Prekja e vrazhdë

“Maja e gjilpërës i sëmboi në shpirt. Tashmë e dinte që nuk kishte më kthim mbrapa. Ishte çapitur deri në qendër të vaksinimit me gjysmë-zemër, dhjetëra herë kishte menduar të kthehej dhe të përballej me katër muret, ose të përpiqej me “armikun” e padukshëm si kafsha e plagosur në prag të vdekjes. Asgjë s’është e sigurt, tha me vete. Teksa dëgjoj zhapëllimën e hapave të mi, diku në botë, dikush jep frymën e fundit, dikush tjetër përjeton vdekjen e të afërmve. Pavarësisht kësaj, bota rend pas ruajtjes së zinxhirëve të furnizimit. Dikush vdes në shtratin e spitalit, i vëzhguar nga një doktor i mbuluar kokë e këmbë prej materialesh jo-njerëzore. Dikush vdes në rrugë. Dikush përpiqet të fusë ajër në ato dreq organesh të palosura. Me siguri që shumë të tjerë nuk duan të mendojnë, të reflektojnë, të komunikojnë. Derisa ndiejnë majën e gjilpërës në lëkurë”

Shqiptarët po s’e ndjenë shtetin në lëkurën e tyre, e harrojnë se ekziston. Shteti ndjehet në lëkurë si prekje e vrazhdë e një rojtari që unin tim kërkon ta menaxhojë dhe ta lidhë pas vetes. Shteti përtej këtyre prekjeve të vrazhda zëre se nuk ekziston. Ai shtrihet në hapësirë për sa kohë nuk më prek, në kohë për sa kohë që më prek. Hapësirën shteti mund ta dhunojë e ta bëjë armike timen, por dheu nën këmbët e mia nuk i përket kujt, vetëm Zotit.

Shteti mund ta përmbushë rolin anti-shtet sa të dojë, mund të ma popullojë ndërgjegjen me shtatëdhjetë e dy mijë identitete gjinore, imazhe të të huajve nëpër rrugë, maliq që zëvëndëson ligjin pikërisht ngase shteti është maliqi kryesor.

Ekzistojnë dy momente. Shteti e drejton individin si të pandashëm, për tek tregu, ku si individ apo shoqëri individësh, unë do të marr hakën time. Edhe kur shoqërizohem në kuadrin ligjor me individë të tjerë, sërish haka do jetë e imja.

Viruset nuk i nxjerr dot nga zona e papërcaktueshmërisë, por e di që unë vazhdoj të jem. Shthurja që tregu kryen mbi mua dhe mbi të tjerët si unë, por jo unë, më bën të kruaj kokën por haka e dhënë m’i largon këto mendime.

Jam unë, dhe me të tjerët mund të ndaj vetëm këtë hapësirë-kohë. Nuk i frikësohem tullës që më bie mbi kokë, apo makinës që më çon në përtejbotë, por vetëm atij vendimi që buron nga vetja ime dhe që më çon drejt fundit. Fundi, herët a vonë do të vijë, por jo sot. Le të vijë nesër, pas një jave. Duhet të jetoj gjersa jeta të më lodhë dhe të dëshiroj fundin.

Në instancë të parë ky shtet na lidh pas tregut, tek tregu gjejmë vertikalen e kësaj bote, rrugën për lart. Në instancë të dytë, shteti na lidh me sëmbimin e gjilpërës. Kolektiviteti i individëve të lidhur me tregun, rikthehet tek individi përmes gjilpërës me majë, prej së cilës derdhet e panjohura në trupin tim. Shtetin s’e ndjeva kur ma shpërfytyroi kujtesën dhe ma hoqi shpresën, por vetëm kur më preku vrazhdësisht.

Prej kolektivit të individëve kthehemi tek individi, dhe po si individë bëhemi “qëndrestarë” kundër shtetit që dashka të na fusë në vathë e të na trajtojë si dele! Unë s’jam dele! Unë jam individ! I pandashëm, s’ndaj dot gjë me të tjerët, as gëzimet e as hidhërimet, por mbi trupat tanë gjarpëron hija e reshtjes së qeni, kjo na bashkon edhe pse përkohësisht. Duhet të vazhdoj të jem që ta blej atë makinën për inat të fqinjit.

Qerrja pas kalit.

Kali pa kalorës.

Gërdallë.

“Deri dje ai prekte i përhumbur dimensionet e botës, me sy të skuqur nga thasët me shkronja të futura në tru, ide, koncepte, madhështi dhe tragjedi. Derisa i thanë të shtrohej përmes punës. Nisi të punonte e të shtrohej. U shtrua e u shtrua gjersa u bë tapet”

Jemi të sigurt se çdokush ka dëgjuar mbi Apologjinë e Sokratit, ndoshta ka shijuar pasazhe të caktuara. Shumica ka shijuar orvatjet e Sokratit Platonik për t’u shfajësuar ndaj gjyqit. Ata e kanë hapur gojën derisa nofullat u kanë dhembur, të mahnitur…ah, të mirët ikin shpejt.

S’është kjo botë për të mirët, është për atë lloj të mirësh që dinë të jenë më të këqinj se të këqinjtë.

Nga fundi Sokrati i Platonit përsiat mbi dy mundësitë e vdekjes. Vdekja që çel rrugën e shtegtimit të shpirtit, dhe ajo e dyta që nuk e mendojmë aq sa duhet. Vdekja që na bën hiç. Hiçi na tmerron. Ndërgjegjia resht së qeni dhe vdekja na zhyt në një gjumë të thellë e të pafundmë.

S’lindi ky intuitim mbi vdekjen me revolucionin francez. Ky intuitim do ketë ekzistuar që prej fillimit të jetës së parë – njerëzore. Vdekja është e imja. Vdekja është vetjake, nuk e ndajmë dot me të tjerët. Intuitimi mbi vdekjen që sjell problematizimin e hiçit në mendim na shpie tek një përfundim tjetër. Kemi ardhur nga hiçi dhe atje do të shkojmë. “Jeta…nji lojë”, thoshte Hilush Vilza. Prej kësaj vjen tmerri, edhe ky i ndjerë së pari në lëkurën time. Mbetem i pandashëm.

Hiçi do na sjellë forcë, ose do na sjellë atë vetëdijen mbi lojën. Të hamë, të pimë e të këndojmë. Qielli s’mbaron, kulm nuk ka. Ja që s’qenka dhe aq e thjeshtë.

Individ – Individuum – I pandashëm.

Shënim: Nuk marrim dot përgjegjësi mbi vete të flasim në vend të mjekëve, në vend të epidemiologëve, në vend të specialistëve. Specialistët duhen, shkenca është proces që zbulon përgjatë udhës, jo bibël e zbritur nga lart. Le të flasin mjekët, për implikimet tepër praktike dhe tepër vetjake të vaksinimit, ose jo. Vendimet janë vetjake, por pasojat kolektive.