Krahas një sfondi qytetërimor, e të përvijuar drejtësisht, Shqipëria qëndron e vetme, në mes të një konflikti gjeopolitik me përmasa të mëdha. Tek shkrimi jonë, “Parathënië mbi çdo gjeostrategji të ardhshme”, kemi konceptualizuar shkurtimisht themelin mbi të cilin kapaciteti jonë operacional do të gjykojë ngjarjet e së ardhmes e probleme të ngjashme.
Në të njejtën kohë, nuk mundemi të krijojmë një strategji të shëndoshë pa qartësuar dy pikat më të rëndësishme referenciale, që kanë të bëjnë me pozicionet e tanishme në fushën e shahut global.
Sipas vizionit tonë gjeostrategjik, dhe parimit të rrezikut, kjo luftë pozicionesh ka marrë formën e dy rrëfenjave të kundërta, secila me një modus operandi të veçantë. Në njërën anë qendron rrëfenja qytetërimore e Atlanticizmit, kurse në anën tjetër, Euraziatizmi, relativisht një koncept i ri, por me rrënjë të vjetra. Themi dy e pa përfshirë Kinën, jo sepse Kina nuk ekziston si pol fuqie, por sepse marrim parasysh rreziqet më të afërta ndaj vendit tonë. Ato që na prekin në mënyrë direkte.
Pra na intereson rreziku që i kanoset vendit tonë nga këto dy rrëfenja. Përqafimi i njërës apo tjetrës, rezulton në një vdekje të sigurt kombëtare. Vdekja është e sigurt, por përfundimet janë të ndryshme. Një përqafim i plotë i rrëfenjës Atlantike, na çon në ujëra të turbullta, në një apati mbarëkombëtare që kulminon në një vdekje shpirtërore. Kështu Shqipëria bëhet vetëm një muze historik, me një diasporë të përhershme, pa gjallëri shpirtërore për të qenë në gjendje të përballë sfidat e së ardhmes.
Imperativi Ideologjik Euraziatik, nga ana tjetër, kërkon një zgjidhje të shpejtë për konfliktet e Ballkanit. Rusia nuk ka frikë ti bjerë lapsit negativisht e në mënyrë të beftë përsa i përket Kosovës. Asimilimi këtu nuk do mund të bëhet në mënyrë ekonomike, me qetësi e me dashuri, por vetëm me një sinqeritet brutal, le të kthehemi prapa në kohë e ta kujtojmë paksa luftën e Kosovës dhe qendrimin e Rusisë.
Natyrisht që nuk mund ta braktisim metodën gjeopolitike, por mund të shmangim disa nga efektet anësore të saj.
Ca nga këto efekte janë: Hyjnizimi i një poli, pra rrëfenja. Moralizimi politik i ngjarjeve globale, si dhe krijimi i një dinamike shtypës-i shtypur. Kjo e fundit është më shumë karakteristikë e taktikës Euraziatike, që përdor terminologji pothuajse të majta për të përforcuar arsyetimin e vet gjeopolitik.
Pozitivisht, do të mundohemi të ndërtojmë një interpretim meta-gjeopolitik, krahas zgjidhjes praktike. Një diskutim për vetë gjeopolitikën, me të këqijat e me të mirat e saj. Shtuar kësaj, vëmëndje e veçantë i duhet dhënë kuptimësive të ndryshme që i bashkangjiten poleve të botës.
Dinamika shtypës- i shtypur është taktika më e rrezikshme e përdorur nga gjeopolitikanët qytetërimorë, e lidhur ngushtë me logjikën e rrëfenjës, sipas të cilës na duhet patjetër të mishërojmë të keqen absolute në një pol apo në një tjetër.
Jo vetëm që nëpërmjet ideve të tilla e vendosim veten në një pozicion inferioriteti, por gjithashtu shndërrohemi paprit e pakujtuar në idhtarë të një sistemi vlerash që supozohet se i mbajnë pishtarin një të vërtete universale që më pas butë-butë ulet në prehrin e një poli gjeopolitik e ndërton çerdhen mu aty.
Një rrëfenjë qytetërimore pretendon se mban skeptrin e të mirës universale, dhe të së drejtës, e se për këtë të mirë e të drejtë kërkon të sundojë botën. Ky është një gabim i rëndë. Atlanticizmi dhe Euraziatizmi janë të aftë për mizori të mëdha, për tradhti të mëdha e për thika pas shpine me po aq peshë.
