Në kurriz të Shqiptarëve: Schengen-i Ballkanik. Pjesa I

Marrëveshja e fundit e cila u nënshkrua nga Rama, e ashtuquajtura marrëveshje e “Shengenit Ballkanik”, pra marrëveshja ku ne zotohemi për lëvizje dhe tregti më të lirë me Serbinë dhe Maqedoninë, ka pushtuar ekranet dhe mediat shqiptare këto ditët e fundit. Por askush nuk ndalon të pyesë se çfarë po ndodh vërtet. Kudo ka thashetheme dhe teori të ndryshme fluturojnë mbi kokat e njerëzve.

A kanë njerëzit faj që se dinë çfarë po ndodh? Jo, sepse jemi të kapluar nga një terr i madh informativ.

Narrativa e parë është ajo e Altin Goxhajt dhe atyre që mendojnë si ai. Pra, se çdo gjë në politikën e jashtme dhe të brendshme shqiptare drejtohet nga Sorosi.Në këtë rast Goxhajt nuk mund t’i hidhet shumë faj. Mesa shihet qartë në fotot e konferencës në Novi Sad, ishte pikërisht Sorosi, në këtë rast Aleksi, i cili e organizoi këtë konferencë. Dukej qartë nga posterat, nga prezantimet me Power Point etj. Në të tëra këto dukej qartë emri i Fondacionit Shoqëria e Hapur.

Dhe ideologjikisht duket sikur gjërat përputhen mirë. Soroizmi është për shoqëri të hapura, për tregje totalisht të hapura, anti-nacionalizëm etj. Dhe si gjithmonë, soroizmi nuk pyet për pasojat e ideve ndaj vendeve ku përpiqet ti implementojë. Pra shumica e ideve përputhen. Problemi i vetëm mendoj unë, është ky: Marrëveshje të tilla kaq pikante në Ballkan, pra në një zonë që është fuçi baruti gati për të shpërthyer, nuk besoj se i lihen në dorë kaq lehtë Sorosit. Rusia do pjesën e vet, Amerika po e po, Europa ndoshta po etj. Pra pyetja që duhet ti bëjmë vetes është: A është Sorosi në këtë rast mjeshtri i vërtetë i kukullave apo thjesht një kukull që organizoi një konferencë dhe aq? Kësaj pyetjeje nuk dimë ti japim përgjigje por gjithsesi nuk është keq të mendohet.

Narrativa e dytë është narrativa amerikano-ruse. Sipas kësaj narrative Amerika dhe Rusia, të dyja duke mos dashur shqetësime në Ballkan, ranë dakord mbi këtë marrëveshje. Kjo shihet pak a shumësi zgjatim i ideve amerikane për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë(të cilat dështuan). Këtë herë ama nuk dështuan pasi marrëveshja në Novi Sad u nënshkrua. BE-ja sipas kësaj narrative ose ka rënë dakord me këtë ide ose nuk po pyetet fare.

Dhe kjo ide nuk duket keq në pamje të parë por ka disa probleme.Pse Gjermania kundërshtoi me forcë shkëmbimin territorial ndërmjet Serbisë dhe Kosovës por po mbështet këtë marrëveshje? A është vërtet pa rol BE-ja në këtë mes? A janë budallallepsur amerikanët aq shumë sa mos të kuptojnë se në këtë mënyrë influenca serbe(dhe ajo ruse) po rriten në mënyrë shumë të madhe? Apo janë lodhur amerikanët duke ndërhyrë kudo dhe tani duan vetëm qetësi? Pyetje të cilave nuk ia dimë përgjigjen por të cila nuk janë keq të mendohen. Narrativa e tretë është pak më interesante për faktin e vetëm se autori e mbështet këtë narrativë mbi fakte, libra akademikë etj. Autori në fjalë ka lajmëruar për këtë problem që para 10 viteve. Narrativa thotë se është pikërisht BE-ja , e cila me një politikë të jashtme të ideuar dhe të mbështetur nga Franca, u përpoq për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

Autori në fjalë është Shaban Murati, diplomat karriere me një histori të gjatë librash dhe studimesh mbi çështjen serbe dhe diplomacinë serbe. Nuk e dimë sa i pastër është autori në fjalë por këtu po analizojmë vetëm mendimet e tij dhe jo pastërtinë e tij.

