Në pamje të parë Moldavia është një shtet normal, i gjendur në skaje të Europës Lindore, afër me Rusinë, vetëm Ukraina e ndan nga kontakti i menjëhershëm. Megjithëkëtë, Moldavia përfaqëson me plot të drejtë, një të ardhme hipotetike për të gjitha vendet e Rajonit Tranzicional. Kjo e ardhme ka për karakteristikë, mospërfundimin e famshëm të tranzicionit. Moldavia ka disa karakteristika të përbashkëta me Shqipërinë në këtë pikë. Politikanët janë të korruptuar, partitë flijojnë interesin kombëtar për xhepat e tyre.
BE-ja dha alarmin për situatën politike në këtë shtet. Konsiderata ishte e qartë: Moldavia është marrë peng nga oligarkët e nuk lejohet të ecë përpara. Por ne të paktën kemi turistë, kurse Moldavinë e vizitojnë vetëm 11.000 të tillë në vit. Moldavia ndodhet në fazat e fundit të kancerit politik. Ajo është e sëmurë, por populli i saj nuk do tia dijë. Fundja, si do mund ta sfidonin sistemin politik, të ngatërruar lesh e li. Kë do të sulmonin është pyetja më e rëndësishme.
Kryeqyteti i Moldavisë, pasqyron situatën politike në vend. Ndërtesa të braktisura, rrugë të lëna pas dore, qytetarë të intoksikuar, nëpër rrugë duke kaluar kohën e mbetur. Pensionistë që shesin rroba në rrugë në pamundësi për të siguruar bukën e gojës (pensionet në Moldavi janë diku tek 40 euro).
Shqipëria nuk është identike me Moldavinë, pasi ky do të ishte një ekzagjërim i pamasë. Gjithsesi, deri në atë pikë mund të shkojmë, edhe pse fasadat e kryeqytetit shkëlqejnë. Ekonomikisht jemi ca më mirë, kulturalisht kemi më shumë lëvizje, politikisht – ngec.
Indeksi i demokracisë në botë e vë Moldavinë vetëm tre shkallë poshtë nesh. Ndryshimi nuk është i madh. Prapë konsiderohemi si regjim hibrid, pra jo si demokraci me defekte, por regjim hibrid.
Në doktrinën katolike, limbo quhet ai vend ku shkojnë ata që nuk qenë në gjendje të pranojnë perëndinë e vërtetë, por në të njejtën kohë as nuk i përmbushin kushtet për një udhëtim vetëm vajtje për në ferr. Ferri për Moldavinë duhej të kish qenë shpërbërja e plotë, apo të bërit pjesë në Federatën Ruse, kurse parajsa, përfundimi i kalvarit të vuajtjeve tranzicionale duke u “integruar” në Europë.
Gjendja e limbos është e ndërmjetme. As për mirë e as për keq. As përpara e as mbrapa. Por në vend. Në limbo koha nuk ecën, nuk bëhet histori, ka lajme, por jo ngjarje. Nëse diçka ndodh, ajo bën pjesë në një normalitet moskokëçarës, ku jeta dhe vdekja kanë të njejtën vlerë, vlerën e asgjësë.
Në këtë situatë, populli dhe shteti ndodhen në një kundërvënie të thellë me njëri-tjetrin, por në të njejtën kohë një kundërvënie e qetë ku secili përpiqet të nxjerrë bukën e gojës edhe për një ditë tjetër. Burokracia në mënyrën e vet të njëllojtë, duke mbyllur një sy sa herë rëndësia e ndodhive tejkalon kompetencën e një pushteti dhe përgjegjësie fasadë, kurse populli duke vëzhguar në qiell, e duke menduar me vete “kjo është bota jonë s’kemi ç’ti bëjmë”.
Kjo është rruga me e sigurt drejt vdekjes.
Deri tanimë, janë trajtuar probleme të llojit “Ku jemi e ku duhet të shkojmë”, por më përpara kësaj, duhet folur mirë edhe për atë tjetrën, “Ku jemi e ku mund të shkojmë”.
Natyrisht që edhe Moldova, si çdo vend tjetër në Europën Lindore, përballet me luftën e saj të brendshme subversive, që projektohet për së jashtmi në manovra gjeopolitike. Manovra e fundit ishte vendimi i Rusisë për të sanksionuar importet bujqësore të Moldavisë – sepse kjo e fundit vendosi të bëjë një marrëveshje asocimi me Bashkimin Europian.
