Mbi debatin Peterson-Zizek

E vetmja gjë për të cilën më vjen keq në këtë artikull, është fakti se do (mundohem të) zhgënjej pritshmëritë e fansave të dy mendimtarëve në këtë debat të shumëpritur. Pra më në fund ndodhi, Slavoj Zizek dhe Jordan Peterson u ulën të dy kokë më kokë në fushën e mejdanit, secili me një arsenal retorik.

Në fjalën hapëse, Zizek me sarkazëm dhe me të drejtë i vë kësaj “përballjeje” etiketën “dueli i shekullit”, në fund të fundit para “betejës”, ishin dishepujt e mendimtarëve, ata që i hodhën benzinë zjarrit. E me të vërtetë, zanafilla e kësaj “beteje të fundit” ishte polariteti i skajshëm që ekzistonte mes dy kampeve para hedhjes së dorezës. Në një skenar pothuaj komedik, krustacët (nofkë për fansat e Peterson) dhe mallistët (tiqet nervore të Slavoj Zizek e bëjnë palën tjetër të mendojë se ai përdor kokainë), i bënë llogaritë pa hanxhinë, duke lëvizur fijet e marionetës keqazi, mendimtarët u përballën por jo në të njejtën mënyrë siç Noam Chomsky dhe Michel Foucault debatonin mbi natyrën njerëzore disa dekada më parë.

Me siguri Peterson dhe Zizek u kuptuan më së miri në disa pika. E para dhe më e rëndësishmja është fakti që historia ka ardhur deri në pikën ku nuk ia vlen më që në mënyre të beftë kundërshtarit ti pritet koka live, gjersa të ketë dëshirë të futet poshtë gurëve e të mos dalë më kurrë. Kjo është pjesë e së kaluarës, e tashmja u rëndon mbi kokë këtyre të vjetërve aq shumë sa e vetmja gjë për tu bërë është biseda e qetë në një sallë të madhe përpara një audience diverse. Me të vërtetë kjo na duhet sot, biseda mes dy pleqve që fundja qajnë hallet e përbashkëta në një botë ku format përkatëse të angazhimit e të veprimtarive, nuk ekzistojnë më.

Në këtë aspekt, Zizek dhe Peterson e bënë detyrën me nder. Peterson në fjalën hapëse pranoi me sinqeritet se nuk i kishte lexuar librat voluminozë të Zizek, kurse ky i fundit pohoi gjendjen e nderë akademike e cila margjinalizon paturpësisht, mendimtarë si Peterson i cili pa të drejtë etiketohet si e “djathtë ekstreme” apo “e djathtë alternative”. Përsa i përket Slavoj Zizek-ut, shkollarët parapëlqejnë të argëtohen me sjelljet e tij eksentrike dhe të përdorin moralizmin e tyre të shkëlqyer për të nxjerrë në pah disa mosarsye se pse Zizek ka filluar të rrjedhë ngaqë nuk e ha sapunin progresiv për djathë.

Në mënyrë të ngjashme revista “social-demokrate” Jacobin Mag, bëri komente të ashpra mbi metodën e “debatit” duke e quajtur Zizekun “të çmendur” dhe Peterson-in “budalla”. Një “budalla dhe një i çmendur” që arrijnë të bisedojnë qetësisht.

Kjo indinjatë e përgjithshme, shumica e së cilës vjen për pasojë të mungesës së prerjes së kokave, mund të krahasohet vetëm me intensitetin e flluskave ideologjike të internetit, ku grupe njerëzish të lodhur nga apatia, gjejnë atë lumturinë famëkeqe mbi të cilën do të mbahej debati.

Nga ana tjetër, Zizek-u hodhi një nga ato provokacijat e tij të zakonshme duke e cilësuar Presidentin Donald Trump si postmodernistin e vërtetë, kurse Bernie Sanders-in, moralist të pandreqshëm.

Të dyja këto etiketa e kanë nga një kleçkë nga mbrapa, pasi postmodernizmi i Trump-it, mban Kinën nën kontroll, kurse moralizmi i Sanders ëndërron për utopira në një kohë kur kandidatët pa substancë e me fjalë të tepërta janë ata që lundrojnë mbi valët e demokracisë amerikane, kurse këta të tjerët, “postmodernët” quhen “fashistë” nga mediat.

Peterson arriti më në fund të sqarojë se nuk është idhtar i individualizmit të skajshëm apo atij që rëndom quhet hedonizëm. Jo. Kërkimi i lumturisë nuk përfshin përçapje të verbra drejt qejfit të radhës, por kulminon në plotësimin e vetvetes, nëpërmjet pohimit të një përgjegjësie individuale të shëndetshme. Nga vetja ime, tek familja ime, e tek shoqëria që na rrethon.

Zizek nga ana e tij pranoi me një sinqeritet të dukshëm se ka ardhur koha që marksistët të ulen në radhën e pasme e të mendojnë pak, mbi gjithë rrëmujën e shkaktuar gjithë këto vite, pasi shtigjet e reja teorike nuk shfaqen paprit e pakujtuar sepse “duam” të ndodhë diçka e të gjithë arsenalet drejt këtij Eventi, do ti nxjerrim nga hiçi.

