Aspekte të çështjes kombëtare.

Njëri nga problemet e projektit europian, nuk është vetëm fakti se ky projekt nuk përfaqëson kulmin e përpjekjeve europiane për një integrim në shkallë kontinentale. Pika kyçe e këtij problemi është qasja ndaj çështjes kombëtare. Në të kaluarën fuqitë e mëdha kanë pasur vetëm pjesërisht konsiderata pozitive për qoshen tonë në Ballkan.

Konsiderata këto, jo të lindura nga ndonjë dashuri e sinqertë për Shqipërinë, por vetëm gjeopolitikisht të ngarkuara me kontekstin e kohës. Projekti Europian nuk ka ndërmend të përmbysë Ballkanin për të kënaqur shqiptarët, dhe as të marrë parasysh të drejtën tonë para të drejtës unike që synon të anulojë të drejtat “e vogla”.

PE pra, kërkon të kënaqë të gjitha palët. Veçse kjo kënaqje dy herë ka anuar nga serbët. Nëse ekziston ndonjë vazhdimësi mes politikave të fuqive të mëdha dhe projektit europian, është pikërisht kjo përpjekje për të shkëputur Serbinë nga Rusia. Ndërkaq, Serbia vazhdon të luajë lojën e vet me të gjitha palët.

Në kontekst të kënaqjes, zotërinjtë në Bruksel e shohin të anës që Shqipëria duhet të mjaftohet me një komb të ndarë në disa shtete. Me një Kosovë të kufizuar në lirinë e saj, me garantimin e të drejtave të barabarta në Republikën e Maqedonisë Veriore, po të njejtën gjë në Mal të Zi, dhe me një zhdukje nga librat e historisë, të çështjes çame.

Nga këto objektiva afatgjata le të flasim pak për pozicionin e Kosovës  në kuadër të një integrimi europian të ardhshëm.
Këtu, Projekti Europian kërkon të zbatojë skenarin Austriak. Madje ka nga ata në Kosovë që pajtohen plotësisht me këtë qëndrim.

Pra hipotetikisht na ekzistoka një gjuhë dhe një etni kosovare e ndarë nga ajo shqiptare. Prandaj me konsensus të ndërsjellë, Kosova duhet të marrë trajtimin Austriak.

Kjo tezë mund të rrëzohet thjeshtësisht. Po ta këqyrim mirë historinë e Austrisë, do të zbulojmë se konfliktet e hershme mes saj dhe Gjermanisë, vinin nga përplasjet e dinastive Hohenzollern dhe Habsburge.
Meqë Austria në ato kohë zhvilloi një luftë me Gjermaninë e dominuar nga Prusia, luftë që minoi ambiciet e krijimit të një Großdeutschland bashkë me natyrën multietnike të përbrjes së Austrisë.

Pas luftës së parë botërore, me rënien e monarkisë, pjesët gjermane të Austrisë kërkuan bashkim me shtetin amë. Fuqitë e mëdha e kundërshtuan këtë bashkim me traktatin e St Germain. Pra, një kundërshtim që vinte nga jashtë, me qëllim dobësimin e Gjermanisë.
Gjithashtu pas përfundimit të luftës së dytë botërore, bashkimi u kërkua sërish, duke u refuzuar. Në fakt, u deklarua se bashkimi i Austrisë me Gjermaninë, nuk do lejohej kurrë.

Me qëllim moslejimin e forcimit të mëtejshëm të Gjermanisë. Prapësëprapë, po të bëjme nje krahasim jo krejtësisht pa vend, zbulojmë se Austria është një shtet sovran me kompetenca të plota. Nuk është një Kosovë, aleatët europianë të së cilës ngrenë alarmin sa herë propozohet shndërrimi i forcës së sigurisë në ushtri të mirëfilltë. Kosovarizmi në këtë mënyrë propagandohet kryesisht vetëm sepse Projekti Europian në thelb nuk do tia dijë për çështjen tonë kombëtare.

Sigurisht që me këtë fjali ne nuk i vëmë vizën Europës, por vetëm këmbenguljes së PE-së për tu mos reformuar për së brendshmi. Askush nuk dyshon mbi përkatësinë europiane të Hungarisë, edhe kur kjo e fundit ngre krye kundër Brukselit.

Pse duhet ta barazojmë Europën me Projektin Europian?
Një Europë e vërtetë nuk eksporton demokracira. Ajo nuk ka nevojë tu imponohet vendeve periferike me konceptet e saj të së drejtës, qeverisjes, dhe politikës së jashtme. Prandaj edhe ne, nuk duhet të biem pre e komplekseve të inferioritetit, sa herë zyrtarët e huaj dërgohen këndej me plane afatgjata strategjike.

