Bashkimi Monetar Europian (BME) është një nga çështjet më të diskutuara për hulumtuesit në ekonominë politike. Veçanërisht pas Krizës Euro, por edhe përpara se vetë natyra e Euros dhe e Eurozonës filloi të nxjerrë probleme. Zhbalancimet makroekonomike, rritja e defiçiteve në vendet jugore dhe rritja e sufiçiteve në veri, humbja e sovranitetit monetar të shteteve anëtare, janë vetëm disa nga këto probleme. Ndër metodat që i shpjegojnë ato, ekziston qasja Keynesiane që e sheh Eurozonën si një projekt neoliberal dhe pikëpamje të tjera, zakonisht të mbajtur nga ekonomistët e krahut të majtë, të cilët e shohin Eurozonën si merkantiliste. Ka shumë ngjashmëri në atë që të dyja këto qasje trajtojnë, edhe pse rrafshi teorik mund të jetë i ndryshëm. Kjo çon në pyetjen: A ka ndonjë ngjashmëri midis regjimeve monetare liberale dhe merkantiliste dhe si mund ta dimë? Në këtë ese do të përpiqem ti përgjigjem kësaj pyetjeje.
Filloj duke analizuar disa nga metodat që na tregojnë efektet e ndryshme që BME dhe Euro kanë pasur në vendet anëtare. Këtu i referohem autorëve të tillë si Johnston, Vermeiren etj. Pas shqyrtimit të disa prej efekteve që BME ka pasur në vendet anëtare do të paraqes mendimin e qasjes Keynesiane dhe të qasjes që e sheh BME-në si një projekt merkantilist. Pas zbulimit të ngjashmërive të forta mes tyre, do të vazhdoj të analizoj standardin e arit të shekullit të 19-të. Pas dhënies së një shpjegimi të shkurtër të asaj që Keynes mendonte për standardin e arit dhe çështjet monetare në përgjithësi, jap një shpjegim të ngjashmërive midis disa prej karakteristikave të standardit të arit dhe efekteve të tij dhe karakteristikave të BME-së dhe efekteve të saj. Pas kësaj, analizoj kapitullin mbi merkantilizmin nga Teoria e Përgjithshme e Keynes për të të nxjerrë në pah dallimet mes standardit të arit të shekullit të 19-të përkundrejt standardit të arit të merkantilistëve dhe efektet pasuese.
Në këtë ese argumentoj se ka ngjashmëri midis tre regjimeve monetare dhe se kjo mund të nënkuptojë edhe ngjashmëri të mendimit liberal me atë merkantilist, mbi regjimet monetare. Rëndësia e kësaj eseje është para së gjithash akademike. Ekzistojnë disa lloje qasjesh që shkojnë përtej idesë se liberalizmi dhe merkantilizmi janë të kundërt, që gjejnë ngjashmëri midis efekteve që idetë liberale dhe merkantiliste kanë. Një nga këta autorë është gjithashtu Flassbeck. Këto qasje janë megjithatë, të pakta. Kjo ese mund të shihet si një kontribut ndaj këtyre qasjeve.
Nga ana tjetër analiza ka dhe një rëndësi praktike. Zgjidhja e një problemi fillon me emërtimin e tij. Nëse nuk qëmtojmë ngjashmëritë ndërmjet efekteve të ideve liberale dhe atyre merkantiliste në botën, mund të gabojmë lehtazi edhe pse nuk i kuptojmë pasojat e një veprimi të tillë.
Si i sheh BE-ja zhbalancimet makroekonomike?
