Ajo çka bie më shumë në sy në Doktrinën Davutoglu është mospërputhja mes metodës dhe qëllimit. Vetë Davutoglu është konservator me prirje islamike, të cilat i ka zhvilluar më së miri në një libër tijin të vjetër të quajtur “Paradigma Alternative” i vitit 1993. Jo rrallë pikëpamjet e hershme derdhen në ato të mëvonshmet, dhe provë për këtë është Osnovi Geopolitiki i Alexandr Dugin, një tjetër trajtesë gjeopolitike që synon ta ngrejë statusin e Rusisë në një perandori botërore, ta ulë atë në fronin e botës. Metoda e librit në këtë rast është liberale. Davutoglu synon të zgjidhë çështjet e vjetra me një qasje të afërt me atë të Turgut Ozal. Politikës së brendshme Davutoglu i jep trajtimin pragmatik. Kurdët duhet të integrohen por jo tu jepet hapësirë për vetëvendosje totale, kurse konfliktit fetar-shekullar i duhet dhënë trajtimi Ozal, me një të mesme të artë ndërmjet fondamentalizmit dhe qemalizmit.
Në politikën e jashtme, Davutoglu ndjek parimin “Sot të penës e nesër të pushkës”. Ky parim me terma më zyrtarë quhet “fuqia e butë”. Fuqia e butë konsiderohet si një alternativë ndaj pushtimit ushtarak të hapur e të dhunshëm. Një koncept tërësisht liberal. Përse kërkon Davutoglu ti përmbahet kësaj qasjeje? E thjeshtë. Turqia nuk ka aq fuqi ushtarake sa të zgjerohet me dhunë në territoret e perandorisë osmane. Nëqoftëse metoda e Davutoglu do të ishte qëllim në vetvete, ai nuk do të invokonte nostalgjinë perandorake për të rritur fuqinë e Turqisë. Fundja, është paksa paradoksale që një politikë e jashtme të aplikojë njëherazi nostalgjinë perandorake, pragmatizmin liberal, dhe ti konsiderojë këto të dyja si qëllime në vetvete. Në fakt nuk janë, por ndodhen në një gjendje ndërlidhjeje. Nostalgjia perandorake për Davutoglu është “nënmjet” i mjetit të madh, metodës liberale.
Kjo do ta shndërronte aspiratën neo-otomane së paku në një tallje të madhe që u behet vendeve me shumicë myslimane në Ballkan, të cilat Davutoglu i cilëson si kapitali kulturor i zgjerimit të ri. Kush nuk e kupton këtë tallje kaq të hapur, i duhet rifreskuar pak kujtesa, mbrapa për te Pakti Ballkanik i nënshkruar në vitin 1934 mes Greqisë, Turqisë, Rumanisë dhe Jugosllavisë, për të formuar një kundërpeshë ndaj Italisë fashiste dhe Shqipërisë. Kohët ndryshojnë e bashkë me to edhe politikat. Fundja, në politikë nuk ka aleatë të përhershëm, dhe as armiq të përhershëm, teksa Davutoglu sqaron se Rusia një ditë mund të mos jetë “armik” i Turqisë, e në të njejtën kohë flet për nostalgjira perandorake, të së njejtës perandori që e luftoi Rusinë dhëmbë për dhëmbë deri në fund.
Davutoglusë gjithashtu i pëlqen të thotë se aleatët kyç të Turqisë mund të jenë Azerbajxhani dhe Shqipëria. Shqipëria vendoset si më e favorizuar ndaj Bosnjes, konflikti etnik i së cilës është i rrezikshëm për paqen që Davutoglu kërkon për së jashtmi. Davutoglu është i zgjuar, në vend se të bëjë plane të fshehta në mes të natës , e tua dhurojë librat instruktorëve ushtarakë dhe shërbimeve sekrete siç bëri Dugini, ai shkruan e shet në mes të ditës. Le të flasim pak për aleancën. Dihet botërisht se mes një vendi të vogël dhe një vendi të madh nuk mund të ketë aleancë, por vetëm marrëdhënie varësie. Këtë detaj të vogël duket se Davutoglu e harron paksa, teksa përshkruan nivelet e fuqisë që një shtet mund të ketë.
Kemi shtete fuqipakta, me pak mundësi manovrimi, thotë Davutoglu. Kemi dhe shtete me influencë rajonale, dhe me influencë globale. Sipas tij Turqia jo vetëm duhet ta kapërcejë pragun e fuqisë rajonale, por duhet të bëhet e fuqi globale.
