Kurse politika jo. Politika bëhet nga agjentë njerëzorë, nuk ndjek vektorë deterministë që i japin formë njerëzores sipas vijëzimeve dhe relievit natyror. Elementi njerëzor tek gjeopolitika është i nënkuptuar, sepse pa të do të bënim thjesht gjeografi, dhe jo gjeopolitikë. Gjeopolitika Shqiptare si studim i avantazheve dhe disavantazheve të njësisë hapësinore, në vend se të përpilojë skenare të mundshme të projektimit të fuqisë, mbetet brenda suazave të paracaktimit, dhe përmban më shumë “shkencë” sesa politikë. Në gjeopolitikën Shqiptare elementi natyror i mbivendoset atij njerëzor, ku tipare të caktuara të relievit marrin rëndësi eprane përkundër projektimit të fuqisë për së jashtmi. Skënderbeu bëri luftë pothuaj guerrile nëpër male, ashtu siç më vonë kaçaku dhe kokëkrisuri përbënin njësinë bazë luftarake të Shqiptarëve, e jo ushtari i rregullt.
Në të vërtetë, dy vektorë themelorë të gjeopolitikës kanë ngelur të pakuptuar në Shqipëri. Ato janë ndërveprimi dhe hapësira. Po këto vektorë mundësojnë krijimin e një gjeostrategjie.
Hapësira është thelbësore për ekzistencën e çdo gjeopolitike. Hapësira është njëherazi elementi themeltar i gjeopolitikës, si dhe arsyeja për ekzistencën e ndërveprimit mes shteteve. Gjeografia në Shqipëri i ka shërbyer historikisht strategjive dritëshkurtra të mbrojtjes, por shpesh edhe kjo mbrojtje ka dështuar, duke mos e cilësuar sulmin si mbrojtja më e mirë, por edhe duke lënë menjëanë edhe aspektet me themelore të vetë mbrojtjes si mungesë e sulmit.
Për pasojë Shqiptarët kanë dalë të përçudnuar nga çdo sundim, e aty ku sundimet shtresëzohen, shtresëzohet edhe mendësia e dorëzimit, e servilizmit, e pranimit të destinit, paracaktimit etj.
Shtetet delikate synojnë Perandorinë. Kështu është rasti i Rusisë për të cilën shtrirja e madhe në hapësirë përbën një dobësi të dukshme. Rusia mund të pushtohet nga të katra anët pasi relievi i saj fushor e lë zbuluar tokëzemrën moskovite. Kjo tokëzemër gjithashtu ndodhet e rrethuar nga të gjitha shtetet përreth saj.
Shtetet ashtu si individët, nuk lindin me këmishë, prandaj dikur edhe Rusia e madhe ka qenë një shtet i vogël i sulmuar nga të katra anët, ku mbijetesa vlerësohej si ideali epran i ekzistencës. Ndryshe nga Shqipëria, Rusia synoi Perandorinë, të cilën e synon ende sot, në kurriz të vendeve të tjera.
Vendet delikate përmes ndërveprimit me shtete të tjera synojnë zmadhimin e hapësirës së tyre, zgjerimin e kufijve, krijimin e një Lebensraum-i, qoftë ky Lebensraum konkret, me anë të kolonizimit të hapësirave të huaja dhe zëvëndësimit të popullatës, ose nëpërmjet krijimit të një Lebensraum-i abstrakt, kjo ndryshe quhet thellësi strategjike, një vektor shumë i rëndësishëm që matet sipas largesës që ka tokëzemra e njësisë gjeografike me zonat delikate, të prirura për t’u pushtuar.
Kështu ka synuar Rusia gjithmonë, duke dashur të pushtojë ose të influencojë Europën Lindore, vendet e Azisë Qëndrore e më tej. Ndërveprimi për Rusinë është faktor kyç në zgjerimin e hapësirës Ruse, prandaj mund të flasim për ekzistencën e një gjeopolitike Ruse, e rrjedhimisht të një gjeostrategjie.
