Ku ishim, ku jemi, e ç’të bëjmë

Arrij t’i kujtoj, ndoshta me një qartësi të panatyrshme, ethet parazgjedhore në Shqipëri. Mendohej se çmendurisë do t’i vinte fundi. Sundimtari do rrëzohej nga froni apo jo? Duhet të kishim besim në sigurinë që na ofrohej nga e kaluara. Askush s’kishte qëndruar më shumë se tetë vjet në pushtet. Madje dhe partitë e farkëtuara me zjarr e me hekur, të ashpra në metodë dhe në qeverisje, ishin rrëzuar sapo shtypja, ose perceptimi mbi shtypjen, ishte bërë i padurueshëm. Ethe parazgjedhore…domethënë ndryshimi i një kaste. Formimi i ndërlidhjeve të reja institucionale, zëvëndësimi i aparatçikëve të vjetër, me shërbyes të rinj. Domethënë largimi i plotë i strukturave të vjetra, për t’ia lënë vendin strukturave të reja. Madje dhe humbësit do të hanin copën e tyre të tortës. Ata do të ishin opozita e ardhshme, e freskët.

E majta në Shqipëri do të përçahej ndërmjet Partisë Socialiste dhe trumpetimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, Partia Demokratike do të konsolidohej sërish si një forcë me peshë në politikën shqiptare. Nisma Thurje do t’i merrte së paku dy deputetë, duke u shfaqur si njëra nga forcat alternative në kuvend. Nëse dikur talleshim me teatralizmat e Kujtim Gjuzit dhe Selami Jenishehrit, në të ardhmen do të dëgjonim zëra disidentë, por edhe naivë, në kuvend. Zëra që kumbojnë me vendosmëri, por u mungon thellësia, u mungon vizioni, dhe mbi të gjitha, u mungon guximi për të thyer disa rregulla. A s’është respektimi i rregullave parakushti i mbijetesës politike në Shqipëri? Çdo parti duhet të vërë ca kryqe tek kutizat e të pranueshmes, për t’u faktorizuar, qoftë edhe si strukturë e vogël. Të numërojmë ca nga këto kutiza…pra.

Zotohemi se do të integrojmë vendin në Bashkimin Europian, zotohemi se do të respektojmë të drejtat e njeriut, zotohemi se do t’u bindemi tekave të ndërkombëtarëve, zotohemi se nuk do të tentojmë ta përmbysim rendin ekonomik në të mirë të vendit. Zotohemi se do t’i lëmë oligarkët të vazhdojnë punët e tyre të pashqetësuar, dhe mbi të gjitha, zotohemi se do t’i shërbejmë popullit me maturi – që domethënë, standardet tona do të jenë të ulëta, dhe do t’i mbajmë kështu, duke lejuar disa njolla në system, sepse përpjekja për të qenë të përkryer, na frikëson. Ndryshimi i njëmendtë na frikëson. Nuk mund të qeverisim në paqe, nëse ndryshimi ia zë vendin zvarritjes.

Por nuk ndodhi kështu. Rama fitoi, ky aktor i shkëlqyer që i mori nëpërkëmbë të gjithë të tjerët, jo pse është shpëtimtari i Shqipërisë, por sepse rregullat e një standardi të ulët – pothuaj në gjithçka, janë vënë nga dora vetë, ai dhe partia e tij. Nuk mund ta luftosh armikun me rregullat e tij. Padyshim që populli s’kishte pse të sillte Ramen 2.0 në pushtet. Rama 1.0 aktron dhe tallet, prish teatro dhe ngre kulla, shfytyron peizazhin urban sipas fantazive të tij, e mban shtetin në prag të mosfunksionimit, por duke u kujdesur për të mos e kapërcyer atë prag.

Metodat e vjetra kanë vdekur, dhe së bashku me to, edhe partitë pa ide, partitë pa vizion, partitë me pak fjalë, pa guxim e pa gjak ndër vena. Status quo-ja e re dikton praninë e një opozite, siç diktohet në çdo rend demokratik, të paktën në sipërfaqe. Në fakt, opozitë nuk do të ketë më fare, nëse këmbengulim të notojmë në llumin e derimëtanishëm. Ata që e kanë kuptuar, i frikësohen ndryshimit të metodës. Duhet të shtrëngohen, të bëhen seriozë. Pothuaj e pamundur për politikanët tanë të karrierës të cilët mendojnë si e si të mbledhin disa groshë në fund të ditës, dhe t’i japin fund me kaq.

E keni vrarë ndonjëherë mendjen pse të gjitha partitë, fillimisht premtojnë emancipim të mendësisë Shqiptare, por në fund, i dorëzohen mjeteve të status quo-së? Integrohen në të njejtin mekanizëm intrigash dhe manipulimi të publikut porsi paraardhësit. Përgjigjia është e thjeshtë. Monedha e partive është vota. Partia po s’pati një thes me vota, s’ka kurrfarë vlere. Partia duhet të marrë vota, dhe këto vota nuk merren duke u përpjekur për t’i ndryshuar mendësinë shqiptarëve. Votat nuk sigurohen nëpërmjet emancipimit shoqëror. Në fakt, emancipimi i shoqërisë mund të sjellë efektin e kundërt. Rritjen e standardeve. Nëse standardet rriten, disa metoda dalin jashtë loje.

