Termi “gjeoekonomi” është në përdorim të gjerë kohët e sotshme, por thuajse gjithmonë pa asnjë përcaktim të saktë. Disa autorë përqëndrohen në përdorimin e fuqisë ushtarake ose gjeopolitike për synime ekonomike. Të tjerë zakonisht e përcaktojnë gjeoekonominë si “nyjëzim I ekonomisë ndërkombëtare, gjeopolitikës dhe strategjisë” një lloj përcaktimi I përgjithshëm që më shumë krijon paqartësi dhe turbullim. Të tjerë ama e vënë theksin tek tregtia dhe mbrojtja e industrive.
Në kontekstin e veçantë te politikës së jashtme të ShBA-ve, ata që përdorin këtë term, gjithashtu kanë kyçur veten në sqarimet tradicionale të sanksioneve dhe tregtisë ndërkombëtare. Zakonisht këto përkufizime krijohen si pasojë e kuptimit të cekët të politikës tregtare të ShBA-ve, tregtia e bërë mirë fuqizon qëndrimin ekonomik të Amerikës dhe prandaj, të paktën në teori, rrit njëkohësisht mundësitë për projektimin e fuqisë së saj – por prapësëprapë nuk kanë një dimension specifik gjeopolitik, përveç ndoshta nga një ide e pranuar gjerësisht në liberalizmin e fillim shekullit të 20të të Norman Angell dhe të tjerëve, që tregtia e zgjeruar promovon paqen.
Është në parim tregti për hir të tregtisë. Të tjerë ia aplikojnë termin pothuaj të gjithë aktivitetit ekonomik amerikan, të jashtëm e të brendhsëm. Këta analistë fillojnë duke lidhur projektimin e fuqisë amerikane në një mënyrë të përgjithshme tek forca ose ligështia e ekonomisë.
Historia nuk ka falur asnjë vend që ka lejuar përgjegjësitë gjeopolitike të veta të lënë menjëanë ato ekonomike për një kohë të gjatë. Është një ndër ligjet universale më të mirë që mund të gjenden në politikë. Dhe njëlloj si me ligjet e natyrës, nuk ka lëshime: fuqive të mëdha u bien barrë të njëjtat kufizime ekonomike siç i bie çdo vendi tjetër.
Këto interpretime e të tjera më të hershme janë të dobishme, por janë njëkohësisht dhe të paplota.Në një mënyrë shumë të habitshme, asnjë nga kuptimet ekzistuese të gjeoekonomisë nuk ia del mbanë të kapë fenomenin që është më i sakti për ringjalljen e termit: përdorimin e mjeteve ekonomike për të prodhuar rezultatë të dobishme gjeopolitike.
Nga kjo hyrje ngrihen disa pika kryesore:
Pika e parë: Gjeoekonomia nuk është e njejtë me gjeopolitikën.
Ka një tendencë për ti trajtuar termat “gjeoekonomi” dhe “gjeopolitikë” si të këmbyeshme me njëra-tjetrën. Kjo është diçka e gabuar. Edhe pse të dyja konceptet ndërlidhen në pika të ndryshme të caktuara, prapëseprapë, janë të ndara nga njëra tjetra. Disa përkufizime në vend që të përqëndrohen tek ekonomia si mjet për të përmbushur qëllimet gjeopolitike,e kanë kthyer përmbës këtë marrëdhënie mjet-qëllim, duke e vënë theksin tek mënyrat se si vendet mund të aplikojnë forcë gjeopolitike për të arritur tek përfitimet ekonomike.
Sepse kur puna vjen në klasifikimin e formave të ndryshme të artit shtetëror, janë mjetet, e jo qëllimi, që duhet të jenë parësorë.
Fundja, siç shpjegon dhe David Baldwin,”të bombardosh një librari nuk përbën luftë kulturore, të bombardosh një reaktor bërthamor nuk përbën luftë bërthamore kurse bombardimi i fabrikave nuk mund të quhet luftë ekonomike.”
E thënë ndryshe, gjeopolitika është në të vërtetë një grup supozimesh rreth mënyrës se si një shtet ushtron pushtet mbi territorin – çka e përbën këtë pushtet, si rritet dhe si shpërndahet nga sipër poshtë. E njëjta gjë vlen edhe për gjeoekonominë siç e përkufizojmë këtu. Por shumica e qasjeve gjeopolitike tradicionalisht shpjegojnë dhe parashikojnë fuqinë e shtetit duke iu referuar një morie faktorësh gjeografikë (territori, popullsia, performanca ekonomike, burimet natyrore, aftësitë ushtarake etj.).