Sipas autorit Serbia po e tregon hapur fare dëshirën për krijimin e një Jugosllavie të re, e cila këtë herë përfshin dhe Shqipërinë. Autori përmend intervistën e Vucicit tek gazeta “Politico” por dhe deklarimin e tij, i cili nuk është dhe aq i qartë, por i cili as nuk e mohon faktin e krijimit të Jugosllavisë. Në këtë deklari Vucici thotë se krijimi i Jugosllavisë është “një ide politike”.

Sipas autorit përveç shkaqeve kryesore dhe të përmendura më para si dëshira e Rusisë për shtrirjen e influencës ndaj shteteve ballkanike të cilat janë të dobësuara në krahasim me Serbinë, faktor shumë i rëndësishëm është dhe BE-ja.Dhe roli i BE-së sipas tij është i dyfishtë. Fillimisht Vucic ka siguruar mbështetje ne kancelari të shumta europiane dhe në Europë në përgjithësi për diplomacinë e tij.Vucici e paraqet Serbinë si një shtet i cili nuk do të drejtohet drejt Rusisë por drejt BE-së. Gjithashtu e paraqet Serbinë si një shtet nën udhëheqjen e të cilit Ballkani do të ketë stabilitet.

Por nuk do ishte aq e thjeshtë mbushja e mendjes nëse nuk do ekzistonin plane diplomatike europiane në sirtar. Plane të cilat kërkonin krijimin e nje Jugosllavie të re.

Autori përmend se si kishte shkruar mbi këtë çështje që në vitet 2010-2013. Krijimi i forcës policore ballkanike, afrime të tjera ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, të tëra çojnë sipas tij në rezultatin e sotshëm. Autori përmend se si planin e kësaj Jugosllavie të re Vucici e përmendi gjatë vizitës së tij në Francë.

Mendimi ynë mbi këtë narrativë? Është i besueshëm deri diku, të paktën më shumë se skenaret e tjera të paraqitura këtu. Shitja e armëve franceze Serbisë, mbështetja e madhe franceze ndaj Serbisë koët e fundit etj të bëjnë të dyshosh dhe më shumë për këtë gjë. Ka disa probleme ama dhe këtu. Probleme të ngjashme me të mësipërmet që kemi përmendur.

Problemi kryesor me gjithë narrativat e mësipërme është se të gjitha paraqesin copëza të së vërtetes, nëse janë të vërteta në radhë të parë. Nuk shihet problemi në kompleksitet duke përfshirë rolin e tërë aktorëve të mëdhenj.

Të vërtetat dhe gjysmë të vërtetat apo dhe gënjeshtrat rrallë paraqiten në shkrime serioze ne gazeta apo artikuj shkencorë. Ndonjë status në Facebook i Altin Goxhajt mjafton për të bindur çerekun e popullsisë se Sorosi është ai që ka ideuar çdo gjë.

Marrëveshjet e tanishme na kujtojnë marrëveshjet e fshehta prej tradhtarësh,  të nënshkruara nga Esat Pashë Toptani. Gjithashtu na kujtojnë konferencën e Jaltës dhe mijëra konferenca të tjera ku me fatin e shqiptarëve është luajtur sikur po luhet me top futbolli. Ama lojë me top futbolli në një dhomë të errët në mënyrë që shqiptarët mos të shohin dot lojën.

Duke mos ditur se nga të vjen e keqja nuk di nga të ruhesh. Nuk di se për cilin armik apo rrezik t’i paralajmërosh njerëzit. Natyrisht rreziku konkret quhet Serbi por nuk dimë ekzaktësisht rrezikun që fshihet mbrapa Serbisë si fuqi rajonale.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019