Në shënimet mbi merkantilizmin në librin e tij Teoria e përgjithshme e interesit punësimit dhe parasë Keynes i përshkruan liberalizmin dhe merkantilizmin në një mënyrë shumë interesante për sa i përket marrëdhënieve monetare. Keynes fillon të analizojë historinë e mendimit merkantilist dhe konkludon se ka pasur të vërteta në zgjidhjen e merkantilistëve, në një kohë kur e vetmja mënyrë për të rritur sasinë e parave ishte balanca e favorshme e tregtisë.
Ai pranon faktin që kjo nuk ishte zgjidhja perfekte pasi një qëndrim i tillë ndaj marrëdhenieve monetare dhe tregtare çon gjithmonë në përkeqësim të marrëdhënieve mes shteteve dhe në një luftë të mundshme. Gjithsesi, siç e kemi përmendur dhe në një artikull të mëparshëm, kjo lloj ndershmërie intelektuale ishte e preferueshme ndaj mendimeve të liberalëve thote Keynes.
Problemi kryesor që Keynes kishte me standardin e arit ishte fakti se standardi i arit e bënte sasinë e qarkullimit të parasë në shtet të varur nga balanca tregtare. Kjo do i shtynte shtetet drejt përpjekjeve për të arritur surplus në kurriz të shteteve të tjera. Për arsyen e vetme se kjo ishte mënyra e vetme për të rritur sasinë e parasë në shtetin e vet. Sipas Keynes e vetmja mënyrë për paqe dhe mirëqënie ishte që shtetet të zgjidhnin vetë normat e tyre të interesit pa ndikim nga jashtë. Paqja mund të arrihej kur shumica e vendeve në botë do ndiqnin politika të tilla. Sipas tij:
“Në të vërtetë vlen e kundërta. Është politika e një norme interesi autonome, e papenguar nga preokupimet ndërkombëtare dhe një program investimi kombëtar i orientuar drejt një niveli optimal të punësimit të brendshëm, i cili me një gur vret dy zogj në kuptimin që na ndihmon neve dhe fqinjët tanë në të njëjtën kohë “.
Ndonëse ky shembull që dhamë është shembulli më i qartë që tregon kundërshtimin e standardit të arit nga Keynesi, Keynesi gjatë tërë kohës ka qënë kundër standardit të arit. Mund të themi se arsyeja kryesore e propozimit të ICU nga Keynes ishte pikërisht rëndësia që Keynes i kushtonte sovranitetit monetar dhe efektit që ky sovranitet ka mbi mirëqënien e një shteti. Më poshtë do përmend disa nga pikat më të rëndësishme të mendimit të Keynes mbi çështjet monetare gjatë tërë karrierës së tij.
Në këtë artikull, ashtu si në artikujt e mëparshëm prapë përdor Cammarosanon si historianin kryesor të mendimit Keynesian. Keynes, në fillimet e veta ishte kundër standardit të arit për dy arsye. Arsyeja e parë ishte sepse norma e interesit në këtë regjim zgjidhej duke konsideruar çështjet e jashtme dhe jo të brendshme ekonomike. Arsyeja e dyte ishte sepse vendet në borxh dëmtoheshin më shumë se sa vendet e tjera. Për më tepër vetëm vendi më i fuqishëm (në këtë rast Amerika) kishte të drejtë të zgjidhte normat e interesit si donte.
Këtë çështje, si dhe faktin pse Keynes ishte kundër futjes së Anglisë në standardin e arit mbas luftës së parë botërore e kemi trajtuar në një artikull tjetër. Ajo që nuk kemi përmendur në detaje është fakti se , vërtet Keynesi ishte kundër zhvlerësimit të brendshëm të cilën do përjetonte Anglia nëqoftëse futej në standardin e arit por Keynes ishte në përgjithësi kunder deflacionit.