Gjeoekonomia, sipas mendimit tonë, ka të bëjë me dhënien e një qasjeje paralele se si një shtet ndërton dhe ushtron pushtetin duke iu referuar faktorëve ekonomikë sesa atyre gjeografikë.
Pika e dytë: Të përqëndrohesh në përdorimin e mjeteve ekonomike për të përmbushur qëllimet gjeopolitike, nuk tregon asgjë rreth vetë natyrës së qëllimeve:
Kur thuhet se shteti rendit mjetet ekonomke në mbështetje të disa objektivave gjeopolitike, nuk nënkuptohet domosdoshmërisht se vetëm objektivat gjeopolitikë janë në rrezik. Shtetet shpesh hartojnë politika gjeoekonomike me qëllim përparimin e interesave të ndryshëm. Shembulli më i mirë sot për sot janë investimet strategjike të Kinës në Afrikë. Në këtë rast, gjeopolitika nuk ka ndonjë ndryshim nga ndonjë mënyrë tjeteër qeverisjeje (mendoni që përfitimi ekonomik mund të arrihej edhe me plaçkë lufte).
Nga kjo kuptohet që fundja është prania e interesave gjeopolitike që dikton mënyrën si përmbushen qëllimet. Dhe teksa vendet zakonisht nuk ofrojnë shumë njohuri për renditjen e motiveve relative, mënyra e planifikimit shpeshherë tregon shumë. Ekzistojnë shumë politika ekonomike të cilat mund tu vijnë në ndihmë atyre ekonomike dhe gjeopolitike, megjithatë, shpeshherë një marrëveshje tregtare e konceptuar si një mjet serioz për të ndjekur objektiva të ndryshme të politikës së jashtme, është një marrëveshje krejtësisht e ndryshme krahasuar me një të tillë që kërkon të përmbushë synime ekonomike.
Pika e tretë: Përpjekjet gjeoekonomike për projektimin e pushtetit mund të marrin shumë forma të ndryshme. Dhe njëlloj siç jo të gjithë shtetet janë të barabërtë në kapacitetin e tyre për të projektuar fuqinë gjeopolitike, ka disa karakteristika strukturore ose e thënë me fjalë të tjera, “dhurata” gjeoekonomike – të cilat diktojnë sa efektiv mund të jetë një vend në përdorimin e mjeteve gjeoekonomike.
Jo vetëm që shtetet vendosin në punë mjete gjeoekonomike përkundrejt një game të gjerë të qëllimeve jo-ekonomike, ato i përdorin këto mjete dhe në mënyra të ndryshme për të përmbushur qëllime të ndryshme. Kryesisht dallimi i dukshëm këtu është midis formave pozitive dhe detyruese të marrjes së përfitimeve gjeoekonomike. Por, përpjekjet gjeoekonomike ndryshojnë e variojnë në forma të ndryshme: objektivat e caktuara mund të jenë afatshkurtra ose afatgjata, disa masa të ndërmarra mund të jenë më shumë transaksionale (ku objektivat janë interpretuar në mënyrë të cekët dhe përfitimet e parashikuara janë identifikuar mjaft mirë), masa të tjera mund të jenë më të përgjithshme (ku objektivat janë të plota dhe përfitimet më pak të kuptueshme); kurse gama e e teknikave gjeoekonomike gjatë kohërave të luftës ndryshon nga gama në kohë paqeje. Në histori shikojmë shumë raste të këtilla.
1) Oferta e administratës Truman gjatë Luftës së Dytë Botërore për tu dhënë borxhe koncesionare forcave aleate ishte një taktikë e menduar mirë, e krijuar si pasojë e ngjarjeve të ndyshme të kohës, me qëllim për të stimuluar një grup të përcaktuar reagimesh.2) Shtytja e Gjermanisë Perëndimore në fund të viteve 70 për të adoptuar një valutë të vetme europiane, dhe krijimi i vetë Bashkimit Europian qenë të dyja lojra strategjike, ku synimet qenë të mëdha, përfshinin objektiva të shumta, dhe ku përfitimet, edhe pse konsideroheshin të mëdha, nuk u kuptuan plotësisht nga ithtarët kryesorë të atyre politikave në ato kohë.
3) Shifra prej 8 miliard dollarësh qe Katari investoi në Egjipt prej rënies se presidentit Mubarak në fillimin e 2011-ës e deri në rënien e presidentit Morsi në mesin e 2013-ës, mund të konsiderohet si shembull neutral, për shkak së kishte disa garanci reciproke, afatshkurtra dhe specifike edhe pse mbërriti më një sërë objektivash mjaft të gjera dhe me një pritshmëri afatgjatë.
E përsërisim, fuqia gjeoekonomike, njëlloj si fuqia gjeopolitike, është në funksion të faktorëve të caktuar strukturorë dhe politikëbërës.
