Teoria Postkoloniale: Të zbërthesh Perëndimin për të shpëtuar Tjetrin. Pjesa I

Shënim qartësues nga stafi: Ky cikël përkthimesh, gjithë-gjithë një kapitull nga libri “Cynical Theories: How Activist Scholarship Made Everything about Race, Gender, and Identity—and Why This Harms Everybody” i Helen Pluckrose dhe James A. Lindsay, synon të ofrojë një paraqitje të shkurtër  të një teorie që për Shqipërinë ka disa implikime jo të mira. Këto probleme do të qartësohen me kohën, dhe nëpërmjet punës së mëtejshme të stafit. Argumentet e autorëve nuk e shterojnë këtë çështje sipas nesh, ato vetëm shërbejnë si një paraqitje e përgjithshme.

Teoria Postkoloniale kërkon të zbërthejë Perëndimin, sipas kushteve të saj, e ky projekt ambicioz rrënimi ishte padyshim shfaqja e parë e postmodernizmit të zbatuar. Ndryshe nga Teoritë racore dhe gjinore, të cilat kishin zhvilluar tashmë linja mendimi dhe studimi mjaft të pjekura që para se postmodernizmi të ndikonte në studimet kulturore, Teoria postkoloniale u nxorr drejtpërsëdrejti nga mendimi postmodern. Për më tepër, Teoria postkoloniale u krijua për të arritur një qëllim të veçantë, çkolonizimin: zhbërjen sistematike të kolonializmit me të gjitha pasojat dhe mënyrat se si shfaqet.

Nëse postmodernizmi konsiderohej si lëvizje përtej modernizmit e gjithashtu çmontuese e tipareve kyçe të modernizmit, postkolonializmi e kufizon këtë projekt tek problemet e  kolonializmit. Në veçanti, me rëndësi brenda Teorisë postkoloniale, janë si parimi i dijes postmoderne që e mohon të vërtetën objektive, duke e zëvëndësuar me konstruktivizmin kulturor ashtu edhe parimi politik postmodern, i cili e konsideron botën si të ndërtuar nga sisteme pushteti dhe privilegji të cilat bëjnë të mundur njohjen.

Katër tiparet parësore të mendimit postmodern, turbullimi i kufijve, besimi në fuqinë kapluese të gjuhës, relativizmi kulturor, humbja e individuales dhe mohimi i universales gjenden përgjatë kanaleve teorike te postkolonializmit.

Edhe pse jo të gjithë akademikët postkolonialistë janë postmodernistë, figurat kyçe padyshim që ishin dhe janë, e kjo qasje postmoderniste mbizotëron sot në studimet dhe veprimtaritë postkoloniale për Drejtësi Sociale.

Postkolonializmi dhe Teoria që lidhet me të doli në pah në rrethana historike të veçanta, gjatë rrënimit politik dhe moral të kolonializmit Europian I cili kishte sunduar politikën botërore për më tepër se pesë shekuj. Kolonializmi Europian filloi zellshëm rreth shekullit të XV-të e vazhdoi deri në mes të shekullit të XX-të. U legjitimua nga  ideja  se fuqitë Europiane kishin të drejtën të zgjeronin zotërimet e tyre dhe të ushtronin autoritetin e tyre politik e kulturor mbi vende e popuj të tjerë.

Ndonëse ky lloj qëndrimi perandori-ndërtues ishte tipik për shumë për mos të thënë të gjitha kulturat para shekullit të XX-të, kolonializmi Europian ishte i pajisur me shpjegime gjithëpërfshirëse, rrëfenja e vetëjustifikime ose metanarrativa të cilat shpallnin dhe kërkonin që të përligjnin këtë të drejtë sipas kushteve të tyre. Këtu mund të përmendim la mission civilisatrice (misionin qytetërues) të kolonializmit Francez dhe Manifest Destiny (Gjetja e Fatit) në Amerikën e Veriut. Koncepte këto qëndrore për prodhimin e dijes dhe organizimit politik që para Iluminizmit e deri në kohërat moderne.