Sektori i dytë më i rëndësishëm në ekonominë Moldave, është bujqësia. Por nëse tregohemi të sinqertë, ky është sektori i parë më i rëndësishëm, pasi ai që njihet si sektori i shërbimeve, nuk prodhon asnjë lloj vlere ekonomike, ndonëse u jep mundësinë njerëzve të mbajnë frymën gjallë.
E njejta situatë është në Shqipëri pakashumë. Sektori i shërbimeve zë një vend shumë të madh në GDP-në tonë, për pasojë, nuk prodhojmë vlerë, por thjesht sa sillemi në vend. Sektori prioritar për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, do duhej të ishte industria. Të ri-industrializohet vendi. Përndryshe, mund të vazhdojmë të sillemi në vend. Le të kthehen sytë për nga Moldavia për busull orientimi, c’ka u ka ndodhur atyre mund të na ndodhë dhe neve.
Prapësëprapë në Moldavi njerëzit kanë nostalgji për Bashkimin Sovjetik. Si mund të mos kenë, limbo-ja nuk të ofron asgjë, kurse Bashkimi Sovjetik të paktën u ofronte diçka, sado e vogël kjo gjë.
Nostalgjikët e Enver Hoxhës këndej nga ne, siç e kemi shpjeguar dhe më parë, janë pafaj. Bollëku pa aspektin cilësor nuk të çon gjëkundi. Megjithatë në vend se të ëndërrojnë për kthimin prapa, duhet të kuptojnë se rruga është vetëm përpara.
Këtu vijmë dhe në problemin më thelbësor. Si del një popull nga limbo?
Ka disa zgjidhje, hipotetike.
Zgjidhja e parë është të mundohemi të zbusim dualizmin shtet-popull. Shteti duhet të jetë më afër popullit kurse populli nga ana e tij duhet të përvetësojë ligjin dhe ndërgjegjen civile. Në këtë skenar duhet të ekzistojë një ndërmjetës që të zbuse e pajtojë palët.
Mirëpo problemi këtu është se në vende tranzicionale, ndërtohen institucione fasadë, ku e ashtuquajtura shoqëri civile është thjesht një tjetër hallkë e fasadës, ku idealizmi mund të mos mungojë, por mungon të kuptuarit e halleve të përditshme, mungon vendosja e vetes në vend të tjetrit, të munduar. Hapësira online thjesht i ushqen këto dyshime duke i përforcuar, ekzagjëruar dhe vepruar për hir të interesave politike (partiake?)
Në një plan të dytë, disa kanë dëshira për revolucione, për përmbysje. Në rast se Shqipëria do të marshonte me hapa të shpejtë për në humnerë, kjo gjë do të mund të shtrohej si zgjidhje. Por Shqipëria nuk po ecën, ajo ka ngelur në vend. Mbetet të themi çka mund të na nxjerrë nga apatia, jo nga një regjim shtypës. Këtu, të ngelësh në vend nuk do të thotë të jesh prapanik, e as ti përmbahesh traditës, por thjesht të mos bësh më asgjë. Asgjë që përbën një vlerë, shoqërore, politike, e të tjera.
A është politika konflikt interesi i partive apo përpjekje për të përmirësuar mjetet, mënyrat e qeverisjes, të menaxhimit të situatave etj?
Duhet të fillojmë nga bazat për të ecur më tej. Nga A-ja tek ZH-ja qëndron një oqean i tërë i cili duhet kapërcyer ngadalë.Duhet rimenduar në themel, e pohuar, statusi jonë në botë, vetëdija politike. Ku jemi e ku duhet të shkojmë duhet ndërthurur me Ku jemi e ku mund të shkojmë.
Duhet kuptuar nga ana jonë, se komshiu nuk thirret për të të rregulluar punët e tua në shtëpinë tënde. Duhet kuptuar gjithashtu se, jashtë kësaj toke të quajtur Shqipëri, rregullat janë arbitrare, dikushi bëhet askush, e në fund të gjithçkaje, punët nuk nisin e mbarojnë tek vetja jonë. Por tek brezi i ardhshëm, çfarë do tu lëmë atyre e si do tu justifikohemi për mosveprimet tona.