Faktori i parë i çështjes së Kosovës është vetë statusi i saj si çështje. Pse trajtohet Kosova si çështje, dhe jo si fakt i kryer? Çështja në këtë kontekst si term është i këmbyeshëm fare thjesht me një tjetër, atë të një problemi. E parë kështu, Kosova është një problem – së pari për armiqtë e saj, së dyti për ata që mund të quhen faktorë frenues të një zgjidhjeje të plotë, dhe së treti, për çdo tjetërsues të vetë qenies shqiptare të Kosovës.
Përkufizimi i statusit të Kosovës si një “problem”, duket se kryhet vetëm në kuadër të kundërshtarëve të esencës së këtij trupi politik. Për anën tjetër të gardhit, zgjidhja ka qenë gjithmonë aty, në horizont, por rrethana të ndryshme historike dhe politike janë bërë pengesë e afirmimit absolut të Shqiptarisë së Kosovës.
Rrjedhimisht, ky afirmim absolut do t’i qëndronte besnike aspiratës së vërtetë popullore të materializuar në luftën heroike të UÇK-së, si dhe qëndresave të tjera më të hershme. Afirmimi absolut quhet Kombëtarizëm. Një qëndrim i cili nuk pajtohet me “zgjidhjet” gjysmake të palëve të tjera.
Kombëtarizmi Shqiptar funksionon mbi themele etnike – të cilat diktojnë përkufizimin e kombit si të tillë. Kemi një etni Shqiptare dhe një shtet amë – i cili nuk përfshin brenda tij deri më sot të gjitha gjymtyrët e kombit. Njëra prej këtyre gjymtyrëve është edhe Kosova, e cila në situatën e saj unike ndodhet e përfshirë në një luftë të brendshme, mes tre identitetesh konfliktuese, dy prej të cilave rrezikojnë zhbërjen e shqiptarisë kosovare, kurse e treta cilësohet e “rrezikshme” dhe “radikale”.
Natyrisht që situata e sotme unike vjen si pasojë e lënies në fuqi të klauzolave të Pakos Ahtisaari, e cila siç kemi përmendur në artikullin “Udha”, nuk është fort miqësore ndaj bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Por historia nuk mbaron me pakon Ahtisaari. Ajo fillon shumë kohë më përpara, por në kontekstin e gjetjes së një pike në histori ku shfaqet zanafilla e konfliktit trepalësh, mes Kombëtaristëve, Komunistëve dhe Ndërkombëtarizmit paqtues, pra në kohën e angazhimit të të gjithë spektrit politik në çështjen e Kosovës. Kjo do ta çonte analizën tonë shumë mbrapa në kohë, që në Luftën e Dytë Botërore. Por që ta lidhim argumentin fillestar me atë përfundimtar në mënyrë që tabloja të mos humbasë qartësinë dhe vijueshmërinë logjike të urgjencës së kësaj analize, kësaj here do të fillojmë me pozicionet përgjatë luftës së Kosovës për liri nga Serbia e Millosheviçit.
Këto tre pozicione nënkuptojnë dhe praninë e tre identiteteve. Ndërkombëtarizmi paqtues, me ngulmimin e Kombëtarizmit arriti të ndryshojë pozicion sadopak, përgjatë viteve. Prandaj dhe sot gjendemi në situatën e Pakos Ahtisaari, dhe jo të Marrëveshjes së Rambujesë. Mjaftoi pra një kundër-presion politik për të zhbërë presionin fillestar.
Marrëveshja e Rambujesë ishte pikënisja e presionit fillestar për pranimin e njërit prej identiteve potenciale për Shqiptarët e Kosovës.
Më poshtë kemi disa nga direktivat e kësaj “marrëveshjeje” që veç e tillë nuk ishte.
“-Duke pasur parasysh se ruajtja dhe promovimi i identitetit nacional, kulturor dhe gjuhësor i secilës bashkësi nacionale në Kosovë janë të domosdoshme për zhvillim harmonik të shoqërisë paqësore.
-Me dëshirë që përmes kësaj Kushtetute të përkohshme të formohen institucionet e vetëqeverisjes demokratike në Kosovë bazuar në respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe prej kësaj marrëveshjeje, prej të cilave dalin organet e qeverisjes që përfshihen në vijim.
-
Republika Federale e Jugosllavisë mban përgjegjësi në Kosovë për fushat vijuese,përveç nëse është përcaktuar në vend tjetër në këtë marrëveshje: (a) integriteti territorial, (b) ruajtja e tregut unik brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, pushteti i së cilës do të ushtrohet në mënyrë të tillë që të mos bëjë diskriminimin ndaj Kosovës, (c) politika monetare (ç) mbrojtja, (d) politika e jashtme, (dh) shërbimet doganore, (e) tatimet federale, (ë) zgjedhjet federale, dhe (f) fushat tjera të përcaktuara me këtë Marrëveshje.”
Delegacioni i atëhershëm i përbërë nga Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Veton Surroi, u shpall unanimisht në favor të kësaj instance të parë për t’i dhënë fund dimensionit etnik të çështjes së Kosovës pa filluar punët mirë. Ky veprim u bë edhe duke marrë në konsideratë që Rambujeja nuk parashikonte mundësi për referendum të shqiptarëve të Kosovës.