Ndërkohë në Shqipëri ndërveprimi është kuptuar dhe vazhdon të kuptohet si faktor kyç për rrudhjen e hapësirës, përderisa ende nuk formon vektorë të zgjerimit, qoftë të zgjerimit të drejtpërdrejtë, i kuptuar si marrje e territoreve kombëtare, apo atij “të padrejtë”, pushtimit të vendeve të tjera.
Pushtimi sipas mendimit tonë është ideja më pikante e çdo gjeostrategjie të ardhshme Shqiptare.
Mendësia Shqiptare ndjek një vijë vetëvrasëse të reciprocitetit dhe uljes së standardeve. Ndoshta kjo mendësi vetëvrasëse është formuar ngadalë prej një kombinimi të sundimit prej të huajve dhe dorëzimit tek të huajt, por teza që ka më shumë gjasë, është ajo e uljes së standardeve për një ekzistencë të shëndetshme të Shqiptarëve.
Shqiptarët sot konsiderojnë si ekzistencë të shëndetshme, nomadizmin, ose mungesën e skajshme të një botëkuptimi që e shtrin jetën shpirtërore kombëtare në një territor të përbashkët. Për Shqiptarët sot nuk ekziston ndonjë pikë e fortë e referencës në hartë. Shtëpisë, po fillon t’i humbë kuptimit, e bashkë me të edhe vatanit, mbase edhe e pragut të shtepisë së njëmendtë. Kjo anomali e kuptimit mbi hapësirën do të ketë pasoja katastrofale për të ardhmen e Shqiptarëve.
A ngjan qesharake ideja e një Perandorie Shqiptare? Nëse po, në të njejtën mënyrë mund të ngjajë qesharake gjithashtu ideja e bashkimit të kombit. Edhe pse bashkimi i kombit themelohet tek një “e drejtë e përbashkët”, në fund të fundit, lufta dhe zotësia do ta vendosë fatin e trojeve tona, dhe jo “e drejta”.
Në botën e gjeopolitikës dhe vendeve të pajisura me një narrative dhe një gjeopolitikë, “e drejta” nuk ekziston përveçse në funksion të pushtetit. Botëkuptimi modern gjeopolitik i themeluar mbi hapësirën dhe ndërveprimin, njeh vetëm zgjerimin e hapësirës si “të drejtë”, kurse rrudhjen e saj si “të gabuar”. E gjithë kjo vjen nga një konceptim i veçantë i shteteve të botës si organizma të gjallë, që duhet të konsumojnë për të mbijetuar në arenën botërore të ndërmjetme, e për të jetuar më së miri në arenën e brendshme apo në “shtëpinë” e tyre.
Ndërkaq Shqipëria me politikat e saj të ndërveprimit gjunjëzues, dhe çakërdisjes së mendësisë mbi hapësirën, krahas rrudhjes së territorit krijon dhe fragmentime të kombit në shumë copëza nëpër botë. Ekziston një përvojë amerikane e të qenit shqiptar, ekziston një përvojë gjermane e të qenit shqiptar, gjithashtu një e tillë angleze, një e tillë zvicerane e kështu me radhë.
I vetmi përjashtim në këtë kontekst është përvoja shqiptare e të qenit shqiptar. Natyrisht që një komb emigrantësh nuk mund të ekzistojë. Këta emigrantë po nuk u mësuan me idenë e kthimit, do të përfundojnë duke u përthithur nga vizionet e shteteve përkatëse. Sidomos ata që largohën për shkak të problemeve ekonomike. Ndoshta në të ardhmen, përmes një fushëbeteje apokaliptike, do të kumbojnë zërat e emigrantëve, secili duke luftuar për një kauzë që nuk është kombi Shqiptar. Ndërkaq Shqipëria do të digjet, dhe fund më tragjikomik nuk do të ketë për ne.
This blog post has been Digiproved © 2021