Marrëdhëniet ndërmjet Romës dhe Tiranës në vitet 1924-1927. Pietro Pastorelli studion kohën kur pushtimi i Shqipërisë ende nuk kishte hyrë në planet e politikës së jashtme fashiste.
Në vitin 1955, me rastin e mbajtjes së kongresit ndërkombëtar të shkencave historike në Romë, i ndjeri Mario Toscano kishte nënvizuar sesi në kundërshtim me kërkimet historike të pasluftës së parë botërore, koha e pasluftës së dytë nuk i kish dhënë jetë ndonjë literature historike “revizioniste”. Pas luftës së dytë botërore, historianët e vendeve fitimtare i kishin qëndruar larg çdo sugjerimi për një “Kriegsschuldfrage”[1] të re, tentativat e vetme kësilloji, “revizioniste”, qenë kufizuar tek një pjesë e vogël studiuesish në Shtetet e Bashkuara, për të cilët problemi themelor ishte interpretimi (shpeshherë i ndërthurur me diskutime polemizuese) i politikës së Ruzveltit.
Pothuaj pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimeve të arritura nga Toscani, dhe pothuajse njëzet e pesë vjet pas fundit të luftës së dytë botërore, (po i shmangim arsyet e dallimit të qasjes historike nga paslufta e parë në pasluftën e dytë), situata ka ndryshuar thekshëm e për këtë fakt nuk duhet të na vijë keq.
Ndërkaq, e vetmja vepër që pati bërë përnjëmend zhurmë, e qe bërë shënjestër e akuzave të “revizionizmit” ka qenë libri i A.J.P Taylor mbi origjinën e luftës së dytë botërore.[2] Rrallëherë ndodh që një akuzë e tillë të jetë kaq e pambështetur në fakte.
Hitleri dhe lufta.
Në veprën e Taylor, fryma tipike e “revizionizmit” që ka lulëzuar ndërmjet dy luftrave botërore, mungon krejtësisht. Në mendimin tonë, autori ka mjaftueshëm të drejtë kur mohon se kjo frymë – pavarësisht dëshirave të ndokujt – ekziston në këtë vepër së bashku me ndonjë përpjekje për të justifikuar Hitlerin. Polemika e Taylor nuk merret fare me këto çështje. Shenjestra vendoset diku tjetër.
Nuk propozohen justifikime absurde apo përpjekje për të rehabilituar ndokënd, por kundërshtohen vetëm disa legjenda dhe skematizime (të lindura në flakët e luftës politike të viteve ndërmjet dy luftrave botërore dhe të përfocuara përgjatë konfliktit) që bien ndesh me të vërtetën historike, duke penguar një kuptueshmëri të frytshme, të një vargu aspektesh të veçanta të historisë bashkëkohore.
Ndërmjet këtyre legjendave dhe skematizimeve, spikat mendimi se shefat e regjimeve totalitare në veçanti, kanë vepruar pikë së pari sipas një logjike të hekurt, kurse qëllimësitë e ndërgjegjshme kanë qenë dytësore.
Shumë herë, Taylor – siç shihet qartë – ka polemizuar kundër kësaj klisheje, ka treguar se politika hitleriane, qoftë e brendshme apo e jashtme ka qenë mbi të gjitha fryt i vendimeve të marra hap pas hapi. Ka qenë një politikë që shfrytëzonte mundësitë e ofruara nga situata. E pra, pretendimi se mund të rindërtohet dhe të interpretohet sipas konstantesh të ngurta e të supozuara na shpie në çorientim, dhe në rindërtim të pakënaqshëm faktesh.
Frymëzimi i Taylor nuk rrjedh nga një shpirt “revizionist”, por vetëm nga ndërgjegjësimi mbi domosdoshmërinë e të mos qenit i mbërthyer nga skemat e një historiografie ideologjike. Kundër kësaj logjike, Taylor niset nga faktet dhe përfundon tek gjykimi që nxjerr kuptimin e tyre, logjikën e tyre, dhe vlerën e tyre në raport me “strategjinë”, dhe me direktivat themelore që përgjithësisht u atribuohen politikanëve të mëdhenj, në veçanti shefave të regjimeve totalitare moderne.
Këto konsiderata natyrisht u vijnë në mendje atyrë që kanë lexuar disa nga studimet më të rëndësishme të historiografisë italiane, mbi vitet ndërmjet dy luftrave botërore. Ndër to, përshembull, mund të përmendim librin e Fulvio D’Amoja mbi vitet 1931-1933[3] si dhe studimin e Pietro Pastorelli-t mbi marrëdhëniet italo-shqiptare të viteve 1924-1927.[4] Te ky i fundit, politika e jashtme fashiste rindërtohet në mungesë të çdo apriorizmi (sipas atyre që thonë se politika e jashtme e Musolinit ishte gjithmonë një imperializëm i shurdhër, qartësisht i dallueshëm nga politika e jashtme e qeverive liberale pararendëse) dhe shquhet nga një paanshmëri shkencore që është karakteristikë e studimeve mbi periudhën ndërmjet dy luftrave botërore.
Rasti i veprës voluminoze “Italia e Albania 1924-1927.Origini diplomatiche del trattato di Tirana del 22 novembre 1927” është tipik. Libër i botuar në Firence, në bibliotekën e Revistës së Studimeve Politike Ndërkombëtare. Një vepër që padyshim nuk i bën jehonë shkollës së Taylor, por asaj të Toscano-s. Sidoqoftë ajo lëviz në një drejtim paralel me shkollën e Taylor, duke arritur përmes këtij drejtimi, në disa përfundime mbase më të rëndësishme, përfundime që lënë përshtypje.