Pastaj, me shpejtësi të habitshme, kolonializmi Europian u lëkund dhe ra në mes të shekullit të XX-të. Në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore përpjekjet çkolonizuese vazhduan me shpejtësi si në rrafshin material, ashtu edhe në atë politik. Kështu, deri nga fillimi i viteve 1960, shqetësimet morale rreth kolonializmit spikasnin nëpër  rrethe akademike, midis masës së gjerë dhe sidomos tek e majta radikale. Për rrjedhojë, rënia e kolonializmit ishte në zemër të mjedisit social e politik në të cilin lindi postmodernizmi e në veçanti në akademitë e Europës kontinentale.

Përfundimisht teoricienët postkolonialistë u bënë të rëndësishëm përmes mohimit të  metanarrativave kolonialiste duke u përqëndruar tek ligjërimet/debatet/fjalimet (mënryra të të folurit mbi gjëra) e kolonializmit. Rrjedhimisht postkolonializmi është kryesisht një ngushtim  i postmodernizmit, përqëndrohet tek një tipar i veçantë i modernizmit që ështe kolonializmi. Mjeti i përdorur është Teoria postkoloniale e cila është Teori e përshtatur për atë problem.

Teoricienët postkolonialë studiuan  rrëfenjat kolonialiste, të cilat përpiqeshin të mbronin interesat e njerëzve të veshur me pushtet dhe privilegje, e jo më pak për nga rëndësia, të ashtuquajturën të drejtë për të sunduar kulturat e tjera. Kultura të cilat rrëfenjat mbizotëruese “të qytetëruara” Perëndimore (dhe të Krishtera) i trajtuan si “të paqytetëruara” dhe “barbare”.

Postkolonializmi si një projekt i postmodernizmit të zbatuar

Me rritjen e interesimit mbi kolonializmit përgjatë mesit të shekullit të XX-të, puna e psikiatrit Franc Fanon filloi të njihej gjerë. Fanon, i lindur në Martinikë,  gjatë sundimit kolonial Francez,  shpesh konsiderohet si teoricien themeltar i Teorisë Postkoloniale. Libri i vitit 1952 “Lëkurë të Zeza, Maska të Bardha”, paraqet një krititë të fortë të racizmit dhe të kolonializmit. Libri i vitit 1959 “Një Kolonializëm që po merr fund” ishte kronikë e  ndryshimeve kulturore dhe politike gjatë Luftës Algjeriane për pavarësi.  Më pas, libri i vitit 1961, “ Të Mjerët e kësaj Toke”, solli në skenë postkolonializmin dhe Teorinë postkoloniale. Teza e tij i ndryshoi thellësisht perceptimet mbi çështjen. Për Fanonin, deri nga viti 1961, kolonializmi përfaqësonte mbi të gjitha një mohim sistematik të njerëzillëkut të  popujve të kolonizuar.

Kaq qendrore është kjo temë për analizën e Fanonit sa ai flet përgjatë gjithë kohës për një fshirje të mirëfilltë të identitetit dhe dinjitetit të njerëzve. Ai ngulmon për një kundërshtim të dhunshëm nga popujt e kolonizuar,  me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre mendor dhe respektit ndaj vetes. Libri  Fanonit ishte njëkohësisht thellësisht kritik dhe haptazi revolucionar. Qëndrime që asokohe frymëzuan postkolonializmin dhe pikëpamjet më radikale të veprimtarive majtiste.

Meqë shkruante në vitin 1961, gjithsesi, Fanon zor se mund të quhet teoricien postmodern. Qasja e tij zakonisht quhet moderniste sepse pavarëisht skepticizmit të thellë dhe radikalizmit,  kritika e tij mbështetet kryesisht tek kritika marksiste e Leninit mbi kapitalizmin. Analiza e tij mbështetet së tepërmi tek teoria psikoanalitike dhe filozofia e tij është në thelb humaniste. Sidoqoftë, mendimtarë të mëvonshëm, duke përfshirë këtu Eduard Saidin,  babain e Teorisë postkoloniale, u frymëzuan nga përshkrimi Fanonist i pasojave psikologjike të nënshtrimit kulturor, gjuhësor e fetar.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021