Pika e katërt: Njëlloj siç ka raste që ecin sipas rregullave, ka dhe raste që nuk ndjekin rregulla të caktuara.
Kur bëhet fjalë për zbatimin e koncepteve gjeoekonomike në realitet, pa marrë parasysh se me sa kujdes janë ndërtuar parametrat e caktuara, do ketë në mënyrë të pashmangshme skenare të paqarta. Siç u përmend më lartë, bombardimi i një fabrike nuk përbën luftë ekonomike. Por çfarë bëhet kur përdoret forcë në formën e një bllokade detare, për të imponuar embargo ekonomike? Po kur bëhen sulme kibernetike të sponsorizuara nga shtetet që sulmojnë bankat apo infrastrukturën e një vendi, më qëllim që të tregojë mospajtimin e një vendi më vendimet politike të një vendi tjetër?
Nuk ka përgjigje katërcipërisht të sakta. Në përgjithësi, veprimet dhe politikat e interesit këtu janë teknika ekonomike të artit shtetëror; ca herë këto teknika do të përfshijnë mjete të cilat janë drejtpërdrejt ekonomike (siç janë përshembull masat tregtare të detyruara, ndihma ekonomike ose investimet e pavarura), dhe në raste të tjera do përfshihen mekanzima të cilat nuk janë të një natyre ekonomike (si përshembull sulmet kibernetike të sponsorizuara nga shteti) por mjetet me të cilat shtetet po përpiqen të ndikojnë në punët e të tjerëve janë ekonomike. Duke ndjekur këte logjikë, sulme të caktuara kibernetike – të cilat shënjestrojnë infrastrukturën ekonomikë ose financiare- do quheshin gjeoekonomike, ndërkaq sulme të tjera kibernetike (kundër shënjestrave ushtarake dhe qeveritare) nuk do quheshin të atilla.
Pika e pestë: Gjeoekonomia dallon nga politikat ekonomike të huaja (ose ndërkombëtare), merkantilizmi dhe mendimi ekonomik liberal.
Shumë nga keqperceptimet më të rëndomta në lidhje me gjeoekonominë vijnë nga një grup I veçantë keqkuptimesh që përfshijnë dy koncepte të tjera ekonomike; një tendencë për ti konsideruar sistemet ekonomike liberale dhe merkantiliste si të kundërvëna katërcipërisht ndaj njëra tjetrës, dhe një tendencë korresponduese për ta cilësuar gjeoekonominë si ndonjë formë të ripaketuar të merkantilizmit, pra si diçka thelbësisht të kundërt me mendimin ekonomik liberal. Në mes të shumë dallimeve të gabuara ndërmjet liberalizmit dhe merkantilizmit, spikat më shumë ai që pengon pasjen e një mendimi të qartë për gjeoekonominë. Kemi të bëjmë me dilemën nëse “nënshtrimi i ekonomisë ndaj shtetit dhe interesave të tij”, i diferencon të dyja doktrinat.
Si në çdo gjë, megjithatë, kufijtë praktikë të gjeoekonomisë kanë një tendencë për tu formuar nëpërmjet mosmarrëveshjeve – pra në rastet kur interesat ekonomike dhe gjeopolitike të shtetit dallojnë. Për ekonomistët e hershëm liberalë si Jacob Vinier, tendenca për të supozuar një përputhje mes interesave ekonomike dhe politikë tregon që atyre rrallëherë u duhej që të zgjidhnin vetëm njërën apo tjetrën. Për këta liberalë të hershëm, njëlloj si dhe me shumë politikanë të sotshëm, tregtia e lirë ishte mënyra më e mirë për të arritur si mirëqënean ekonomike dhe sigurinë kombëtare.
Si përfundim, ndarja e vërtetë midis merkantilizmit dhe liberalizmit është se si duhet (dhe jo nëse) aplikuar gjeoekonomia. Sipas Baldwin “.. karakteristika e saj themelore është thjesht që politika ekonomike të formulohet në mënyrë të atillë që të promovojë qëllimet e politikës së jashtmë të shtetit- çfarëdo qofshin ato”. Merkantilizmi pra në këtë mënyrë qëndron si një nga format e gjeoekonomisë. Dhe në të njëjtën logjikë, mënyra se si liderët ndjekin liberalizmin ekonomik, me idenë që këto politika u shërbejnë interesave gjeopolitike tregon që edhe liberalizmi është thjesht një nga shumë dritëhije të gjeoekonomisë.
Shkëputur, përkthyer e përmbledhur nga: War by Other Means, Geoeconomics and Statecraft by Robert Blackwill, faqe 19-32
This blog post has been Digiproved © 2019