Për hir të otomanizmit që ka trashëguar nga të parët, edhe njëherë Turqia duhet të marrë mbi shpatullat e saj një mision qytetërimor. Tekstualisht misioni qytetërimor (pra mjeti që legjitimon pushtetin) që Perandoria Otomane kishte marrë mbi veten, ishte përhapja e Islamit, meqë sulltanët pretendonin se ishin kalifë. Gjithashtu po këta Otomanë, ia ulën intensitetin islamit që në kohën e Perandorisë, duke e “otomanizuar” pak nga pak. Duket sikur zgjidhja që Davutoglu i jep kontradiktës identitare, gjeografiko-historike të Turqisë, është po aq kontradiktore sa dhe kontradiktat e vjetra.
Megjithatë, le të vazhdojmë xhiron në karuselin Davutoglu. Meqë Turqia nuk mund të mjaftohet me një rol të kufizuar brenda kufijve të saj, Davutoglu identifikon tre basene strategjike kyçe, drejt të cilëve Turqia duhet të orientohet. I pari është baseni famëkeq, prej të cilit lindi një përkufizim sipërfaqësor, neo-otomanizëm për shkak se doktrina kërkon të rikrijojë lidhje me vartësit e dikurshëm. Me të verdhë ngjyroset baseni territorial, në të cilin Turqia duhet të bëjë brumosje, të afrohet e të “sundojë” me anë të fuqisë së butë. Gjithashtu Turqia në këtë basen duhet të luajë rolin e kadiut, të zgjidhë çështjet diplomatike siç di ajo vetë, me dashuri dhe harmoni.
Me marifet, Turqia duhet ti afrohet Serbisë me dhurata ekonomike, kurse Shqipërise, Kosovës dhe Bosnjes, me broçkulla kulturore, me nostalgjira perandorake. E shikoni si funksionon? Aty ku mjafton çekiçi, nuk duhet matrapiku. Teksa Vucic kërcen alla turka, Erdogan hedh në shesh deklarata si përshembull “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”. Ndërkohë nga 2009a deri në 2015n Erdogan u bë një babaxhan i këndshëm për kurdët, duke hapur një kanal në gjuhën kurde, e duke përshendetur në gjuhën kurde. Ca vite më vonë fasada nuk mbajti më, dhe Erdogan e hodhi përsëri në plehra çështjen kurde. Tashmë çakenjtë e Erdogan i janë lëshuar Sirisë veriore.
Kjo është politika, neo-otomanë të dashur. Por mbase neo-otomanët jo të gjithë besojnë me symbyllur. Disa mund të nuhasin paranë e huaj, kurse disa të tjerë, si fshatarët e pashkolluar turq, ngazëllehen me legjislacione tallëse ku alkoli nxirret jashtë ligjit (pas orës 12 të mbrëmjes). S’ka gjë, gjërat ecin ngadalë. Kalifati është një hap më afër.
Nga ana tjetër, ambicia e Davutoglu për t’i bashkangjitur Turqisë misionin e saj qytetërimor (na duhej një universalizëm turk, nuk na mjaftojnë ato që kemi deri më tani), duket sikur po shembet dalëngadalë. Loja politike i ka dalë nga duart Erdoganit, dhe dyshja e pandashme ka bërë divorc. Mbetet për tu parç se çdo bëjë Davutoglu në të ardhmen. Erdogan ama, vazhdon të luajë lojën. Gjithashtu ka pak vend për reflektim. Nëse neo-otomanizmi është e “mesmja e artë”, ku na çon fondamentalizmi islamik ose qemalizmi? Qemalizmi është qasja më e sinqertë, që e sheh turkun si turk, e nuk merret me ide bombastike. Kurse sa për fondamentalizmin islamik, vetëkuptohet.
Mësimi që nxirret nga e gjithë kjo, nuk është vetëm fakti se neo-otomanizmi sot më shumë se kurrë ka pak gjasa për të arritur qëllimin e tij. Mësimi është se shqiptarët duhet t’i vënë gishtin kokës, e të kuptojnë se e ardhmja nuk gjendet në duart e atyre të cilëve u ulemi në gjunjë për dy pare ose atyrë që na quajnë “vëllezër myslimanë”, e pastaj “pis milet” prapa dyerve të mbyllura. Harxhimi i energjive për hir të narrativave të huaja, asnjëherë nuk do e nxjerrë në dritë Shqiptarinë. Derrit nuk i thuhet dajë.
This blog post has been Digiproved © 2019