Jashtë loje del shitblerja e votës, del karizma e kryetarit si burim votash, del reputacioni i të fortit të qytetit si garantues i votave. Dalin jashtë loje njëmijë e një budallallëqe të marketingut dhe të manipulimit të publikut qoftë me lajme të rreme, qoftë me meme e të tjera. Kështu partitë zhvishen lakuriq, dhe përfundojnë tek mjerimi, objekt talljeje dhe përbuzjeje. Të gjithë e dimë rrugëtimin e zakonshëm të partive. Filloje bukur dhe me zhurmë, vazhdoje me ulje tonesh, përfundo tek kompromisi me të keqen.

Mund t’a fillosh me bamirësi, mund t’a fillosh me një program të së majtës së skajshme, me aktivizëm lokal, me ngjyerje me bojë, ose spërkatje me të bardha vezësh. Akte të vogla dhe bombastike, që sigurojnë disa ndjekës naive, pak vëmëndje nga mediat që i dashurojnë sensacionalizma të këtilla. Dalëngadalë kollarisesh, mbërthehesh, vishesh me kostum, dhe nga trotuari dhe boja e pamfletës, katapultohesh në një zyrë. Më pas fillon lufta e hienave. Pra mësimi numër një që duhet nxjerrë është ky: partitë duan vota, dhe jo emancipimin tuaj.

Mësimi i dytë është edhe më i rëndësishëm se i pari: partitë i urrejnë idetë, sepse zbatimi i tyre është i zorshëm, fort i vështirë, duhet t’i dalësh kundër botës e të tjera. Mësimi i tretë është më i rëndësishmi: kur partitë zihen ngushtë, ata nisin të përhapin ide, vazhdimisht duke i holluar teksa ngjisin shkallët e pushtetit. Kjo sa për t’i mësuar njerëzit që idetë janë përralla të bukura, mite që shtrojnë udhën drejt pushtetit.

Pra ja ku ishim, e ja ku jemi. Ç’të bëjmë?

Mendoni për një çast tingullin joshës të fjalës radikalizëm. Të bëhemi radikalë. Radikalë të disiplinuar, jo banda rrugësh. Radikalë, që japin jetën për kauzën, duke e jetuar të gjithën për të. Vdekja në krye të detyrës revolucionare është shumë e thjeshtë, madje është ilaç për revolucionarin e munduar shpirtërisht. Vështirësia qëndron në të jetuarin e jetës për një çështje. Të së gjithë jetës. T’i dedikohesh diçkaje me mish e me shpirt deri në fund, duke pasur gjithnjë parasysh se mund të dështosh. Po, të dyja skenaret e së ardhmes duhen pasur parasysh. Mund të fitosh, por edhe mund të dështosh. Sigurohu të jesh në paqe me veten tek të dyja përfundimet.

Pra radikalë. Me bindje dhe ide, dhe me vizion, jo duke gjerbur koktejle në mbledhjen e partisë. Gjë e vështirë apo jo? Si do të merren vesh këta radikalë në shoqërinë tonë skajshmërisht individualiste? Kjo është çështje tjetër. Sistemi është brenda nesh, siç u tha diku tjetër. Lufta fillon tek vetja. Duhet të mundim njëherë veten tonë, pasi vetja mbase është armiku më I keq që kemi pasur ndonjëherë.

Armikut të dukshëm, nuk i duhen as burgje dhe as polici sekrete. Armiku I dukshëm i’a ka dalë mbanë të na e fusë lepurin në bark, pra burgu jonë është pa hekura dhe as xhandarë. Armiku i padukshëm fle brenda nesh, duke I mbytur të gjitha shkëndijat e radikalizmit. Ti e di vetë, i dashur lexues, por edhe unë e di. Sa e zorshme është t’i vësh në praktikë këto gjëra dhe të mos e çash kokën për rehatin që e ke kultivuar me aq durim. T’a menjanosh rehatin për hir të detyrës që të pret.

Punë e vështirë, jazhtëzakonisht e vështirë. Mund të luash mendsh. Punë që s’behet dot nga të gjithë, me të njejtin zjarr dhe qëllimësi, por secili mund të jetë radikal, në zonën e tij të veprimit. Të jesh radikal sot, është të kesh disa parime që të udhëheqin jetën. Të jesh radikal në politikë, domethënë që këto parime të udhëheqin vizionin tënd politik, ëndrrën tënde, dëshirën për të parë një të nesërme përnjëmend të ndryshme. Ç’dimë për të ndryshmen? Veç se s’do jetë si e sotmja dhe as si e shkuara. Nuk do jetë një grumbull fjalësh të kota, por një ndryshim i njëmendtë i qeniës sonë. Fjalë të mëdha dhe zotime të rënda, vetëkuptohet.

Natyrisht që lojrat e tanishme mund të vazhdojnë me po të njejtën këmbëngulje si më parë. Mediokriteti është det i gjerë e i paanë, vazhdon të jetë i pranishëm pikërisht ngase shumëfishohet me lehtësi. Mediokriteti synon sasinë, kurse mendimet dhe veprat e larta synojnë cilësine. Loja është e hapur. Mund t’i arratisemi modelit të vjetër me kope ujqërish, por vendimi dhe përgjegjësia gjithmonë fillojnë nga vetja jonë. Praktikisht, duhet t’a mbysim lepurin që kemi në bark.

Kaq sa për fillim. Nuk dua të bëj psikologun këtu. Psikologu dhe mësuesi i dhembshur i masave është në dukje, një njeri zemërmirë, pak më thellë, është  një megalloman në bërje e sipër. Do ju rrëfej ideologjinë në Shqipëri, fytyrat e saj të larmishme, edhe pse të dobëta, në një moment tjetër.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021