Është e pranuar gjerësisht se tre kolosët e asaj rryme mendimi të quajtur neoshqiptarizmë, janë sociologu Branko Merxhani, publicisti Vangjel Koça dhe veprimtari Ismet Toto. Merxhani ndërtoi e përpunoi kornizën teorike të neo-shqiptarizmës, ca do thoshin se ai u frymëzua nga sociologu turk Ziya Gokalp. Vangjel Koça përforcoi mbi themelet e Merxhanit duke kontribuuar edhe ai me ca filozofi moderne karteziane, kurse Ismet Toto, përveç rolit të tij si përkthyes (përktheu Platonin e Ëill Durant), ishte dhe bashkëorganizator i kryengritjes së Delvinës, viti 1937.
Dua të përqëndrohem më së pari tek Ismet Toto si mendimtari dhe veprimtari më i pakompromistë.
Fillimisht duhet sqaruar se synimi i neoshqiptarëve nuk ishte shkatërrimi i monarkisë dhe zëvëndesimi i saj me një sistem me të mirë qeverisjeje, përkundrazi. Synimi kryesor i këtij grupi mendimtarësh e veprimtarësh ishte mbyllja e të çarave në sistem, dhe përmirësimi i organeve qeverisëse, gjithmonë në funksion të kombit. Nuk mund të thuhet se neoshqiptarët ishin domosdoshmërisht monarkistë, ata thjesht e konsideronin monarkinë si më të përshtatshme për kohën, e më të aftë për të kanalizuar energjitë kombëtare drejt një të ardhmeje më të mirë.
Nuk thonë kot se historia përsëritet. Asokohe vendin e kishin pllakosur po të njejtat probleme tranzitore si të sotmet. Një modernizim i çalë, i karakterizuar vetëm nga ndërrimi i petkave, dhe jo i mentalitetit, një kompleks inferioriteti ndaj të huajve, një imitim i formave europiane të konsumit, por jo të prodhimit.
Pra në kuadër të një historie që përsëritet, problemi i atyre kohëve ishte integrimi në Europë. Teksa gjindja nxitohej të merrte udhët e oksidentit pa e vrarë mendjen shumë, neoshqiptarët mundoheshin të mbronin qenien e vërtetë shqiptare, e cila ishte akoma e tronditur nga rrjedha e kohës. Kombëtarizmi nuk mer fund me marrjen e pavarësisë. Neoshqiptarët e kuptonin këtë gjë më së miri, tashmë, duhej ruajtur thelbi i shqiptarisë. Mburojat duheshin vendosur nga të dyja anët. Nga një tranzicion i përshpejtuar e i pamenduar mirë, e nga kërcënimi i mbeturinave të orientit që kishin zënë poste të rëndësishme qeveritare.
Si shembull të një modernizimi të kujdesshëm, neoshqiptarët kishin zgjedhur Turqinë. Së paku Ismet Toto ishte më i qartë në këtë qasje. Mbeturinat e orientit që duheshin zhdukur ishin mjeranët bejlerë që akoma mendonin e vepronin osmanishte. Ismet Toto kishte simpati të madhe për Kemal Ataturkun, për të cilin shkroi edhe një biografi. Pra kthesa Kemaliste ishte qasja që neoshqiptarët mbronin.
Në funksion të kësaj kthese kemaliste, Ismet Toto përpiloi konceptin e Diktaturës së Ndritur, dhe aristokracisë spirituale. Parimisht Diktatura e Ndritur kërkonte mobolizimin e të gjitha shtresave të shoqërisë për një qëllim të vetëm, për kombin dhe për asgjë tjetër. Nuk kemi të bëjmë me komunizëm, thjesht me pohimin e një busulle tërësore orientuese për shtetin shqiptar. E mira kolektive kombëtare ishte gjilpëra e kësaj busulle. Sipas një modeli nga lart poshtë, përshkruheshin hallkat e diktaturës së ndritur. Në krye qendron prijësi, në rastin shqiptar, mbreti, udhëheqësi absolut. Pas prijësit vjen “aristokracia spirituale”, pra ai grup njerëzish që mban idealin gjallë në çdo kohë duke punuar në mënyrë të palodhur. Aristokraci e shpirtit, pra jo me përmbajtje ekonomike, por kombëtariste. Ismet Toto nuk donte tua linte çështjen kombëtare teknokratëve. Teknokratët dinë të menaxhojnë, por jo të udhëheqin.
Baza e Diktaturës së Ndritur megjithatë përbëhej nga “Djalëria”. Djalëria e organizuar në mënyrë strikte, mbrojtëse e përhershme e kombit. Kësaj Djalërie i duhej një “karakter i çeliktë”, e më pas një edukatë fizike dhe kulturore e pasur. Tek një artikull i botuar në vitin 1934, Ismet Toto shprehet qartë për kuptimin e këtij karakteri të çeliktë. Ai thotë se nuk na duhen fjalët e mëdha të pambështetura në vepra. Nuk na duhen as intelektualët, pena e të cilëve shkarravit llafollogjinë e ditës, për të nxjerrë bukën e gojës, ose për tu bërë i madh, nën çadrën e vogëlsirave.
