Koncepti quhet Intermarium.(1) Ishte ideja e gjeneralit legjendar polak Pilsudski për të krijuar një front të përbashkët të Europës Qendrore i cili do luante rolin e “jastëkut” ndërmjet qendrave të mëdha të pushtetit: Rusisë dhe Gjermanisë. U bazua mbi aleancën e vjetër mesjetare Poloni-Lituani dhe lindte si nevojë pas shpërbërjes së Perandorisë Austro-Hungareze. Vijmë në vitin 2017. Në samitin e Varshavës diskutohet për iniciativën e Tre Deteve ose Trimarium, relativisht përshtatje e iniciativës Intermarium.
Kujtojmë se iniciativa Intermarium në thelb përmbante një aspekt gjeopolitik, dhe jo thjesht një të tillë ekonomik. Intermarium ishte i destinuar të bëhej federatë, Trimarium nuk i ka këto ambicie.
Merr pjesë Donald Trump por jo zonja Merkel. I njejti Donald Trump i cili kërkon nga Gjermania të rrisë shpenzimet e saj ushtarake nga 1.2% në 3%. Sepse mendon se gjermanët përfitojnë nga mbrojtja ushtarake amerikane për të avancuar projektet e tyre sociale.
Në të njejtën kohë çojnë miliarda tek armiku i madh, Rusia duke premtuar ndërtimin e Nord Stream 2.(2) Amerikanët i druhen një fronti të përbashkët Gjermano-Rus që do kombinonte aftesitë industriale me etjen e madhe për naftë duke rivalizuar kështu SHBA-të. Sipas George Friedman-it, themeluesit të Stratfor-it, SHBA-të duhet të ndalojnë me çdo kusht një aleancë të tillë e cila do rrezikonte seriozisht hegjemoninë amerikane.(3)
Për këtë arsye e mbështesin iniciativën e Tre Deteve (Deti Baltik, Deti i Zi, Deti Adriatik) e cila i jep pavarësinë energjitike Europës Qendrore dhe izolon Gjermaninë. Në të njejtën kohë shtetet e Europës Qendrore, të zemëruara për shkak të presionit të BE-së për pranimin pa kriter të emigrantëve dhe marrëveshjet gjermano-turke, kanë vendosur ta çojnë Vishegradin një hap më tej.
C’lidhje ka Shqipëria me gjithë këtë?
Zonja Merkel do i jepte një përgjigje kësaj lëvizjeje gjeopolitike dhe rastin e gjeti në Adriatik. Në Samitin e Berlinit u fundos përfundimisht ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo ide pati krijuar nje sinergji të rrallë mes interesave historiko-ekonomike serbe, euroburokratëve si Mogherini të cilët kërkonin nje fitore diplomatike konkrete pavarësisht nëse kjo do ishte në kurriz të shqiptarëve, këshilltarit të Trump John Bolton dhe Alex Sorosit bashkë me veglat e tij sorosiane rajonale, sigurisht. Interesante ishte se kjo ide nuk hasi as në kundershtimin turk.
Turqia së fundmi ka zbuluar naftë në Qipro dhe në një situatë të degradimit të marrëdhënieve me SHBA-të ideja e territoreve etnike i shkon shumë për shtat. Kujtojmë se Turqia ka hequr dorë nga blerja e avionëve F35 dhe po armatoset me sistem raketor rus S400. Gjithashtu Erdogani nuk e ka harruar heshtjen e perëndimit gjatë grushtit të shtetit kurse konflikti në Sirinë veriore me kurdët e YPG-së së armatosur nga amerikanët është akoma i ndezur.
Rusise gjithashtu i pëlqente ideja sepse do mund të justifikonte pushtimin e Krimesë dhe zonave gjysmë-autonome të Donbasit në Ukrainë. (4)
Mirëpo hesapet ishin bërë pa hanxhinë dhe hanxhiu quhet Merkel. Gjermanët duan dialogun Kosovë-Serbi por pa nxitime dhe pa shtrirje të tepërt të influencës amerikane. Nuk janë gati ta lëshojnë Ballkanin si zonë influence dhe këtë e theksuan fort.
Çfarë duhet të bëjmë ne?
Shqiperia, si gjithë aktorët e tjerë në lojën e madhe të politikës ndërkombëtare, duhet të respektojë aleatët strategjikë dhe marrevëshjet e firmosura mirëpo objektiv KRYESOR duhet të ketë interesin kombëtar, objektivat ekonomikë afatgjatë, sigurinë nacionale dhe kufizimin e influencës së armiqve tradicionalë ballkanikë dhe atyre të rinj terroristë. Sigurisht që duhet të përpiqemi të thithim investime të huaja direkte dhe të jemi faktor paqeje në Ballkan. Mirëpo përparimi ekonomik dhe shoqëror nuk vjen duke falur Trepçën dhe duke u nënshtruar ndaj Serbisë pa asnjë kusht.
E ardhmja nuk kalon nga Sorosi dhe utopitë e tij me një botë pa kufij dhe pa përkatësi. Qëndrimet ndërkombëtare duhet të drejtohen nga interesi kombëtar, jo të jenë të përulur ndaj radikalëve serbë dhe poshtëruese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kujtojmë këtu se Edi Rama quajti gomar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, ndërkohë që ftoi në Tiranë Vuçiçin dhe Dodikun në prani të Mogherinit në një konferencë të pashpallur dhe në të cilën nuk dihet ç’u fol dhe ç’u firmos. (5) Për më tepër marrëveshja e fshehtë Thaçi-Vuçiç e cila ia falte përfundimisht Trepçën Serbisë nuk mund të asgjë tjetër përveçse tradhti kombëtare.
Në mungesë të dinjtitetit institucional shtetëror i mbetet shqiptarëve patriotë të kundërshtojnë me forcë çdo marrëveshje antikombëtare, çdo pakt me kriminelët e luftës, çdo pazar në kurriz të brezave të ardhshëm. Politikanet e përkohshëm nuk kanë tagër të luajnë me të ardhmen dhe qëndresën shumëshekullore të shqiptarëve në kufijtë e tyre etnikë.
Cdo lojë në këtë drejtim do çoje pa dyshim drejt pasojave të rënda. Shqiptaret dinë të reagojnë për çështje të tilla dhe historia e ka treguar. I vetmi problem është se këto reagime nuk duhet t’i lihen spontanitetit të peticioneve dhe valëve të protestës popullore por duhet te futen në hullinë e organizimit shoqëror dhe politik, me qëllim vendosjen në pozicione kyçe të vendimmarrjes e jo ndikimin ndaj saj nga jashtë.
Kjo do ndodhë vetëm nëse panorama politike ndryshon dhe lëvizje, parti të reja me interesin kombëtar në bosht të ideologjisë do futen në skenë. Deri atëhere na mbetet vetëm të presim dhe të shpresojmë që tradhtia mos të bëjë shumë dëme.
Referenca:
1 – https://en.wikipedia.org/wiki/Intermarium
2 – Donald Trump “We’re protecting Germany from Russia, and Russia is getting billions and billions of dollars in money from Germany”
https://www.bloomberg.com/news/articles/2019-06-12/trump-says-he-s-considering-sanctions-to-stop-nord-stream-2
3 – https://www.globalresearch.ca/stratfor-us-aims-to-prevent-a-german-russian-alliance/5437247
4 – https://exit.al/en/2019/07/10/zaev-says-russia-influenced-vucic-thaci-negotiations-over-territorial-swap/
5 – https://ballkani.info/vetevendosje-me-proteste-kunder-vuciqit-e-dodikut-ne-tirane/
This blog post has been Digiproved © 2019