Zhbalancat makroekonomike brenda BME-së kanë qenë gjithmonë një temë diskutimi për ekonomistët. Përgjigjet dhe zgjidhjet nga BE gjithashtu nuk mungojnë. Në tekstin e tij mbi tregjet e punës në Greqi, Geoff Kennedy rendit një sërë reformash të tregut të punës, reforma të planifikuara dhe dokumenta, të cilat na tregojnë qartë se si BE-ja i qaset zhbalancave ekonomike. Megjithëse teksti përqendrohet kryesisht në Greqi, pothuajse të gjitha këto të dhëna janë të vlefshme edhe për vendet e tjera periferike të BE-së, si Spanja, Portugalia etj. Pothuajse të gjitha reformat dhe dokumentet përqendrohen në “rritjen e konkurrencës” së vendeve periferike. Jo vetëm zhbalancat makroekonomike të jashtme, por edhe papunësia do duhej të zgjidhej nëpërmjet rritjes së konkurrencës së vendeve periferike. Kennedy fillon duke përmendur reformat e viteve 90. Duke filluar në vitet ’90 me reformat e punës që krahasohen nga Kennedy me reformat korporatiste në Europën Veriore dhe duke vazhduar me Delors White Paper (ligji për liberalizimin e tregjeve të punës), objektivi kryesor ka qenë liberalizimi i tregjeve të punës, lufta ndaj ngurtësive dhe moderimi i pagave. Por, siç thotë Kennedy, ky është një moderim pagash që ka për qëllim rritjen e “konkurrencës së brendshme” dhe jo një zgjidhje Keynesiane që përpiqet të arrijë deri tek punësimi i plotë apo tek harmonia makroekonomike. Me fjalët e Kennedy:
” Më vonë, gjatë krizës në Eurozonë shohim të njëjtën prirje të BE-së për ti konsideruar tregjet e punës si problem kryesor. Përsa i përket vendeve periferike si Greqia, strategjia e elitave evropiane ka qenë të përdorë krizën si një mjet për transformimin e ekonomisë, nga faza e borxheve, tek ajo e konkurrencës”.
E njëjta gjë vërehet edhe nga Horst Tomann në artikullin e tij mbi zhbalancat makroekonomike në BME. Ai përmend Paktin për Konkurrueshmërinë” të 2011-s, i cili synonte të maste konkurrencën në të gjithë Eurozonën për të luftuar zhbalancat makroekonomike. Ky pakt do të zbatohej në bazë të rregulloreve nr.1174 / 2011 dhe nr.1176 / 2011. Sipas Tomann:
“Objektivi kryesor është zbulimi i mangësive në konkurrueshmërinë e shteteve anëtare në një fazë të hershme për të parandaluar zhbalancat dhe, nëse është e nevojshme, për ti korrigjuar ato. Në rast të mos-bashkëpunimit mund të vendosen sanksione “.
Siç po shohim shohim, barra e korrigjimit të ekuilibrave të jashtëm makroekonomikë bie mbi tregun e punës, dhe në shtetet më të dobëta periferike të BE-së. Çështja lind: Pse? Për t’iu përgjigjur pyetjes duhet të shqyrtojmë literaturën për llojet e ndryshme të kapitalizmit në BME dhe gjithashtu autorë të tjerë të tjerë të cilët kritikojnë neoliberalizmin e perceptuar të BME-së.
Së pari do të filloj të shqyrtoj literaturën mbi llojet e ndryshme të kapitalizmit në BME. Kjo literaturë është veçanërisht e mirë në shpjegimin e marrëdhënieve ndërmjet inflacionit dhe deflacionit në vendet e ndryshme të Bashkimit Monetar Europian dhe zhbalancave makroekonomike që pasojnë.
Mekanizmat prapa zhbalancimeve makroekonomike.
Sipas Johnston, arsyeja kryesore pse ekzistojnë paqëndrueshmëri të vazhdueshme të jashtme në BME është fakti se euro-ja i hoqi të gjitha mundësitë e shteteve për të korrigjuar këto zhbalanca. Në sistemin para BME-së apo edhe SME këto zhbalancime korrigjoheshin nëpërmjet zhvlerësimit. Kur SME ishte akoma në fuqi, ekzistonte ende një liri veprimi për vendet, në zhvlerësimin e monedhave. Edhe gjatë periudhës së vështirë të BME-së ka pasur ende një mënyrë për të koordinuar këto politika duke koordinuar politikat e bankës qendrore. E gjithë kjo humbi me ardhjen e euros. Por pse ekzistojnë ç’ekuilibrimet në radhë të parë? Për shkak të llojeve të ndryshme të kapitalizmit. Llojet e ndryshme të kapitalizmit nuk mund të bashkëjetojnë pa pasur mundësi për të rregulluar zhbalancat makroekonomike.
