Parathënie mbi çdo gjeostrategji të ardhshme. Pjesa III

Rrëfenjat zotërojnë një të ardhme potenciale por jo një të shkuar. E tashmja për to është teatri i së ardhmes prandaj e shkuara duhet ti përshtatet kohës. E thënë më thjesht, historia është në rrezik. Sido që të jetë, vazhdimësitë fiksionale janë parësore në ndërtimin e një rrëfenje. Pika kyç e së shkuarës së rrëfenjës është “Epoka e artë” e saj. Supozohet se në të shkuarën çdo subjekt i një rrëfenje ka pasur një “Epokë të artë”, ku fati i entitetit politik pashmangshmërisht është ndërthurur me fatin e botës, me fatin e njerëzimit apo me një qenie hyjnore të papërcaktuar. Disa entiteteve këtë, nuk ua mohojmë. Për sa kohë këta trupa politikë kanë ndjekur rregullën e artë: Perandoria që arrin të parashikojë vdekjen e saj, rrëfenjat nuk u janë dashur e as nuk do mundeshin të merreshin seriozisht. Meqë rrjedha historike nuk mund të konsiderohet si një sërë kapriçiosh të fatit, na duhet ta shqyrtojmë thellë natyrën e “Epokave të arta”. Sikundër katër epokat e Hesiodit, Epoka e Artë simbolizon bollëkun e pamasë dhe jetën e gjatë e të rehatshme. Në Epokën e Artë, njerëzimi nuk i ndiente dhimbjet e jetës por vetëm pinte nga eliksiri i jetëgjatësisë, dhe kënaqej nga një natyrë me të cilën nuk ndodhej në armiqësi. Nëse ia bashkangjitim këto vegime të ëmbla trupave politikë, do na duhej të bënim një dallim të përvojave. Epoka e Artë, për perandoritë, dhe gjymtyrët e tyre, përbente një zbulesë të vetvetes.

Një zbulesë absolute, por gjithsesi me përmasa relative ndaj të tjerëve. Lufta për këto entitete perandorake përmbante një aspekt thellësisht mistik. Lufta ishte e “shenjtë” për aq sa kishte mundësi të ndërtonte një urë mes vdekatarëve dhe qiellores. Rendi ishte aspekti që bashkonte ambiciet e pjesshme drejt një qëllimi sipëror. Luftëtari Tradicional, pra, këtu merr trajtën e një kanalizuesi të energjive qiellore. E me të vërtetë, luftëtarët antikë e deri në mesjetë, mendonin se po luftonin për hir të diçkaje përtej materiales. Inkurajoheshin drejt kësaj rruge. Referenca për këto mund të gjeni tek teksti Hindu, Bhagavad Gita, tek dialogu i famshëm mes luftëtarit Arjuna dhe perëndisë Krishna, në islam, tek Xhihadi i madh dhe Xhihadi i vogël, tek kodi i Samurajve Japonezë, e deri tek kryqtarët Tempullarë. Mbizotëronin konceptet e një lufte të shenjtë.

Kur i krahasojmë këto fenomene me ditët e sotme, na duhet veç të shikojmë mirë të paktën shekullin e njëzet, me aparatet e tij të shkatërrimit në masë, me urinë e saj për shfarosje, bomba atomike, solucione kimike prej barbarësh etj. Ku do mund të gjente justifikimin luftëtari i kohëve tona?

Të ikim të pyesim Ernst Junger-in, ose më mirë tu marrim ndonjë intervistë mercenarëve të etur për gjak apo atyre që përpilojnë lloj lloj “luftrash të drejta” – koncept ky që me mbërritjen e modernitetit filloi të degjeneronte keqazi. Kështu përplaseshin perandoritë qëmoti, secila me nga një bllok rregullash lufte në xhep, që herëpashere edhe mund të thyheshin, por prapësëprapë e fundmja qëndronte e paprekur në horizont.

Këta të sotmit duan ta nxjerrin gozhdën me gozhdë, të shfarosin sa më shumë, potencialisht të jenënë gjendje të vrasin planetin e të zhdukin njerëzimin, pas kësaj etjeje për apokalips total, nga hiçi supozohet se do mbijë një Epokë e Artë. Kaq do mund të mjaftonte për të delegjitimuar vërtetësinë, si të pranishme ashtu dhe potenciale të rrëfenjave të sotme, shumë pretendojnë se luftojnë luftra të shenjta, veçse shenjtëria e tyre do ishte e denjë vetëm për ndonjë antikrisht.

Vetëkuptohet që Epokat e Arta nuk vijnë më për perandoritë. Ato ndodhin veç njëherë, e zhduken në rrjedhën e historisë. Perandoritë janë si organizmat, lindin, jetojnë, vdesin. Froni i rigjenerimit ruhet vetëm për njerëzimin në tërësi, natyra ciklike e historisë njerëzore na bën të mendojmë se diku në të ardhmen një cikël i ri mund të fillojë e bashkë me të, një Epokë e Artë. Një Epokë e Artë për të gjithë njerëzimin, e jo për ndonjë aspiratë rrëfenjash.

