Do të kthehemi mbrapa vetëm duke ecur përpara.

Pohimi “Ne jemi Ilirë” përçon një dëshirë të nënkuptuar. Thelbësisht është një dëshirë e dlirët, për pastërti. Është dëshira për një pastërti shpirtërore, përkundër tre periudhave të një mëdyshjeje të madhe identitare ndër banorët e hapësirës gjeografike që sot quhet Shqipëri, dikur quhej Arbëri, dhe ca më përpara kësaj ndodhej e administruar nga Perandoria Romake. Teksa Europa përpiqet t’i ngjajë e të krenohet sa më shumë me trashëgiminë e saj Romake, në Shqipëri mëdyshjet për të ardhmen thellohen përmes ndasive dhe hendeqeve kulturore dhe shpirtërore që deri më sot nuk kanë ofruar një themel homogjen dhe të njëmendtë, por vetëm një retorikë që synon të vonojë sa më shumë, datën e kobshme në të cilën Shqiptarët e botëve të ndryshme, do t’a ndajnë Shqipërinë njëherë e mirë në vija qytetërimore të trashëguara nga shekujt e kaluar.

Iliria është zanafilla e pastër e Shqipërisë së sotme. Ndonëse një zanafillë fisnore ku shteti modern ende s’pati zënë rrënjë, ku mbretëritë ndiqnin njëra-tjetrën, dhe ku Illyria Graeca, kandidatja më e mundshme e etnogjenezës Shqiptare ndodhej e mbërthyer nga një ndikim kulturor helenik, ajo prapësëprapë qendron në fillimet e kohës sonë. Në pastë Shqipëria një Adam dhe Evë, njerëz primordialë  të kohërave mitike, këta janë Ilirët, kurse pas tyre nis rënia.

Shqiptarët kanë ndërruar shumë tradita, i kanë shkëputur lidhjet me shumë qytetërime, prapësëprapë jemi ende këtu, ndonëse të ndryshëm nga arbrit, jemi Shqiptarë, por tanimë edhe kjo Shqiptari është e pamjaftueshme kur përballemi me të ardhmen.  Për rreth 108 vjet kemi qenë të lirë, nga dara qytetërimore, por jo të lirë nga dara ideologjike e shekullit të njëzet. Tashmë ndodhemi përsëri në një udhëkryq.

Albanologjia  jozyrtare në Shqipëri vuan nga një kompleks inferioritet i cili duhet ngopur me çfarëdolloj mënyre. Shqiptarët duhet të gjejnë tek historia, jo mësime, por një ngopje, që në fund të fundit na lë të kënaqur me veten tonë. Albanologjia jozyrtare kërkon t’ua lehtësojë vdekjën Shqiptarëve duke e përzier me mjaltë. Ne ishim ç’ishim dikur e tani s’jemi më, sepse degraduam ashtu siç vyshket një lule. Një opium i tillë ndjesor do të na e lehtësojë dhimbjen e një vdekjeje të ngadaltë, por nëse triumfi historik është opium, atëherë na vlen më shumë të jemi ai populli i humbur historikisht, që me mundime të mëdha gjallërohet dhe vërshon nëpër botë me fuqi mbinjerëzore.

Këto janë dy rrugët e reflektimit të Shqiptarit të sotëm. Njëra, e karakterizuar nga një melankoli e padobishme, synon vdekjen e lehtë, tjetra synon gjallërimin. Synon triumfin e vullnetit. Për rrugën tjetër, fuqia ngrihet ose ulet sipas zotësisë dhe vullnetit. Sërish mund të jemi Ilirë nëse me Ilirizmin nënkuptohet pastërtia e vizionit, një fillim i ri, një qartësi në vështrim, dhe jo një konflikt I brendshëm që s’dihet ku na çon.

Shqiptari I sotëm është I pamjaftueshëm sepse është I shqyer. Ndodhet në mëdyshje të mëdha. Tumori që na gërryen nga brenda shumëfishohet përmes individualizmit të skajshëm, si dhe klanizmave vulgarisht lëndorë nga njëra anë, dhe shprehimisht shpirtërorë nga ana tjetër. Klanet dyzohen. Njëri kërkon kënaqësitë mishtore të përkohshme, tjetri kërkon shpirtin e vet tek shpirti I tjetrit. Të dyja kërkojnë të mbushin një lëvozhgë të zbrazët që sot është shpirti Shqiptar I gjendur në udhëkryq nga mungesa e prodhimtarisë së tij. Prodhimtari anase, jo adhurim. Vetëmjaftueshmëri identitare, jo mercenarizëm.

Kemi pasur shumë fillime të reja, disa kanë qenë ideologjike, dhe disa shpirtërore. Ky ndërrim gjakrash, e ka shndërruar fjalën në Shqipëri në mekanizëm të çalë, pothuaj i pamundësueshëm për t’u ripërtërirë. Realiteti duhet kërkuar diku tjetër, aty ku ka ngelur i pathënë, por jo I papërjetuar. Duhet kërkuar tek kuptimet e fshehta të pohimeve apo mohimeve. “Ne jemi ilirë” do të thotë, ne jemi të pastër, duke rikujtuar e lajmë pisllëkun edhe për pak kohë. Aq sa mundemi.

Një frymë anglo-saksone që përshkon konservatorizmin Shqiptar, një tjetër frymë gjermanike përshkon kombëtarizmin, një frymë ruso-aziatike përshkon komunistët, kurse një frymë X përshkon Shqiptarin që i qëndron besnik vetes së tij. Pyetja qëndron, çfarë do të konservojmë? Çfarë duhet ruajtur? Ose më qartë, ku duhet të kthehemi në histori, në të cilin rast mbaron konservatorizmi dhe mbetet reaksioni.

Ka një reaksion otoman, ka një reaksion latin, ka një reaksion bizantin, të gjitha  bëjnë sikur janë “e djathta” edhe pse etiketa të këtilla nuk duhet të na shqetësojnë kur vrasim mendjen për të ardhmen tonë kolektive. Duhet të na shqetësojë përmbajtja. Edhe këto reaksione kërkojnë të kthehen diku tek e kaluara përmes një fillimi të ri. Çuditërisht edhe këto reaksione vetëm përmes një përmbysjeje mund të funksionojnë. Një përmbysje që nuk prodhon, vetëm adhuron.

Nëse fjalë të këtilla ju shqetësojnë, kujdesuni të mendoni mbi përmbajtjen e tyre, dhe jo tingëllimin nëpër veshë. Marksi merrej me proletariat, e borgjezi. Me kapital, e me materializëm historik. Ju sigurojmë që s’kemi kurrfarë lidhjeje me luftën e klasave. Kur të kujdeseni për të menduar mbi përmbajtjen e termave, dhe jo tingëllimin, do të kuptoni shumë gjëra.

Prandaj edhe kombëtarizmi s’ka si të jetë tjetër veçse revolucionar, e një kombëtarizëm revolucionar është ideologjia më radikale e kohëve tona.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021