Sipas Johnston:
“Për shkak se ekonomitë e udhëhequra nga kërkesa e brendshme janë më të prirura drejt inflacionit sesa homologët e tyre eksportues, ceteris paribus, firmat e tyre gjithmonë do të mbajnë një pozicion më të pafavorshëm kur konkurrojnë me firmat e ekonomive eksportuese Megjithatë, ky disavantazh i krijuar nga inflacioni i lartë, nuk përkthehet domosdoshmërisht në përkeqësim të balancave të jashtme në krahasim me vendet eksportuese, pasi ndikimi i inflacionit në kursin real të këmbimit mund të kompensohet nga ndryshimet në kursin nominal të këmbimit. Në disa regjime monetare, kursi nominal i këmbimit dhe inflacioni i brendshëm nuk lëvizin së bashku, rritja e njërës kompensohet nga ulja e tjetrës. Monedha e përbashkët Euro, ndryshoi situatën, pasi hoqi dy mjete vendimtare rregullatore: normën nominale të këmbimit dhe bankat qendrore kombëtare.”
Dikush mund të pyesë: A ndihmuan politikat e BQE-së (Banka Qendrore Europiane) për ta kundërshtuar këtë prirje apo jo? Përgjigjja është jo.
Përsa i përket normave të interesit. Mandati i vetëm i BQE-së ka qenë gjithmonë stabiliteti i çmimeve për ta mbajtur inflacionin 2% ose më të ulët. Kjo, së bashku me efektin zhvlerësues që euro pati ndaj monedhës gjermane (ndryshimi nga Marka në Euro) dhe efekti i përgjithshëm vlerësues i euros, ka çuar në një përkeqësim të efektit që deflacioni i vendeve veriore ka mbi zhbalancat makroekonomike . Sipas Vermeiren BME ka këto probleme:
- Një efekt i përgjithshëm vlerësues i euros në shumicën e ekonomive. Disa prej tyre, duke qenë ekonomi tregu të përzier, dhe duke mos patur institucione të mira të cilat rregullojnë tregun e punës, e kanë të pamundur të arrijnë në deflacion dhë të jenë konkurruese përsëri.
- Deflacioni në vendet veriore, kryesisht në Gjermani , ka cuar në sufiçite dhe eksport kapitali në vendet e jugut. Gjithmonë në formën e borxhit. E keqja e BME-së është sipas Vermeiren fakti që BME ka bërë trysni kundrejt këtij eksporti kapitali. Sipas tij:
“BME vërtet ka ulur kostot e marrjes së borxheve nga ekonomitë me treg të përzier dhe në mënyrë të perkohshme ka rritur kapacitetin e tyre për të financuar defiçitet e jashtme. Ky lloj regjimi konservativ ekonomik i ka lejuar vendet me treg të koordinuar që tua lënë barrën e balancimit makroekonomik shteteve defiçitare kur balancat e brendshme bëhen të papërmbajtshme. Meqenëse shtetet defiçitare nuk mund të përdorin zhvlërësimin e monedhës për balancim ekonomik të jashtëm e vetmja zgjidhje që u mbetet është deflacioni i brendshëm. Në këtë mënyrë , menaxhimi i balancës së pagesave brenda BME-së funksionon jo vetëm në mënyrë asimetrike por dhe me te dëmshme se sa nën SME-n. “
Ky eksport kapitali pra shërben si njëfarë mekanizmi balancimi dhe shtyrjeje krize. Defiçitet e llogarive të tanishme supozohet të paguhen me borxhet e marra nga llogaria financiare. Marrja e borxheve ama, nuk zgjidh asgjë në mënyrë afatgjatë. Sipas Vermeiren është pikërisht kjo hierarki mes vendeve kreditore dhe borxhmarrëse në BME që u mundëson në radhë të parë shteteve te forta heqjen e barrës dhe detyrimin e shteteve të vogla për balancim. “Për shkak të shpërndarjes asimetrike të kostove të balancimit ndërmjet shteteve , funksioni kryesor i fuqisë monetarë është të shmanget sa më shumë të jetë e mundur nga këto kosto. Kjo mund të arrihet, nga njëra anë, duke shtyrë koston e balancimit me anë të financimit të zhbalancës së jashtme ose , duke shmangur koston tranzicionale të balancimit dhe duke ia hedhur barrën shteteve të tjera.
Në pjesën tjeter do shpjegoj qasjen Keynesiane që e sheh BME-në si neoliberale.
This blog post has been Digiproved © 2019