Jemi miq të vjetër, i dashur këndonjës! Nuk e di në më njohe. Më mban mend? Shiko, po rri në prag dhe mënoj të hyj brenda. Kështu bëjnë të gjithë të dashurit tanë, kur kemi kohë të gjatë pa u pjekur. S’guxojmë të dëftehemi menjëherë.
Vitet lënë shenja mbi fytyrat: flokët zbardhen, cipa rrudhet, shpeshherë dhe njeriu kërruset. Po janë dy sende, që më të rrallë ndërrojnë: sytë dhe zëri.
Më njohe tani? Eja pra. Jam ai i pari: me atë shpirt dhe atë frymë. Dua më pak se çdo send të jemi miq dhe shokë bashkë. Të kemi besim të njëri-tjetri, të jemi të lidhur me besë, për çdo gjë të mirë apo të keqe. Dëgjomë mua. Është vërtet një fat prej qielli të ketë robi një dorë miqësore, që të mund ta mbajë në pikëllim, që t’i kërkojë ndihmë dhe këshillë. Këtë ndjenjë kam dashur të të inspiroj, se kështu me ndjen zemra: jam i sigurt se rrojmë në kungojkë të ngushtë.
Them se vij tek ti me atë frymë që kam pasur dhe kërkoj të pjek shpirtin tënd në palët e lartë të kësaj jete, në atmosferën e kulluar të qetësisë dhe dashurisë. E di që kjo rrojtje s’është kurdoherë e ëmbël: udha në të cilën ecim, ka më tepër gurë se bar të njomë dhe dritën shpeshherë e mbulon errësira me pluhur. Çastet e gëzimit janë më të pakta se orët e brengës. Gjëllimi është një vuajtje.
I lumtur ai që di udhën qysh ta bëjë pak më të lehtë. Nuk dëshiroj lumturinë negative, që na premton filozofi i Hindusë, nirvana e mohimit, por atë kënaqësi, mbase më pak qiellore, që në të vërtetë rrjedh prej vullnetit tonë, bërë prej përpjekjes sonë të çuditshme, prej durimit që dëftejmë në sforcimet, për të bërë detyrën dhe ndjekur një qëllim.
Qetësia e shpirtit s’gjendet veçse në shkallët e sipërme të këtij vullneti. Ngjit atëherë këto shkallë. Mos rënko në thellat e zeza, ku të mban lënda. Çliro ngaherë mendimin dhe mbaje të lirë. Sa më lart të jesh, aq më larg të sheh syri dhe aq më mirë dhe më kthjellët zbulon njeriu bukuritë.
Larg shtrëngatave dhe stuhive kërko një prehje për mendjen tënde, një lehtësim për vuajtjen. A e gjejmë dot, kur të duam këtë rreze dielli, që të na ngrohë zemrën, të na shërojë plagën? Po ditëm ta kërkojmë, padyshim do të na përgjigjet.
Kërko, them, lumturinë tënde në sferat e larta të jetës. Ki një ideal në këtë botë, dhe mbaje me kujdes idealin. Lutju Perëndisë të çelë për ty thesarin e bukurive dhe të mirësive.
A ke mbetur ndonjëherë në t’errët, në kohë gjëmimi dhe rrufeje? Të ka ndjerë zemra tmerrin e natës pa zbardhëllim që të duket se nuk ka të mbaruar? Pasta, përnjëherë një dritë shpon natën e egër dhe zemra jote ndien një ngushëllim dhe një shpresë.
Kërkoje këtë rreze që i jep shpresë dëshpërimit, që t’i rrëfen të bukura ngjyrat e kësaj jete. Kërkoje me vullnet dhe me besë, se u rrëfehet vetëm atyre, që kanë entuziazëm në gji. Atyre që kënaqen me jetën ashtu si e gjejnë, që s’dinë të bëjnë një hov drejt lartësive, pë rata që qielli është kurdoherë i vrenjtur.
Mirësia është një kënaqësi dhe kënaqësia është lumturi. Fito për veten tënde virtytet e larta dhe do të jesh më pak fatzi, do të vëresh një lehtësim në brengat, që të shtypin kraharorin.
Ki besim te përparimi dhe përmirësimi i brendshëm. Ji i sigurt se virtyti dhe cilësitë fitohen fort lehtë, kur të duam. Dhe atje është ilaçi kundër dëshpërimit, atje buron fuqia e zemrës.
Lartëso shpirtin, forco karakterin, kullo moralin, ushqe një ideal të lartë, që të kesh madhëri të shpirtit, që të gjesh ushqimin, i cili të zbukuron jetën.
Kërko për kombin tënd këtë madhëri dhe mbruj për të shpirtmadhësinë. Dhe më parë se nga çdo gjë bëhu një shembull i gjallë. Në ndjekje të një qoku të mirë dhe të shkëlqyer për ty dhe për kombin tënd, kërko kënaqësinë e shpirtit. Atje gjej ngushëllimin, atje vëre sedrën dhe nderin tënd të vërtetë, larg lajkave dhe mdhërive të gënjeshtërta të njerëzve, që s’kanë forcë në karakter.
Nuk të këshilloj vuajtjen. Përkundrazi, të dëshiroj lumturi dhe bekimin e vërtetë. Po edhe dua që këtë fat të bardhë ta kërkosh me vullnet në të mirën e drejtë, në virtyt dhe ideal, në kënaqësinë, që na jep të mbushurit e detyrës me ndërgjegje të qetë dhe të panjollë. Dua që lartësi e shpirtit të të shtojë dhe madhërojë lumturinë; po edhe prapë, kjo madhëri e frymës, të të pakësojë dhe lehtësojë vuajtjen tënde, të bëjë që të të duket e qetë fatkeqësia.
Për miqësinë që kemi bashkë, i dashuri im mik, tani dua prej teje një therori të vogël: të më shogrosh pesë minuta, çdp mbrëmje pa të zërë gjumi. Dua që në këto pesë minuta të bësh një pyetje me veten, të bësh një hetim në shpirt dhe zemrën tënde: Ç’të mirë bëre? Ç’të keqe punove? Kërko, rrëmo, shiko dhe vëre re: do të gjesh edhe të mirat, edhe të metat. Përpiqut të shtosh të parat dhe të pakësosjh të fundit, për kënaqësinë tënde, jo nga frika endokujt, as nga ndonjë shtrëngim. Sprovo këtë ushtrim dhe, besmë mua, do të jetë një dëfrim me gaz për ty, do të jetë një fuqi për frymën tënde.
Pastaj bëje këtë therori edhe në një shkallë më të gjerë: pyet veten tënde ç’të mirë i prure Kombit dhe Shqipërisë, me ç’mënyrë u bëri i dobishëm për ta, nga ç’rasje dite të fitosh dhe cilat rasje të tjera të shpëtuan prej dore? Ç’dëm munde t’i prapsësh shoqërisë dhe ç’fitim munde t’i sjellësh? Ç’ndër dhe ç’lumturi përpjekja jote u pruri vëllezërve, që të rrethojnë dhe mëmëdheut , që të ka ushqyer.
Pesë minuta për veten tënde dhe pesë minuta të tjera pë Shqipërinë, dëgjomë mua, nuk janë një therori e madhe.
Lumo Skëndo
“Kalendari Kombiar” 1926
![Digiprove seal](https://brerore.al/wp-content/plugins/digiproveblog/dp_seal_trans_16x16.png)