Mbi sovranitetin, reciprocitetin dhe koncepte të tjera të marrëdhënieve ndërkombëtare

Gjithmonë më është dukur interesant argumenti se, për shkak se aksh normë ekziston në marrëdhëniet ndërkombëtare, kjo normë ndiqet plotësisht, duhet ndjekur sepse kështu bëjnë të tjerët ose sepse ndjekja është moralisht korrekte.

Në disa raste kjo është totalisht qesharake si ide. Kapim sovranitetin si shembull. Koncept i lindur nga gjakosja e Europës mbas luftës 30 vjeçare. Natyrisht, paqja Westfaliane supozohej të ishte fundi i ndërhyrjes së shteteve në punët e brendshme të punëve të tjera, por vetëm një idiot mund të thotë se kjo normë respektohet totalisht ditët e sotme. Natyrisht në raste të rralla dhe respektohet por zakonisht është e kundërta. çdo shtet ndërhyn në punët e brendshme të shteteve të tjera, qoftë hapur qoftë në mënyrë sekrete. Dhe norma të tilla përdoren në shumë raste jo për të strukturuar marrëdhëniet mes shteteve se sa për propagandë, për t‘i hedhur hi syve njerëzve dhe për të ndryshuar mendimin publik mbi një çështje.

Kapim rastin e Serbisë dhe Kosovës. Serbia pretendon se është pasuesja legjitime e shtetit jugosllav dhe si pasojë „Kosova dhe Metohija“ janë pjesë e territorit serb. Këtë Serbia e argumenton me faktin se Rezolucioni 1244 i OKB pohon të njejtën gjë. Natyrisht për sa kohë ligji ndërkombëtar thotë diçka, kjo duhet të jetë legjitime apo jo? Rusia gjithashtu përdor po të njëjtin rezolucion për të përkrahur Serbinë dhe për të ngulitur pozicionin e saj: se Amerika ndërhyn në mënyre jo legjitime në punët e brendshme të shteteve të tjera (ndonëse Rusia gjithashtu ndërhyn në mënyrë të tillë). Dhe gjëja më intersante është se masat europiane, në dashuri me ligjin ndërkombëtar dhe me çdo togfjalësh ku përmendet fjala ligj apo multilateralizëm, shpeshherë i hanë këto argumenta.

Pra në masën e popullit, për sa kohë fjala parim, ligj, normë përmendet çdo gjë është në rregull. Njerëzit shohin dritën e shenjtë të legjitimitetit në qiellin e quajtur OKB apo kush dreqin e di se si, ndërkohë që në tokë vazhdon të mbretërojë parimi i interesave kombëtare. Keto norma dhe ligje ndërkombëtare lexohen dhe studiohen nga studentët të cilët, nëqoftëse kanë dy pare mend në kokë, e kuptojnë se dhe nëse ekzistojnë si norma, nuk ekzistojnë kudo dhe kurdo. Pra e bukura e normave të tilla është që njerëzit ose vërtet mendojnë, ose pretendojnë se këto norma janë të kudo dhe kurdondodhura. Pra shohim se ky universalizëm total shpaloset vetëm në kokat e mashtruesve dhe naivëve. Pasi realiteti është ndryshe.

E njëjta gjë dhe me reciprocitetin. Reciprociteti shihet si diçka legjitime në botën e normave ndërkombëtare. Dhe për sa kohë është legjitime ështe dhe e moralshme, dhe dicka e mirë e cila mbështetet nga institucionet ndërkombëtare përfshirë dhe BE-në, dhe mbi të tëra ngjan bukur si koncept. Ashtu si dhe fjala sovranitet. Është fjalë e madhe, e përdorur nga akademike dhe njerëz të lartë të cilët duan paqen dhe dashurinë në botë. Dhe në mos dashurinë dhe paqen të paktën të mirën e vendit të tyre. Është fjalë me peshë dhe fjalë burrash shteti. Por lind një pyetje e thjeshte. Sa mund të ndihmojë reciprociteti si parim një vend të vogël si Shqipëria apo ndoshta dhe Kosova? Nuk po merremi me parimin në përgjithësi apo se si mund të aplikohet ky parim në vendet e mëdha.

