Shqipëria në pështjellim.

Gjendje e amullt. Për herë të dytë në këto 30 vjet tranzicion shteti shqiptar ndodhet i zënë në një ngërç sistemik i cili ndonëse jo i krahasueshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë me krizën e zgjedhjeve të majit 1996, përsëri përbën preçedent të rrezikëshëm për të ardhmen. Zgjedhjet vunë në sprovë edhe njëherë aftësinë e shqiptarëve për të zbatuar parimet më themelore të një demokracie delikate, difektet e së cilës sa vijnë e dalin më shumë në pah.

Situata për fat të mirë nuk degjeneroi në dhunë e në përplasje mbarëkombëtare. Thuhet se kur beteja mbaron, është koha për të bërë llogaritë e për të mbledhur e varrosur trupat. Prandaj, na intereson të trajtojmë ndodhitë e ditëve pas stuhisë.

Opozitarët shqiptarë, qofshin këta parti të mëdha ose OJQ, rregullisht kyçen në një spirale sensacionesh dhe ekzagjërimesh për të përçuar mesazhet e tyre përkatëse. Kjo spirale sensacionale supozohet se do mund të prekë popullin në zemër, por në të njejtën kohë ekziston një rrezik i lartë i budallepsjes, ajo që zakonisht quhet “të tallesh me popullin”. Prandaj le të shpjegojmë ca terma.

Fillimisht, duam apo s’duam, zgjedhjet nuk ishin moniste. Kush mban mend kohën e xhaxhit e kupton shumë mirë për çfarë po flasim. Në kohën e xhaxhit, nëse nuk hidhje fletën në kuti, të internonin. Gjithashtu në mënyrë magjike, Fronti Demokratik merrte 99% të votave. Edhe në një demokraci delikate, ana tjetër e medaljes nuk ka pse të jetë diktatura. Por mund të jetë amullia e lënia pezull.

Zgjedhjet nuk ishin as njëpartiake. Ekzistonte një parti e dytë, edhe pse jo shumë e njohur dhe e sprovuar. Këto akrobacira ua lëmë liderëve të opinionit. Pra ç’ishin zgjedhjet?

Në fjalorin e teorive politike ekziston një term i rëndësishëm. Sisteme me një parti dominante. Janë këto, sistemet ku një parti, pa qenë nevoja të vënë tyta mbi kokë, dominojnë mbi gjithë sistemin, duke i vënë fshesën gjithë opozitës nominale.

Të tanishmet, ishin zgjedhje pa opozitë. Po të gërmojmë pak më thellë, kuptojmë se ishin zgjedhje pa alternativë të qënësishme. Ky është fakti më i rëndësishëm e më i tmerrshëm i kësaj gjendjeje të nderë.

Rregullat e lojës diktojnë edhe llojin e opozitarizmit. Deri tanimë opozitarizmi është karakterizuar nga lufta e kokave të mëdha, një luftë pa ideologji, me profile sunduesish, siç kemi thënë dhe diku tjetër.

Shtrati ideologjik i vetëm, që ka kushtëzuar vendosjen e fasadave ishte liberalizmi. Kështu, partitë shqiptare e modeluan veten sipas sistemit amerikan, ku Partia Socialiste ndërmorri hapa të mëdha për tu shndërruar në një kampione të të drejtave sociale, e ngjashme me Partinë Demokratike në Amerikë. Partia Demokratike në Amerikë njihet si “partia e çdokujt”, që lufton për të drejtat e grupeve të margjinalizuara, por në të njejtën kohë ngurron të vërë dorë në ekonomi, e të mbështesë njeriun e zakonshëm. PS-ja e fuqizuar nga Soros ndjek të njejtën rrugë. Kurse PD-ja, supozohet se janë Republikanët, të papërkrahurit e sistemit. Kontraversët, liberalët e djathtë, të përzier me ca konservatorë. Sipërfaqësisht e në mënyrë banale, njërëzit krijojnë kundërshti fiktive mes jugut mendjehapur e veriut mendjembyllur.