E thënë shkurt e qartë, jemi në luftë. Lufta bëhet për mbijetesë, siç kemi thënë diku tjetër. Për të dyja anët, vendi i vogël i quajtur Shqipëri është një grumbull kapitalesh njerëzore për tu përdorur.
Sipas kësaj logjike, edhe armiku duhet trajtuar me dinjitet, duke ia kthyer vlerësimin me po të njejtën monedhë. Shkalla qytetërimore e konfliktit, pohon idenë tonë,”Etja për Weltmacht” nuk shuhet thjesht. Meqë konkurrenca për fronin e botës, nuk ndalet, asnjë anë nuk mund të ketë pretendime.
Në të njejtën kohë, nuk po e primordializojmë këtë gjë. Dinamika e Epokës nuk është e aq e hershme. Epokës i është dhënë goditja e fundit, me ndarjen e botës pas luftës së ftohtë.
Si fillim do përshkruaj thjesht rrymat ideologjike Euraziatike, dhe bashkëpunimin e tyre apo jo, me politikat zyrtare të Rusisë.
Atëherë le të fillojmë me Euraziatizmin. Në fakt, ekzistojnë mendime të ndryshme për zanafillën e Euraziatizmit. Disa thonë se idetë e Dostojevskit, përbënin një para-euraziatizëm të përqëndruar më tepër tek ripërtëritja shpirtërore e Rusisë, dhe qëndresa ndaj “Perëndizimit”.
Megjithatë unë konsideroj Lev Gumiljev, si pararendësin më të rëndësishëm të Euraziatizmit. Lev Gumiljev ishte historian e antropolog, i kohës së Bashkimit Sovjetik. Sipas Gumiljev, Eurazia me të vërtetë ekzistonte si një qytetërim më vete nga ai Perëndimor.
Rrjedhimisht, Rusia duhet të “integronte” popujt e tjerë brenda vetes, për të nyjëzuar përfundimisht unitetin e “qytetërimit Euraziatik”. Këta popuj të tjerë, janë kazakët, etnitë turkike, taxhikë, kaukazë, dhe një pjesë e mirë e Europës Lindore. Pra pikërisht siç do të vepronte një telurokraci për të ruajtur kufijtë e saj të jashtëm, Rusia duhet të integronte sa më shpejt këta të tjerë që nuk e shihnin veten si pjesë të saj.
Pas Gumiljev, me rënien e Bashkimit Sovjetik, lloj lloj ideologësh filluan ta rimarrin e ta ripërpunojnë këtë projekt. Më i famshmi prej tyre, ose më famëkeqi, është i ashtuquajturi filozof, Aleksandr Dugin. Për Aleksandr Dugin dhe idetë e tij do të flasim shumë, por diku tjetër. Tani për tani mjaftohemi të japim një panoramë të përgjithshme të taktikave Euraziatike.
Fillimisht, duhet bërë ndarja mes llojeve të Euraziatizmit. Ekziston një Euraziatizëm zyrtar, i qeverisë Putin, si dhe një Euraziatizëm gjysmë-zyrtar, themi kështu sepse fondet e këtij euraziatizmi gjysmë-zyrtar vijnë nga disa oligarkë rusë, pra me një fjalë, çfarëdolloj gjëje që Kremlini ka frikë ta mbështesë hapur, i delegohet oligarkëve me mirëbesim.
Euraziatizmi zyrtar kërkon të përforcojë pozitën e Rusisë në arenën ndërkombëtare, me anë të asaj që quhet Bashkimi Ekonomik Euraziatik. Strategjia afatgjatë supozohet se do kulminojë ose me krijimin e një boshti trepalësh Moskë-Ankara-Tehran, ose një tjetri më ambicioz, atij Berlin-Moskë.
Euraziatizmi gjysmë-zyrtar nga ana tjetër, është ai më i rrezikshmi. Pasi shumica e operacioneve të këtyre grupeve lobuese, bëhen nën tryezë. Rrjedhimisht, barra e vënies në dukje të këtyre veprimtarive, i ka rënë kryesisht agjencive të ndryshme investigative në Europë e më tej.