Natyrisht diçka pozitive është legjitimiteti ndërkombëtar që përdorimi i kësaj norme do të jepte në një rast hiptotetik. Por përtej legjitimitetit nuk mendoj se ekziston ndonjë aspekt tjetër pozitiv i kësaj norme. Arsenali i armëve të cilat përdoren nga politika e jashtme duhet të jetë i madh. Armë të nxehta, armë të ftohta, dialog, masa tregtare etj. Të tëra këto janë legjitime për sa kohë interesi kombëtar mbrohet. Natyrisht këtu hyn dhe një strategji si reciprociteti. Por le ti hedhim një sy situatës së kombit shqiptar në Ballkan. I rrethuar nga popuj armiq ose popuj me dëshira kolonizuese reciprociteti i kombit shqiptar të ndarë në shumë shtete ku ka shqiptare mund të quhet thjesht si një reciprocitet i miut ndaj maces.

Natyrisht kur je mi, reciprocitet nuk do të thotë ta kafshosh macen nëse macja të kafshon. Të tilla gjëra janë të pamundura për miun. Natyrisht miu mund të zgjedhë të shndërrohet vetë në mace, dhe të fillojë të kafshojë macen dhe ndërkohë që është i dobët. Politika ndërkombëtare favorizon të fortët por nuk është e pamundur të bëhesh i fortë. Por që një mi të kthehet në mace duhet që lideri i minjve ta dojë këtë. Dhe nuk e dimë a kemi lidera që e duan këtë. Kudo në trojet shqiptare.

Por mund të thotë dikush: Macja nuk po na kafshon. Vërtet nuk po na kafshon është përgjigja jone? Turqia, Greqia dhe Serbia janë shtete të cilat nëse nuk kafshojnë hapur sepse kanë frikën e prishjes së reputacionit, kafshojnë në fshehtësi. Dhe disa prej këtyre shteteve kanë kafshuar dhe hapur në një të ardhme jo shumë të largët. Reciprociteti në raste të tilla nuk do të  ishte gjë tjetër përvecse një mashtrim. Mashtrim se po bëhet dicka ndaj këtyre shteteve, se kemi fuqinë të marrim masa ndaj tyre etj.

Dhe për ta mbyllur, cila është vlera e reciprocitetit në një situatë të tillë gjeopolitike të kombit shqiptar? Përveç legjitimitetit, i cili kthehet në një abstragim me të cilin mundet thjesht të fshish prapanicën nëse gjërat dalin jashtë kontrollit, nuk ka ndonjë vlerë tjetër. Për faktin e thjeshtë se nuk kemi fuqinë e duhur për ta vënë në zbatim dicka si reciprociteti. Atëherë dikush mund të pyesë: A duhet agresivitet apo duhet paqe?

A duhet Shqipëria të jetë më agresive apo më paqësore? Dikush mund të thotë se të ulurit e kokës është e vetmja gjë që mund të bëjmë.  Ndoshta reciprociteti i rremë nuk është aq i keq pasi siguron paqe. Dikush bën sikur bën dicka kundër armiqve dhe situata zgjidhet me aq. Kombi shqiptar vazhdon të jetë i skllavëruar, por edhe vazhdon të jetë paqësor. Paqësor si delja që çohet në thertore. Paqja na duhet thonë. Se ndryshe zhdukemi. Ndryshe nuk kemi mundësi për bashkim. Sepse ndryshe do na shkatërrojnë shtetet më të fuqishme.

Ndoshta po, ndoshta na shkatërrojnë, por a është kjo zgjidhja?  Tridhjetë vjet mbas komunizmit dhe nuk është bërë asnjë përpjekje minimale për bashkim territoresh apo forcim të mëtejshëm të interesave kombëtare. Tridhjetë vjet paqe dhe rehati,  e asnjë përpjekje kombëtare reale nuk ka dalë në dritë. Shqipëria pra duhet të jetë agresive. Agresiviteti ndaj aktorëve të jashtëm forcon shpirtin kombëtar dhe farkëton kushtet e krijimit të një Shqipërie Etnike. Dhe nëse nuk jemi të fuqishëm duhet të kuptojmë se duhet të jemi të fuqishëm. Ndryshe pushojmë së qëni.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020