Establishmenti ose qendra e pushtetit. Pjesa I

Gjithmonë e më shumë po flitet për një establishment. Ideja është e tille: Establishmenti, nje elitë e vogël kontrollon shumicën e popullsisë. Politika, ekonomia dhe  mediat kontrollohen nga ky establishment. Fjala establishment mund të marrë dhe një kuptim më të gjerë. Mund të bëhet fjalë për struktura të vjetëruara pushteti që gjithsesi arrijnë tu ruhen rreziqeve. Rrëzimi i establishmentit bëhet pra qëllimi i popullsisë në këtë rast.

Po çfarë është establishmenti në Perëndim?

Përsa i përket vendeve Aziatike, përgjigjia do ishte e thjeshtë. Në Singapor kemi PAP, në Japoni liberal-demokratët në marrëveshje me kompanitë e mëdha, në Kinë Partia Komuniste e kështu me radhë. Në këto vende qendra e pushtetit është ose autoritare ose demokratike – me një parti dominuese. Ekonomia është në anën e politikës. Qoftë me dhunë si në rastin e Kinës ose me marrëveshje si në Japoni etj. Në Europë establishmenti bëhet më i vështirë për tu kuptuar.

Le të merremi me  Gjermaninë. Deri para 30-40 viteve politika gjermane dominohej nga dy parti.  SPD dhe CDU. Më pas mbërriti partia e gjelbër, ose ambjentalistët. Ambjentalistët u paraqitën si force revolucionare anti-establishment po përveç pjesëmarrjes si parti e vogël në koalicione nuk arritën shumë. Me valën e emigrantëve popullariteti i AfD-së  si parti anti-establishment u rrit shumë.

Establishmenti që perceptohej më përpara si grupi i kapitalistëve që dëmtonin ambientin tani shihet si grupi i personave që taksojnë gjermanët deri në kockë dhe flasin pa prova mbi ngrohjen globale, shihet si grupi i personave që duan të zëvendësojnë gjermanët etnikë me emigrantë, shihet si grupi që mbrojnë Amerikën dhe vendimet e saj me fanatizëm dhe si grupi që po shkatërrojnë Gjermaninë.

Këto më sipër nuk i thashë për të kritikuar ambjentalistët apo AfD-n, ndonëse të dyja grupet kanë shumë aspekte ideologjike që duhen kritikuar. E bëj për të shpjeguar se si kundërshtimi ndaj establishmentit,  krijon njolla skizofrenike kur përkthehet në formë partish. Një anë e sheh botën si planetin që po digjet nga ndotja dhe nga establishmenti që s‘bën asgjë. Ana tjetër sheh Gjermaninë që po digjet nga emigrantët. Asnjëra anë nuk e merr çështjen e qeverisjes, e alternativave ekonomike, të gjeopolitikës etj, seriozisht.

Nëqoftëse duam të kuptojmë pra se çfarë është vërtet establishmenti duhet të vëmë në pah të atë çka të dyja partitë nuk kritikojnë. Në Gjermani ajo që nuk preket as nga ambjentalistët, as nga CDU as nga AfD as nga FPD dhe as nga SPD është sistemi ekonomik neoliberal. SPD u infektua në kohën e Schröderit, CDU u infektua që në vitet 90, FDP ishte e infektuar që në fillim, Grünet(ambjentalistët) u infektuan me kohën dhe AfD që në fillimet e saj ishte e infektuar. E vetmja parti e painfektuar në Gjermani është ajo e majtë, Die Linke, por këta janë të painfektuar sepse janë deri diku marksistë dhe në këtë rast është si të zgjedhësh murtajën në vend të kolerës. Pas shtresës së parë të establishmentit vjen ajo që une e quaj shtresa e dyte e establishmentit. Në këtë shtresë të dytë AfD nuk bën pjesë.

Shtresa e dytë është shtresa e partive që jane pro LGBTQI, pro çdo lloj shkatërrimi të çdo lloj vlere njerëzore, pro shkatërrimit të familjes, pro zëvendesimit të popullsisë etnike. Këta janë miqtë e globit, internacionalistët entuziastë e  shumëngjyrësh që duan ta shndërrojnë Europën në një mish-mash racash, popujsh dhe besimesh fetare. Janë gjithashtu establishmenti pro-europian (jo pro rus si AfD që është dhe më keq). Janë establishmenti pro Euros, pro globalizimit pa kufi, pro ekonomisë dhe „mirëqenies“ pa kufi etj. Me përjashtim të AfD e cila mund të sjelli nje riorentim gjeopolitik dhe një kulturë më konservatore Gjermania nuk ka ndonjë alternativë tjetër.

Analiza që bëmë më sipër na tregon që nuk duhet të presim thjesht mbërritjen e partive të reja për ti quajtur anti-establishment. Duhet analizuar qendrimet gjeopolitike, kulturore dhe ekonomike, të këtyre partive. Njerëzit mund kapen nga një delir i momentit dhe të mendojnë se përbëjnë forcë anti-establishment ndërkohë që padashur forcojnë establishmentin.

Vazhdojmë më Italinë. Rasti italian është shumë interesant. Kemi dy parti: Lega Nord dhe Cinque  Stelle. Janë për momentin në koalicion me njëra tjetrën për arsyen e thjeshtë sepse janë kundër establishmentit. Përve_ hyrjes më të madhe në borxh nga ana e të dyja partive dhe uljes së taksave ndonësë borxhi është në maksimum ky koalicion ka korrur fitore të vërtetë në Itali. Ideja e vendosjes së monedhës paralele, dëshira për sovranitet monetar, fakti që kanë kuptuar që BE është kurth për vendet jugore etj.

