Shprehitë e psikikës së një populli nuk duhen injoruar. Sa herë vëmë re rëndom të thuhet në popull “çohu Enver”? Kjo thirrje për ringjalljen e diktatorit nuk është gjë tjetër veçse dukja e një ndjesie me përmasa më të thella. Enveri dikur simbolizohej me shtetin, shteti i fortë ishte mekanizmi përçues i një rendi total që nuk falte. Nuk faleshin parregullsitë, nuk faleshin krimet e vjedhjet, dyert e shtëpive mbaheshin pa kyç, në fund të fundit enver-shteti përshkonte çdo element të jetës shoqërore dhe individi e kishte sigurinë e garantuar. Pra populli dëshiron shtetin-mekanizëm dhe padashje invokon figurën komuniste të Enverit. Deri këtu çdo gjë është e qartë. Po shprehja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”?
Mbijetojë kjo, më e vonshme se paraardhësja. Kuptimi origjinal revolucionar i kësaj shprehjeje është venitur më shpejt sesa arketipi i Enver-shtetit, po ashtu edhe vitet e ndryshimit të pushtetit nga monizmi në pluralizëm janë varrosur në histori. Megjithatë, në protestën studentore krahas shprehjeve të tjera dallonte përsëri po kjo dashje e Shqipërisë si gjithë Europa. Tashmë ka vend për mëdyshje. Paradigma fillestare e idesë europiane e vendoste Shqipërinë e prapambetur në pozicionin e një entiteti inferior në krahasim me të mëdhenjtë e politikës në Europë. Më përpara e donim Europën për ekonominë e saj në pamje të parë funksionale, por kohët kanë kaluar dhe Europa nuk është më ajo e 27 viteve më parë. Fundja, për ç’europë po flasim? Pak a shumë ndodhemi në të njejtën rrethanë kulturore si fqinjët tanë në lindje, e po të lëvizësh nga pak e ta shikosh Ballkanin me sy kritik, nuk është se ndryshojmë shumë. Pra ideja Europiane medoemos duhet të jetë perëndimi, ose më mirë Bashkimi Europian. Ky i fundit nuk është ide fikse sikurse shteti-Enver, mbajtës i rendit absolut dhe garantues i të drejtave. Europa ka ndryshuar shumë vitet e fundit, duke marrë të tatëpjetën nëmos ekonomisht, kulturalisht. Kujt do ti ngjajmë në Europë? Gjermanisë që paturpësisht zëvëndëson popullatën e saj vendase për hir të interesave të nje klike të vogël, apo Francës që vendos snajperat nëpër ndërtesa, gati për të goditur ndonjë protestues fatkeq, por kurrsesi t’i hedhë hijen e dyshimit të ardhurve nga larg, të cilët hidhen në erë në mes të sheshit.
Vetëm vitin e kaluar, qyteti i Frankfurtit në Gjermani u vu poshtë nga te huajt duke i lënë gjermanët pakicë në shtëpitë e tyre. Më tej në Ingliterrën e madhe, një qytezë e vogël në Yorkshire, Savile, pothuajse sa nuk ka më këmbë britaniku rrotull. Nga 4,033 banorë të qytezës, vetëm 48 janë britanikë e për më tepër, përshtatja me kulturën angleze nuk ekziston. Pub-et e vogla karakteristike të jetës angleze, janë mbyllur, janë zëvëndësuar me xhami dhe qebaptore. Gjuha angleze në këtë qytezë është harruar, kurse Deobandit, sekti lokal, indoktrinon të rinjtë duke i këshilluar të mos përzihen as me hebrenj, as me hindu, e as me të krishterë. Toleranca është fjalë me huqe. Nënkupton të durosh tjetrin, jo të pajtohesh me të.
Ndodhi të vogla u paraprijnë të mëdhave por veprat e mëdha nuk bëhen sa hap e mbyll sytë, duhet të kalojnë vite të tëra që Savile të përkthehet në një Manchester, ose në Birmingham, por po të pyesësh britanikët andej, ata të përgjigjen thjesht, po ndodh. Suedia dikur e paqtë dhe e nginjur në bollëk, sot me po të njejtat probleme. Së fundmi, dy vajza suedeze morën përsipër të përfaqësojnë vendin e tyre mikpritës në Marok. Udhëtimi nuk shkoi mirë. U kapën nga disa marokenë e u përdhunuan, u vranë në një mënyrë çnjerëzore, iu pre koka. Si për të shfajësuar fqinjët e largët marokenë e për të nderuar humanizmin e dy vajzave, televizioni kombëtar skandinav e pa të udhës të mos e përmendte faktin që këta marokenë ishin terroristë të ISIS, edhe pse ata vetë e kishin pranuar në një video ku tregohej dhe me detaje vrasja e një prej vajzave. Gjithashtu ky televizion, nga dhembshuria e madhe nuk denjoi të përdortë fjalët “prerje koke”, por “dëmtim në qafë me thikë”. Në të ardhmen dhe ekzekutimet pas murit nga çdo pushtet politik e terrorist, sipas kësaj logjike duhen quajtur “dëmtimë me plumb në ballë”.
