit në ambientin ndërkombëtar. E Drejta NDërkombëtare Publike synon formalizimin total të raporteve midis shteteve, ndërkaq vetë këto raporte paraqesin aktivitetin e shtetit në ambientin ndërkombëtar. E Drejta Ndërkombëtare Publike synon formalizimin total të raporteve midis shteteve, përderisa motivi kryesor i veprimtarisë së shtetit është forcimi i pozitës së tij në relacionet ndërkombëtare.
Këto dy tendenca mund të jenë kongruente, por jo gjithmonë: nëqoftëse logjika e brendshme e normave juridike shprehet si tendencë e vazhdueshme për rregullimin total të sjelljeve politike të shteteve, ato nuk mund të përmblidhen të tëra me norma juridike: aktiviteti informativ, i spunazhit, i kontraspiunazhit; lufta psikologjike, monopoli teknologjik etj., janë esenciale për politikën e jashtme të çdo shteti, por ende nuk janë krijuar mundësitë për rregullimin e tyre ndërkombëtar juridik. Me fjalë të tjera, kufiri midis të drejtës së shtetit që të veprojë për realizimin e interesave të veta në mjedisin ndërkombëtar, edhe normave juridike ndërkombëtare nuk është tërësisht i precizuar. Duket qartë se e tërë veprimtaria e jashtme e shtetit nuk mund të rregullohet me norma juridike. Andaj pyetjes se, a janë shtetet tërësisht sovrane në veprimet e veta politike, nuk është e lehtë t’i jepet përgjigje e plotë dhe kategorike. Do të kalojë edhe shumë kohë, nëqoftëse, do të bëhet fare e mundshme, që bashkimi i Europës të eliminojë nevojën e dhënies së përgjigjeve të tilla.
Sovraniteti, siç dihet, është koncept politk që shënon raportin themelor midis bartësit të pushtetit dhe pushtetit, princip i pushtetit suprem e të pakufizuar të individit, kur është fjala për monariknë (diktaturën personale), të popullit, kur është fjala për demokracinë, të shtetit, kur është fjala për raportin me shtetet e tjera. Shteti konsiderohet sovran në raport me shtetet e tjera, sepse, tek e fundit, për realizimin e interesave të veta, mund të zhvillojë edhe luftë. Megjithatë, edhe në luftë ata nuk janë tërësisht sovranë. Janë të kufizuar në veprimet e tyre, qoftë me norma juridike, për të cilat janë marrë vesh me svete, qoftë me ato morale, të cilat gjatë shekujve janë kristalizuar si të tilla. Me fjaltë të tjera, sovraniteti i shtetit (subjektit ndërkombëtar juridik dhe politik) nuk është absolut. Kufiri i sovranitetit në kohë lufte është ai që përgjithësisht cilësohet si jo njerëzor (p.sh. kanibalizmi ose trajtat e tjera të keqtrajtimit të robërve të luftës, janë të ndaluara edhe me norma morale në luftë, e jo vetëm me norma të së drejtës së luftës). Në kohë paqeje kufiri i tij (i sovranitetit) në njërën anë ndodhet tek sovraniteti i shtetit tjetër, dhe nga ana tjetër në atë që zakonisht konsiderohet e pranueshme në relacionet ndërkombëtare politike (p.sh. dënimi i veprimtarisë agresive). Shteti (subjekt i së Drejtës Ndërkombëtare Publike) vepron në mjedisin ndërkombëtar, të cilin e përbën tërësia e raporteve ndërkombëtare të shteteve dhe të subjekteve e të faktorëve të tjerë politikë.