Pas këtij shpjegimi të shkurtër, na duhet ti kthehemi pyetjes që ngritëm në pjesën e dytë. A mund të ketë pole pa rrëfenja?

Si fillim le të kuptojmë shqetësimet e pyetësit. Populli jonë nuk njihet për rrëfenja. Nuk kemi qenë kurrë rrëfimtarë. Moti i Madh për ne ka përfaqësuar dëshirën për tu çliruar nga i huaji. Ky çlirim, nënkuptonte dëshirën për të jetuar, për të pasur një jetesë të brendshme, që më vonë të ishim në gjendje të mbijetonim në lidhje me të jashtmen. I kemi kursyer vetes mundimet e të pasurit në dorë çelësat e botës, e për pasojë, të duruarit e kësaj barre shumë të rëndë. Zbulimi i vetvetes, për kombin shqiptar është thjesht kompletimi i disa etapave zhvillimi spontan deri në mundësinë e të jetuarit si komb. Moti i Madh i Skëndërbeut i hapi udhë instancës parësore të jetës, që më tej të mundeshim të zhvilloheshim drejt së ardhmes po kështu. Kjo mundësi na u hoq për një kohë shumë të gjatë, por edhe sikur të donim të luanim rolin e viktimës, duhet të kuptojmë që në hartën e madhe të botës, nuk ka viktima. Ka fitimtarë, dhe humbës. Roli i viktimës jo vetëm nuk na shkon neve, por nuk i shkon askujt, në rrafshin e jetesës së brendshme. Pra kur themi që kjo është e drejta jonë historike, i mëshojmë “sonës”, pasi veç ajo na përket si e veçantë dhe jo e njehsuar me të drejtat e tjera. Të njejtën gjë mund të presim edhe nga kombet e tjera, që të marrë së bashku me veçantitë e tyre, përbëjnë një sistem të së drejtave unike. Deri këtu, qëndrojmë jashtë çdo rrëfenje.

Megjithatë, në këtë mori të së drejtash unike, diçka na bashkon me fqinjët tanë potencialë. Mbijetesa e përbashkët. Në arenën ndërkombëtare, sundimtarët e kanë kuptuar mirë domethënien e së famshmes “Përça e sundo”, kanë arritur të shfrytëzojnë momentet historike mirë e mirë, drejt kësaj udhe.

Meqë nuk pretendojmë se mbajmë çelësat e botës nëpër xhepa, na duhet diçka që na bashkon, qoftë për një kohë të shkurtër me copëzat e tjera të mbijetesës nëpër botë. Gjithashtu sipas një logjike gjeostrategjike, kjo bashkangjitje të mbijetuarish duhet të ndjekë medoemos rregullin e tokës. Rregullin e të tokëzuarës që shpalos vetveten nëpërmjet kushtëzimeve të jashtme. Këtu na duhet ta shqyrtojmë mirë hartën e Europës. Padyshim ndodhemi në këtë kontinent, e do ishte budallallëk sikur të mbështesnim të drejtat unike në anën tjetër të botës. Ana tjetër e botës me siguri kujtohet vetëm për veten e saj, dhe zotëron të gjitha aftësitë për të mbrojtur veten me pak dëshirë e durim.

Paraqesim këtu pra, modus operandi, mënyrën tonë të së vepruarit. Na duhet të mbijetojmë. Vetëm nëpërmjet mbijetesës, çdokush i ndodhur në këtë tokë e i mbartur prej kësaj toke mund të shprehë vetveten në lidhje me botën. E ardhmja jonë varet pikërisht nga mundësia për të shprehur veten.

Duke u rikthyer tek Moti i Madh, na mjafton të themi se vetveten e kemi zbuluar njëherë, prandaj nuk ia vlen të ëndërrojmë Mote të tjera të mëdhenj. Në rast se Motin e Madh do e kishim konsideruar si legjitimues të një krijimi arbitrar të kombit, do të ishte e kotë të vazhdonim më tej. Gjithashtu atyre që ëndërrojnë Mote të Mëdhenj, u themi se gabojnë, por nuk i fajësojmë. Është e thjeshtë të kapesh nga shkëlqimi i një epoke pa kuptuar se kohët ndryshojnë. E ardhmja nuk mund të ndërtohet shabllon nga e shkuara, por kjo nuk do të thotë se rigjetja e vetvetes është e pamundur. Na takon të rigjejmë, çfarë kemi lënë menjëanë përgjatë historisë, por jo të rikrijojmë, apo të krijojmë. Vetëm kështu do të jemi në gjendje të përballemi me të ardhmen. Diagnostikimi i së tashmes duhet bërë me urgjencë.

Poli pa rrëfenjë pra është poli i nevojës. I nevojës së kulluar, për mbijetesë, edhe i kushtëzuar nga sfondi historik përkatës.