Padyshim që Zizek së bashku me Alain Badiou, janë filozofët e fundit të gjallë, komunistë, me një reputacion deri diku jo aq shumë të disktueshëm.  Që të analizoja këtu gabimet e Peterson apo të Zizek-ut, do më duhej të merrja rolin e të dyve, për të zbërthyer mendimet e fiktivisht për të bërë atë debat i cili vetëm në emër ishte i tillë.

Kishte nga ata të cilët debatin e quajtën “një humbje kohe”, por bazuar në dy arsyet e mëposhtme që do të jap, ky debat, apo mungesa e debatit, na ofron një panoramë të re të luftës politike mes fanatikëve, për të cilët aktivizmi fillon e mbaron tek e shtuna e përjetuar në buzë të trotuarit, me pankartë në dorë, dhe sidomos atyre që invokojnë “gjigandë të së kaluarës”, por me asnjë përgjegjësi individuale për të shkuar më tej e për të kuptuar se vetë “kujdestari” i tyre ideologjik, qoftë ky Peterson apo Zizek, nuk e ka më mendjen tek loja teatrale.

Përfundime:

Ferri i vërtetë, Kapitalizëm…

  1. Sipërfaqësisht në mbrojtje të Zizek dua të them se me të vërtetë zhargoni i “marksizmit kulturor” është stazhionuar deri në pikën e të qenit një term tallës për çdokënd që dëshiron të përforcojë një përtaci intelektuale që vetëm i lë gjërat jo vetëm të paqarta, por të gabuara, në sensin e fenomeni jo të konceptuar mirë e jo të analizuar drejtësisht.
  2. Së dyti, “neomarksizmi postmodern” është bërë si ai dordoleci konceptual që kërkon të frikësojë harabelat e gjendur në një situatë apatie, të shtrënguar të gjejnë një rrugëdalje gjysmake. Le ta kërkojmë diku tjetër diagnozën e kohës.

Ferri i vërtetë, Komunizëm…

  1. Përsëri sipërfaqësisht. Diku nga gjysma e bisedës, Peterson pas një varg lavdërimesh mbi origjinalitetin e Zizek, e pyet me kuriozitet, “Pse nuk promovon Zizekizmin por akoma ngulmon në marksizëm”
    Pesimisti i ri i përgjigjet përciptazi duke thënë se Marksi akoma ka vlerën e të qenit një kritik i mirë i kapitalizmit. Edhe pse pajtohem me dakordësinë kryesore mes të dyve, pra kundërshtinë ndaj luftëtarëve për drejtësi sociale dhe “shkollarizmave liberale” të ideologjisë së progresit, diçka më pëshpërit në vesh e më bën të mendoj se Zizek, në krahasim me Peterson, nuk synon të kënaqet me kaq pak.
  2. Peterson ka të drejtë kur thotë se rinia e sotme nuk di ç’flet e ç’bën. Duhet një shkundje e fortë për tiu rikthyer atyre vlerave thelbësore që na mbajnë larg nihilizmit dhe mendësisë “sot për sot”. Flluskat universitare perëndimore me hapësirat e tyre të sigurta janë vendi më i keq për të shkuar drejt këtij triumfi shoqëror. Nëse ideologjitë e emancipimit radikal na ofrojnë një shkëndijë të madhe, një zjarrmi të fortë e të shpejtë që më pas kthehet në kasaphanë, më e mira do ishte të rimendohej plani individual, që në gjërat e vogla të rregullimit të krevatit, siç thotë Peterson.

Pra sipërfaqësisht, e mbyll me fjalët e Zizek dhe Peterson së bashku.

Zizek – Mos u bëni intelektualisht përtacë.

Peterson – Besoni në fuqinë e fjalës së lirë dhe bisedës së qytetëruar.

Thellësisht pastaj, dyshoj tek aftësia e Peterson për të shpëtuar qytetërimin perëndimor nëpërmjet dymbëdhjetë rregullave për jetën, e interpretimesh Jungiane të Krishtërimit. Megjithatë Peterson jep këshilla të mira, që së paku mund të parandalojnë kaotiken e një të ardhmeje të paqëndrueshme përsa i përket njeriut të thjeshtë.

Nga ana tjetër, më kujtohet një ese e vjetër e Slavoj Zizek, jo shumë e njohur. “Robespieri ose “dhuna hyjnore” e terrorit”. Në paragrafin e dytë Zizek sqaron se liberalët duan “një 1789 pa një 1793”, pra një revolucion pa sundimin e terrorit që pasoi. Me përbuzje ai mbyll fjalinë kështu “liberalët e ndjeshëm duan një revolucion të dekafeinuar, revolucion që nuk mban era revolucion”.

Ia lë lexuesit të mendojë se çfarë ka përtej përbuzjes së “akademizmit liberal” nga Slavoj Zizek.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019