Mund të thuhet se këto klauzola të Rambujesë bëheshin në kuadër të legjitimimit të ndërhyrjes së NATO-s në punët e një shteti sovran si Jugosllavia. Aspekti humanitar i ndërhyrjes, jo vetëm që përjashtonte mundësinë e përkufizimit të çështjes si problem etnik, por edhe i jepte NATO-s vetëm përgjegjësi mbikqyrëse në territorin e Jugosllavisë e cila praktikisht asokohe ishte Serbe.
Nga ana tjetër, qëndrimi kombëtarist mori formën e kundërshtimit të krahut të luftës, i përfaqësuar nga veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Adem Demaçi deklaroi se Rambujeja ishte thjesht një fiasko, një leukoplast i përkohshëm me pasoja afatgjatë dërrmuese për çështjen shqiptare. Duke thënë kështu, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, Demaçi nënkuptonte se ishte gati për ta kthyer Ballkanin në një fuçi baruti të stërmadhe, ku lufta nuk do përfundonte kurrë përveçse me arritjen e pavarësisë së Kosovës pa kushte, dhe mbase me 50.000 të vdekur në fushëbetejë dhe destabilizim të mëtejshëm të situatës për vitet në vazhdim. Skenar ky që pacifisti Rugova nuk e pranoi, por që në radikalizmin e saj shfaqte një kundër-presion shumë të rëndësishëm për mbajtjen gjallë të rrugës Kombëtariste.
Më pas, triumfoi rastësia. Serbia e Millosheviçit refuzoi Marrëveshjen dhe më pas ndodhi ndërhyrja e NATO-s.
Me dorëzimin e Serbisë, u arrit Marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar nga Michael Jackson dhe Nebojsha Paçkoviç. Kësaj here Serbia e gjendur në prag të katastrofës përfundimtare u detyrua të pranonte. Më pas hyri në funksion famëkeqja Rezolutë 1244, por që kësaj here nuk përfshinte më prani të trupave serbe në Kosovë dhe kontroll të doganave e kufirit nga ta, por nga një mision ndërkombëtar, nga KFOR-i. Megjithatë, pika e fundit e Rezolutës theksonte akoma ndjekjen e vijës së Rambujesë për autonomi të Kosovës brenda Serbisë, dhe jo pavarësi.
Deri në atë moment, komiteti ndërkombëtar i paqes dhe i humanizmit kishte bërë disa hapa.
Hapi i fundit erdhi me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. Rrugëtimi i pozicionit të parë, atij Ndërkombëtaro-Paqtues nisi me një shpërfillje totale të dimensionit etnik të çështjes kosovare, dhe përfundoi në një fenomen që sot quhet Kosovarizëm, apo shpikja e një kombi kosovar e një gjuhe kosovare. Sërish me zhbërje të shqiptarisë së Kosovës, edhe pse e lehtë.
Nga e gjithë kjo histori, fraksionet e para dhe pas luftës, arritën të ndahen në pozicionet e sotme. Kombëtarizmi, i cili kërkon bashkim të Kosovës me Shqipërinë, de-fakto dhe de-jure, Kosovarizmi, që kërkon bërjen e një Austrie të re në Ballkan pa kurrfarë arsyeje, por si për çudi, edhe një krah i tretë. Ai komunist.
Krahu komunist, në kundërshtim me krahun Kombëtarist, kërkon nje nxjerrje jashtë lojë të argumentave etnike të çështjes së Kosovës, duke paraqitur me optimizëm po aq naiv sa dhe pacifistët, e mbase me një mazokizëm që u ka shkuar për shtat që në kohërat e Dushan Mugoshës dhe Mlladin Popoviçit, mundësinë për “pajtim mes popujve” Shqiptarë e Serbë, dhe duke ofruar një mundësi të çuditshme, ekzistokan serbë të mirë dhe serbë të këqinj. Historia na ka mësuar që edhe serbi më “i mirë”, i preferuari i tyre, Tito, nuk lejoi krijimin e Republikës së Kosovës brenda Jugosllavisë. Andaj, pse duhet të presim që Serbia të nxjerrë të mirët e saj?
Ky qëndrim ekstremist dhe shpërbërës i shqiptarisë së Kosovës, shkon deri aty sa thotë që veprimet e NATO-s donin ti shkonin në ndihmë Millosheviçit dhe jo thjesht te mjaftoheshin me një ruajtje të interesave strategjike të Europës në Ballkan dhe garantimin e paqes dhe stabilitetit, që fundja kërkohet nga Europa dhe Amerika për interesat e tyre, ashtu si çdo shtet tjetër punon për interesin e tij, përfshirë këtu dhe Serbia, si me të mirë e me të keq.
Humanizmi i krahut komunist kërkon ta shpallë vetveten si të vërtetë, duke etiketuar humanizmin e krahut të NATO-s si hipokrizi. Këtu biem në një kontradiktë të thellë. Humanizmi i Ndërkombëtarizmit Paqtues, në fund të fundit, do thjesht paqe, dhe jo favorizim absolut të ndonjë etnie mbi një tjetër.
Kurse humanizmi i komunistëve, të cilët në shqetësimin e tyre për mbarë njerëzimin, harrojnë madje dhe vetë popullin e tyre, na dashka daljen e NATO-s dhe Amerikës nga Kosova, por vetëm në kuadër të një “pajtimi” mes Serbisë dhe Kosovës, por asgjëje më tepër. Disa të tjerë shkojnë akoma më larg, në promovimin e një Federate Ballkanike në frymën e Jugosllavisë, një propozim ky i Maoistit Francez Alain Badiou dhe i ndjekur nga ca dishepuj të tij.
This blog post has been Digiproved © 2020