Mirëpo ambienti i tillë ndërkombëtar, ose bashkësia ndërkombëtare, krijon edhe ligjshmëritë e veta objektive të zhvillimit. Hulumtimin e tyre e ka për detyrë Shkenca mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare Politike ose edhe Politika Ndërkombëtare. Është me rëndësi se analiza e ligjshmërive objektive që ndikojnë në zhvillimin e bashkësisë ndërkombëtare, i ndihmon ndriçimit të faktorëve që ndikojnë në veprimin e shteteve dhe anasjelltas, analiza e motiveve dhe faktorëve të veprimit të caktuar të shteteve, subjekteve individuale, i ndihmon perceptimit me të drejtë të tërësisë së bashkësisë ndërkombëtare. Shteti është subjekti më i rëndësishëm edhe i Politikës Ndërkombëtare, por nuk është i vetëm dhe as unik. Në rrethanat e ndryshuara të Europës, megjithatë, duhet pritur ta vazhdojë rolin e vet si të tillë, ndonëse mund të pritet (në kushtet e Europës së Bashkuar) edhe folklorizimi i këtij roli (të shteteve të vogla).
Shteti në funksion të kombit.
Botëkuptimi se vetëm shtetet (subjektet ndërkombëtare) mund të bëjnë politikë, dhe se nuk ka politikë jashtë tyre, mbështetet në kuptimin hegelian të shtetit si një e mirë supreme, ose edhe si një mishërim organizativ i shoqërisë. Politikisht, kjo do të thotë se shteti ndodhet në “funksion të plotësimit të nevojave të qytetarëve” (shih Joseph Frankel: The Making of Foreign Policy, Oxford University Press, London, 1967, f. 55).
Nisur nga një aspekt idealist, vërtet do të duhej të ishte ashtu. SIç do të thoshte Frankeli, njerëzit “e shpikën” shtetin për t’i plotësuar nevojat e veta. Dhe shtetet, rëndom, së paku ato regjime që e gëzojnë legjitimitetin e pjesës më të madhe të popullsisë. Mirëpo problemi në nivel teorik paraqitet së bashku me pyetjen se, çka konsiderohet nevojë elementare në kohën e dhënë, dhe çfarë është plotësimi i tyre në raport me mundësitë ekzistuese të shtetit?
Nga ky aspekt edhe Frankeli detyrohet të konstatojë se “shtetet mbeten rojtarë të kulturave nacionale, por tani janë të paaftë të ofrojnë siguri, dhe në shumicën e rasteve nuk mund të sigurojnë mirëqënien ekonomike” (vep. cit., f. e njejtë). Ndërkaq teorikë të tjerë e vënë seriozisht në pyetje edhe funksionimin e mbrojtjes së vlerave kulturore (p.sh. nga imperializmi kulturor), por jo edhe nga aspekti parimor nga i cili zhvillohet kjo abalizë. Nga ky aspekt Xhon Stësinger (John G. Stoessinger) bën identifikimin e plotë të shtetit me kombin: “Bota jonë – shkruan ai, – është e përbërë prej më tepër se 100 shteteve – kombe”. Ndërkaq, “…ajo që në kohën tonë përbën kombin, mund të cilësohet si vijon: e para, dhe më e qenësishmja, kombi është njësi sivorane politike; e dyta, është populli, i cili meqë disponon me një identitet të theksuar kolektiv, të krijuar me përfytyrimin e përbashkët mbi të kaluarën dhe të ardhmen e vet, përjeton një shkallë më të lartë ose më të ulët të nacionalizmit.
Dhe më në fund, kombi është popullsi e cila banon një tërritor të caktuar, njeh qeverinë e përbashkët, dhe zakonisht ndonëse jo gjithmonë, ka një gjuhë dhe një kulture” (shih J.G. Stoessinger: The Might of Nationas, Random House, N.Y. 1967, f. 7-8). Kombi, sipas këtij botëkuptimi, është popullsi e mishëruar me shtetin dhe jo kategori historike dhe as instrument i klasës. Kombët janë vetëm abstraksione që synohen përmes nacionalizmit të kuptuar si tendencë e vazhdueshme e emancipimit. Ndërsa vetë emancipimi nuk është tjetër pos “forcë kohezive” kundër dominimit të huaj ose edhe “forcë lëvizëse” për emancipimin dhe pavarësimin e kombeve (shih vep. cit., f. 83-89). Në identifikimin e kombit me shtetin edhe më i përcaktuar është teoriku zulmëmadh amerikan Hans J. Morgenthao, për të cilin “kombi si i tillë, nuk është entitet empirik”.
