Eqrem bej Vlora – Lufta e Vlorës

Në prill të 1920-ës filluan goditjet e para kundër patrullave ushtarake të veçuara. Aksione të parëndësishme që u përpoqën t’i zhvlerësojnë, si të ishin ca përleshje bandash kusare. Pastaj, në maj, krejt papritur, ndodh rrethimi i kalasë së Tepelenës nga populli i Kurveleshit dhe i Dishnicës, dhe as një javë më vonë sulmi natën i banorëve të luginës së Shushicës kundër kampit shumë të fortifikuar italian të Kotës, i cili edhe u mor nga shqiptarët dhe u kushtoi italianëve një gjeneral dhe shumë oficerë të vrarë.

Me këtë u asgjesuan të gjitha dislokimet e rëndësishme pararojë të italianëve dhe rebelët erdhën dhe e rrethuan vetë qytetin e Vlorës. Si kishte qenë e mundur?! Si kishin arritur disa mijëra fshatarë që në dy javë t’i dëbojnë italianët nga një zonë prej 2000 kilometra katror, të zënë 3100 robër, 17 topa, dhe një mori armatimesh, municionesh dhe ushqimesh? E gjitha shëmbëllente me një çudi. Por kush i njeh shqiptarët nuk e ka të vështirë ta kuptojë këtë ecuri ngjarjesh. Përpjekjet e para të vogla kishin përfunduar me sukses. Kjo ua kishte rritur mendjen dhe kur edhe pikëmbështetjet e forta dhe të rëndësishme të Tepelenës dhe të Kotës u kishin rënë në dorë relativisht lehtë, optimizmi dhe entuziazmi i tyre nuk njohu me kufij.

Më 22 korrik ata sulmuan qytetin e Vlorës të mbrojtur nga 15.000 ushtarë dhe 200 topa, depërtuan brenda tij në dy pika, dhe u tërhoqën sërish vetëm kur hyri në veprim artileria e flotës. Shqiptarët nuk kishin artileri, madje dhe topat e kapur italianëve nuk dinin t’i përdornin. Duke vënë gunat e tyre mbi telat me gjemba ata kërcenin drejt e në llogore dhe atëhere italianët ia mbathnin dhe ua linin shqiptarëve pozicionet. Në krye të këtyre burrave luftonin heroikisht përfaqësuesit e shtresës së mesme, kaq të përçmuar prej meje.

Si shpjegohej ky ndryshim i papritur i karaktereve dhe vlerave? Fare thjeshtë! Lufta që ata bënin ishte “lufta e tyre”, ishte beteja për pozitën e tyre shoqërore, për pronat, për gratë e fëmijët e tyre, për nderin dhe mbijetesën e tyre, një përpjekje për jetë a vdekje!

Doemos edhe italianët dhanë ndihmesën e tyre për t’i detyruar shqiptarët të futen në luftë dhe të luftojnë kështu. Me atë dritëngushtësinë karakteristike dhe me padurimin e tyre, ata shfaqën kudo synime për të përvetësuar troje dhe toka shqiptare, ata i trajtuan shqiptarët me një përçmim shembullor dhe nuk mundën t’u përshtaten kodeve morale të këtij populli.

Një ditë kam dëgjuar me veshët e mi sesi një grup ushtarësh italianë i thanë, me zhargonin e ushtarit, një fshatari që kishte dalë për t’i pritur përpara shtëpisë së tij, disi të mënjanuar “Tu Albanese, avere sorella o figlia bella? Noi pagare!”

Shkak i mjaftueshëm ky për të kërcitur pushka, madje edhe më tepër sesa për vjedhje apo për vrasje.

Lufta për Vlorën vazhdoi e rreptë. As ditë dhe as natë nuk rreshti zjarri i pushkëve dhe gjëmimi i topave përmbi qytet dhe fshatrat përreth. Vapa ishte e padurueshme, re mushkonjash dhe mizash silleshin përmbi llogoret e ushtarëve, gjysma e të cilëve, të sëmurë nga ethet malarike, dergjej nëpër spitalet fushore. Sikur të mos mjaftonin këto rrethana tepër të rënda, banorët e qytetit u bënë pre edhe e dhunës së ushtarakëve italianë, të cilët dëshmonin kështu se e kishin humbur toruan.

Një ditë, në kopshtin tonë vërshoi një turmë prej qindra grash dhe fëmijësh, duke kërkuar aty strehë dhe mbrojtje nga ushtarët e harbuar që futeshin nëpër shtëpi dhe dyqane për të vjedhur dhe përdhunuar. Unë i pranova dhe njëherësh ndërhyra energjitikisht pranë komandës që këto veprime të turpshme të merrnin fund. Dy ditë më vonë popullsia e pafajshme e qytetit u ndodh përpara një mënxyre tjetër: të gjithë burrat, si të qenë bagëti, i mblodhën bashkë dhe me anije i internuan në Sazan. Pak më vonë, një e papritur tjetër: u dogjën shtëpitë e udhëheqësve të kryengritjes! Rreth 50 shtëpi të njohura u kallën flakë.

Italianët i kishte zënë paniku dhe tani nuk bëje dot bisedë të arsyeshme me ta. Unë për vete nuk po e kuptoja shkakun e vërtetë të mosveprimit dhe të shqetësimit të tyre. Ata kishin detin e gjërë prapa vetes, një epërsi të madhe ushtarake dhe teknike, mund edhe të prisnin vjeshtën me shirat e saj, përse pra po ia mbathnin? Përse tregoheshin kaq frikacakë para disa mijëra shqiptarëve? Që ata nuk ishin trima të mëdhenj, këtë ne e dinim prej kohësh, por hutimi i tyre i tanishëm ishte me të vërtetë i çuditshëm! Shkaku u mor vesh më vonë.

Në Itali, ishin grumbulluar njësi të shumta ushtarake, të caktuara për të përforcuar garnizonin italian të Vlorës. Por këto trupa kishin ngritur krye dhe nuk kishin pranuar të futeshin nëpër anije. Nën trysninë e propagandës socialiste dhe të rrymave disfatiste, qeveria Xholiti ishte paralizuar dhe u detyrua kështu, të hynte në bisedime me qeverinë e Tiranës për zbrazjen e Vlorës. Për të përfunduar marrëveshjen përkatës u ngarkua së pari, ish i dërguari italian pranë Princ Vidit, baron Alioti, që edhe ky gabimisht, mbahej si njohës i Shqipërisë.

Po kur qeveria e Sulejman bej Delvinës e ardhur tashmë në drejtim në Tiranë, e humbi durimin për shkak të taktikës së tij mistreve në bisedime, ai u thirr në Romë, dhe në vend të tij u dërgua konti Manxoni, me të cilin më, 2 gusht 1920, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje për zbrazjen e Vlorës nga ushtria italiane. Në 17 gusht trupat italianë u larguan nga qyteti dhe hipërn nëpër anije, më 3 shtator, “rebelët” fitimtarë dhe krenarë me të drejtë, hynë në Vlorë dhe e bashkuan krahinën e tyre me pjesën tjetër të Shqipërisë. Ata e kishin merituar këtë sukses.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021

Leave a Reply