Uniteti i paparashikueshëm: Reflektime gjeopolitike me Platonin dhe Schmittin. Pjesa I

Nga A. D. GJ.

Ngritja e mendimit gjeopolitik në gjirin e një shoqërie tregon gjithmonë një gjë: vendimin ekzistencial për të dalë nga gjendja e dobësisë dhe plogështisë së përgjithshme kulturore e politike. Përpjekjet modeste për të menduar mbi gjeopolitikën e Shqipërisë së tashme apo të ardhme tregojnë një vendim që po vjen duke u kristalizuar. Duke shpresuar për studime sistematike në të ardhmen e afërt nga mendimtarët e rinj, e konsiderojmë këtë shkrim si një kontribut modest në një fushë të mendimit që në njëfarë mënyre n’a lidh me një botëkuptim arkaik: atë të lidhjes me tokën.

Ushqimi dhe korrja e fuqive krijuese dhe formuese që mund të kanalizohen nga arkaiciteti i mendimit të orientimit të jetës duke u nisur nga toka, shfaqet si një mundësi edhe më pjellore për një popull të vjetër si shqiptarët. Në çdo rast, besojmë se disa prej reflektimeve të këtij shkrimi imponojnë vëmendje dhe thellim të mëtejshëm për kërkimet gjeopolitike shqiptare.

Shpesh dëgjohet nëpër bisedat informale se popullsia etnike shqiptare që ndodhet jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë nuk duhet konsideruar si urgjencë në termat e një bashkimi apo përfshirjeje tek shteti-zemër.[1] Argumentet për të janë disa por ai që mbizotëron është se dobësia e gjithanshme e strukturave shtetërore shqiptare si edhe plogështia e përgjithshme shoqërore e pamundësojnë projektin e bashkimit. Nga ana tjeter, edhe sikur mundësia të krijohej papritur dhe pa kushte, të njëjtat pamundësi e problematika do t’a kthenin këtë zgjerim e zmadhim të menjëhershëm në teatrin e një falimentimi katastrofik.

Për këtë arsye, makroanthropos-i i Novalisit duhet që jo vetëm t’a pranojë gjendjen e vetë si trung pa gjymtyrë por edhe t’a dëshirojë këtë gjë. Arsyeja për këtë dëshirim pervers që përpiqet të shfaqë trajta pozitiviteti është ajo e mundësive të shtuara që paraqet qenia shqiptare në disa shtete në arenën ndërkombëtare, pra, nëpërmjet aktivizimit në organizatat ndërkombëtare, marrëdhëniet ndërshtetërore, projektet rajonale, etj. Kjo pikëpamje i shikon shqiptarët e shteteve joshqiptare si leva të një politike më të gjerë të shtetit-zemër.

Duhet të themi se kjo qasje së pari, nuk i kushton rëndësinë e duhur faktit të dobësisë së shtetit qëndror të përmendur më sipër, në të njëjtën kohë që lë jashtë arsyetimit dobësinë e faktorit shqiptar në shtetet joshqiptare. Dobësia do të kuptohet këtu në raport me idenë e një politike më të madhe ndërlidhëse me këto gjymytyrë të ndara. Megjithatë, nëse do të kërkonim edhe një argument tjetër mbështetës për këtë qasje ai do të ishte: mbajtja e gjendjes si kohë e fituar për të fuqizuar shtetin-zemër.

Sigurisht që ky proces kërkon marrëdhëniet me këto gjymtyrë si ‘qarkullim gjaku’, në të njëjtën kohë që këto të fundit kthehen në një prej domosdoshmërive të bindjes tek fuqizimi. Nga ana tjetër, kjo pikëpamje është e pamundur të mbështetet më shumë se aq nëse marrim në konsideratë idenë e solipsizmit politik në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare.[2] E kemi fjalën për pamundësinë e njohjes me të njëjtën siguri dhe plotësi të shtetit tjetër në të njëjtën mënyrë si shtetin të cilit i përket. Në çdo rast një botëkuptim i tillë gjeopolitik vendoset nën shenjën e përkohësisë.

Nga ana jonë duam të reflektojmë mbi një qasje e cila ka të bëjë pikërisht me faktin se gjeografia politike e Shqipërisë vazhdon të jetë gjeografi shqiptare edhe përtej shtetit. Pra, nëse do përdornim terma më teknikë do të thoshim se në rastin e gjeografisë politike të Shqipërisë nomosi është më i gjerë se polisi. Për Schmitt “fjala greke shenjon të parën matje prej të cilës rrjedhojnë të gjitha kriteret e tjera të matjes, okupimi i parë i tokës me ndarjen dhe rishpërndarjen përkatëse në hapësire; nënndarjen dhe shpërndarjen origjinale, është nomos.”[3]

Origjina e së drejtës është ktonike për Schmitt. Tre modalitetet e saj origjinale shprehin drejtëpërdrejt këtë sens të tokës që e drejta mishëron. “Toka thuhet në gjuhën mitike nënë e së drejtës.”[4] Kësaj nëne i referohet edhe rrënja e trefishtë e konceptit të së drejtës sipas Schmitt. Këto tre momente janë esenciale për të kuptuar se e drejta e mëpasshme e kuptuar si ligj e që lidhet me konceptin politik të shtetit i referohet thelbësisht polisit dhe jo nomosit. “Në radhë të parë, toka pjellore përmban brenda vetes, në gjirin e vetë pjellor, një masë të brendshme.”[5]