Nga kjo premisë gjenerale ai nxjerr përfundimin se kombi është abstraksion i numrit të individëve të cilët kanë disa karakteristika të përbashkëta”. Ajo që i bashkon këta individë, është tendenca për fuqi në plan të brendshëm apo ndërkombëtar. Kombin e përbën pozita e tij gjeografike,. Pasuritë natyrore, kapacitetet industriale, teknologjia, morali dhe elmentë të tjerë të ngjashëm. Në të vërtetë, kombin e përbëjnë të gjithë elementët që përbëjnë shtetin (shihb Hans J.Morgenthao: Politics Among Nations, A. A. Knopf, N.Y. 1967, f. 97-100).
Njësoj deciziv si edhe Morgentao në identifikimin e kombit me shtetin është edhe profesori i shquar i politikës ndërkombëtare në Universitetin Ann Arbor në Miçigan, i cili mund të quhet lirisht anatomist i politikës: Kombi, në rend të parë dhe mbi të gjitha, – thotë ai, – është njësi politike”. A.F.Organski, siç quhet ky profesor, natyrisht e ka të qartë se kombi dhe shteti nuk janë pikërisht një. Andaj ai shpjegon më tutje: “Thënë në mënyrë më specifike, kombi është njësia më e gjerë politike që nuk njeh asnjë superioritet politik. Anëtarët e të njejtit komb mund të kenë, dhe zakonisht kanë të përbashkët, më tepër gjëra sesa qeverinë dhe territorin e njejtë. Ata po ashtu mund të kenë ekonomi, gjuhë, kulturë, religjion, ideologji politike dhe histori të përbashkët. Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se këto karakteristika të tjera, ndonëse janë të zakonshme, nuk janë gati në çdo rast. E vetmja cilës të cilën e ndajnë të gjithë anëtarët e kombit, e për këtë nuk mund të ketë përjashtime, është ajo se ata të gjithë ndodhen nën juridiksionin e së njejtës qeveri” (shih A.F.K Organski: World Politics, A.A. Knopf, N.Y. 1968, ed II i reviduar, f. 18/7).
Në kontekst të përbërjes multinacionale të shtetit, sipas botëkuptimeve të theksuara, shqiptarët në Jugosllavi do të ishin vetëm “nationality (nacionalitet – shtetas)”, kuptimi i së cilës te anglosaksonët nxirret nga identifikimi i theksuar i kombit me shtetin, andaj në instancën e fundit kuptohen si Jugosllavë!
Insistimi për t’i paraqitur si të veçantë, si komb më vete e jo si jugosllavë, në frymën e botëkuptimeve të këtilla do t’i nxirrte si grup etnik, për të cilin do të ishte më i kuptueshëm nacionalizmi si formë e luftës për ndonjë copë më të madhe të pushtetit, porjo edhe për t’u ndarë nga pushteti i vendosur një herë. Në thelb të teorive anglosaksone mbi kombin dhe identifikimin e tij me shtetin qëndron e vërteta e kohëshme e shkencës së Theodor Adornos, për të cilën u fol më herët, dhe e kuptuar si e vërtetë e krijuar së bashku me kohën: shtetin multinacional nuk e përbën një komb, por me kohë mund ta përbëjë një komb; Europën e përbëjnë shumë kombe dhe shumë shtete, por proceset integrative të mbështetura nga politika e planifikuar e qeverive me kohë do ta shndërrojë në një komb-shtet.
Po Kosova?
Ukshin Hoti
Shkëputur nga libri “Filozofia Politike e Çështjes Kombëtare” Fq 44-53