Në fillim të artikullit do përpiqem të shpjegoj pjesët më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje tregtare. Marrëveshja është mbi 100 faqe por shumica e faqeve thjesht listojnë në detaje produktet që janë pjesë e marrëveshjes.
Fillimisht një ndër kapitujt më të rëndësishëm të marrëveshjes është kapitulli nr 4. Në këtë kapitull thuhet se të dyja anët zotohen të heqin doganat për mallrat për të cilat bëhet fjalë në pjesë të tjera të marrëveshjes. Pjesa interesante është se Turqia fiton të njëjtin status përsa i përket importit në Shqipëri, me vendet e tjera të bashkimit europian. Pra mallrat e BE-së nuk mund te favorizohen para atyre të Turqisë dhe anasjelltas. Teorikisht gjë e mirë. Tregu vendos dhe personi zgjedh çmimin më të lirë. Në praktikë është problematike pasi tregon afrim më shumë seç duhet me Turqinë.
Më pas, një ndër kapitujt e tjerë më të rëndësishëm është kapitulli nr 16 ose i quajtur ndryshe kapitulli i „përshtatjeve strukturore“. Siç e përmendëm dhe më parë tek artikulli mbi politizimin e tregtisë, një ndër problemet (për të cilin do flasim dhe më gjerë në pjesën e dytë të këtij artikulli) ishte fakti se mallrat bujqësore turke, duke qenë më të lira se ato shqiptare, do dëmtonin prodhuesit vendorë shqiptarë. Në pamje të parë, kjo marrëveshje tregtare duket sikur tregohet e drejtë në këtë pikë.
Në kapitujt para atij të gjashtëmbëdhjetë thuhet se Shqipëria dhe Turqia do heqin gjithë barrierat tregtare, qofshin këto të drejtpërdrejta (dogana) por dhe jo të drejtpërdrejta si limite sasiore, taksim i brendshëm, standardet e ndryshme të sigurisë etj. Në kapitullin 16 thuhet se Shqipëria mund të marrë masa mbrojtëse, por vetëm në rast se sektorët e ekonomisë ndodhen akoma në stad zhvillimi ose në rast se këto sektorë ndodhen në vështirësi të madhe ekonomike, për një arsye apo për një tjetër. Fillimisht ngjan mirë si ide. Duket si një marrëveshje tregtare e krijuar me frymën e „embedded liberalism“ (të cilin e kemi përmendur në artikuj të tjerë). Problemi ama bëhet i qartë nëse lexon pak më tutje.
Fillimisht maksimumi i doganave të cilat mund të vihen në kushte vështirësie është 25% dhe maksimumi i vlerës totale e cila mund të doganohet është 15%. Deri këtu mirë. Më poshtë ama thuhet se këto masa nuk mund të ndërmerren për një kohë më të gjatë se pesë vite. Pra, edhe nëse bujqësia shqiptare është totalisht e shkatërruar prapë këto masa nuk mund të ndërmerren pasi bien në kundërshtim me marrëveshjen. Pika më e rëndësishme është në fund të kapitullit. Në këtë pjesë thuhet se Shqipëria mund ti marrë këto masa vetëm tre vite mbasi ka ndodhur eliminimi total i doganave. Duke pasur parasysh se dogana për shumicën e produkteve të përmendura në marrëveshje hiqet në momentin që marrëveshja nënshkruhet dhe hyn në fuqi, i bie që Shqipëria të kishte vetëm tre vite për të ndërmarrë masa të tilla proteksioniste. Për pjesën tjetër të produkteve, për të cilat doganat duan deri në 5 vite për të hyrë në fuqi i bie që Shqipëria të kishte vetëm tetë vite.
Në momentin që tetë vite kalojnë, Shqipëria nuk ka të drejtë të marrë asnjë lloj mase proteksioniste ndaj mallrave turke dhe duke pasur parasysh se doganat ulen në 0% kjo është problematike. Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2007 kështu që tetë vite kanë kaluar dhe e kemi humbur këtë të drejtë. Rasti ideal është rasti ku qeveria shqiptare, duke parë gjëndjen skandaloze të bujqësise shqiptare në 2007, përpiqet të kuptojë se si mallrat turke mund të dëmtojnë bujqësinë shqiptare. Ajo ndërmerr politika proteksioniste duke doganuar ato mallra turke të cilat i sheh si problematike dhe dëmtuese për tregun vendas dhe njëkohësisht investon masivisht në bujqësi për ta bërë bujqësinë shqiptare më konkurruese. Siç e dimë këto janë ëndrra dhe nuk bazohen në realitet. Këtë e dinte qeveria shqiptare e 2007s që nënshkroi këtë marrëveshje si dhe zotërinjtë turq. Gjithsesi faji më shumë është i yni se sa i zotërinjve turq. Pasi duhen dy palë për të nënshkruar një marrëveshje.
Kapitulli 24 gjithashtu thotë se asnjëra palë nuk mund të ndërhyjë me anë të ndihmës shtetërore në këto sektorë ekonomikë për sa kohë kjo ndihmë ekonomike „shkatërron konkurrencën“. Natyrisht për të parë nëse diçka vërtet shkatërron konkurrencën apo jo ka proçedura. Palët duhet ti drejtohen OBT që ka përgjegjësi për këto probleme. Puna është se bujqësia shqiptare, në fillimet e veta, domethënë pa u ngritur akoma mirë në këmbë, e ka thuajse të pamundur të mbijetojë pa ndihma shtetërore. Por kapitulli 24 e ndalon këtë.
Kapitulli 25 është pak më ndryshe. Këtu lejohen masa restriktive për sa i përket importeve. Kjo në rast problemi balance pagesash.
Kapitulli 30 dhe 31 janë gjithashtu interesantë pasi këtu shohim përjashtimet që bëhen në raste të ndryshme. Shqipëria ka të drejtë të marrë masa proteksioniste ndaj Turqisë nëse:
- Cënohet siguria e shtetit shqiptar.
- Për arsye ambientaliste, të mbrojtjes së sigurise morale dhe publike, për mbrojtjen e vlerave kulturore artistike dhe arkeologjike etj.
Keto kapituj japin pak shpresë pasi, nëse shohim rastin amerikan me Kinën mund të gjenden gjithmonë arsye se pse diçka është „problem“ për sigurinë kombëtare.
Për ta mbyllur po përmendim pikën e fundit të marrëveshjes. Daljen nga marrëveshja. Marrëveshja bëhet e pavlefshme nëse njëra palë njofton me shkrim palën tjetër. Dalja pra është e thjeshtë. Një rinegocim është gjithashtu i mundshëm por nuk e di se sa sukses do kishte diplomacia shqiptare me diçka të tillë.
Në pjesën e parë përmendëm pikat më të rëndësishme të marrëveshjes tregtare. Në pjesën e dytë do të përmendim produktet kryesore të përfshira në marrëeshje, se si mendojmë se e ndikon klauzola e bujqësisë bujqësinë shqiptare. Do përmendim gjithashtu nëse klauzola industriale e marrëveshjes është pozitive për Shqipërinë apo jo dhe do japim një vlerësim të përgjithshëm mbi marrëveshjen.
This blog post has been Digiproved © 2019