Madje dhe marrja borxh mund të shihet si dëshirë për të destabilizuar Eurozonën dhe ndoshta dhe shkatërruar Euron përfundimisht. Gjeopolitikisht Lega Nord është më e drejtuar nga Rusia në krahasim me partitë e mëparshme. Cinque Stelle nuk kuptohen dhe aq lehtë se çfarë duan gjeopolitikisht, ndonëse një këqyrje e ideve të Diego Fusaro mund të na japë disa të dhëna paraprake. Ama të dyja partitë duan shkatërrimin e BE-së. Dëshira e Italisë për të marrë pjesë në Rrugën e Mëndafshit bashkë me Kinën do të thotë se një Itali e lodhur nga diktati i BE-së është gati të ndjekë edhe udhën Kineze.

Nga ana kulturore vihet re gjithashtu një konservatizëm i ri në shoqërine italiane, i frymëzuar së pjesshmi nga Lega Nord. Partitë italiane ndryshe nga ato gjermane mund të themi se janë me të vërtetë parti anti-establishment. U bënë të tilla nga nevoja.  Gjermania ndonëse neoliberale deri diku nuk ka pasur austeritet deri në pikën ku spitalet nuk funksionojnë siç duhet dhe nuk ka punësim.

Gjermania ka vuajtur nga politikat neoliberale vetëm në departamentin e rrogave, që i ka të ulta. Italia nga ana tjetër nuk ka përfituar nga këto politika. Partitë e mëparshme italiane mbronin konsensusin se BE-ja ishte diçka e mirë, se tregjet e hapura pa kufi dhe euroja do sillnin mirëqenie etj. Ky qëndrim tanimë, ka ndryshuar rrenjësisht.

Në Francë situata është pak më e çuditshme nga ana ekonomike. Franca zgjodhi Macron-in si person anti-establishment. Zgjodhi dikë që ishte pro liberalizimit dhe fleksibilizimit të ekonomisë.(Ndonëse tani po e kundërshtojnë). Kulturalisht dhe ekonomisht Macron-i është pjesë e atyre tipave të establishmentit siç i kemi parë në Gjermani dhe Itali.

Gjeopolitikisht Macron-i  kërkon një BE shumë më të fortë se e tanishmja. Ushtri të  përbashket, më shumë kompetenca ekonomike, ndarje të  përgjegjësive(që s‘eshtë ide e keqe por që nuk i pëlqen Gjermanise). Partia e dytë më e fuqishme dhe që mund të quhet anti-establishment kulturalisht dhe gjeopolitikisht është Fronti Nacional. Fronti Nacional është pro rus, kundër BE-së, kundër emigrantëve.

Anglia është gjithashtu rast interesant sepse pikënisja e dëshirave të popullsisë është e njejtë si në Itali dhe Gjermani. Gjithsesi anti-establishmentarizmi po krijohet brenda vetë partive që më përpara kanë qenë pro-establishment. Laburistët me vështirësi të mëdha po nxjerrin një Jeremy Corbyn pro rus dhe anti neoliberal. Konservatorët nxjerrin figura anti-BE por dhe pro BE-së.(ashtu si dhe Corbyn nuk gjen mbështetje totale brenda partisë së vet). UKIP përqëndrohet në luftën kundër emigrantëve.

BE-ja konsiderohet si establishment në të gjitha vendet e sipërpërmendura. Në të treja vendet e tjera përveç Francës(që nuk ka vuajtur shumë nga politikat neoliberale) shohim tendenca anti-neoliberale edhe pse me një një gradë të ndryshme organizimi kundërshtues. Në Gjermani ky organizim nuk ekziston, në Angli përfaqësohet nga Corbyn dhe në Itali është shumë fort i mishëruar në dyshen Lega-Stelle. Ka ndjeshmëri të forta kundër emigracionit dhe kundër globalizmit nga një pjesë e popullsisë.

Në Gjermani ka ndjeshmëri  shumë të mëdha pro ambjentaliste nga një pjesë tjetër e popullsisë. Në Angli situata ështe e përzier. Disa janë anti establishment sepse nuk duan emigrantë dhe disa të tjerë sepse duan ekonomi më të mirë. Nuk dimë nëse këto ndarje krijohen nga partitë qëllimisht, për mos ti dhënë popullit të gjithë kekun e quajtur anti-establishmentarizëm por vetëm një copë.

Një gjë është e sigurt: Kjo situatë skizofrenike nuk mund të vazhdojë gjate. Përveç Italisë që i ka bashkuar në një front, të gjitha idetë anti-establishmentariste, vendet e tjera po jetojnë në botën e çudirave. I copëzuar, realiteti ndërron formë, nga një vështrim tek tjetri.

Në këtë pjesë te analizës u përqëndruam në anti-establishmentarizmin përsa i përket situatës politike, drejtimeve politike, ndjeshmërive anti-establishment të popujve të ndryshëm europianë dhe partive politike në vendet kryesore europiane. Në pjesën e dytë të këtij artikulli do të shpjegojmë shkurt çfarë roli luajnë mediat dhe intelektualët  në krijimin apo shkatërrimin e establishmentit.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019