Njohësit apo praktikuesit e Keynes, qofshin këta legjitimë apo jo, njohin në shumicën e rasteve anën nacionale të tij. Dhe me të drejtë. Një nga figurat më të rëndësishmë që pati ndikim shumë të madh në idetë ekonomike të shek 20 dhe vazhdon të ketë ndikim dhe në shek 21.
Keynes njihet si figura intelektuale mbrapa planeve të Roosevelt për Marrëveshjen e Re. Keynes njihet si personi që ishte kundër standardit të arit të shek 19 dhe pro normave të interesit domestike të kontrollueshme. Ishte personi që i dha fund „tiranisë“ shekullore të ideve klasike dhe neoklasike në ekonomi. Por përtej figurës së Keynes që na mëson ndërhyrjen në ekonomitë nacionale, ekziston Keynes internacionalist. Keynes-i i negociatave të Bretton Woods, dhe të idesë së international clearing union, e cila nuk u bë realitet. Idetë që Keynes dha në Bretton Woods, mund të quhen çdo gjë vetëm jo nacionaliste. Me krijmin e një international clearing union, supozohej te taksoheshin vendet me sufiçit tregtar dhe të ndihmoheshin vendet me defiçit tregtar në mënyrë që të mos kishte imbalanca për sa i përket tregtisë së jashtme. Shtetet i binte të hiqnin dorë nga thuajse i gjithë sovraniteti i tyre ekonomik dhe tia kalonin këtë, ICU-së. Pyetja që del është: A mund të pajtohen dot këto dy pikëpamje shumë të kundërta Keynesiane?
Myrdal, ndonëse nuk e trajton Keynes në librin e rëndësishëm mbi shtetin e mirëqënies ociale, mendoj se mund ti përgjigjet me „jo“, kësaj pyetjeje. Myrdal, ekonomist suedez, fitues i çmimit nobel, dhe një ndër themeluesit e shtetit social suedez, sheh me të drejtë një problem shumë të madh me politikat ekonomike totalisht nacionale të shteteve të perëndimit, dhe jo vetëm. Problemi është disintegrimi ndërkombëtar. Sipa Myrdal, politikat e shtetit të mirëqënies sociale dhe shtetit intervencionist në ekonomi, vërtet krijuan „parajsën mbi tokë“, në vendet perëndimore për sa i përket anës ekonomike por që çuan nga ana tjetër në disintegrim ndërkombëtar. Nëqoftëse Europa mbron me fanatizëm fshatarët e vet, dhe do të eksportojë, përveç mallrave industriale dhe mallra bujqësore, në këtë rast dëmtohen vendet bujqësore. Ndërhyrja vetëm nacionale në ekonomi pra, qenka sipas tij problematike. Sipas Myrdaj, alternativa e vetme për botën është arritja e kësaj ndërhyrjeje nacionale që siguron mirëqënie në nivel internacional. Myrdal sheh probleme në lidhje me këtë, si përshëmbull arsyen që vendet europiane duhet të heqin dorë nga ca pjesë të tregjeve nëqoftëse duan integrim internacional, duhet të ndihmojnë vendet e pazhvilluara me shkencë, industri etj.
Lexuesit ia lë vetë të zgjedhë se çfarë vizioni sheh për shtetin e tij dhe botën, por idetë e Keynes dhe Myrdal na japin tre alternativa për sa i përket ekonomisë dhe integrimit ndërkombëtar.
- Automatizimi i standardit të arit të shek 19 dhe i tregjeve të lira. Tregjet janë të lira. Normat e interesit nuk vendosen nga vetë shteti por nga tregjet. Probleme të mëdha me arritjen e punësimit të plotë të popullsisë. Ana pozitive: Më pak imbalanca tregtare, pasi vlera e monedhave ngrihet dhe bie automatikisht sipas lëvizjes së parave, gjë që i shtrenjtëson dhe i bën më të lira eksportet. Parajsa e çdo fondamentalisti të tregut të lirë. Balancat tregtare rregullohen vetë, gjithashtu dhe normat e interesit. Ana negative: Papunësi apo detyrim përshtatjeje të qytetarëve ndaj tregtisë ndërkombëtare.
- Modeli Keynesian Nacional. Modeli kryesor që u ndoq në Europë pas luftës së dytë botërore, ku ca persona thonë që ishte dhe modeli kryesor i vendeve fashiste. Ndërhyrje në ekonominë kombëtare, kompromise (në rastin e vendeve demokratike), ose detyrime (në rastin e vendeve fashiste) ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve, deri diku proteksionizëm, për disa interesa të veçanta të ekonomive komëbtare. Kontroll shtetëror i anës monetare dhe në kohë krizash, ndërhyrje fiskale. Ana pozitive: Është e mundur arritja e punësimit total të popullsisë, plus rritje e madhe e mirëqënies së shtetit në fjalë. Ana negative: Nuk merret fare parasysh harmonia ndërkombëtare. Nuk funksionon siç duhet në shtete të korruptuara apo jo të konsoliduara siç duhet.
- Modeli Keynesian internacional ose Modeli Myrdal. Rregullim në një instancë ndërkombëtare të tërë ekonomive botërore. Ana pozitive: Aspak disbalanca tregtare. Ana negative: shtete nuk lejohen të jenë as shumë të pasura as shumë të varfra. Në momentin që kanë sufiçit, taksohen, në momentin që kanë defiçit, ndihmohen. Realistët, në marrëdhenie ndërkomëbtare, do qeshin dhe do thonë është totalisht e pamundur që të ndodhë, veçse asgjë s’është e pamundur. Pyetja është a na pëlqen si model apo jo, dhe çfarë vizioni të së ardhmes shohim.
Nuk ka rëndësi nëse vendosim për modelin e parë, të dytë apo të tretë. Historia do tregohet mizore me këdo që nuk zgjedh alternativën e duhur. Por që gjithsesi kjo nuk duhet të na ndalojë të zgjedhim një alternativë. Se çfarë alternative zgjedh, i lihet lexuesit, siç e thashë dhe më parë në këtë artikull.