Në tablonë dinamike dhe kontradiktore të politikës së jashtme fashiste, marrëdhëniet italo-shqiptare të viteve 1924-1927 nuk përbëjnë ngjarje që ngjallin interesin e një publiku jo të specializuar.
Në kundërshtim me këtë përshtypje fillestare, jemi të bindur që ky studim i Pastorelli-t, për disa arsye mund të ngjallë interes dhe konsensus më shumë se disa vepra të tjera më të përhapura mbi probleme të njohura, që ende ndodhen të mbërthyera nga skemat e pakënaqshme e të pamjaftueshme.
Ndërmjet këtyre arsyeve, njëra mbi të gjitha ia vlen për t’u marrë në shqyrtim. Ata që mendojnë mbi marrëdhëniet italo-shqiptare ndërmjet dy luftrave zakonisht i vështrojnë përmes një syri që për horizont ka pushtimin e vitit 1939. E parë në këtë dritë, faza përfundimtare e këtyre marrëdhënieve përfundon në bërjen jehonë për së prapthi, me dhënien e një kuptimi dhe një “logjike” këtyre marrëdhënieve, që kushtëzohet thekshëm nga mënyra si përfunduan.
Dhënia e provave për cilësinë e pathemeltë të kësaj optike, është ndërmjet të tjerash, meritë e Pastorelli-t. Kjo meritë qëndron krahas një tjetre, nisjes së një ligjërimi konkret dhe të pacënueshëm nga ana dokumentare në sajë të të cilit më në fund mund të kuptojmë si dhe pse, duke u nisur nga pozicione antitetike, politika e jashtme fashiste mbërriti tek pushtimi i vitit 1939, cilat qenë forcat, burrat që realizuan përmbysjen e qëllimësive, si dhe cili ishte pozicioni e roli i Musolinit në gjithë këtë proces.
Një strategji e ndryshme.
Nga analizat e Pastorelli-t nxirren qartësisht disa pika të forta. Për Italinë, nga një anë problemi Shqiptar lidhej ngushtësisht me marrëdhëniet italo-jugosllave të konfiguruara në paktin e Romës, nga ana tjetër me interesat ekonomike italiane në Shqipëri. Ministri i jashtëm, e mbi të gjitha Salvatore Contarini, vazhduan t’i shikonin këto marrëdhënie edhe pas ardhjes në pushtet të fashizmit, në një dritë jo shumë të ndryshme nga politika e ndjekur nga qeveritë e mëparshme liberale. Një ndryshim i kësaj vije mbështetej vetëm nga disa pjesë të partisë fashiste, dhe mbi të gjitha nga ish-nacionalistët. Musolini për një kohë të gjatë nuk mbajti qëndrim, por në fund, kur filloi të ndiqte vijën e dytë, prapësëprapë shpallej qartësisht kundër çdo projekti për copëtimin e Shqipërisë. Jugosllavët padyshim që do t’a kundërshtonin këtë qëndrim të Musolinit. Musolini parapëlqeu të përqëndrohej krijimin e një marrëdhënieje italo-shqiptare sipas shembullit të Anglisë dhe Portugalisë; t’a lidhte Shqipërinë me Italinë por duke mos cënuar pavarësinë e kësaj të fundit.
Pastorelli qartazi thotë: “Qasja ndaj politikës së paktit të Londrës u mohua, politika tradicionale vazhdoi të mbetej në fuqi. Musolini donte pikërisht këtë, në kundërshtim me elementët nacionalistë, të cilëve i’u desh të prisnin nja dhjetë vjet të mira, deri kur konteksti i politikës së jashtme fashiste do të ndryshonte tërësisht. Vetëm kështu mund të sillnin ngadhënjimin e vijës së tyre.
Ky përfundim mund të ngjallë habi tek çdokush që pretendon se mund të shpjegojë gjithë politikën shqiptare të fashizmit me pushtimin e vitit 1939. Vetë Pastorelli i paralajmëron këta njerëz me fjalinë “Pakti i vitit 1927 vështirë se mund besohet nëse marrëdhëniet italo-shqiptare vazhdohen të shikohen në dritën e ngjarjes së fundit, pushtimit, dhe të çorientuara nga skematizimet e ditëve të sotme”
Mirëpo kjo analizë është kaq e përpiktë e kaq e mbështetur në dokumente, sa kushdo që lexon këtë studim, nuk mund të ketë më dyshime mbi rrezikun e pranimit në kontekstin historiografik, të skematizimeve që pavarësisht se shpjegohen dhe arsyetohen, shpesh përfundojnë duke shtrembëruar realitetin historik.
Renzo de Felice
Botuar fillimisht nw “Corriere della sera”, 9 shkurt 1969.
Shkwputur nga “Scritti Giornalistici, 1960-1974. Volume I – Tomo I” Faqe 124-128
- Debat publik në Gjermani gjatë viteve të Republikës së Vajmarit që kishte për qëllim të “ndërgjegjësonte” Gjermanët mbi fajin e të paturit shkaktuar luftën e parë botërore ↑
- A.J.P Taylor, Le origini della seconda guerra mondiale ↑
- F. D’Amoja, Declino e prima crisi dell’ Europa di Versailles: studio sulla diplomazia italiana ed europea, 1931-1933, Giuffre, Milano, 1967. ↑
- P. Pastorelli, Italia e Albania 1924-1927. Origini diplomatiche del trattato di Tirana del 22 novembre 1927, Ed. Biblioteca della Rivista di Studi Politici Internazionali, Firenze 1967. ↑