Kjo masë ka të bëjë me drejtësinë e tokës që vjen si shpërblim ndaj punës njerëzore. Të mbjellat dhe të korrat përfaqësojnë procesin të cilin e kurorëzon drejtësia e tokës. “Në radhë të dytë terreni i ndarë dhe i kultivuar nga njeriu tregon në vijat e prera në të cilat bëhen të qarta nëndarje të përcaktuara.”[6] Në radhë të tretë, së fundmi, toka mban në dheun e saj të qëndrueshëm gardhet dhe kufizimet, gurët e kufirit, muret, shtëpitë dhe godina të tjera.”[7] Të tre këto momente shërbejnë si përfytyrime të rrënjës së trefishtë të së drejtës, së pari, në raportin e njeriut me tokën dhe më pas në atë mes njeriut dhe njeriut.

Në këtë mënyrë mitike dhe të shëndetshme të menduari ndihet qartë domosdoshmëria e të pranuarit të faktit të të qenit të përmbajtur dhe përqafuar nga toka, e cila është e banuar në gjirin e saj. Ende nuk jemi në kushtet e fuqizimit aq të madh të subjektit dhe vullnetit të tij sa të harrojmë se si qëndron radha e gjërave. Kështu, vetëm prej logjikës së nomosit si e drejtë e pashkruar dhe e pashkrueshme, por e mishëruar ontologjikisht nga ky raport thelbësor mes njeriut banues dhe tokës së banuar, mund të arsyetojmë drejt mundësitë gjeopolitike të Shqipërisë. Prandaj, le ta marrim termin e dytë në kuptimin e organizimit politik të shoqërisë dhe të parin në kuptimin schmittian të rendimit dhe lokalizimit hapësinor.

Nëse nomosi reflekton rendimin e dheut të banuar nga kolektiviteti i ‘miqve’, atëherë kategoria e mikut si përfshirëse e shqiptarit vërteton se polisi, ose shteti-zemër, nuk e redukton nomosin shqiptar tek organizimi politik, pra tek vetja. Kjo logjikë mundësohet prej konceptit të politikes të artikuluar po nga Schmitt. Në thelbin e vetë politikja dallon nga kategoritë e tjera morale, ekonomike, religjoze, etj. Në dallim nga antagonizmat përkatës për secilën kategori, politikja gjenerohet prej antagonizmit mik-armik. Elementët strukturorë të armikut në raport me mikun janë dy: vënia në diskutim e mënyrës së të qenit nga armiku dhe vullneti i tij për t’a shkatërruar atë. Të dy këto ndërlidhen në sferën legjitime të armikut, në publike. Armiku është i tillë vetëm kur është publik dhe është publik kur armiqësia e tij përfshin të gjithë kolektivitetin e miqve.[8]

Në këtë kuptim u tha më sipër se kategoria e miqve të kolektivitetit shqiptar shtrihet në një nomos që nuk shlyhet tek polisi shqiptar. Nomosi dhe polisi nuk përputhen dhe çdo armik i vërtetë publik, në rastin tonë do të ishte ai ndaj nomosit në të drejtë, edhe pse, pikërisht prej kësaj mospërputhjeje, përfundon të jetë vetëm ndaj polisit shqiptar. Pra, dyzimi që krijohet në vetë konceptin e armikut reflekton ngulmueshëm këtë mospërputhje midis nomosit dhe polisit.

Bibliografia:

  • Platoni, Republika, CEU & Shtepia e Libri Phoenix, Tiranë, 1999
  • Schmitt, Carl, Il Nomos della Terra, Adelphi, Milano, 2006
  • Schmitt, Carl, The Concept of the Political, The University of Chicago Press, 2007
  1. Le ta vazhdojmë këtë reflektim duke patur si pikënisje pikërisht shtetin-zemër dhe jo Republikën e Kosovës, i cili, pavarësisht se shtet i lirë, në kuadrin e madh gjeopolitik përfaqëson një gjymtyrë të shtetit-zemër. Dhe ndoshta rasti i Kosovës është edhe më i dhimbshëm përsaqë pavarësia e saj ende nuk arrin të përcaktojë vullnetimin e bashkimit.
  2. Për konceptin e solipsizmit politik dhe implikimet e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe themelimin e të drejtës ndërkombëtare mund të lexohet eseja që e trajton: https://brerore.al/2019/10/18/perpjekje-per-nje-mendim-te-se-drejtes-nderkombetare-publike-mbi-baza-solipsiste/
  3. Carl Schmitt, Il Nomos della Terra, Adelphi, Milano, 2006, f. 54.
  4. Po aty, f. 20.
  5. Po aty, f. 20.
  6. Carl Schmitt, Il Nomos della Terra, vep. e cit., f. 20.
  7. Po aty, f. 20.
  8. Për më tepër mbi raportin mik-armik si antagonizmi themelor i konceptit schmittian të politikes shih: Carl Schmitt, The Concept of the Political, The University of Chicago Press, 2007.
Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021