Simptomatika e një Referendumi

Nëse “Zoti në qiell dhe Amerika në tokë”, ka ndonjë vlerë përtej ftesës për tu përulur, atëhere kjo vlerë duhet të marrë trajtën e një vështrimi të thellë mbi rrjedhën e ngjarjeve që na sollën deri në presionin e pesëshes ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të një shteti tjetër, në territorin e Kosovës.

Zoti është në qiell, dhe së paku duke u nisur nga spekulime të natyrës teologjike dhe metafizike, mund të bindemi për qenien e tij atje lart, i plotfuqishëm, i pazhvendosshëm dhe i pandryshueshëm.

Idhtarët e postulatit “Zoti në qiell dhe Amerika në tokë” shpesh e harrojnë se çështjet e këtij dheu, së bashku me vargun e fuqive të mëdha dhe rrëfenjave përkatëse ndryshojnë shpesh, në mënyra të paparashikueshme. Hegjemonia e një shteti ndodhet në varësi të aftësisë për të mbërthyer së toku ndryshore të panumërta. Hegjemonia është e përkulshme, deri në thyerje. Prandaj edhe vetë postulati disa herë është realitet, disa herë të tjera është qëllim.

Le ta vështrojmë pra botën përmes tejqyrës së Amerikës. Deri dje fronti shtrihej deri në Lindje të Mesme, kurse sot rreziku vlon në Lindjen e Largët. Pashmangshmëria e ngritjes së leviatanit kinez u bë e qartë sapo Donald Trump gjeti rehat në ulësen presidenciale. Dikush mund të thotë se kjo përgjigje ndaj dragoit të lindjes erdhi më vonë nga ç’duhej.

Aleanca delikate ndërmjet Kinës dhe Rusisë ka arritur një pikë kritike dhe tashmë Rusisë i duhet të zgjedhë. A i duhen bërë lëshime Kinës në pjesën lindore të Rusisë të banuar pothuaj nga gjysmë milion kinezë? Si do t’i bëjë ballë Rusia ekonomisë tejet dinamike kineze? A është i mjaftueshëm bashkimi ekonomik euraziatik i përqëndruar rreth Staneve të Azisë Qendrore?

Rusia përballet me telashe kudo. Bjellorusia dhe Ukraina janë ngjeshur ndërmjet një Europe të pafuqishme nga njëra anë, dhe një Rusie të uritur nga ana tjetër. Rusia ka arritur të krijojë një trekëndësh të rrezikut që për nga vetë natyra e saj vektoriale, i shemb të gjitha pritshmëritë Europiane në suaza të menaxhimit të riskut pa flijuar ndokënd. Tokëzemra Ruse në mënyrë tejet klasike kërkon me ngulm marrjen nën kontroll krahas Bjellorusisë edhe Ukrainën, kjo drejtëz pastaj takohet me Bosnjen në Ballkan, kurse pamundësia e Rusisë për të luftuar njëherazi Amerikën dhe Kinën, prodhon dilemën Amerikane. Të gjithë po reagojnë ndaj Kinës. Kina vazhdon godet, ndërsa Rusia e nginjur në gjeo-eskaton-in e Romës së Tretë nuk ka rrugë tjetër veçse të kërkojë një afrim me Amerikën.

Vendimi i pesëshes së madhe në lidhje me situatën Kosovë-Serbi në Ballkan buron pikërisht nga kjo dilemë në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve me Rusinë. Fuçia e barutit u ndez në Lindjen e Largët, pasojat po ndihen edhe në katundin zevzek Ballkanik.

Disa njerëz nuk duan t’i diskutojnë këto çështje, sepse ngopja me delegimin e përgjegjësive të një rangu kombëtar në rang ndërkombëtar, i ka tredhur.

Vendet e rrezikuara të Ballkanit ranë në një gjumë letargjik teksa Serbia zbatonte ku mundej atë politikën e jashtme trekolonëshe e të zhdërvjellët.

Epo siç thonë edhe vetë Amerikanët, “Shit happens!”.