Përgjigjia ndaj këtyre fenomeneve nuk vonoi, por sipas metodës krejtësisht europiane, shapi nuk u nda nga sheqeri, dhe burokracia strukturore e sundimtarëve të europës hasi në rrezikun “populist”. Një problem gjysmë i zgjidhur i jep shkas mbirjes së filizave të një mosbindjeje në fillim lokale, më vonë ndërkombëtare. Kështu, Europa grindet mes vetes, sa burokratë në njërën anë, e demagogë në anën tjetër. Demagogji populiste dhe burokraci Europiane. Fushëbeteja lë hendeqe pushteti të cilat presin të mbushen. Hartuesit e dokumenteve strategjikë për menaxhimin e situatave të krizës, u ndërsejnë ministritë e së vërtetës oruelliane bashkëqytetarëve. Demagogjia rrezikon të thellohet kurse sundimtarët nuk e kuptojnë se po fuqizojnë palën kundërshtare.
Dikush mund të thotë se edhe europianët bejnë krime, edhe ata si njerëz jo perfektë bien në mëkat dhe prishin qetësinë publike, pse duhet te kemi frikë nga krimi i huaj? Përgjigjia ndaj kësaj pyetjeje është fare e thjeshtë. Një zjarr i ndezur nuk fiket duke i hedhur më shumë benzinë. Disa të tjerë thonë që integrimi është i mundshëm. Të huajt mund të asimilohen. Edhe këtu ka pikëpyetje. Dikush që ndërron nacionalitetin sipas rastit një herë, e bën dhe herë të tjera. Nacionaliteti pastaj kushtëzohet sipas një procesi ndërrimi këpucësh. Meqenëse për tu dukur bukur duhet të kesh shumë këpucë, pritet që vetë kultura, dhe rëndësia historike e nacionalitetit, të reduktohet në formën e një këpuce të veshur nga leverdia. Por, meqë lëvizjet në Europë janë të shumëfishta, edhe kjo këpucë një ditë humb veçantinë e kthehet në nallane. Siç përshëmbull ca nga tanët kthehen nga të qenit Gjergj, në të qenit Jorgos. Përfundimisht nuk janë as Gjergj e as Jorgos.
Ashtu sikurse ndryshimet e mëdha kulturore duhen lënë të ndodhin spontanisht, jo me plane të skicuara. Në europën si koncept gjeografik, lindja nuk i ka humbur tendencat imituese. Por rajoni lindor sikur nuk ka shumë dëshirë të kopjojë modelin qeverisës alla agjenturë e shërbimeve të fshehta Ruse. Me të drejtë. Prandaj mbetet imitimi i burokracisë, dhe në këtë pikë lindja shkëlqen por e kaluara e saj komuniste akoma nuk e lejon të stërhollojë strategjinë burokratikë, kështu që imitimi është i dorës së dytë. Gjithashtu imitimi demagogjik është i dorës së tretë, e pak më shumë gati të bjerë në pusetë për nga mungesa e zgjuarsisë në të vepruar. Fundja, populistët nga perëndimi edhe i duan nga pak vendet e tyre, por këndej nga ne, është vështirë që një populist të pretendojë të dojë popullin.
Domethënia e lëvizjes jelekverdhë është pikërisht përqëndrimi i pushtetit në duart e një personi të vetëm, Macron-it. Macron, si i jashtëm (outsider) i fabrikuar, kërkoi të imitonte modelin Trump por i ra tavani mbi kokë sapo mori frenat e shtetit.
Duke marrë për bazë këtë lëvizje, edhe mund ta duam Shqipërinë si Europa por vetëm nësë admirojmë kapacitetin francez për të rezistuar, edhe pse ky kapacitet ka problemet e veta që mbijnë nga mungesa e arsyetimit afatgjatë. Francë e dashur, mos merr zjarr si pushkë jevgu! (popullorçe, nuk kemi gjë me jevgjit) Në të njejtën kohë ia vlen ta pëlqësh gjermanin si gjerman, të disiplinuar e të përgjegjshëm për sjelljen e tij karshi bashkëkombasve.
Tek dashja, nuk mjafton ta dëshirojmë Shqipërinë si “Europa”, por edhe duhet ta dashurojmë. Ta duam nëpërmjet vullnetit dhe ta dashurojmë nëpërmjet vetëdijes. Përndryshe, problemi mbetet i kufizuar në një plan dypalësh. Europa nuk e do vetveten, si mund të na dojë neve? Kurse ne, që nuk e duam vetveten si mund ta duam Europën?
Bota është portokalle. Çfarë të mbjellësh do të korrësh, injorimi i një çasti të vyer rrezikon të ardhmen e të gjithë brezave pas nesh.
Prandaj, lexues i dashur. Le ta duam Shqipërinë si e gjithë Shqipëria.