Për Keynes çështja e standardit të arit ishte në thelb çështje e deflacionit dhe inflacionit. Sipas Keynes nuk kishte gjë më të tmerrshme se deflacioni. Deflacioni që ndodh vetë është një e keqe që duhet luftuar sipas tij, por deflacioni i qëllimshëm(në këtë rast me ri-futjen e standardit të arit mbas Luftës së Parë Botërore) ishte çmenduri. Më fjalët e Cammarosanos:
„Kthimi i pound-it britanik në vlerën e para Luftës së Parë Botërore ishte një aspekt i dilemës më të madhe mbi inflacionin dhe deflacionin.“
Në fund të karrierës se vet Keynes propozon krijimin e ICU të cilën e kemi trajtuar në një artikull të mëparshëm. Këtu do përmendim thjesht disa karakteristika të ICU të cilat do tregojnë kontrastin me regjimet e tjera monetare që trajtojmë në këtë artikull. Ndryshimi kryesor i ICU nga BME apo standardi i arit ishte fakti se dhe shtetet sufiçitare dhe shtetet defiçitare do detyroheshin të merreshin me ribalancimin e zhbalancave makroekonomike. Shtetet defiçitare dhe sufiçitare do kishin përgjegjësi dhe të drejta të barabarta në këto çështje.
Gjithashtu ideja e ICU ishte dhe një ide e cila supozohej të ndalonte akumulimin e parasë në pak shtete sufiçitare.(money-hoarding).Paraja supozohej të qarkullonte. Money hoarding çonte thjesht në cikël deflacionar. Më poshtë do paraqesim ca ngjashmëri të BME-së me standardin e arit.
Ngjashmërite
Për të gjetur ngjashmëri mes BME-së dhe standardit të arit nuk duhet të lodhemi shumë. Si fillim standardi i arit i bëri vendet të varura nga balanca tregtare dhe nga politikat e eksportit beggar-thy-neighbour. E njejta gjë mund të thuhet për BME-në. Vendet jugore të BE-së nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të përqëndrohen në eksporte ndonëse mund të jëtë model ekonomik i papërshtatshëm për to. Nëse nuk përqendrohen në eksporte dhe deflacion, rriten zhbalancat makroekonomike gjë që e shohim që po ndodh.
Norma e brendshme e interesit dhe qarkullimi i brendshëm i parasë gjithashtu vareshin nga balanca tregtare gjatë periudhës së standardit të arit. Në BME nuk ekziston një sistem i tillë, por vendet ende nuk mund të zgjedhin normat e interesit ose të zhvlerësojnë monedhën sipas nevojave të tyre.
Përveç kësaj, shohim të njëjtën tablo veprimesh gjatë standardit të arit dhe tani në BME . Shohim një zhvlerësim të brendshëm të ekonomive të shteteve për shkak të zhbalancave të jashtme makroekonomike. Vendet në borxh dhe vendet e dobëta nuk janë vetëm në standardin e arit, por edhe në BME, rrjedhimisht janë ato që marrin të gjithë barrën e rregullimit makroekonomik. Kjo zakonisht nënkupton deflacion të detyruar dhe papunësi. Në kohën e Keynes ishte Anglia e cila u detyrua kështu të kalonte në deflacion gjatë rivendosjes së standardit të arit. Tashmë në BME janë vendet jugore që marrin barrën më të madhe.
Kundërshtimi i Keynes ndaj deflacionit është gjithashtu i rëndësishëm. Nën standardin e arit, si dhe nën regjimin e BME-së, shqetësimi më i madh nuk është inflacioni, por deflacioni. Vendet hyjnë në një spirale deflacioni dhe shumica e tyre nuk përfitojnë. Dhe së fundi, Keynes përmend se money-hoarding është gjithashtu i ngjashëm me BME-në e sotme. Në pamje të parë mund të mos ngjajë me money-hoarding, sepse, siç e pamë, rënia e shteteve jugore për shkak të defiçitit të llogarive rrjedhëse shtyhet për më vonë nga borxhet që u jepen nga vendet më pak të prirura drejt inflacionit. Problemi megjithatë, ende mbetet i tillë. Borxhet janë borxhe dhe, siç u pa gjatë krizës greke, ato duhet të paguhen, dhe zakonisht kjo do të thotë austeritet edhe më ekstrem, liberalizim të tregut të punës dhe masa deflacionare.
This blog post has been Digiproved © 2019