Politika e ditës është krejt ndryshe. E vërteta është se krerët e PS, u treguan të aftë në krijimin e një imazhi prej njerëzish të butë, të mirë, e politikisht korrektë. Prandaj e në lojën e kokave fituan shenjtorët e djallëzuar.

Si shkuam deri këtu?

Ka shumë faktorë të ndërthurur me njëri-tjetrin. Njëri prej tyre është postulati i përmotshëm që përbashkon aspiratat e partive në tregun elektoral, aspirata për në BE. Askush nuk ka guxuar të flasë apo të veprojë ndryshe.

Faktori ndërkombëtar kësaj here nuk është se luajti ndonjë rol të madh. Të huajt janë lodhur me ne. Fillimisht është për tu cuditur se si ndërkombëtarët u „tërhoqën“ nga cka kishin thënë para disa ditëve. OSBE nuk deklaroi më se zgjedhjet do njiheshin se s‘bën por tha se do u duheshin dy muaj kohë për të verifikuar parregullsitë e ndryshme që ndodhën dhe për të thënë nëse zgjedhjet janë legjitime apo jo. Gjithashtu, çuditërisht OSBE u tregua si një organizatë e cila nuk dëshiron të ndërhyje në punët e Shqipërisë pa lejen e Shqipërisë.

Kur u pyetën nëse do merrnin pjesë në zgjedhjet e tetorit OSBE deklaroi se është në dorë të qeverisë së Shqipërisë që të thërrasë një mision të OSBE në Shqipëri. Është interesant ky lloj qëndrimi nëqoftëse e krahasojmë me qëndrimin e para pak ditëvë. Pse ndodhi kjo? Pa qenë në brendësi të ngjarjeve, sidomos në raste të tilla ku qindra pisllëqe nuk merren vesh dhe vetëm 1 apo 2 merren, nuk mund të themi gjë me siguri. Mund të spekulojmë se plani i OSBE dhe ndërkombëtarëve në përgjithësi ishte të legjitimonin këto zgjedhje. Pjesëmarrja e ulët, votat e pavlefshme etj ndoshta çuan në një goditje të këtyre planeve. Përndryshe vetë legjitimiteti i OSBE në Shqipëri do humbte për sa i përket pjesës më të madhe të popullsisë.

Pika e dytë që duhet të diskutojmë është fakti se sa hapur ndodhen „pisllëqet“ gjatë zgjedhjeve. Kërcënimi me vend pune mori përmasa të papara dhe ç‘është më interesantja, të gjitha u bënë publikisht. Këto mund të kenë ndodhur dhe më para dhe me parti të tjera. Fakti që po ndodh publikisht tani do të thotë që ky sistem e ka hequr maskën që më para ka pasur. Tani dhuna dhe kërcënimet duken qartë. Vjedhja e votave gjatë numërimit është po ashtu e qartë dhe e dukshme. Se sa jetë të gjatë do ketë një sistem që as nuk përpiqet të bëjë gjoja sikur nuk është i dhunshëm, mbetet për tu parë.

Kokat nuk mund të jenë më alternativë. Lufta e kokave mbaroi, dhe viktimat tashmë zvarriten duke kërkuar grimca byreku nëpër tepsi. Ata kanë frikë. Kanë frikë nga SPAK, e kanë frikë nga ndëshkimi.

Ndëshkimi nga ana tjetër është vetëm gjysma e punës. Ndëshkimi do t’i bëjë mirë sunduesve të tanishëm por nga ana tjetër edhe do të provojë se de jure, partitë akoma nuk hyjnë në garë me qëllim për ti shërbyer popullit, ose idesë kombëtare.

Kjo e fundit deklarohet si e rrezikshme nga pothuajse të gjithë. E vetmja ide që mund të na shpëtojë të gjithëve, baltoset. Po vijnë kohë të reja e të pasigurta, është njëherazi momenti më i mirë e më i keq për ti kthyer sytë diku tjetër e për ti zhdukur njëherë e mirë fantazmat e së kaluarës. Le të përqafojmë një alternativë, gjithmonë të gjendur aty mu përpara hundës sonë, por të injoruar nga të njejtët shpëtimtarë të vendit që na çuan deri këtu.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019