Na duhen njerëz me karakter, vetëm ata mund të mbajnë mbi shpatulla të ardhmen e kombit. Të gjitha llafollogjitë nuk kanë asnjë lloj vlere nëse folësi ose shkruesi nuk e ka përkthyer idenë në veprim. Ose nuk ka një Ide udhëzuese për shpirtin e tij.
Është pikërisht rinia, sipas Ismet Totos, që duhet të zhdukë të plakurën e të sjellë të renë. Logjikisht është kështu, rinia duhet të ketë dinamizëm, thoshte ai. Duhet të ketë energji dhe shpresë, qoftë edhe me një zjarr utopik. Në një botim kontrovers për kohën, “Kështu foli i vjetri”, Ismet Toto inskenon një debat mes një qatipi (nënpunësi), dhe një djaloshi të etur për ndryshim.
Në këtë botim përmblidhet e gjithë ideja e së resë dhe e së plakurës në shoqërinë shqiptare. E reja përfaqësohet nga Idea, nga venia në jetë e kësaj ideje, kurse e plakura përfaqësohet nga rrogëtarizmi, një cen i rrezikshëm që i shndërron njerëzit në “kalimtarë”, kalimtarë të rëndomtë në motorin shtetëror, pa ndonjë indinjatë të vërtetë ose shqetësim të madh për të ardhmen e kombit.
Janë pra këta pleq, për të cilët momenti është i përjetshëm, kurse e ardhmja paraqitet si e njëllojtë, një përpjekje për “rrogën” e radhës, e për asgjë tjetër. Kjo pleqëri e rini për të cilën flet Ismet Toto nuk ka lidhje me moshën e njeriut sesa me prirjen e tij ekzistenciale. Pleqtë mund ti gjejmë edhe tek një rini e lodhur, e pashpresë, kurse të rinjtë mund ti gjejme edhe tek njerëzit e thyer në moshë por të papërkulur.
Konceptet politike që Ismet Toto lëvron janë të diskutueshme, megjithatë pikat kryesore të fokusit përsa i përket problemeve shoqërore shqiptare në kuadër të një tranzicioni, janë shumë të goditura.
Veprimtaria e Ismet Totos arriti kulmin gjatë Kryengritjes së Delvinës. Kryengritja e Delvinës, e vitit 1937 u organizua nga vëllezërit Toto, Et’hem dhe Ismet. Regjimi e damkosi këtë kryengritje si të inskenuar nga forca të jashtme, nga agjentë komunistë, etj. Zogu nuk kishte nevojë për heronj e as për kritikë. U mundua për ca kohë ti mbyllte gojën Ismet Totos duke e dërguar me studime jashtë shtetit, por as kjo nuk mjaftoi. Kryengritja, natyrisht dështoi. Në dëshminë e dhënë para trupit gjykues, Ismet Toto përshkruan sfondin e kryengritjes. Ajo as nuk ishte as grusht shteti, e as revolucion.
Nuk kishte për qëllim rrëzimin e mbretit Zog, por vetëm dhëniën e një mesazhi. Neoshqiptarët kryengritës shpresonin se me anë të një mospajtimi të beftë, të arrinin tia ndërronin mendjen mbretit për mirë. Ajo ishte më së pari një sakrificë, për ti treguar popullit se kundër një pushteti të kalbur, ia vlen të ngresh krye, e të sakrifikosh madje edhe jetën. Kryengritësit u udhëhoqën nga idealizmi i tyre i brendshëm, për ti dhënë rinisë një shkëndijë shprese.
Për çfarë vlejti e gjithë kjo përpjekje? Për t’i dhënë një grusht të fortë mbeturinave të ngulitura në qeverinë e atëhershme. Vëllezërit Toto shpërthyen dhe u fikën shpejt, në rininë e tyre të vonshme.
Ismet Toto shpresonte tek rinia, shpresonte se Djalëria do ti merrte hakun. Vdekja e bëri të përjetshëm.
Ka kaluar gati një shekull nga Kryengritja e Delvinës, dhe figura e Ismet Totos gati ka rënë në harresë të plotë. Kjo harresë nuk është fare e justifikueshme. Njeriu i idealit nuk duhet harruar, madje vepra e tij duhet kthyer e rikthyer përsëri, në mënyrë që të jemi në gjendje të reflektojmë mbi kushtet e sotme, kujtesa jonë duhet të jetë e fortë.
Shqiptarët duhet të dinë se edhe dikur, në vendin tonë të vogël, pati njerëz të tillë të mëdhenj të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka për atdheun.
This blog post has been Digiproved © 2019