Kemi thënë në artikuj të mëparshëm se deri tanimë Europianët nuk kanë gjetur ndonjë gjë themelore që të mund ta bashkojë kontinentin drejt një qëllimi. Por të paktën orientimi mund të drejtohet kah Europës në bazë të përpilimit të një Ideje të vërtetë Europiane.

Vënia absolute e vizës megjithatë, na çon tek një skenar tjetër. Skenar me sytë nga Lindja.

Me sytë nga Lindja zakonisht kuptojmë kthesën turke, por siç e kemi shpjeguar në një artikull të mëparshëm, në korridorin e Ballkanit ekziston dhe një Lindje tjetër e injoruar deri më tani.
E injoruar për shkak të mungesës së nje tabani historik të përbashkët, së paku në suaza marrëdhëniesh kulturore ose politike të cilat kanë filluar të ngjizen pas mbarimit të luftës së dytë botërore.
Lindja e parë përbëhet nga ish-pushtues, dhe shfrytëzues të kapitaleve kulturore dhe fetare. Gjithmonë nëse besimtarët shqiptarë cilësohen si kapital, nga Lindja, jemi të sigurt që është kështu, pasi synimet janë gjithmonë politike. Në një krah qëndron Turqia e në krahun tjetër, Lindja e Mesme.

Vetë Lindja e Mesme ndahet më dysh, sipas specifikave të luftës së ftohtë në atë rajon. Arabia Saudite në një anë, dhe Irani në anën tjetër. Deri tanimë është provuar se Irani nuk do tia dijë, Arabia Saudite vetëm investon me vehabizëm, kurse Izraeli dhe Palestina ndodhen të kyçur në një konflikt për të cilin Shqipëria do bënte mirë të mos jepte mendim. Këtu do të zhgënjehen fort aktivistët tonë të djegur.

Nga ana tjetër qendron Turqia. Një fantazmë e vjetër që rrëshqiti 500 vjet nëpër trojet tona, edhe pse e stolisur me bizhuteri të tjera.
Turqia mund të konsiderohet si aleate e Shqipërisë vetëm nëse nuk kërkon të eksportojë produktin e vet kulturor dhe fetar, të çdo lloji.

Pra një Turqi Ataturkiste e pastër, që mundohet të Europianizojë vetveten, edhe pse në thelb Turqia ska si të jetë Europiane.

Një Turqi që luan me Ballkanin ashtu siç luante dikur, është e padëshirueshme për ne.

Duhet të bëhet e qartë se çështja kombëtare nuk mbaron me bashkimin e trojeve. Në fakt, një kombëtarizëm i vërtetë synon përjetësimin e kësaj çështjeje. Pra, për sa kohë qe kombi shqiptar përkufizohet si njësi gjeopolitike në arenën ndërkombëtare, busulla e vetme e orientimit për një të ardhme me zhvillim dhe mirëqenie të pandërprerë është kombëtarizmi. Nuk duhet synuar flijimi i kombit për narrativa të mëdha botërore.

Sigurisht që ka nga ata që mendojnë se pas bashkimit të trojeve, Shqipërinë e pret një e ardhme tjetër në kuadër të ndonjë internacionalizmi emancipues ose ndonjë globalizmi vetëshkatërrues  që kërkon të çlirojë botën nga prangat e kapitalizmit ose nga mësymjet e një poli gjeopolitik apo një tjetri që nuk na bie më qafë.

Në këtë rast u themi me plot siguri idhtarëve të kësaj pikëpamjeje, se busulla e tyre e orientimit, thelbësisht nuk është kombi, ai thjesht instrumentalizohet në kuadër të një narrative tjetër, më gjithëpërfshirëse. Gjithmonë nëse me gjithëpërfshirje nënkuptohet shpërbërja e strehës sonë etnike për hir të ndonjë përralle botëndryshuese.

Historikisht kemi vuajtur nga këto përralla. Pamundësia për tu vetëpërkufizuar gjithashtu ka kontribuuar shumë në krijimin e çerdheve përrallore nëpër tokën amë, që mungesën e vetëmjaftueshmërisë e keqkuptojnë si thirrje heroike për ti kapërcyer mendërisht kufijtë e tokës amë, e për të ëndërruar.

Për të ëndërruar se më së pari na takon të mbajmë mbi shpinë barrën e botës.
Çfarë kuptojmë me pamundësi për tu vetëpërkufizuar? Jo vetëm periudhat e gjendura nën pushtim. Por edhe ato raste kur inteligjenca ose nomenklatura ka qeverisur e shkarravitur në një diskrepancë totale me atë çka i është dashur popullit në të vërtetë.

Lojra të tilla, gradualisht e çojnë mendësinë kolektive nëpër rrugëtime skizofrenike dhe si pasojë, trauma të ngulitura fort në mendjen e njeriut shqiptar.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019