Teksa Euraziatizmi zyrtar ndjek direktivat e sigurimit të kufijve të jashtëm të Rusisë, ai gjysmë-zyrtar kërkon të bëjë realitet një ide të vjetër shumanëshe, që përmblidhet me fjalët “Një perandori Euraziatike nga Lisbona në Vladivostok”. Mbështetës i kësaj ideje është edhe “filozofi” Aleksandr Dugin.
Të dy këto vektorë gjeopolitikë veprojnë sipas idesë së Nicholas Spykman, sipas të cilës, nëse Tokëzemra (Rusia) kontrollon Gjysmëunazën (Europa bashkë me pjesën tjetër të Azisë), ajo ka në dorë fatet e botës.
Vitet e fundit kanë treguar se Rusia, e gjendur në një pozicion të pafavorshëm, nuk do tia dijë për luftra ekonomike. Sigurisht që nëpërmjet BEE-së Putin përpiqet të forcojë pozicionin e Rusisë duke e kthyer atë në një Panrajon, në mënyrë të ngjashme me Bashkimin Sovjetik. Por së fundmi, vendet e BEE-së kanë hasur në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, e ardhmja e këtij bashkimi është e paqartë.
Putin nga ana e tij ka deklaruar se do donte që vendet Baltike bashkë me Ukrainën, të bënin pjesë në këtë union. Duke marrë parasysh se gjuha zyrtare e BEE-së është ajo ruse, nuk mund veçse të dyshojmë mbi kuptimin e vërtetë të këtyre deklaratave. Këtu bën jehonë teoria e Mackinder sipas së cilës Europa Lindore është rajoni kyç për çdo vend ambicioz që kërkon të sundojë botën.
Vendet e Azisë Qendrore nga ana e tyre janë përpjekur ta vënë theksin tek identiteti i tyre i veçantë, dhe jo tek ai Euraziatik. Duket sikur pretendimet e Rusisë për një qytetërim mbarë-përfshirës Euraziatik fshehin ambicie imperiale. Rusia kërkon të forcojë pozicionin e saj sërish. E me të vërtetë, shumëllojshmëria e kulturave në kufijtë e jashtëm të Rusisë, nuk arrin dot ta mbështesë tezën Euraziatike.
Kështu Rusia, kryesisht përpiqet ta luftojë armikun e saj gjeopolitik, me anë të aseve nën mëngë. Duke mos pasur fuqi të mjaftueshme ekonomike dhe luftarake, Rusia mund ti ofrojë Perëndimit vetëm atë çka i ka munguar këto dekadat e fundit. Një kauzë të madhe. Lufta mes Rusisë dhe Perëndimit pra është e tillë si mës të pabarabartësh. Njëra anë kërkon të mbushë boshllëkun ekonomikisht, ana tjetër, pragmatike deri në ekstrem, ka zgjedhur një larmi të gjërë ideologjish e botëkuptimesh që supozohen se do ti mbushin shpirtin perëndimorit nihilist.
Euraziatizmi gjysmë-zyrtar rrëfen, jo mbi mirëqenien e bollëkun, por mbi ëndrrat për Romën e Tretë, e mishëruar tëk Mëma Rusi. Paradoksalisht këto ideologë kanë marrë borxh gjithashtu lloj lloj terminologjish e idesh të majta, duke krijuar kështu një sintezë idesh kontradiktore e joshëse, që përmblidhen në etiketimin që u bëhet këtyre zotërinjve. Ata janë të kuq e të bardhë në të njejtën kohë. Të kuq, në mohimin e tyre stoik për të delegjitimuar të shkuarën Sovjetike, e të bardhë, pasi ideali perandorak e fetar, u duhet për ti bërë njerëzit e pashpresë kapital gjeopolitik.
Eruditi më i madh ndër këta zotërinj është Aleksandr Dugin. Sipas tij, qytetërimi Romano-Gjermanik (Europa Perëndimore), është një qytetërim tragjik, i destinuar për tu djegur në zjarret e revolucionit të shenjtë që vjen nga lindja, që më pas të jetë i aftë të ringrihet përsëri, sigurisht nën kujdesin e Rusisë.
Në pjesën tjetër, do të analizojmë disa nga tiparet e kësaj ideje bombastike.
This blog post has been Digiproved © 2019