Mungesa e një strategjie kombëtare, bashkangjitur shpresave të kota të një zgjidhjeje që supozohet se duhet të vinte nga Bashkimi Europian, na kanë sjellë deri në situatën e sotme, që në rrethana të tjera do kish qenë një situatë e parashikueshme. Mirëpo ato shtete të Ballkanit që janë legjitimuar me ndërhyrje nga jashtë, të yshtur edhe nga dora bamirëse e çlirimtarëve të huaj, nuk menduan dhe aq shumë për vete, sa jashtë vetes dhe madje kundër vetes.

“Falë Zotit shpëtuam!”

Dihej që Status Quo-ja në Ballkan nuk mund të zgjaste përgjithmonë. Bashkimi Europian, në vend se t’i ndihmonte shtetet e rrezikuara për t’u vetëqeverisur, vazhdoi të ripohonte me forcë idenë e status-quosë, parim i cili themeloi atë shtet delikat të Bosnjes që sot rrezikon zhbërjen.

Vendimi i Qeverisë Kurti në lidhje me referendumin është padiskutim i drejtë. Mbetet për t’u parë nëse Kurti do t’i shkojë këtij vendimi deri në fund, apo do të ulet sërish në tryezën e kompromiseve të dhimbshme. Fundja, tendosja e marrëdhënieve me pesëshen e të mëdhenjve ia vlen të kryhet, gjithmonë sipas parimit “tërhiq e mos këput”. Le të shohim sa vlen përnjëmend miqësia Shqiptaro-Amerikane kur vetë Amerika e ndjen afrimin e fundit të unipolaritetit.

Presioni i pesëshes tregon që vetë sovraniteti i Shtetit të Kosovës është i rrezikuar nga prishja e balancave gjeopolitike të botës. Këtu s’po flitet as për çështjen Shqiptare në Kosovë. Po flitet për sovranitet minimal të Kosovës. Sot për sot, Kosova është e fundit në listën e prioriteteve të Amerikës. Ky fakt duhet të na i hapë sytë njëherë e mirë. Pax Americana nuk ekziston më, ndoshta do të zëvëndësohet nga Pax AmeRussia. Me zbatimin e këtij skenari betimi “në të mirë e në të keq” e humb vlerën, në mënyrë të dyanshme.

Nga ana tjetër, do ishte mirë që opozita në Kosovë të mos e trajtonte rivalin si armik, të dakordësohej me rezolutën, duke i dërguar kështu një mesazh të prerë pesëshes së të mëdhenjve.

Mesazhi i kapërcimit të rivaliteteve partiake për hir të ruajtjes së sovranitetit shtetëror do ishte një shkëndijë shprese e rëndësishme për këdo që mendon se partitë në Kosovë janë thjesht bajraqe të kyçura në beteja të vazhdueshme, pra me një fjalë, Kosova nuk ka shtet.

Ndonjë që i kundërvihet kësaj ideje për kapërcim të rivalitetit, ndoshta shpreson se Amerika do ta rrëzojë Kurtin për ta zëvëndësuar me partinë që kryeneçësisht qëndroi krah Amerikës edhe në momentet e saj më të këqija.

Deri më sot kemi fjetur. Ka ardhur koha për t’u zgjuar. Duhet të zgjohemi dhe të kuptojmë se përnjëmend ndodhemi në luftë.

Data e sotme është dyfish e rëndësishme. Sot “përkujtojmë” Masakrën e Reçakut, dhe shpresojmë të mos harrojmë se e nesërmja përkon me mbajtjen e referendumit në Serbi, referendum thelbësisht i rëndësishëm për “rrugën europiane” të Serbisë, të cilën kjo e fundit rreket ta çelë së pari duke vënë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës, dhe së dyti duke ia hedhur edhe një vickël tjetër Amerikës së hutuar nga zhvillimet jo pak shqetësuese në Lindjen e Largët.

Duhet t’i thërrasim mendjes.

 

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2022